Enj. Kor 18th, 2024

Takimi i G7 në Itali – Biden thekson mbështetjen për Ukrainën

By Rtv Arbëria Qer14,2024

Presidenti Joe Biden dhe udhëheqësit e shtatë vendeve më të pasura të botës po takohen në Itali, duke nënvizuar mbështetjen për luftën e Ukrainës kundër pushtuesit rus dhe nevojën për arritjen e një armëpushimi në Gazë. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Patsy Widakuswara, ndoqi nga afër takimin dhe sjell në vazhdim një material nga Borgo Egnazia, vendi ku po zhvillohet takimi i G7.

Një shfaqje parashutistësh shënoi fundin e ditës së parë të takimit të udhëheqësve të G7 të cilët diskutuan për sfidat globale, përfshirë luftërat në Lindjen e Mesme dhe Evropë.

Një vëmendje e veçantë iu kushtua Ukrainës. Presidenti Joe Biden nënshkroi një marrëveshje sigurie me homologun ukrainas, Volodymyr Zelenskyy.

“Do të vazhdojmë mbështetjen për t’u siguruar që Ukraina të korrë fitore dhe Rusia të mos fitojë”, tha Presidenti Biden.

Udhëheqësit e G7 mbështetën planin e zotit Biden për t’i dhënë Ukrainës një hua prej 50 miliardë dollarësh. Huaja do të paguhet nga interesi i akumuluar, rreth 3 miliardë dollarë në vit, nga pasuritë e ngrira ruse me një vlerë prej 280 miliardë dollarësh.

“Ministrat e financave po shqyrtojnë detajet dhe do ta sqarojnë këtë sa më shpejt që të jetë e mundur”, tha Presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen.

Zyrtarët amerikanë thonë se deri në fund të takimit do të kenë një kornizë të qartë veprimi.

Presidenti Volodymyr Zelenskyy shprehu shqetësim lidhur me vazhdimin e angazhimit perëndimor për Ukrainën, ndërsa tregoi mirënjohje për marrëveshjen e sigurisë.

“Çështja e NATO-s përfshihet në tekstin e marrëveshjes ku theksohet se Amerika e mbështet anëtarësimin Ukrainës në NATO në të ardhmen dhe konfirmon se marrëveshja jonë e sigurisë është një urë për anëtarësimin e Ukrainës në NATO”.

Uashingtoni njoftoi në fillim të kësaj jave sanksione të reja ndaj atyre që ndihmojnë industrinë ushtarake të Moskës, përfshirë kompanitë kineze që i shesin Rusisë gjysmëpërçues.

Lufta në Gazë është gjithashtu në qendër të bisedimeve. Presidenti Biden tha se nuk ishte i sigurtë lidhur me një armëpushim të shpejtë.

“Pengesa më e madhe deri më tani është refuzimi i Hamasit që ta nënshkruajë, madje edhe pse kanë paraqitur diçka të ngjashme. Mbetet për t’u parë nëse do të realizohet. Ne do të vazhdojmë përpjekjet tona”, tha Presidenti Biden.

Në përpjekje për të frenuar valën e emigrantëve afrikanë që futen në Evropë përmes Italisë, kryeministrja Giorgia Meloni e ka bërë çështjen e migrimit dhe investimet në Afrikë temën kryesore të presidencës së saj të G7.

“Italia ka vënë në qendër të presidencës së saj çështjen e migrimit dhe rolin gjithnjë e më shqetësues të organizatave të trafikimit, duke shfrytëzuar dukshëm dëshpërimin (e emigranteve)”, tha kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni.

Axhenda e kryeministres Meloni për Afrikën është në përputhje me Partneritetin e G7 për Infrastrukturën dhe Investimet Globale. Synimi është grumbullimi i rreth 600 miliardë dollarëve për financimin e infrastrukturës deri në vitin 2027, si një alternativë ndaj nismës kineze “një brez një rrugë”.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *