Enj. Tet 10th, 2024

Takimi i Kurti-Vuçiç, temë diskutimi të zhdukurit

Një nga temat në takimin e paralajmëruar të së hënës, ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuicic, do të jetë cështja e personave të zhdukur në luftën e fundit.

Por, ish-kryeministri Avdullah Hoti, thotë se kjo temë e dialogut është mbyllur nga Qeveria e kaluar.

Ai kritikon qasjen e kryeministrit Kurti në procesin e dialogut, duke thënë, mes tjerash, se propozimet e tij janë në funksion të “Status-Quo”-së, e cila sipas tij, i konvenon Serbisë.

Të zhdukurit në luftën e fundit do të jenë temë e takimin e dytë ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vucic, të caktuar për të hënën, më 19 korrik.

“Temë e këtij takimi do të jenë të zhdukurit me dhunë gjatë luftës së fundit. Ajo për neve mbetet temë me prioritet dhe urgjencë. Presim që në këtë takim të diskutohen edhe katër propozimet e kryeministrit Kurti nga takimi i mëparshëm. Po ashtu do të diskutohet në lidhje me agjendën e ardhshme të kapitullit të ri të dialogut për çka do të shohim nëse do të arrihet një pajtueshmëri” u shpreh Përparim Kryeziu.

Por, tema e të pagjeturve, sipas Ish-kryeministrit Avdullah Hoti, është një nga elementet tashmë të dakorduara si pjesë e marrëveshjes përfundimtare.

“Ne e kemi mbyllur këtë çështje në Qeverinë e kaluar dhe jam i bindur se është mbyllur në mënyrën më të mirë të mundshme, duke u siguruar që ne të kemi qasje të plotë. Pra, kur të përmbyllet komplet marrëveshja me njohje reciproke, ne të kemi qasje të plotë në të dhëna për të siguruar dhe për të përmbyllur këtë çështje shumë të ndjeshme për shumë qytetarë në Kosovë. Nëse tani hapet prapë, unë nuk e di ku na çon?!” tha Hoti.

Hoti ka kritika edhe për propozimet tjera të Kurtit, pas takimit të parë.

“Qeveria doli me disa pika, që për mendimin tim si një person i përfshirë në të kaluarën në këtë proces, është ruajtje e Status Quo-së, jo zgjidhje e problemit, por ruajtje e Status Quo-së që më së shumti i konvenon Serbisë, me ato pikat që ishin bukur absurde të mendohet që ne të bëjmë aranzhime specifike siç i ka Norvegjia, Zvicra e Lihtenshtajni etj., etj. Ishin të pakuptueshme, ne duhet të tentojmë, ta mbyllim këtë proces sa më parë.”

Pas takimit të parë, më 15 Qershor, presidenti i Serbisë tha se ka kërkuar zbatimin e marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Por, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përsëritur disa herë që nuk do të lejojë themelimin e asociacionit mbi baza një-etnike, duke propozuar trajtim reciprok të pakicave në të dyja vendet, pas marrëveshje për njohje reciproke.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *