Pre. Dhj 6th, 2024

Telekomi me ofertë për largimin e punëtorëve nga puna, publikohen detaje të reja

Punëtorët e kompanisë publike Telekomi i Kosovës, më 25 mars kanë pranuar një e-mail të pazakontë.

Në këtë shkresë elektronike, të titulluar‘Ofertë me pako vullnetare për punëtorët!’.

Të punësuarve në këtë kompani iu ofrohet një pako dalëse, e cila përfshin dy mundësi.

Stafi janë njoftuan gjithashtu edhe për procesin e ristrukturimit (reformimit) që ka hyrë në fazën e tij përfundimtare dhe për hapat që do të ndërmerren në vijim.

“a)Pensionimi i parakohshëm për personat të cilët/at dalin në pensionim gjatë viteve kalendarike 2023, 2024, 2025 dhe 2026, si dhe b) Marrëveshje vullnetare për ndërprerjen e kontratës së punës me benefitet e përcaktuara për punëtorin/en”, thuhet ndër të tjera në e-mailin e dërguar secilit punëtorë.

Ata që firmosin për t’u pensionuar para kohe do të përfitojnë 60 për qind të pagës aktuale bruto për periudhën e mbetur deri në pensionim.

Derisa, punëtorët e Telekomit që vullnetarisht ndërpresin marrëdhënien e punës do të marrin 24 paga bruto përnjëherë.

Në këtë email, thuhet po ashtu se “Kjo ofertë bëhet vetëm gjatë intervalit kohor 25 mars 2022 deri më 25 prill 2022, që përkon me periudhën para finalizimit të procesit të ristrukturimit. Pas kësaj date në kompani do të rianalizohen opsionet e tjera që gjithsesi nuk do të jenë kaq të volitshme”.

Zëdhënësi i Telekom-it, Fadil Lepaja, ka konfirmuar dërgesën e këtij e-maili te punëtorët e kësaj kompanie dhe ka treguar arsyen.

“Po e konfirmojmë dërgesën e këtij e-maili te punëtorët. Bëhet fjalë për një komunikim të brendshëm dhe qëllimi është i shprehur në “ofertë”. Ne nuk e kemi paraparë që lidhur me këtë, në këtë fazë, të njoftojmë edhe publikun, por e mirëpresim interesimin e juaj dhe nuk shohim asgjë të keqe në faktin që dikush e ka përcjellur njoftimin tonë te ju, edhe pse u ishte dedikuar vetëm punëtorëve dhe ishte vetëm për komunikim të brendshëm”, thotë ai.

Lepaja është përgjigjur se kërkesa për këtë ofertë ka qenë nga aksionari, në këtë rast nga Qeveria. Derisa thekson se qëllimi i kësaj oferte është zvogëlimi i shpenzimeve operative për mbijetesën e Telekomit, pasi siç thotë ai kjo kompani është futur në borxhe deri në ‘fyt’.

“Qëllimi i ristrukturimit nuk ka qenë dhe nuk është që arbitrarisht të shkurtoj vende pune as të largojë njerëz nga puna, por ka për qëllim ta bëjë funksionale kompaninë dhe të ulë shpenzimet operative në nivelin optimal. Kjo ka qenë edhe kërkesë e aksionarit por është edhe kusht për mbijetesën e kësaj kompanie e cila është sjellë në këtë gjendje përmes një menaxhimi të keq dhe kontratave korruptive. Ajo është futur në borxhe deri në fyt, gjithashtu duke i rritur në kulm shpenzimet operative të pa arsyetuar me nevojat e biznesit, shpesh përmes blerjes së qetësisë sociale në shoqëri, duke krijuar vende fiktive të punës apo duke ngritur grada arbitrarisht e bashkë me këtë edhe pagat për zyrtarë të cilët me asgjë nuk e arsyetonin këtë”, shkruan ai.

Për këtë e-mail, kryetari i Sindikatës së Punëtorëve në Telekom, Lamih Balaj, ka thënë se ndihet i habitur me këtë njoftim të cilin e quajti diskriminues, pasi që nuk janë ftuar nga bordi dhe menaxhmenti i Telekomit për hartimin e kësaj oferte.

Ndonëse, Balaj i garanton të gjithë punëtorët, të cilët nuk dëshirojnë që të shkojnë në pensionim të parakohshëm, se nuk do të ketë largim kolektiv të punëtorëve nga Telekomi i Kosovës.

“Ajo çka mua nuk më ka pëlqyer dhe kryesisë së sindikatës, është se ne nuk jemi pyetur fare për kushtet e pakos dhe ka qenë obligim edhe e aksionit që t’i kërkon menaxhmentit të ulet të diskutojë me sindikatat. Për mua si sindikatë nuk është e drejtë që si përfaqësues ipunëtorëve të Telekomit, me një numër mbi 50 përqind të të punësuarve të pranojë e-mailin e njëjtë bashkë me punëtorët e Telekomit, sepse ne këtë e shohim si diskriminuese”, thotë Balaj.

Zëdhënësi i Telekom-it, Lepaja ka folur edhe për ankesat e sindikalistëve.

“Kjo është një ofertë e menaxhmentit, e mbështetur nga aksionari, kështu që lidhur me të nuk ka qenë e nevojshme të negociohet me sindikatat. Kjo është një ofertë individuale, e tipit “Atij që i intereson”, vetëm për ata që mund ta gjejnë me interes dhe nuk është pako e detyrueshme për askënd. Asnjë pasojë nuk rrjedh nga mosinteresimi për këtë ofertë”, thotë Lepaja në një përgjigje me shkrim.

Ndërsa, shefi i sindikatës, Balaj, ka kërkuar nga punëtorët që mos të frikohen nëse nuk e marrin pakon ‘oferta’.

“Në rast se do të ketë mundësi, ne do të reagojmë dhe do kërkojmë nga aksionari që të rishqyrtojnë një gjë të tillë. Nuk po themi që është e rregullt, por gjatë gjithë vikendit kemi marrë telefonata ku kanë thënë ‘a mundem unë me shkuar’. Pse po më pyet mua a mundem me shkuar, sepse është një pako vullnetare. Mos iu frikoni nëse nuk e merrni pakon. Nëse një punëtor e sheh veten që nuk ka qenë I kualifikuar për atë pozitë, është e drejtë e tij me zgjedhur”, thotë ai.

Derisa ka paralajmëruar se askush nuk do të mund t’i largojë punëtorët nga puna.

“Asnjë mos të ndihet i rrezikuar as nga termet brenda e-mailit, që mundet me u larguar nga Telekomi i Kosovës pas ristrukturimit. Secili nga punëtorët në bazë të përgatitjes së vet profesionale do t’i takojë edhe vendi i tij i punës. Jo që jemi të fortë, por ne punojmë me ligj, e respektojmë atë dhe derisa sot qeveria e Kosovës e ka primare punësimin në Kosovë. Kështu që nuk besoj që e ka primare qeveria largimin kolektiv nga puna, e aq më pak në një ndërmarrje publike, e cila ka dhënë qeverisë së Kosovës mbi 500 milionë euro dividentë, e tatim paguesi më i madh rreth 1 miliard euro. Po e them, në çdo formë ne do ta mbrojmë punëtorin, sepse bashkë me këta punëtorë të ndershëm, sepse nuk do t’i mbrojmë ata punëtorë të pa ndershëm të cilët kanë ardhur në punë, apo nuk ka ardhur, e kanë marrë paga pa ardhur në punë. Por, punëtorët e ndershëm dhe anëtarët tonë do t’i mbrojmë në çdo moment… Ne i kemi përfaqësuesit në ristrukturim dhe derisa në këtë ristrukturim nuk është diskutuar shuarja e pozitave… Këtë le ta harrojnë të gjitha ata që mendojnë që munden me larguar punëtorë prej pune”, thekson ai.

Megjithatë, kreu i kësaj sindikate në Telekom, Balaj thekson se nuk kanë nevojë me marrë paga njerëzit të cilët e siç thotë ai e kanë shkatërruar Telekomin, kanë nënshkruar kontrata të dëmshme dhe s’kanë shkuar kurrë në punë. Fatkeqësisht, sipas tij, edhe sot në Telekom ende ka njerëz të tillë. Prandaj, ai tha se për këta persona ishte dashur të merren masa.

Derisa, sipas kësaj oferte, aksionari, në këtë rast qeveria, ka pranuar ofrimin e ndihmës financiare përmes sigurimit të pakove dalëse për punëtorët që vullnetarisht dëshirojnë ta shfrytëzojnë këtë mundësi.

Për shkak të krizës financiare në këtë kompani, ende punëtorët marrin pagat e tyre në dy pjesë, nga 50 përqind.

Ndërsa, për pensionim të parakohshëm kishte pasur ofertë në vitin 2015, ku gjithsej katër punëtorë e kishin shfrytëzuar këtë mundësi.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *