Sht. Tet 12th, 2024

Tiketa ngjitëse për regjistrimin e automjeteve, flet drejtori i BKS-së, tregon anët pozitive

Qytetarët e Kosovës do të paguajnë nga 5 euro shtesë me rastin e regjistrimit të automjeteve.

Kjo për tiketën ngjitëse për vetura, vendim ky i marrë nga Ministria e Infrastrukturës e cila në bashkëpunim me kompaninë Autokontroll Kosova ka nënshkruar marrëveshje, për të paguar shumën prej 4.90 euro për këtë tiketë, vendim ky që do të zbatohet nga data 1 shtator.

Sipas kësaj marrëveshje, qytetarët janë të obliguar të paguajnë për tiketën ngjitëse pas regjistrimit të automjeteve.

Për këtë, zëvendësministri i infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka thënë se kjo tiketë do të ndihmojë për anëtarësimin në Kartonin e Gjelbër.

Lidhur me këtë tiketë ngjitëse dhe rëndësinë e saj, për gazetën “Bota sot” ka folur drejtori i Byrosë Kosovare të Sigurimit, Sami Mazreku.

Ai thotë se problemin e numrit të madh të automjeteve të paregjistruara e ka paraqitur qysh në vitin 2018, ku kemi pasur gjithsej 109 mijë automjete të paregjistruara dhe ka propozuar dy mënyra për zvogëlimin e këtij numri, përmes mënyrës ligjore, që të ndryshohet udhëzimi për vetura dhe të bëhet pastrimi i listave të automjeteve të paregjistruara dhe vendosja e tiketave ngjitëse në vetura.

Mazreku thotë se BKS e përkrah vendosja e këtyre tiketave në automjete pasi ka efekte pozitive, derisa për koston ai ka thënë se nuk i takon Byrosë por Ministrisë.

“BKS e përkrah këtë nismë të Ministrisë, do të ndikojë pozitivisht te ne dhe në shtet. Është pozitive që kjo ministri ka marrë hapa konkret, kjo do të ndikojë të paktën në masën 50 për qind për uljen e numrit të automjeteve të paregjistruara, brenda një viti. Po ashtu pozitive është pasi Policia e ka më lehtë ndaljen e veturave, pasi përmes tiketave do të dihet cilat vetura janë të regjistruara, pastaj ndikon në inkasim të të hyrave, ulet numri i aksidenteve. Gjithashtu, Byroja e ka më lehtë diskutimin me një shtet për gjetjen e zgjidhjes alternative për shitjen e Kartonit të Gjelbër. Byroja ka përgjegjësi direkte për të diskutuar për Karton të Gjelbër, andaj çdo alternativë që e ndihmon këtë proces e mbështesim dhe e shohim qeverinë si partner për këtë proces”, ka deklaruar drejtori i BKS-së për “Bota sot”.

Ai ka shtuar se po ashtu kanë kërkuar heqjen e kushtëzimeve për regjistrimin e veturave, neni 43 ligj të automjeteve, heqjen e taksave komunale, ndryshimin e nenit për bartjen e pronësisë, që pjesa e mbetur e taksave të bartet te pronari i ri.

Në bazë të të dhënave zyrtare, deri tani që nga viti 2001, janë gjithsej 208.010 vetura të paregjistruara.

Në vitin 2001 kanë qenë 131, vitin 2002 është rritur numri në 658 pastaj kemi pasur 459 automjete të paregjistruara në vitin 2003 për të vazhduar me vitin 2004 ku kane qenë gjithsej 589, e në vitin 2005 kanë qenë 556 automjete të paregjistruara. Në vitin 2006 kanë qenë 681 automjete të paregjistruara, 816 të tilla kanë qenë në vitin 2007, për të vazhduar me rritje të numri në vitin 2008 ku kemi pasur 1101, në vitin 2009 gjithsej 1806 automjete të paregjistruara, në vitin 2010, 2017 automjete, 3624 në vitin 2011, me rritje pastaj në vitin 2012 me gjithsej 19.039 automjete të paregjistruara. Më pas, në vitin 2013 kanë qenë 15.885, në vitin 2014, 20.814, në vitin 2015, 15.517, për të vazhduar me gjithsej 15.060 automjete të paregjistruara në vitin 2016, ndërsa në vitin 2017 kanë qenë 19.877, në vitin 2018 kanë qenë 21.909, në vitin 2019, 27.891, kurse në vitin 2020 kemi pasur gjithsej 39.670 automjete të paregjistruara.

Sipas drejtorit Mazreku, me ndryshimin e udhëzimit administrativ, do të bëhet pastrimi i listave të automjeteve të paregjistruara dhe do të mbesin vetëm 67.561 automjete të paregjistruara

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *