Pre. Nën 1st, 2024

Xhaçka: Kosova për ne është e shenjtë, lobojmë për njohje në çdo takim

Ministrja e Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka ka thënë se prioritet mbetet kauza e shqiptarëve në rajon, të drejtat e shqiptarëve në rajon, në Maqedoninë e Veriut, në Malin e Zi dhe në Preshevë.

Xhaçka potencoi se Kosova është duke u izoluar padrejtësisht, duke iu mohuar liberalizimi i vizave.

Këtë çështje ajo tha se e kanë në prioritet gjatë punës së tyre në Këshillin e Sigurimit.

“Është një çështje që e ngremë në çdo takim bilateral duke lobuar për njohje e për anëtarësim të Kosovës në organizata ndërkombëtare. Është një çështje që e ngremë me forcë e pa u lodhur me BE dhe vendet anëtare duke denoncuar me forcë padrejtësinë që i bëhet Kosovës duke e izoluar në mes të Europës pa mbajtur premtimin për liberalizimin e vizave. Është një çështje që e kemi prioritet të punës tonë në Këshillin e Sigurimit ku po punojmë pa u lodhur jo vetëm për sa i përket pakësimit të raportimeve të UNMIK në Këshill, por edhe për të zgjeruar marrëdhëniet me ato vende, si për shembull në Afrikë, ku procesi i njohjeve nuk ka ecur mbarë e ku ende duhet shumë punë”, tha ajo gjatë punimeve të Kongresit të Partisë Socialiste.

Xhaçka shtoi se “puna që po bën Shqipëria në rajon në funksion të rritjes së bashkëpunimit rajonal, e posaçërisht puna për nismën Ballkani i Hapur, ka shkaktuar shqetësim tek një pjesë të forcave politike e të shoqërisë shqiptare në rajon, të cilat e kanë kuptuar këtë nismë si një zbehje të mbështetjes së Shqipërisë për Kosovën”.

“E vërteta padyshim s’është kjo sepse Kosova për ne është e shenjtë, ashtu siç është e shenjtë kauza e shqiptarëve në rajon. E vërteta është shumë më e thjeshtë dhe ka dy pjesë. Në njërën anë, kjo nismë është një mekanizëm që zbaton e përshpejton proceset e parashikuara në Procesin e Berlinit. Përshpejtim i cili sjell përfitime konkrete për të gjithë rajonin, përfshirë shqiptarët”, shtoi Xhaçka. /atsh/

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *