Pre. Pri 26th, 2024

Bislimi paralajmëron plan B për targat: Do të japim afat 30 ditë para zbatimit

By Rtv Arbëria Maj 23, 2022

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka paralajmëruar një plan B për çështjen e targave të automjeteve me Serbinë. Ai ka thënë se të njëjtin do t’ia paraqesin edhe vendeve të QUINT-it dhe më pas do të japin afat 30 ditë para zbatimit në terren.

Kryenegociatori për dialogun me Serbinë, duke raportuar në Komisionin për Punë të Jashtme ka thënë se pala serbe nuk ka vullnet për arritjen e një ujdie për targat.

“Ka qenë kërkesë e palës serbe që t’iu ofrohen edhe gjashtë muaj shtesë me arsyetimin se Serbia ndodhet në fazë delikate të krijimit të institucioneve, rrjedhimisht e kanë të pamundur të jenë aktiv në dialog. Nga këta gjashtë muaj kanë kërkuar që katër të jenë periudhë pushimi ku nuk do të diskutohet për çështjen e targave dhe pastaj dy muaj për negocim. Neve kjo na është dukur jo serioze… Tash dakordimi është që ne të përgatisim një plan B për çështjen e targave dhe pastaj ta prezantojmë para vendeve të QUINT-it dhe të ketë 30 ditë afat para se të fillojë zbatimi i planit B”, tha ai.

Ndryshe nga kjo, Bislimi, përsëriti përafrimet për arritjen e një marrëveshjeje për energjinë në veri të Kosovës.

“Jemi shumë afër finalizimit të kësaj marrëveshjeje dhe mbase shumë shpejt mund të thuhet se ka dakordim dypalësh që të fillojë implementimi i saj”, shtoi ai.

Mes tjerash, Bislimi theksoi se diskutimi për këto tema para marrëveshjes finale është imponuar.

Nga ana tjetër, deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, pyeti zëvendëskryeministrin Bislimi nëse ka ndërlidhje procesi i dialogut me anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

“A mendoni që është i ndërlidhur procesi i dialogut, në mënyrë që të kemi një aplikim të suksesshëm në Këshillin e Evropës? Këtë po e them se në deklarimin e fundit të ministres së Jashtme të Gjermanisë, thuhet se një hap i tillë është i rëndësishëm, por në të njëjtën kohë nevojitet një planifikim i mirë”, ka thënë ajo.

Zëvendëskryeministri Bislimi ka thënë se disa prej vendeve anëtare e shohin një ndërlidhje të tillë, por qëndrimi zyrtar i Brukselit është se këto janë dy procese të ndara.

“Ka ide që disa prej vendeve anëtare e shohin një ndërlidhje mes ecjes apo progresin në procesin e dialogut dhe anëtarësimin në Këshillin e Evropës. Qëndrimi ynë është se këto dy janë procese të ndara dhe duhet të mbahen si të tilla. Për mua është me rëndësi se ky është edhe qëndrimi zyrtar i Brukselit dhe personave që janë të përfshirë në dialog”, ka thënë Bislimi.

Deputeti tjetër i PDK-së, Xhavit Haliti, u interesua më shumë te marrëveshja për themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Sa i përket çështjes së Asociacionit kam dëshirë të bisedoj. Kemi një qëndrim të Gjykatës Kushtetuese për këtë, kemi edhe një çështje tjetër, po ashtu edhe për pronën e kishës në Deçan. Për këtë çështje janë deklaruar miqtë tanë strategjikë dhe disa vende të BE-së”, ka thënë Haliti.

Mirëpo, zëvendëskryeministri Bislimi tha se nuk duhet t’i “fryhet” kësaj teme, pasi e njëjta është vetëm njëra nga 33 marrëveshjet e nënshkruara. Sipas tij, BE-ja thotë se lista e mos implementimit të marrëveshjeve është dyfish më e gjatë nga pala serbe se ajo kosovare.

Sipas tij, në momentin e duhur, kur të arrihet marrëveshja gjithëpërfshirëse dhe ka siguri juridike, mund të flitet për modalitetet që sigurojnë avancimin e të drejtave të minoriteteve mbi parimin e reciprocitetit.

“BE thotë se duhet të implementohen marrëveshjet, pikë, nuk ka kushte. E njëjta BE thotë se lista e mos implementimit të marrëveshjeve është dyfish më e gjatë se pala serbe se pala kosovare. Këtu përfundon gjithçka, nuk e di pse i fryni një teme artificialisht… Jemi në dijeni të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, por ajo çka po them është se ne jemi të interesuar të zhvillojmë mekanizma që garantojnë të njëjtën kohë avancim të drejtave të minoriteteve dhe siguri të plotë të integritet dhe sovranitetit të vendit. Si do të quhet ky instrument dhe kur ka aplikuar i mbetet të ardhmes, pasi nuk mund të sigurohet mos cenimi i integritetit pa pasur marrëveshje gjithëpërfshirëse me Serbinë, e vetëm pastaj mund të flasim për modalitete që sigurojnë avancimin e të drejtave të minoriteteve dhe atë me principin e reciprocitetit. Këtu përfundon angazhimi jonë për të folur për asociacionin në këtë moment”, ka thënë Bislimi.

I pyetur nga deputetët për liberalizimin e vizave, Bislimi nuk ka dhënë ndonjë datë, por ka thënë se janë duke bërë të gjitha obligimet për një gjë të tillë

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *