Ish-ambasadori Cufaj: Vonesa në marrëveshjen për targa, kushton me liberalizim të vizave

Ish ambasadori i Kosovës në Gjermani, Beqë Cufaj, thotë se vonesa për marrëveshjen për targa do t’i kushtojë qytetarëve të Kosovës në liberalizimin e vizave. Ai thotë për KosovaPress se sot u vërtetua se dialogu me Serbinë është i ndërlidhur edhe me procesin e heqjes së regjimit të vizave.

Sipas tij, mos përfshirja e liberalizimit të vizave në agjendën e ambasadorëve të BE-së, për shkak të situatës së tensionuar në veri të Kosovës, tregon se Bashkimi Evropian funksionon me teorinë e shkopit dhe karotës. Në anën tjetër, ish- ambasadori thotë se në kryeqendrat evropiane po diskutohet organizimi i një samiti për përmbylljen e dialogun Kosovë-Serbi.

“Çështja e liberalizimit të vizave për shtetasit e Republikës së Kosovës ka qenë dhe do të jetë çështje e ndërlidhur me procesin e bisedimeve Prishtinë-Beograd. Sot për herë të parë, si asnjëherë deri më tash u shpërfaq ky fakt. Shtyrja në fjalë do të thotë se është rezultat i mospajtimeve aktuale të Qeverisë së Kosovës me Brukselin, rreth çështjes së targave dhe përgjithësisht ngërçit në procesin e dialogut, ku Brukseli e ka rolin e ndërmjetësuesit. Për fat të keq, ky proces sa bizar, aq edhe i padrejtë bie mbi kurrizin e qytetarëve të Kosovës dhe faturën për këto lojëra politike e paguajnë qytetarët e Kosovës. Sot si asnjëherë më parë me këtë shtyrje ka dalë në pah se kurrë nuk është thënë publikisht, por sot u vërtetua se Brukseli gjithmonë ka funksionuar me teorinë e shkopit dhe karotës. Me një fjalë është një lloj shantazhi që shtetasve të Kosovës iu është bërë dhe vazhdon t’i bëhet me procesin e dialogut”, thotë ai.

Megjithatë, Cufaj, është optimist se do të gjenden një zgjidhje për targat, rrjedhimisht të jepet drita e gjelbër për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

“Çdo vonesë për marrëveshjen (për targa) në fjalë do t’i kushtojë qytetarëve të Kosovës. Por jam optimist se për targat do të gjendet një zgjidhje, pasi Kosova s’ka asnjë alternativë tjetër, pos të jetë në krahun dhe anën e aleatëve të saj historikë SHBA-së dhe BE-së”, deklaron ai.

Ish-ambasadori i Kosovës në Gjermani, thotë se në bazë të kontakteve ka mësuar se kryeqytetet e vendeve të QUINT-it po diskutohet organizimi i një samiti për përmbylljen e dialogut Kosovë-Serbi.

“Ekziston një plan, një tekst, një draft-strategji për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, kjo nuk ka alternativë…Në kryeqytetet e vendeve të QUINT-it është duke diskutuar me të mëdha edhe mundësia e mbledhjes së akterëve kryesorë në formën e një konference apo samiti ku kjo çështje do të mbyllet”, thekson Cufaj.

Mirëpo, Cufaj thotë se Kosova nuk e ka luksin që të fillojë të krijojë një diskurs antiamerikan apo antievropian.

“Kosova nuk e ka luksin që të fillojë të krijojë një diskurs qoftë antiamerikan apo antievropian. Kosova nuk është e mësuar me këto dhe është edhe johistorike dhe anakronike që ne të provojmë tash dhe të nxjerrim fajtor BE-në apo ShBA-në”, përfundoi ai.

Siç është raportuar të mërkurën, Çekia e cila udhëheq me Presidencën e Bashkimit Evropian ka vendosur që ta shtyjë procesin e liberalizimit të vizave për takimin e javës së ardhshme të ambasadorëve, për shkak të situatës së tensionuar në veri të Kosovës.

Në këtë takim ishte paraparë të miratohet teksti për liberalizim të vizave, sipas të cilit, heqja e regjimit të vizave do të hyjë në fuqi në momentin kur sistemi ETIAS në BE bëhet funksional, mirëpo jo më vonë se 1 janar i vitit 2024.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Komente Së Fundi