Hën. Shk 26th, 2024

LAJME DITORE, E DIEL, 27.12.2020

By Rtv Arbëria Dhj 27, 2020

Vonesat në publikimin e aktgjykimit – dyshime se mund të riformulohet pika për dënimin alternativ

Të hënën mbushen një javë prej se Gjykata Kushtetuese publikoi informatën për pavlefshmërinë e votës së Etem Arifit, por jo edhe aktgjykimin e plotë. Për pasojë, Kryetarja e Kuvendit ende nuk e ka shpallur datën e zgjedhjeve. Kuvendi po ashtu është në pritje të udhëzimit nëse duhet shpërndarë legjislatura aktuale me dekret apo nëse ky institucion bëhet jofunksional momentin që shpallen zgjedhjet e reja. E vonesat në publikimin e aktgjykimit kanë ngritur dyshime se mund të riformulohet pika e cila ua ndalon garën për deputetë të dënuarve në tre vjetët e fundit
Prishtinë, 27 dhjetor – Shpallja e datës së zgjedhjeve ka mbetur peng i publikimit të plotë të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, për rastin e deputetit Etem Arifi. Të hënën mbushen një javë prej nxjerrjes së informatës nga Kushtetuesja për vendimin sipas të cilit zgjedhja e Qeverisë Hoti nuk ishte në pajtueshmëri me Kushtetutën, sepse nuk ka marrë shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit. Qeveria kishte marrë mbështetjen e 61 prej 120 deputetëve sa ka Kuvendi, pra minimumin që kërkohej, përfshirë edhe të deputetit Arifi, që nga Kushtetuesja u cilësia e pavlefshme.
Dilema tjetër është nëse duhet shpërndarë legjislatura aktuale me dekret apo nëse Kuvendi bëhet jofunksional momentin që shpallen zgjedhjet e reja. Në administratën e Kuvendit kanë thënë se varësisht nga përmbajtja e aktgjykimit do të ndërmerren hapat proceduralë.
“Paraprakisht nuk mund të paragjykojmë hapat e mëtejmë”, ka thënë për “Kohën” sekretari i Kuvendit, Ismet Krasniqi.
Ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani i ka finalizuar javën e kaluar konsultat me partitë politike, por data e zgjedhjeve nuk mund të kumtohet para se aktgjykimi të publikohet në gazetën zyrtare.
Hasani: Kushtetuesja t’i ketë parasysh afatet
Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka vlerësuar se aktgjykimi nuk do të duhej vonuar kaq shumë marrë parasysh afatet e shkurta kohore që i ka ushtruesja e detyrës së presidentes.
“Ata që janë përgjegjës duhet t’i kenë parasysh afatet dhe urgjentisht të veprohet brenda gjashtë muajve, prej kur e ka marrë detyrën zonja Osmani. Aktgjykimi duhet të bëhet publik sa më shpejt në mënyrë që të mos humbet kohë sepse janë kohë shumë të limituara. Nëse kalon afati gjashtë mujor është problem, përveç nëse ka një marrëveshje politike e cila menjëherë e plotëson atë vakum institucional që ngelet”, ka theksuar Hasani.
Ai ka ngritur dyshime se mund të tentohet riformulimi i pikës që ua ndalon garën për deputetë të dënuarve në tre vjetët e fundit, pa marrë parasysh çfarë dënimi u është shqiptuar.
“Ajo pjesë nuk mund të hiqet sepse është pjesë operative për të cilën ka vendosur gjykata. Ajo thotë se çdokush që ka një verdikt të formës së prerë për një vepër penale, i ndalohet hyrja në garë ose i ndërpritet automatikisht në të ardhmen. Ky është standardi i krijuar. Gjykata i ka dhënë supremaci ligjit në vend të Kushtetutës. Gjykata qe dy herë, edhe në rastin për masat gjatë pandemisë dhe rastin e fundit u ka dhënë rëndësi ligjeve”, ka thënë Hasani. Sipas tij, kjo është përmbysje e supremacisë kushtetuese.
“Me vendimin për rastin Hoti është siguruar supremacia e akteve të përgjithshme në vend se të ishte e kundërta. Do të thotë që ligji të jetë në përputhje me kushtetutën dhe çdo akt tjetër. Tash e kundërta është bërë. Kushtetuta duhet të jetë në fuqi me disa ligje të cilat i suprimojnë garancitë kushtetuese siç që kanë ekzistuar dhe ekzistojnë në kushtetutën tonë dhe 40 për qind të kushtetutave të Evropës, pra që garantojnë të drejtën zgjedhore, e cila mund të merret vetëm nëpërmjet një procedure gjyqësore, jo me ligj”, ka shtuar Hasani.
Në aktgjykimin e kushtetueses thuhet se Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme në asnjë dispozitë nuk kërkon që personave të dënuar me vepra penale t’u hiqet e drejta me vendim plotësues. Mjafton një vendim përfundimtar i gjykatës në tre vjetët e fundit për t’ua pamundësuar kandidatëve të zgjidhen deputetë.
“Megjithatë, Gjykata konsideron se Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme nuk kërkon që personave të dënuar për vepra penale t’u shqiptohet medoemos si dënim plotësues ‘heqja e së drejtës për t’u zgjedhur’, në mënyrë që ata të mos lejohen të kandidojnë në zgjedhje parlamentare”, thuhet në njoftimin e Kushtetueses.
Përveç Arifit, me vendime të plotfuqishme gjyqësore janë dënuar edhe tre ish-deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje, përfshirë liderin e saj, Albin Kurti.
Më 18 shtator të vitit 2018 Kurti, Albulena Haxhiu dhe Donika Kadaj Bujupi ishin dënuar me kusht për hedhjen e gazit lotsjellës në ambientet e Kuvendit. Në Vetëvendosje kanë thënë javën e kaluar se Kurtit dhe të tjerëve nuk iu pamundësohet gara, sepse janë dënuar vetëm me kusht.
Paqartësitë normative rreth pikës që flet për dënimet e plotfuqishme janë shpërfaqur edhe në përgjigjet që kanë dhënë trupat përkatëse të Kuvendit dhe Komisioni Qendrore Zgjedhor gjatë shqyrtimit të çështjes nga Kushtetuesja.
Në lidhje me këtë, Gjykata ka potencuar nevojën që Kuvendi i Republikës së Kosovës me komisionet e tij, në bashkëveprim me institucionet gjegjëse, duke përfshirë edhe KGJK-në dhe KQZ-në, të qartësojnë dhe konsolidojnë bashkëpunimin ndër-institucional dhe aspektet normative që kanë të bëjnë me kandidimin në zgjedhje parlamentare dhe ushtrimin e mandatit të deputetit, nga ana e personave të dënuar për vepra penale.
Proces i gjatë deri në konstituimin e Kuvendit, Qeverisë dhe presidentit
Vonesat eventuale prej momentit të shpalljes së zgjedhjeve deri në certifikimin e tyre, siç ka ndodhur në të kaluarën, mund të prodhojnë një krizë tjetër institucionale.
Pas katër muajsh vendi mbetet edhe pa president – që është organi legjitimues i institucioneve të cilat do të dalin pas zgjedhjeve. Juristi Enver Hasani ka treguar procedurën që duhet ndjekur pasi të jenë certifikuar rezultatet.
“Së pari duhet të konstituohet legjislatura e re e Kuvendit me të gjitha organet e saj. Siç kemi thënë në rastin VLAN-i 2, duhet konstituuar të gjitha organet, për t’u konsideruar i tillë. Pastaj duhet të zgjidhet kryetari i Kuvendit. Nëse ushtruesja e detyrës ka ende mandat, atë e merr kryetari i ri, në mënyrë që të mandatohet pastaj qeveria e re. Mirëpo, edhe më mirë do të ishte sikur menjëherë të procedohej nga Kuvendi i konstituuar me zgjedhjen e presidentit të ri, i cili merr fuqi të plotë për ta mandatuar qeverinë”, ka thënë Hasani.
Sipas rregullores së Kuvendit, Kryesia e Kuvendit do ta vazhdojë mandatin deri në konstituimin e legjislaturës së re edhe.
“Gjatë fushatës zgjedhore Kryesia e Kuvendit e vazhdon punën, me qëllim që të ruhet vazhdimësia e punës së Kuvendit”, thuhet mes të tjerash Rregullore. Po ashtu, Kryesia e përgatit edhe seancën konstituive të legjislaturës së re.

Hyrja e vaksinave në veri të vendit, Haradinaj-Stublla: Shkelje flagrante e marrëveshjes në procesin e Dialogut Teknik

Ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla, përmes një postimi në faqen zyrtare FB ka thënë se ndërhyrja klandestine e Serbisë në Republikën e Kosovës, duke futur përmes rrugëve ilegale një numër të caktuar të produkteve farmaceutike të paverifikuara, si dhe administrimi i tyre përmes strukturave paralele në veriun e vendit, përbën shkelje flagrante të marrëveshjes për Vulat Doganore dhe asaj për Njohjen Reciproke të Certifikatave Farmaceutike, të arritur në vitin 2015 në procesin e Dialogut Teknik.
“Serbia dhe zyrtarët të lartë të saj, me veprimet e muajve të fundit, si dhe me shkeljet e vazhdueshme ka rrezikuar sigurinë shtetërore të Kosovës, dhe rrjedhimisht ka nëpërkëmbur gjithë procesin dhe të arriturat e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë si në Washington, ashtu edhe në Bruksel.
Bashkëpunimi dhe koordinimi urgjent i autoriteteve kompetente të Republikës së Kosovës është imperativ për të qenë në krye të detyrës dhe në vigjilencë maksimale në mbrojtjen e sovranitetit dhe kufijve të vendit tonë”, shkruan ajo.
Më tej ajo shton se pret nga Brukseli dhe Washingtoni zyrtar, si ndërmjetës të dialogut, respektivisht garantues të paqes, sigurisë, dhe stabilitetit në rajon, reagim adekuat për shkeljet dhe kërcënimet destabilizuese që Serbia po ua bën marrëveshjeve dhe frymës së normalizimit përmes ndërhyrjeve të pandërprera ilegale në shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës..

428 të shëruar 4 të vdekur dhe 215 raste me Covid-19!

Njoftimi i IKSHPK-së:
Gjatë 24 orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK dhe laboratoret private me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 1.012 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, prej të cilëve rezultojnë 215 raste pozitive.
Brenda 24 orëve janë raportuar 4 raste të vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv. Rastet e vdekjes janë nga komunat: Ferizaj 2 raste (70, 69 vjeç), Drenas 1 rast (52 vjeç) dhe Istog 1 rast (61 vjeç).
Numri total i rasteve pozitive është 50.620 raste nga 179.402 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 1.309 raste të vdekjes.
Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 428 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 39.562 raste, kurse numri i rasteve aktive është 9.749.
Rastet pozitive janë nga komunat: Prishtinë 117 raste, Ferizaj 13 raste, Gjilan 11 raste, Prizren 10 raste, Lipjan 9 raste, Mitrovicë 9 raste, Obiliq 7 raste, Fushë-Kosovë 6 raste, Pejë 4 raste, Gjakovë 3 raste, Podujevë 3 raste, Skenderaj 3 raste, Suharekë 3 raste, Viti 3 raste, Vushtrri 3 raste, Drenas 2 raste, Kamenicë 2 raste dhe me nga 1 rast komunat: Deçan, Hani i Elezit, Istog, Klinë, Malishevë, Novobërdë dhe Shtime.
IKShPK apelon te të gjithë qytetarët që të vijnë të testohen në SARS-CoV-2 sipas indikacioneve epidemiologjike, në të gjitha Qendrat rajonale të shëndetësisë publike në Kosovë.
Mbuloni gojën dhe hundën me maskë!
Mbani higjienën!
Respektoni distancën!..

Policia e Kosovës konfirmon vetëvrasjen e ushtarit të FSK-së

Policia e Kosovës ka konfirmuar lajmin që ka publikuar IndeksOnline para pak minutash, se një pjesëtarë i FSK-së, ka vrarë vetën në parkun e Dragodanit në Prishtinë.
“Rreth orës 16:00, në parkun e Arbërisë në Prishtinë, një person është vetëvrarë me armë zjarri. Ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e personit mashkull 47 vjeç”, ka bërë të ditur për IndeksOnline zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinë, Flora Ahmeti.
Ahmeti ka thënë se njësitë e nevojshme policore janë në vendngjarje dhe kanë nisur një hetim për rrethanat që karakterizojnë ngjarjen.
Reagon dega e LDK-së në Mitrovicë pasi u tha se 33 anëtarë iu bashkuan Iniciativës së Vjosa Osmanit

Dega e LDK-së në Mitrovicë ka reaguar pasi Faton Peci, këshilltari u.d të Presidentit,

Vjosa Osmani, tha se 33 zyrtarë të LDK-së iu bashkuan në Iniciativë.
Sipas tyre dy kryetarë degësh vetëm ishin të shkarkuar e të tjerët, sipas tyre nuk janë LDK.
“Sa për informim të publikut, sot i qenkan bashku Vjosës dy kryetarë nëndegësh (të cilët edhe ashtu prej kohësh i kishin biletat në xhep, veçse nuk e dinin akoma në cilin stacion me u ndal) kurse të tjerët nuk janë LDK ose janë të shkarkuar nga LDK-ja. Rruga e mbarë”.
“Strukturat legjitime të LDK-së në Mitrovicë, të gjithë janë të vendosur për ta rikthyer LDK-në më të fortë se kurrë”, thuhet në njoftimin e tyre në Facebook…

Qeveria s’ka përgjigje kur mbërrijnë vaksinat anti-COVID, Kosova e fundit në Europë

Shumë shtete të rajonit, përfshirë këtu edhe Serbinë, së fundmi janë furnizuar me vaksinën kundër COVID-19. Derisa BE ka miratuar përdorimin e vaksinës, Kosova thuhet se është ende larg furnizimit me të. Aq më shumë, akterë politikë në vend vlerësojnë se Kosova mund të jetë vendi i fundit që do të furnizohet me këtë vaksinë, raporton Gazeta Express.
Kosova ende nuk është furnizuar me vaksinën kundër COVID-19, përkundër që shumë shtete të rajonit tashmë kanë filluar vaksinimin e popullsisë.
Përkundër kësaj, as Qeveria e Kosovës e as Ministria e Shëndetësisë nuk kanë dhënë informacione se kur do të fillojë furnizimi në vend.
Akterë politikë e njohës të shëndetësisë thonë se Kosova rrezikon të furnizohet e fundit në rajon me këtë vaksinë.
Deputeti nga radhët e PDK-së, Bekim Haxhiu, ka thënë për Express, se frikësohen që për shkak të neglizhencës së Qeverisë së Kosovës, Kosova do të mbetet vendi i fundit në rajon e Evropë që do të furnizohet me vaksina.
Ai ka thënë ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, nuk i ka informuar se kur dhe si do të filloj vaksinimi në vend.
“Jemi prapa vendeve tjera me vaksinim. Ministri nuk na ka dhënë asnjë datë. Kemi pasur pyetje sa i përket vaksinimit dhe ministri nuk ka dhënë informacione për deputetët se kur dhe si do të filloj vaksinimi. Me këtë neglizhencë dhe me këtë kotësi të kësaj qeverie ne frikësohemi se mund të mbesim vendi i fundit në rajon dhe në Evropë sa i përket vaksinimit”, ka deklaruar ai.
Ndërsa, deputetja nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, njëherësh kryetare e Komisionit Parlamentar për Shëndetësi, Albena Reshitaj, ka deklaruar se ministri Zemaj i kishte informuar se furnizimi me vaksina do të bëhej në tremujorin e parë të vitit të ardhshëm.
Ajo ka thënë se nuk kanë informacione tjera në lidhje me vaksinimin, por që do ta shtrojnë këtë çështje ditën e nesërme.
“Në mbledhjen e fundit të Komisionit e kam pyetur ministrin për furnizim, por nuk ka dhënë ndonjë datë të caktuar vetëm ka thënë që në tremujorin e parë të vitit 2021 do të filloj vaksinimi. Kjo ka qenë informata që kemi marrë nga ai”, ka thënë ajo.
Ndërsa, anëtari i këtij komisioni nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitim Uka, ka thënë se furnizimi i vendit me vaksina do të bëhet me vonesë.
Ai ka thënë se kohë do të merr edhe mospërgatitja e stafit shëndetësorë për dhënien e kësaj vaksine.
“Nga ajo që kemi parë, vaksinimi në Kosovë do të fillojë vonë. Me këto kapacitete të stërngarkuara të stafit shëndetësorë mund të jetë vështirë një realizim efikas i vaksinimit”, ka deklaruar ai.
Ndërsa, nga Qeveria e Kosovës nuk kanë treguar ndonjë datë se kur do të mund të furnizohet vendi me vaksinë, kësisoj duke thënë se Ministria e Shëndetësisë ka aplikuar për këtë vaksinë dhe ata janë kompetentë për të dhënë informacione.
Ndërsa, përkundër insistimit të gazetës, nga kjo e fundit nuk kanë dhënë informacione.
Zëdhënës të Bashkimit Evropian për politikën e jashtme, kanë thënë gjatë kësaj jave për Express se do t’i ndihmojnë edhe shtetet tjera që nuk janë pjesë e BE-së për tu furnizuar me vaksinën kundër COVID-19.
Nga BE është thënë që të gjithë ata që kanë nevojë për një vaksinë COVID-19 do të kenë qasje në të.
Me miratimin e vaksinës kundër COVID-19 nga ana e Bashkimit Evropian, shumë shtete kanë filluar të vaksinojnë qytetarët me të.
Së fundmi, edhe Serbia, Gjermania, Italia e Greqia janë furnizuar me vaksina./Express….

Moti
Të henen parashikohet mot pjeserisht i vranet , temperaturat do të levizin nga 4 deri 7 gradë Celsius. Mot me shi në Tiranë, me temperatura nga 9-17 gradë celcius.

COVID-19 NË KOSOVË:
Total raste: 50620. Të Shëruar: 39562. Të vdekur: 1309.
www.rtvarberia.com Tri kanalet e RTV Arbëria si dhe Radion mund të i ndiqni edhe në www.iptvshqipott.com

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *