Enj. Maj 16th, 2024

LAJME DITORE, E SHTUNË, 26.12.2020

By Rtv Arbëria Dhj 26, 2020

Të hënën seancë e jashtëzakonshme, pritet votimi i buxhetit për vitin 2021

Ditën e hënë deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen për dy çështje.
Deputetët e Kosovës janë ftuar të hënën në ora 11:00 që të mbajnë seancën e jashtëzakonshme.
Sipas dokumentit, në rend dite janë dy pika, votimi i projektligjit mbi ndarjen buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2021 dhe votimi i marrëveshjeve ndërkombëtare…

LDK i drejtohet qytetarëve: Jemi zgjidhja më e mirë!!

LDK konsideron se është partia më e mirë për të udhëhequr me qeverinë e re të Republikës.
Në një njoftim për media, partia e Isa Mustafës ka bërë të ditur për takimin e sotëm të kryesisë së ngushtë.
“Sot, është mbajtur mbledhja e Kryesisë së LDK-së, ku është diskutuar për zhvillimet politike në vend.
Po ashtu janë diskutuar kriteret dhe lista zgjedhore me kandidatët për deputetë. Lidhja Demokratike e Kosovës është e bindur se është zgjedhja më e mirë dhe këto zgjedhje do të dal fituese”, thuhet në njoftimin e tyre.

Shtatë të vdekur.478 të shëruar e 270 raste të reja me COVID-19 në Kosovë

Shtatë persona kanë humbur jetën në 24 orët e fundit si pasojë e koronavirusit, ka njoftuar Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë. Sipas raportit të së shtunës, janë regjistruar 270 raste të reja.
Të vdekurit janë nga Prishtina (77, 77 dhe 71 vjeç), Gjilani (64 vjeç), Kamenica (84 vjeç), Klina (86 vjeç) dhe Novobërdë (74 vjeç)
Raporti i rasteve të reja të shtunën ka dalë nga testimi i 1003 mostrave.
Rastet pozitive janë nga komunat: Prishtinë 100 raste, Mitrovicë 20 raste, Gjakovë 16 raste, Pejë 15 raste, Fushë-Kosovë 14 raste, Gjilan 12 raste, Vushtrri 9 raste, Deçan 8 raste, Podujevë 8 raste, Prizren 8 raste, Ferizaj 7 raste, Skenderaj 7 raste, Kamenicë 6 raste, Drenas 5 raste, Lipjan 5 raste, Istog 4 raste, Viti 4 raste, Junik 3 raste, Klinë 3 raste, Obiliq 3 raste, Rahovec 3 raste, Suharekë 3 raste, Kaçanik 2 raste, Kllokot 2 raste, Malishevë 2 raste dhe Graçanicë 1 rast.
Janë shëruar 478 persona duke e çuar totalin e të shëruarve në 39 mijë e 134 nga 50 mijë e 405 sa ishin në total. Janë 9966 raste aktive.
Nga fillimi i pandemisë, në vend kanë vdekur 1305 persona si pasojë e virusit..

PDK: Hoti e Kurti janë nënshtruar para Serbisë

Sekretari i Partisë Demokratike të Kosovës, Uran Ismaili, ka akuzuar dy qeveritë e fundit të Kosovës, atë të udhëhequr nga Avdullah Hoti dhe atë të udhëhequr nga Albin Kurti, se janë nënshtruar para veprimeve të Serbisë në dëm të Kosovës si dhe se e kanë lejuar cenimin e sovranitetit të shtetit.
Sipas tij, këto dy qeveri kanë lejuar Serbinë të depërtojë në Kosovë me teste, pastaj me personel shëndetësor e edhe me vaksina anti-COVID. Të premten presidenti serb Aleksandar Vuçiq njoftoi se kanë nisur vaksinimin e serbëve në Kosovë, ndërsa të shtunën Qeveria mohoi se “në rrugë zyrtare kanë hyrë vaksina të tilla anti-COVID”.
Në konferencën e mbajtur të shtunën, Ismaili ka thënë se vaksinimi kundër COVID-19 në veri të Kosovës nga ana e Serbisë është goditje për sovranitetin e shtetit dhe fyerje për qytetarët.
“Kjo është hera e tretë, në pak muaj, që Serbia, në emër të pandemisë, cenon sovranitetin e shtetit tonë. Është hera e tretë që dy Qeveritë e kaluara, Hoti dhe Kurti, u nënshtruan para veprimeve të Serbisë dhe në dëm të Republikës së Kosovës. Kjo mënyrë e depërtimit të Serbisë në Kosovë – një herë me teste, pastaj me personel shëndetësor, e sot edhe me vaksina, shpërfaq strategjinë e Serbisë, që përmes pandemisë, ta shkelë dhe dobësojë sovranitetin e Kosovës dhe ta avancojë agjendën e saj kundër shtetit tonë. Me tolerimin dhe me heshtjen e dy Qeverive të kaluara, hap pas hapi, Aleksandar Vucic po e portretizon Serbinë si humaniste – duke tentuar që para botës ta mbulojë të kaluarën e saj gjenocidale në Kosovë”, ka thënë ai.
Ismaili ka thënë se dy kryeministrat, Hoti dhe Kurti, “u strukën para Vucicit dhe hoqën dorë nga sovraniteti shtetëror i Republikës së Kosovës, për të cilin u sakrifikua shumë, nga shumë breza”.
“Është irrituese për qytetarët tanë të shohin se si një Qeveri armike e Kosovës hyn në Kosovë, vaksinon kundër Covid-19, e qytetarët tjerë të Republikës së Kosovës jo vetëm që nuk kanë filluar të vaksinohen, por nuk kanë madje as më të voglën informatë se kur do të nisë vaksinimi nga shteti i Kosovës”, ka thënë ai.
Ismaili ka kritikuar Qeverinë Hoti për vonimin e sigurimit të vaksinës kundër koronavirusit.
“Me mosveprimet e saj, Qeveria Hoti po rrezikon që shteti i Kosovës ta fillojë vaksinimin i fundit në Evropë dhe ta përfundojë vaksinimin i fundit në Evropë. Në terma kohorë, i bie që vaksinimi të fillojë në vitin 2021 dhe të përfundojë dikur vonë në vitin 2022. Qeveria Hoti, me papërgjegjësinë totale ndaj pandemisë, dhe pa plan të veprimit, po i lë qytetarët tanë të përballen pa fund me izolimin d dhe masat restriktive. Mos-sigurimi i vaksinave për gjithë qytetarët e Kosovës ka pasoja shëndetësore dhe pasoja ekonomike gati të pallogaritshme dhe tejet të rënda”, ka shtuar ai. “Mungesa e vaksinave, fatkeqësisht, i lë qytetarët tanë të përballen me mbylljen pa afat, i lë punëtorët shëndetësorë çdo ditë të ekspozuar ndaj rrezikut, dhe thellon krizën drejt falimentimit ekonomik. Ky është tregues i qartë i paaftësisë, mungesës së vizionit, mungesës së përkujdesjes dhe papërgjegjësisë së plotë të këtyre njerëzve ndaj shëndetit, ekonomisë dhe mirëqenies së qytetarëve tanë”…

IKD“Politikë e ‘kriminalizuar’”

Instituti i Kosovës për Drejtësi ka publikuar një raport të titulluar “Politikë e ‘kriminalizuar’”, në të cilin janë listuar gjetjet edhe për problemet që kanë me ligjin zyrtarë të partive të ndryshme në nivel komunal.
Kësaj liste në nivel vendi i prinë Partia Demokratike e Kosovës me gjithsejtë 68 politikanë të cilët akuzohen për vepra të ndryshme.
E dyta në listë është Lidhja Demokratike e Kosovës më 41, AAK-ja e Haradinajt më 16 të tillë, dhe në vendin e katërt Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit me gjithsejtë 9 politikanë të akuzuar të pushtetit lokal në nivel vendi.
Partia e Kurtit ka një zyrtar të akuzuar në Klinë, dy në Malishevë, dy në Prishtinë, dy në Prizren, një në Mitrovicë dhe një në Viti, shkruan Gazeta Express.
Partia Demokratike e Kosovës numër më të madh të zyrtarëve lokal të akuzuar ka në Drenas, gjithsejtë 16..

“Albini s’ka guxim për asgjë”, Vetëvendosje i reagon Baton Haxhiut pasi sulmoi Kurtin

Analisti Baton Haxhiu, mbrëmë ka sulmuar Lëvizjen Vetëvendosje, duke thënë se liderit të saj Albin Kurtit, i mungon guximi.
Haxhiu në një emision televiziv, ka thënë se dëshira e tij është që zgjedhjet e reja të fitojë Kurti, në mënyrë që qytetarët ta njohin më mirë.
Sipas tij, Kurti ka karakter të dobët dhe nuk ka guxim për të vendosur asgjë.
“Dëshira ime është që të fitoj Albin Kurti dhe të merr të gjitha, më e mira do të ishte të votohet nga partitë politike, kjo është ajo që e dënon më së shumti atë. Albin Kurti s’ka guxim, ai ka guxim vetëm para kamerave, ka karakter të dobët, ai nuk ka guxim për të vendosur për asgjë”, ka thënë Haxhiu.
Atij për këtë deklaratë i ka reaguar Vetëvendosje. Adnan Rrustemi nga VV-ja, ka thënë se kjo parti po sulmohet në mënyrë të organizuar.
Por, sipas tij, efekti do të jetë i kundërt, pasi “Batoni me shokë” do të marrin përgjigjen nga qytetarët, përcjell Bota sot.
Postimi i Rrustemit në Facebook:
Lëvizja shpesh është sulmuar në mënyrë të organizuar, por efekti ka qenë i kundërt nga qëllimi i fabrikuesve. Kësaj here do ta kenë shumëfish më të kundërt. Këtë e dinë Batoni me shokë në Tiranë e Prishtinë. Megjithatë dhe përkundër, ata e kanë shtuar fushatën, sepse për të humbur tanimë kanë humbur, por të mbyllur në dëshpërim, kanë intensifikuar sulmet si sulmi i fundit. Ama kot e kanë, përsëri të kundërtën do ta marrin si përgjigje nga qytetarët….

Moti

Të shtunën parashikohet mot i vranet dhe me mundesi per te reshura te bores , temperaturat do të levizin nga 1 deri 6 gradë Celsius. Mot me shi në Tiranë, me temperatura nga 6-17 gradë celcius.

COVID-19 NË KOSOVË:
Total raste: 50405. Të Shëruar: 39134. Të vdekur: 1305.
www.rtvarberia.com Tri kanalet e RTV Arbëria si dhe Radion mund të i ndiqni edhe në www.iptvshqipott.com

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *