Hën. Tet 7th, 2024

LAJME DITORE, E SHTUNË, 31.10.2020

Gastronomia dhe qendrat tregtare mbyllen nga ora 21:00

Ka përfunduar mbledhja e Komitetit për vlerësim dhe koordinim të situatës epidemiologjike rreth COVID-19 me ç’rast është marrë vendim gastronomia dhe qendrat tregtare do të jenë të mbyllura nga ora 21:00-05:00.
Ky vendim do të hyj në fuqi nga momenti i nënshkrimit të ministrit Zemaj dhe vlen për dy javët e ardhshme, deri në vlerësimin e radhës të situatës me COVID-19.
“MSH, IKSHPK e Komiteti duhet të veprojmë të gjithë së bashku. Numri i lart i infektimeve na obligon të marrim masa. Masat të cilat i kanë propozuar bashkërisht, kanë të bëjnë që është e domosdoshme të reduktohet numri i stafit në institucionet publike dhe private. Shëndetësia dhe siguria duhet të punojnë me kapacitete të plota”, ka thënë Zemaj, raporton KOHA.
Ai ka shtuar se personat me sëmundje kronike dhe mbi moshën 60 vjeçare do t’u ndalohet paraqitja në punë.
Derisa personave mbi moshën 65 iu lejohet dalja nga ora 06:00-10:00 dhe nga 16:00-19:00, jashtë këtij orari lejohen vetëm për nevoja shëndetësore.
“Ligjëratat në universitete të zhvillohen vetëm online edhe publike edhe private. Të gjitha qendrat tregtare do t’u ndalohet veprimtaria nga ora 21 deri në 5 të mëngjesit. Gastronomia u ndalohet nga ora 21 deri në 5. Është në diskutim që ekipet mjekësore a do të duhet të bëjnë kontrolle në pika kufitare. Konviktet dhe menza e studentëve do të punojnë vetëm duke respektuar masat. Për të gjithë shkelësit e këtyre masat do të ndëshkohen. Vendimet që do të merren do të shqyrtohen brenda dy jave”, ka thënë Zemaj.

514 raste pozitive me COVID-19 dhe tre të vdekur në Kosovë

Tre të vdekur e 514 persona kanë rezultuar pozitivë me COVID-19 në Kosovë gjatë 24 orëve të fundit, ka konfirmuar Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës.
“Gjatë 24 orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 1.750 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, prej të cilëve rezultojnë 514 raste pozitive. Brenda 24 orëve janë raportuar tre raste të vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv (2 raste Spitali i Përgjithshëm Prizren, 1 rast Mjekimi Intenziv Qendror)”, thuhet në njoftim.
Tutje IKSHPK-ja bën të ditur se numri total i rasteve pozitive është 19.842 raste nga 94.456 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 681 raste të vdekjes.
Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 86 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 15.520 raste, kurse numri i rasteve aktive është 3.641.
Rastet pozitive janë nga komuna Prishtinë 249 raste, Gjilan 32 raste, komuna Ferizaj 28 raste, komuna Pejë 28 raste, komuna Gjakovë 24 raste, komuna Prizren 23 raste, komuna Podujevë 20 raste, komuna Fushë Kosovë 19 raste, komuna Vushtrri 15 raste, komuna Deçan 12 raste, komuna Lipjan 10 raste, komuna Obiliq 7 raste, komuna Viti 7 raste, komuna Mitrovicë 6 raste, komuna Klinë 5 raste, komuna Drenas 4 raste, komuna Kamenicë 4 raste, komuna Shtime 4 raste, komuna Suharekë 4 raste, komuna Dragash 3 raste, komuna Hani i Elezit 3 raste, komuna Rahovec 3 raste dhe me nga një rast komunat Istog, Novobërdë, Shtërpcë dhe Skenderaj.

Telekomi kërkon reagim të fuqishëm nga Qeveria për kthimin e mjeteve nga Dardafoni

Menduh Abazi, drejtor i Departamentit për Relacion me Publik në Telekom, në një konferencë për media ka thënë se gjithçka është kthyer në pikën zero, derisa ka kërkuar ndihmën e Qeverisë në kthimin e mjeteve nga Dardafoni.
“Llogaritë kanë bllokuar të hënën dhe paratë kanë filluar të tërhiqen dje. Edhe pse është paralajmëruar që marrëveshja është finalizuar dhe ka pasur të ndodhë vetëm akti ceremonial i nënshkrimit të marrëveshjes”, ka thënë Abazi..Ai ka shtuar se me tërheqjen e mjeteve nga Dardafoni është rrezikuar shteti i Kosovës, pasi të gjitha agjencitë janë të lidhura me Telekomin e Kosovës,
“Ka brenda një rebelim të punëtorëve për shkak se dje kanë pritur që të marrin pagat. Ne kemi qenë duke bashkëpunuar me qeverinë dhe kemi bërë plane konkrete për rimëkëmbje të Telekomit. Goditja që ka ndodhur dje ka kthyer gjithçka në pikën zero. Ne presim përkrahje nga qeveria e të gjitha partitë politike”, ka thënë Abazi.Abazi ka shtuar se Telekomi është mbështetur për muri dhe nuk mund të bëjë asgjë më shumë se sa që ka bërë deri më tash.
“Ne jemi të gatshëm që të vazhdojmë me qeverinë. Me atë që ka ndodhur dje jemi totalisht të bllokuar e do të bien të gjitha shërbimet. Kërkojmë nga qeveria që të reagojë fuqishëm e të kërkojë nga Dardafoni që t’i kthejë mjetet”, ka thënë Abazi.

PDK-ja kërkon shkarkimin e dy ministrave të Qeverisë Hoti,

Partia Demokratike e Kosovës ka deklaruar se nuk janë duke parë ndonjë përgjegjësi morale të Qeverisë Hoti lidhur me skandalet e fundit, siç janë vjedhjet në institucionet publike dhe shkarkimi i Task-forcës Antikorrupsion.Deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, ka deklaruar se Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami dhe ai i Ekonomisë, Blerim Kuçi, duhet të shkarkohen dhe duhet të tërhiqet vendimi për shfuqizimin e Task-forcës Antikorrupsion.
“Depërtimi kaq i lehtë në keqpërdorimin e buxhetit të Republikës, është një sinjal i pasigurisë që është dërguar tek partnerët tanë, tek investitorët e huaj dhe mekanizmat ndërkombëtar financiar. Prandaj, gjithsesi se Ministrja Bajrami ka përgjegjësi morale për këtë rast. Një akt i tillë kriminal brenda një institucioni me përgjegjësi kaq të madhe, duhet të shoqërohet me një akt moral, konkretisht me dorëheqjen e parevokueshme të Ministres”, ka deklaruar Tahiri para mediave.
Tutje, PDK-ja ka njoftuar se skandali i tenderit të fituar nga kompania e ministrit Kuçi, është skandal që e ka sfiduar integritetin e institucioneve publike, dhe e kanë lënduar më shumë se kurrë, besimin që qytetarët duhet ta kenë në institucione.
Ai ka shtuar se Kuçi duhet të shkarkohet nga posti i ministrit të Ekonomisë, në mënyrë që ndalet degradimi i institucioneve publike të Republikës së Kosovës.
Lidhur me shfuqizimin e Task-forcës Antikorrupsion, PDK-ja thotë se ishte vendim i dëmshëm dhe i motivuar politikisht.“Shkarkimi i Task-forcës Kundër Korrupsionit në Policinë e Kosovës, ka qenë një vendim i dëmshëm, i pa arsyeshëm, i pa bazë dhe i motivuar politikisht, për të goditur rendin dhe ligjin. Task-forca kundër Korrupsionit, ka qenë përgjegjëse për të hetuar korrupsionin e nivelit të lartë, dhe në shërbim të drejtpërdrejtë të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës. Në vend të inkurajimit për efikasitet kundër korrupsionit, Qeveria Hoti, ka inkurajuar kriminalitetin dhe korrupsionin, që në ditën kur ka marrë vendim për shuarjen e kësaj Task-force”, ka thënë tutje deputeti Tahiri….

AAK: Koalicioni është stabil, por tek posti i presidentit do të jetë një lojë tjetër

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Tahiri po e konsideron stabil koalicionin qeverisës me LDK-në, por thotë se kur vjen koha tek zgjedhja e presidentit, aty do të jetë një “lojë tjetër” dhe se pret reflektimin e partnerëve qeverisës për këtë temë. I dyti i ekzekutivit duke shpreh këmbënguljen për këtë postë, vlerëson se shefi i partisë, Ramush Haradinaj është personi më i mirë në këto rrethana për president të vendit.
Tahiri mohon se të enjten në Bruksel në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi është diskutuar për themelimin e Asociacionit të Komunave serbe. Madje thotë se kjo temë nuk do të hapet asnjëherë, pasi është çështje e brendshme e Kosovës…

Eliot Engel Trumpit: Luftën në Kosovë e përfundoi Bill Clintoni dhe NATO, jo ti

Udhëheqësi i Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë në Dhomën e Përfaqësuesve, Eliot Engel, në një postim në Twitter i ka thënë presidentit Donald Trump se luftën në Kosovë e kishte përfunduar Bill Clintoni e NATO dhe “jo ti”.Trumpi gjatë fushatës elektorale në Nebraska ka thënë se me marrëveshjen e Washingtonit i ka dhënë fund një konflikti të përgjakshëm, ku ka shpëtuar mijëra jetë..“I dashur president Donald Trump, lufta në Kosovë ka përfunduar dy dekada më parë, më 1999. Ju nuk e përfunduat atë. Presidenti Bill Clinton dhe NATO e kanë përfunduar atë”, ka thënë Engel.

Partitë dhe nismat opozitare serbe në veri ‘dorëzohen’ para Listës Serbe

Dushan Millunoviq, kandidat i pavarur nga Mitrovica e Veriut është i vetmi politikan serb nga kjo komunë që ka vendosur ta sfidojë kandidatin nga Lista Serbe, Milan Radojeviq në zgjedhjet për kryetar komune. Millunoviq është ish-anëtar i Iniciativës Qytetare SDP-Oliver Ivanoviq.Kurse Radojeviq është ish-zëvendësministër i Punëve të Brendshme të Kosovës.
Në garë janë edhe kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës, Florent Azemi dhe Erden Atiq i Lëvizjes Vetëvendosje. Që të katërt tashmë kanë aplikuar për certifikim në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Afati për aplikim është mbyllur të premten, në orën 18:00.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme në këtë komunë janë përcaktuar për datën 29 nëntor, pasi vendi i kryetarit ka mbetur bosh që nga qershori, kur Goran Rakiq, u emërua zëvendëskryeministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe ministër i Pushtetit Lokal.
‘S’ka kushte për zgjedhje të lira dhe fer’
Partitë e tjera dhe nismat qytetare serbe në Mitrovicën e Veriut thonë se po refuzojnë të marrin pjesë në një proces qa ka epilog të paracaktuar.
Alleksandar Jabllanoviq që drejton Partinë e Serbëve të Kosovës (PKS), tha për Radion Evropa e Lirë se nuk mund të marrin pjesë në zgjedhje pa u përmbushur kushtet për siguri për zgjedhje të lira. Sipas tij, fituesi është paracaktuar tashmë.
“Zgjedhjet po organizohen sikur të ishin sekret dhe që askush tjetër s’bën të marrë pjesë pos Listës Serbe”, tha Jabllanoviq.
Ai përmend faktin se në të kaluarën, anëtarë të partisë së tij janë përballur me pasoja vetëm për shkak se e kanë kundërshtuar Listën Serbe. E pavarësisht se kishte ushtruar padi, ai thotë se asnjë rast i vetëm nuk është zgjidhur deri më tash.
“Prandaj, duhet të sigurohet mbi të gjitha siguria dhe liria e votimit në këto zgjedhje dhe jo të përdoren metoda të tilla, ku përfshihet frikësimi, largimi i njerëzve nga puna, të cilët punonin për 10,20 apo 30 vjet, pastaj djegia e automjeteve, etj. Kjo dëshmon se ende s’ka siguri”, tha Jabllanoviq.
Një nga partitë kryesore opozitare në Mitrovicën e Veriut, në zgjedhjet e fundit lokale në 2017, ishte Iniciativa Qytetare SDP-Oliver Ivanoviq. Por, as ky subjekt që tashmë ka humbur liderin e saj Oliver Ivanoviq pas vrasjes më 16 janar të 2018-tës, nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e 29 nëntorit. Ksenija Bozhoviq, nënkryetare e këtij subjekti, tha për Radion Evropa e Lirë se ‘ende nuk janë krijuar kushte për zgjedhje të lira’.
“Procesi nuk ka ndryshuar. Kanë kaluar tre vjet që kur kemi pasur një kandidat për kryetar komune. Për fat të keq, një vrasje politike ndodhi dhe nuk është sqaruar deri më sot”, tha Bozhoviq.

MOTI

Të dielen parashikohet mot pjeserisht me diell. Temperaturat do të levizin nga 2 deri 15 gradë Celsius. Mot i ngjashem në Tiranë, me temperatura nga 11-23 gradë celcius.

COVID-19 NË KOSOVË:
Total raste: 19842.Të Shëruar: 15520. Të vdekur: 681

www.rtvarberia.com

Tri kanalet e RTV Arberia si dhe Radion mund te i ndiqni edhe ne www.iptvshqipott.com

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *