Enj. Tet 10th, 2024

LAJME DITORE, E PREMTE, 30.10.2020

Votohet në Qeveri projektbuxheti për vitin 2021

Në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës është votuar projektbuxheti për vitin 2021.
Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami ka thënë se ky dikaster ka hartuar buxhetin për vitin 2021 me pasiguri të mëdha, shkaku i pandemisë, derisa ka treguar se fokusi kryesor i kësaj ministrie ka qenë rimëkëmbja ekonomike.jatë diskutimit në ekzekutiv, disa prej ministrave kanë pasur kritika për projektbuxhetin.
Megjithatë, për këto deklarime ka reaguar Bajrami.Ajo ka thënë se shkaku i situatës nuk mundet MF-ja që t’i përcjellë zotimet e asnjërit ministër.
“Nuk mundet ministrja e Financave me i përcjellë zotimet e asnjërit, janë të tjerët që duhet me e përcjellë Ministrinë e Financave”, ka thënë ajo.
Projektbuxheti është votuar pa asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim.
“Ministria e Financave ka filluar hartimin e buxhetit për vitin 2021, me pasiguritë që po na shoqërojnë mendoj që kemi bërë më të mirën për të përgatitur këtë projektbuxhet që është gjithëpërfshirës, duke shpresuar që pandemia të përfundojë së shpejti, nuk kemi arritur që të adresojmë të gjitha kërkesat e ministrive, sepse situata ka imponuar që të marrim vendime mjaft agresive”, ka thënë Bajrami.
Buxheti për vitin e ardhshëm do të jetë 2.4 miliardë euro ose 200 milionë euro më pak se buxheti i sivjetmë

Nesër, Komiteti për pandeminë diskuton masat e reja parandaluese

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se nesër do të mblidhet Komiteti për vlerësim dhe koordinim të situatës epidemiologjike rreth Covid-19, ku do t’i shqyrtojnë propozimet për masat e reja parandaluese.
Përmes një komunikate, Ministria e Shëndetësisë bën me dije se Komiteti do i shqyrtojë propozimet që kanë të bëjnë me kufizime të mundshme apo reduktime të veprimtarive në sektorë të ndryshëm, rritje të përkujdesit dhe institucione dhe grup-mosha të caktuara.
“Ministria e Shëndetësisë kërkon nga prindërit që të mos i ekspozojnë fëmijët e tyre në rreziqe për shëndetin duke marrë pjesë në ngjarje të ndryshme të paralajmëruara nëpër rrjete sociale si ato për Halloween, duke e ditur faktin se janë në fuqi vendimet që ndalojnë grumbullime të qytetarëve dhe organizime të ngjashme”, thuhet në komunikatën e MSH-së.
MSH-ja tutje ka kërkuar nga Policia e Kosovës dhe inspektorët përkatës që të ndërmarrin masa të menjëhershme ndaj shkelësve të vendimeve që lidhen me COVID-19, duke u bazuar në Ligjn për parandalimin e pandemisë COVID-19.
Ndërsa, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në 24 orët e fundit ka regjistruar 418 raste të reja me koronavirus.

Telekomi konfirmon zbrazjen e llogarive nga Dardafoni

Telekomi i Kosovës ka konfirmuar se mjetet në llogari i janë zbrazur sot nga Dardafoni, megjithëse sipas kësaj ndërmarrje ka një marrëveshje mes Qeverisë dhe operatorit për shlyerje të borxhit.
Llogaria e Telekomit është bllokuar sërish dhe sipas njoftimit, tani rrezikohen 3.300 punëtorë për të mos marrë pagat.
“Telekomi i Kosovës goditet për herë të dytë nga Dardafon me zbrazje të llogarisë. Gjatë kësaj periudhe Qeveria e Kosovës ka zhvilluar takime intensive për ta bindur Dardafonin që të nënshkruajë marrëveshje, për të cilën tashmë ishin dakorduar në prani të kryeministrit dhe ministrit të Ekonomisë dhe Ambientit. Marrëveshja ishte që pagesa të bëhet në afat prej 24 muajsh, por si duket në fund nuk arritën ta bindin Dardafonin për nënshkrim të marrëveshjes ku këta fillimisht këta kanë bllokuar llogaritë, ndërsa sot edhe i zbrazen. Me zbrazjen e sotme të llogarisë, Dardafon fillimisht ka lënë pa paga 2.300 punëtorë të Telekomit dhe më shumë se 1.000 të Postës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Zyrës për media të Telekomit.
Telekomi ka humbur rastin në Arbitrazh me Dardafonin dhe si pasojë obligohet t’i paguajë dëmshpërblim rreth 26 milionë euro.
Dardafon nuk është deklaruar për ngjarjen e sotme.

KQZ-ja publikon kandidatët që garojnë në zgjedhjet për Komunën e Podujevës dhe Mitrovicës së Veriut,

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sot ka mbyllur afatin për aplikim në çertifikimin e subjekteve politike që duan të marrin pjesë në zgjedhjet për kryetar të Komunës së Mitrovicës së Veriut, më 29 nëntor të këtij viti.
KQZ-ja njofton se partitë që kanë aplikuar janë: Lista Srpska me Milan Radojeviç, Dusan Milunovic si kandidat i pavarur dhe Lëvizja Vetëvendosje përmes Erden Atiqit.
Ndërsa, për zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale në Komunën e Podujevës, do të garojnë Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me Naim Fetahun, Lidhja Demokratike e Kosoves (LDK) me Nexhmi Rudarin dhe Lëvizja Vetëvendosje me Shpejtim Bulliqin…

418 raste te reja me COVID-19, 67 të shëruar dhe 4 të vdekur në Kosovë

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook se në 24 orët e fundit në Kosovë janë 4 të vdekur nga COVID-19, derisa 418 kanë rezultuar pozitivë.
E gjithashtu ka shtim edhe të testimeve. Sipas IKSHPK-së janë testuar 1608 mostra.
Tutje thuhet se numri total i rasteve pozitive është 19.328 raste nga 92.706 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 678 raste të vdekjes.
“Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 67 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 15.434 raste, kurse numri i rasteve aktive është 3.126”, thuhet në njoftim.Rastet pozitive janë nga: komuna Prishtinë 188 raste, komuna Gjakovë 32 raste, komuna Fushë Kosovë 31 raste, komuna Podujevë 28 raste, komuna Gjilan 27 raste, komuna Pejë 18 raste, komuna Deçan 16 raste, komuna Prizren 13 raste, komuna Suharekë 12 raste, komuna Lipjan 10 raste, komuna Drenas 7 raste, komuna Obiliq 7 raste, komuna Klinë 6 raste, komuna Shtime 5 raste, komuna Graçanicë 4 raste, komuna Ferizaj 3 raste, komuna Vushtrri 3 raste, komuna Kamenicë 2 raste, komuna Malishevë 2 raste, komuna Rahovec 2 raste dhe me nga një rast komunat Skenderaj dhe Viti..
Në Shqipëri, tre të vdekur e 319 raste pozitive me COVID-19
Autoritetet shëndetësore në Shqipëri kanë njoftuar për tre të vdekur e 319 raste të reja me COVID-19 në 24 orët e fundit.
Rastet pozitive kanë rezultuar nga 1534 mostra të kryera.
Me këtë, numri i të vdekurve si pasojë e COVID-19 është rritur në 502, kurse i të prekurve në 20.634.
Deri më tash janë shëruar 11.097 pacientë, kurse raste aktive mbeten 9.035.

Nga Bota: Shkon në 12 numri i të vdekurve nga tërmeti në Turqi

Numri i të vdekurve në Turqi raportohet se ka shkuar në 12 persona.
Këto deklarata i kanë bërë zyrtarët që merren me menaxhimin e fatkeqësive dhe emergjencave, duke shtuar se numri i të plagosurve ka shkuar në 419.
Operacionet e kërkimit dhe shpëtimit janë duke vazhduar në 17 ndërtesat që janë shembur ose dëmtuar, ndërsa Reuters shkruan se dridhjet e fuqishme kanë prekur edhe Greqinë. Deri më tash, në Greqi janë raportuar për dy të vdekur.

MOTI

Të shtunen parashikohet mot pjeserisht me diell. Temperaturat do të levizin nga 7 deri 16 gradë Celsius. Mot i ngjashem në Tiranë, me temperatura nga 10-23 gradë celcius.

COVID-19 NË KOSOVË:
Total raste: 19328.Të Shëruar: 15434. Të vdekur: 678
www.rtvarberia.com

Tri kanalet e RTV Arberia si dhe Radion mund te i ndiqni edhe ne www.iptvshqipott.com

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *