Die. Maj 5th, 2024

LAJMET DITORE , E ENJTE 29.10.2020

By Rtv Arbëria Tet 29, 2020

Lajçak: Sot kemi bërë edhe një hap drejt një marrëveshje normalizimi gjithëpërfshirëse

Emisari special i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Mirosllav Lajçak, ka thënë se sot është bërë edhe një hap para drejt një marrëveshje normalizimi gjithëpërfshirëse.
“Sot kemi bërë edhe një hap drejt një marrëveshje normalizimi gjithpërfshirëse, duke e mbajtur raundin e dytë të bisedimeve për pretendimet financiare dhe pronat. Dhe është hera e parë që krye-shefi negociator serb Petar Petkoviq i është bashkuar diskutimeve. Do të vazhdohet së shpejti”, ka shkruar Lajçak në Twitter.

Serbia kërkon Asociacion me kompetenca ekzekutive

Në Bruksel është zhvilluar të enjten (29 tetor) një raund i ri i takimeve në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë me pjesëmarrjen e shefave të delegacioneve.
Qeveria e Kosovës ka lëshuar një komunikatë pas këtij takimi, në të cilën thuhet se temë e diskutimit ishte zgjidhja e pretendimeve financiare dhe e çështjeve të pronës midis dy vendeve.
“Në kuadër të kësaj teme, sot është biseduar ekskluzivisht për pensionet dhe kadastrin. Pavarësisht diskutimit të gjatë për këto tema, ende nuk ka përafrim të ndjeshëm të qëndrimeve. Por, megjithatë, është arritur pajtueshmëri që diskutimi i këtij elementi të marrëveshjes së përgjithshme, pretendimeve financiare dhe e çështjeve të pronës midis dy vendeve, të vazhdohet në takimin e radhës”, thuhet në komunikatën e Qeverisë së Kosovës.
Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, i cili po merr pjesë në këto takime në emër të palës serbe, u tha mediave në Bruksel se gjatë takimit të së enjtes (29 tetor) ata ngritën çështjen e formimit të Asociacioni të Komunave me shumicë serbe, dhe këmbëngulën në zbatimin e marrëveshjes së Brukselit, që sipas tij, “është e nevojshme për vazhdimin e dialogut, por edhe për ndërtimin e besimit shumë të nevojshëm midis të dy palëve”.
“Pa formimin e Asociacionit, ne nuk mund të përparojmë në dialog. Ne do të shohim se si pala e Prishtinës do të veprojë tani për këtë çështje. Ajo flet për mundësinë e formimit, siç e ka përcaktuar Gjykata Kushtetuese, e cila është e papranueshme, sepse për të nuk është rënë dakord në Bruksel, nuk është pjesë e parimeve të dakorduara në vitin 2015. Diçka që mund të quhet OJQ (Organizatë Joqeveritare), nuk na duhet, na duhet një institucion serioz, Asociacioni i Komunave me shumicë serbe me kompetenca ekzekutive”, tha Petkoviq.
Sipas tij, duke formuar një Asociacion të komunave me shumicë serbe, populli serb në Kosovë mund të “ushtrojë të drejta kolektive që nuk i gëzon tani”.
Ai shtoi se është diskutuar edhe për pronat dhe pretendimet financiare, çështje këto që janë diskutuar edhe në takimin e kaluar, transmeton REL.

Ministrja Hikmete Bajrami: Mbi 24 mijë familje marrin nesër dyfishin e asistencës sociale

Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, përmes një postimi në Facebook ka njoftuar se mbi 24 mijë familje nesër do të marrin dyfishin e asistencës sociale.
“Me kërkesë të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, sot Ministria e Financave ka proceduar pagesën për përfituesit e asistencës sociale për muajin tetor. Sipas vendimit të Qeverisë nr.10/33 të datës 28.09.2020 familjet në asistencë sociale marrin dyfishin e asistencës për tetor, nëntor dhe dhjetor. Nga kjo masë përfituan 24,791 familje. Mjetet dalin nesër gjatë ditës”, ka shkruar Bajrami.
Ajo ka shtuar se edhe realizimi i kësaj mase u bë i mundshëm falë të gjithë atyre që paguajnë tatime e taksa.

Lirohet Agim Gjocaj nga Serbia, MPJD kërkon lirimin e menjëhershëm edhe të Nezir Mehmetajt,

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës ka njoftuar se Serbia ka liruar Agim Gjocajn dhe kërkon lirimin e menjëhershëm edhe të Nezir Mehmetajt
Gjocaj u arrestua rreth dy javë më parë në mënyrë flagrante gjatë udhëtimit të tij transit nëpër territorin e Serbisë, ndërsa shtetasi tjetër Kosovar, Nezir Mehmetaj vazhdon të mbahet padrejtësisht në paraburgim tash e dhjetë muaj.
“MPJD bën thirrje që njëherë e përgjithmonë të ndalohet një praktikë e tillë e jashtëligjshme, e ndalimit të pabazë të shtetasve kosovarë të cilët kalojnë transit në territorin e Serbisë”, thuhet në një njoftim të ministrisë.
MPJ ka thënë se një sjellje e tillë është në kundërshtim me të drejtat themelore të njeriut, marrëveshjen e lëvizjes së lirë të arritur në Bruksel, në vitin 2011 dhe në kundërshtim të plotë me frymën e marrëveshjes së zotimeve të Washingtonit për Normalizim Ekonomik.
“Këto veprime, janë në vazhdën e përpjekjeve të Serbisë për të sabotuar Republikën e Kosovës, duke lëshuar urdhra të rrejshme arrestimesh dhe duke manipuluar kanalet e tyre mediatike përmes propagandës së vazhdueshme raciste” ka vlerësuar Ministria e Jashtme.
Andaj, duke i pasur parasysh këto rrethana, MPJD i përsëritë thirrjet që shtetasit e Republikës së Kosovës dhe bashkatdhetarët nga diaspora t’i shmangin udhëtimet në dhe nëpërmes Serbisë, për shkak të rrezikut të ndalimit të tyre, me akuza të motivuara politikisht…

Një i vdekur dhe 284 raste me COVID-19 sot në Kosovë

Në 24 orët e fundit, në Kosovë, ka vdekur një person si pasojë e COVID-19, derisa janë regjistruar 284 raste pozitive, tri më shumë se dje, ka bërë të ditur të enjten IKSHPK-ja.
Ky është numri më i madh i rasteve pozitive brenda një 24-orëshi.
Rastet pozitive kanë dalë nga 1.058 mostra të kryera.
Numri total i rasteve pozitive është 18.910, kurse i të vdekurve si pasojë e koronavirusit është 674.Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 72 pacientë, derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është 15.367 raste.Raste aktive janë 2.869.
Rastet pozitive janë nga komunat: Prishtinë 117, Gjakovë 28, Ferizaj 19, Fushë-Kosovë 19, Podujevë 18, Pejë 12, Vushtrri 11, Drenas 8, Mitrovicë 7, Shtime 6, Obiliq 5, Prizren 5, Junik 4, Skenderaj 4, Kamenicë 3, Rahovec 3, Suharekë 3, Deçan 2, Gjilan 2, Klinë 2, Lipjan 2 dhe nga një në Graçanicë, Han i Elezit, Istog dhe Malishevë.
Në Shqipëri gjashtë të vdekur dhe 275 raste të reja nga COVID 19
Me gjithë përpjekjet e mjekëve, ne 24 orët e fundit, kanë humbur jetën 6 qytetarë me Sars Cov2 pozitiv në 2 spitalet Covid: 61 vjeç nga Korça, 67 vjeç nga Pogradeci, 69 vjeç nga Lezha, 71 vjeç Vlorë, 73 vjeç nga Fieri dhe 74 vjeç nga Tirana, me sëmundje bashkëshoqëruese. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u shpreh ngushëllimet familjarëve.
Ndërkohë janë shëruar 114 qytetarë, duke e çuar në 11,007 numrin e të shëruarve në vend që prej fillimit të epidemisë.
Aktualisht në spitalin Infektiv dhe “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 291 pacientë, 13 në terapi intensive nga të cilët 5 pacientë janë të intubuar…
IPK arreston një polic pasi dyshohet se ngacmoi një femër
Hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK) kanë arrestuar një zyrtar policor ( të stacionit policor në Pejë) me dyshimin se i njëjtit ka kryer veprën penale “shantazh”, “kanosje” dhe “ngacmim”.
Informacionet e para lidhur me këtë rast nga IPK-ja janë pranuar përmes një ankese të adresuar te Inspektorati Policor rreth një javë më herët.

MOTI

Të premten parashikohet mot pjeserisht me diell. Temperaturat do të levizin nga 1 deri 13 gradë Celsius. Mot i ngjashem në Tiranë, me temperatura nga 8-23 gradë celcius.

COVID-19 NË KOSOVË:

Total raste: 18910.Të Shëruar: 15367. Të vdekur: 674
www.rtvarberia.com
Tri kanalet e RTV Arberia si dhe Radion mund te i ndiqni edhe ne www.iptvshqipott.com

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *