Pre. Pri 19th, 2024

LAJMET DITORE, E ENJTE 18.02.2021

By Rtv Arbëria Shk 18, 2021

U.d. Presidentja Osmani priti në takim Ambasadorin Gjerman, Jorn Rohde

U.d. Presidentja Vjosa Osmani Sadriu priti në takim Ambasadorin Gjerman, Jorn Rohde.
Në takim, Ambasadori Rohde e uroi u.d. Presidenten Osmani për përvjetorin e pavarësisë, si dhe për rezultatin e arritur në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit, transmeton Indeksonline.
Duke folur për rëndësinë e themelimit sa më të shpejt të institucioneve të reja, Osmani theksoi se duhet të respektohet vullneti i qytetarëve.
Në këtë drejtim, u theksua që për një përfundim të suksesshëm të procesit zgjedhor, duhet siguruar që të numërohet secila votë dhe të mos ketë vonesa të cilat do të pengonin konstituimin e institucioneve.
U.d. presidentja e falënderoi Ambasadorin Gjerman për mbështetjen e vazhdueshme që Gjermania i ka dhënë Republikës së Kosovës, dhe për mbështetjen e të gjitha proceseve të cilat janë të rëndësishme në rrugëtimin e shtetndërtimit të vendit.
.

Ambasadori amerikan: Qeveria të formohet shpejt dhe me efikasitet

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Philip Kosnett, u bëri thirrje partive fituese në Kosovë, që të formojnë Qeverinë “shpejt dhe me efikasitet”.
“Nuk ka kohë për vonesa kur Qeveria e re përballet me kaq shumë sfida”, tha Kosnett, teksa foli në ceremoninë inauguruese të induksionit gjyqësor të Akademisë së Drejtësisë, të enjten në Prishtinë.
Kosnett tha se “nuk ka asnjë sfidë më urgjente dhe më të rëndësishme” sesa luftimi i pandemisë së koronavirusit.
Ai tha se qytetarët duhet të mbeten të kujdesshëm dhe vigjilentë, por shtoi se, “për fat të keq, një shkallë e tillë kujdesi nuk është vërejtur nga politikanët dhe qytetarët e Kosovës, në javët përpara zgjedhjeve” të 14 shkurtit.
Gjatë fushatës zgjedhore në Kosovë, në shumë tubime janë vërejtur njerëz që nuk kanë veshur maska dhe nuk e kanë respektuar distancën sociale – masa këto të kërkuara për frenimin e përhapjes së koronavirusit.
Zgjedhjet e 14 shkurtit në Kosovë i ka fituar Lëvizja Vetëvendosje. Ndërsa në vend të dytë ka dalë Partia Demokratike e Kosovës dhe në të tretin Lidhja Demokratike e Kosovës.
Kosnett ka takuar të martën udhëheqësin e Vetëvendosjes, Albin Kurti, me të cilin, siç ka thënë, ka diskutuar “rrugën përpara të Kosovës”…

5 të vdekur nga Covid, 285 raste të reja dhe 319 të shëruar

Njoftimi i plotë i IKSHPK-së:

319 TË SHËRUAR DHE 285 RASTE ME COVID-19!
Gjatë 24 orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK dhe laboratoret private me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 3.196 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, prej të cilëve rezultojnë 285 raste pozitive.
Brenda 24 orëve janë raportuar 5 raste të vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv. Rastet e vdekjes janë nga komunat: Deçan 1 rast (75 vjeç), Gjakovë 1 rast (78 vjeç), Klinë 1 rast (90 vjeç), Prishtinë 1 rast (70 vjeç) dhe Suharekë 1 rast (84 vjeç).
Numri total i rasteve pozitive është 65.350 raste nga 277.356 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 1.558 raste të vdekjes.
Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 319 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 56.974 raste, kurse numri i rasteve aktive është 6.818.
Rastet pozitive janë nga komunat: Prishtinë 123 raste, Gjakovë 22 raste, Pejë 22 raste, Podujevë 17 raste, Vushtrri 12 raste, Lipjan 11 raste, Fushë-Kosovë 9 raste, Mitrovicë 9 raste, Rahovec 9 raste, Gjilan 8 raste, Viti 7 raste, Deçan 5 raste, Prizren 5 raste, Drenas 4 raste, Obiliq 4 raste, Suharekë 4 raste, Dragash 3 raste, Istog 3 raste, Kamenicë 3 raste, Klinë 2 raste dhe me nga një rast komunat Ferizaj, Malishevë dhe Skenderaj.
Mbuloni gojën dhe hundën me maskë! Mbani higjienën!
Respektoni distancën!!

KQZ-ja vendos të rinumërohen vetëm 12 vendvotime

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë vendimin për rinumërimin e vetëm 12 vendvotimeve.
Sipas KQZ-së vendvotimet që rinumërohen u takojnë disa komunave: Gjakovë (1); Fushë-Kosovë (1); Rahovec (1); Podujevë (3); Prizren (2); Skënderaj (1); Suharekë (1); Ferizaj (1); dhe Vushtrri (1).

Haradinaj-Sublla dënon incidentin në Malit të Zi, ku një autobus nga Kosova është gjuajtur me gurë

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj.Meliza Haradinaj-Stublla
ka dënuar ashpër incidentin e djeshëm në Berane të Malit të Zi, ku një
autobus me udhëtarë nga Kosova është gjuajtur me gurë.
Incidenti i befasishëm ka ndodhur në afërsi të një kthese në hyrje të Berane, të mërkurën, rreth orës 16:30, në ditën e shënimit të 13 vjetorit të
pavarësisë së Kosovës. Nga ky incident ndaj autobusit të kompanisë “Gjafa-
Tours” janë shkaktuar vetëm dëme materiale dhe fatmirësisht nuk ka pasur
të lënduar nga turistët-skiatorë kosovarë, të cilët po ktheheshin nga
Kolashini i Malit të Zi.
Ministrja Haradinaj-Stublla është shprehur se ky incident ka mbjellë frikë për qarkullimin e lirë të qytetarëve ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, dhe se
Kosova nuk do ta lejojë minimin e drejtimit euro-atlantik të rajonit, nga këto incidente të mbjella nga lufta hibride kundër anëtarëve dhe aleatëve të
NATO-s në rajon.
“Si rajon ne jemi përcaktuar për integrim euro-atlantik dhe Kosova nuk do
të lejojë asnjë zbrazëti për minim të kësaj përpjekjeje nga lufta hibride që po bëhet ndaj shteteve anëtare dhe aleatëve të NATO-s në Ballkanin
Perendimor.”, është shprehur kryediplomatja e Kosovës.
Ministrja Haradinaj-Stublla më tej i ka bërë thirrje edhe autoriteteve
malazeze që të ruajnë marrëdhëniet e shkëlqyera midis Kosovës e Malit të
Zi:
“I bëj thirrje autoriteteve të Malit të Zi që të ruajnë marrëdhëniet e
shkëlqyera të kultivuara mes vendeve tona në vitet e fundit, duke marrë
parasysh edhe rolin e rëndësinë e lartë të komunitetit shqiptar në Mal të Zi.”
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka kërkuar nga autoritetet
malazeze sqarim të plotë të këtij incidenti, i cili nuk është në frymën e
fqinjësisë së mirë e rrugës së pa alternativë të të dyja shteteve për integrim
euro-atlantik.
Ambasada e Kosovës në Podgoricë, menjëherë pas incidentit, përmes një
note verbale drejtuar Ministrisë së Punëve të Jashtme të Malit të Zi, ka
kërkuar shpjegim në lidhje me incidentin në Berane. Po ashtu, ka kontaktuar edhe pronarin e kompanisë turistike z. Xhafer Berisha..

Kurti pret në takim Emilia Redzepin, pritet të ketë prapë bashkëpunim mes tyre

Albin Kurti ka pritur te enjten në një takim përfaqësuesen e boshnjakëve në Kosovë, Emilija Rexhepi.
Mesohet se pjesë e diskutimit midis Kurtit e Rexhepit ka qenë mundësia e bashkëpunimit të afërt.Liderja e partisë boshnjake në Kosovë, NDS ka qenë e vetmja që s’e kishte votuar rrëzimin e Qeverisë së Kurtit në pandemi, duke pranuar të mbetej në opozitë bashkë me të.
Rexhepi ka qenë ministre e Administrimit të Pushtetit Lokal në Qeverinë Kurti 1 dhe me shumë gjasa pritet të marrë përsëri pozitë të lartë drejtuese në Qeverinë e ardhshme.

Mbretëresha Elizabeth II, Steinmeier, Macron dhe Mattarella urojnë Osmanin për ditën e pavarësisë

U.d. Presidentja Vjosa Osmani ka pranuar telegrame urimi për 13-vjetorin e pavarësisë së Kosovës nga Mbretëresha Elizabeth II e Mbretërisë së Bashkuar, presidenti gjerman Frank- Walter Steinmeier, presidenti francez Emmanuel Macron dhe ai italian Sergio Mattarella.
Në telegramin e Mbretëreshës Elizabeth II, ajo ka uruar popullin e Kosovës për ditën e pavarësisë, duke shfaqur shpresën për tejkalimin e sfidave nga pandemia.
Kurse presidenti gjerman Steinmeier, në telegram ka theksuar progresin e Kosovës në procesin e integrimit evropian.
“Reformat vendimtare dhe të qëndrueshme për forcimin dhe sundimin e ligjit, si dhe normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë, edhe më tej janë qenësore për ta vazhduar këtë rrugë. Rifillimi i dialogut vitin e kaluar me ndërmjetësimin e BE-së, ishte një hap i rëndësishëm”, thuhet në telegramin e presidentit gjerman.
Edhe homologu i tij francez, presidenti Macron, duke uruar popullin e Kosovës për ditën e pavarësisë, ka potencuar rëndësinë e rifillimit të dialogut me Serbinë.
“Unë do të doja të përshëndesja angazhimin e Kosovës në dialogun me Serbinë që nga rifillimi i tij, pas takimit të nivelit të lartë, të cilin kancelarja Merkel dhe unë e mbajtëm më 10 korrik 2020. Unë mbështes plotësisht ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe përfaqësuesit të posaçëm për dialogun, z.Miroslav Lajçak, me synimin për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse përfundimtare dhe ligjërisht të detyrueshme”, thuhet në telegramin e presidentit Macron.
Ndërkaq presidenti italian Mattarella, gjithashtu ka përgëzuar popullin e Kosovës në 13-vjetorin e pavarësisë, duke potencuar mbështetjen për procesin e dialogut me Beogradin.. ”

Moti
Të premten parashikohet mot pjeserisht me diell, temperaturat do të lëvizin nga minus 2 deri në 8 gradë celcius. Mot pjeserisht me diell edhe në Tiranë,me temperatura nga 4 deri në 16 gradë celcius.

COVID-19 NË KOSOVË:
Total raste: 65350 , Të shëruar: 56974 ,të vdekur:1558
www.rtvarberia.com Tri kanalet e RTV Arbëria si dhe Radion mund të i ndiqni edhe në www.iptvshqipott.com

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *