Pre. Pri 26th, 2024

LAJMET DITORE, E MËRKURË, 28.10.2020

By Rtv Arbëria Tet 28, 2020

Dialogu, BE-ja pret marrëveshje gjithëpërfshirëse brenda muajsh

Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomash Sunjog, në një intervistë ekskluzive për “DESKUN” ka deklaruar se jo të gjitha pikat që do t’i përmbajë marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë mund t’u pëlqejnë të dyja palëve.
Por, ka shtuar se marrja e obligimit ndërkombëtar për zbatim të tyre përmes ratifikimit në parlamentet respektive, do t’i ndihmojë dy vendet që të ecin përpara në perspektivën evropiane.
Sipas tij, procesi i dialogut i ndërmjetësuar nga Brukseli po shënon progres derisa grupet e ekspertëve kanë arritur pajtim tashmë në disa çështje të hapura. Sunjog ka thënë se hollësitë për marrëveshje specifike nuk do të bëhen të ditura deri në arritjen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse.
Në lidhje me Asociacionin e komunave serbe, ai ka thënë se është Prishtina ajo që duhet të dalë me një propozim, i cili do të hidhej në tavolinën e negociatave dhe çështja nëse duhet të ketë ndryshime kushtetuese për ta akomoduar atë mbetet në dorën e palëve se si do të merren vesh.
Shefi i Zyrës së BE-së ka folur edhe për vendimin e Qeverisë për shuarjen e Task-Forcës kundër korrupsion me ç’rast ka përshëndetur gatishmërinë e kryeministrit Hoti që t’i sqarojë arsyet e këtij veprimi të befasishëm. Hoti, sipas Sunjog, e ka siguruar BE-në që Task-Forca është shuar me qëllim të një riorganizimi më të mirë në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

IPK rekomandon suspendimin e shtatë zyrtarëve të Policisë së Kosovës të Stacionit Policor të Gjakovës

Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht hetuesit e saj kanë filluar procedurën hetimore në muajin shtator të këtij viti ndaj disa të dyshuarve (zyrtarë policorë të Policisë së Kosovës – Stacioni Policor i Gjakovës).
Hetimi fillimisht kishte filluar me dyshimin për kryerjen e veprës penale “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” lidhur me një incident që kishte ndodhur më 13 shtator 2020.
IPK ka qenë duke e hetuar në këtë rast rrethanat e përdorimit të armës së zjarrit nga një zyrtar policor me dyshimin se me rastin e gjuajtjes me armë zjarri ndaj një motoçiklisti në lëvizje (person i dyshuar) janë tejkaluar autorizimet e tij për përdorimin e armës zyrtare.
Sidoqoftë, gjatë hetimit të këtij rasti, hetuesit e IPK-së kanë zbuluar prova shtesë me dyshimin për keqpërdorim të detyrës apo autorizimeve zyrtare edhe nga disa zyrtarë policorë(fshehje e dëshmive dhe informacioneve lidhur me rastin e shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm).
Duke ju referuar autorizimeve ligjore të IPK-së, në interes të procedurës hetimore, IPK ka rekomanduar sot Policisë së Kosovës suspendimin e shtatë punonjësve të Policisë së Kosovës si të dyshuar në këtë rast ( një major – U.D komandanti i stacionit policor të Gjakovës, një toger policor, katër zyrtarë policorë dhe një pjesëtar i stafit civil të PK-së).

Ministrja e Financave, Bajrami s’pranon të flasë për kontratën e dyshimtë të Ministrisë së Infrastrukturës nga e cila u avulluan paratë

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Kujtim Gashi, gjatë mbledhjes së Komisionit ku u paraqit në raportim për skandalin e zhdukjes së 2 milionë eurove e ka pyetur ministren dhe i ka kërkuar të flaës për kontratën e dyshimtë të rrugës Prizren-Prevallë e cila është është nënshkruar nga zëvendësministri i Infrastrukturës pikërisht në kohën kur ministri Arban Abrashi ndodhej në SHBA e pikërisht nga kjo kontratë janë marrë paratë e vjedhura nga zyrtari I thesarit.
Por ministrja Hykmete Bajrami refuzoi të flaës për këtë çështje duke i thënë se kjo është përgjegjësi e ministrit të Infrastrukturës dhe ai duhet të japë spjegime.
“ Paratë që janë vjedhur janë marrë nga dy projekte infrastrukturore. Është vjedhur buxhet I rrugës Zhur-Dragash dhe Prizren-Prevallë. A keni informata a janë të sakta se janë marrë paratë e këtyre dy projekteve dhe si do të kompensohen këto.
Dhe a keni informata se projekti I rrugës Prizren-Prevallë, kontrata është nënshkruar nga Zyra e Prokurimit me 23 qrrshor dhe nga ajo kohë kontrata ka qëndruar në sirtarë dhe pikërisht kur kabineti qeveritar ndodhej në SHBA më 2 shtator kontrata u nënshkrua jo nga ministri por nga zëvendësministri.
A kni informata për këtë dhe a mund të na jepni ndonjë spjegim”, ka pyetur Gashi ministren e Financave Hykmete Bjaramin.
Por ministrja Bajrami edhe në këtë rast, ka thënë se duhet të përgjigjet ministry I Infrastrukturës Arban Abrashi.
“Këto janë jashtë kompetencës time. Se pse nuk e ka nënshkruar ministri atë kontratë por e ka nënshkruar zëvendësi i tij, kjo është çështje komplet e tij”, tha Bajrami. Akuza për zhdukjen e 2 milionë eurove nga Ministria e Finanaceve ka pasur edhe deputetja e Vetëvendosjes Mimoza Kusari-Lila e cila tha se nga shpjegimet e ministers del se buxheti nuk ka siguri dhe nuk po shihen masa adekuate për të parandaluar raste të tjera të vjedhjeve..

Salih Mustafa deklarohet i pafajshëm, Specialja i dorëzon avokatit provat materiale,

Seanca e radhës ndaj Salih Mustafës në Gjykatën Speciale pritet të mbahet në dhjetor. Kështu janë dakorduar palët.
Është diskutuar për çështjet teknike, ndërsa po ashtu edhe për fazën se ku gjenden hetimet e prokurorisë e po ashtu të mbrojtjes.
Avokati i Mustafës, Julius Von Bonne ka thënë se hetimet janë bërë më të vështira për shkak të situatës me koronavirus, veçanërisht në Holandë.
“Problemi është çështja e Covidit dhe gjendje rreth Covidit në Holandë. Kemi deklaratën e ministrit të Shëndetësisë së Holandës dhe u njoftuam që masat kufizuese të ndërmarra janë në fuqi deri në fund të dhjetorit. Nuk e bën të lehtë punën e hetimit, kontaktimit të dëshmitarëve, ekspertëve dhe punën në terren. Kosova në këtë moment është me ngjyrën portokalli sa i përket epidemisë, është rajoni i shënuar me ngjyrë portokalli. Është cilësuar në gjendje më të mirë se Holanda, që është e shënuar me të kuqe. Karantina parashtron probleme në këtë moment”, ka thënë Von Boone, që ka propozuar që seanca e radhës të mos mbahet para 9 dhjetorit e po ashtu jo më 16 dhjetor, për arsye të tij personale..

IKSHPK: 281 raste pozitive me COVID-19, 4 të vdekur, 97 të shëruar

Gjatë 24 orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK dhe laboratoret private me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 932 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, prej të cilëve rezultojnë 281 raste pozitive. Brenda 24 orëve janë raportuar katër raste të vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv (1 rast Spitali i Përgjithshëm, Prizren, 1 rast Mjekimi Intenziv Qendror, QKUK, 1 rast Spitali i Përgjithshëm, Gjakovë dhe 1 rast Klinika Emergjente, QKUK).
Numri total i rasteve pozitive është 18.626 raste nga 90.040 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 673 raste të vdekjes.
Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 97 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 15.295 raste, kurse numri i rasteve aktive është 2.658..

Zyra e Presidentit tregon arsyen pse Thaçi takoi liderët e partive politike

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, sot gjatë ditës ka takuar liderët e partive politike në Kosovë.
Nga Zyra për Informim e Presidencës kanë treguar se cila ishte arsyeja e takimeve.
Presidenca për media sqaroi se në takimet me liderët e partive politike është diskutuar për zgjedhjet në komunën e Podujevës si dhe për zhvillimet e fundit në vend.
“Presidenti i ka takuar sot liderët e partive politike, me të cilët ka biseduar për zgjedhjet në komunën e Podujevës dhe për zhvillimet e përgjithshme politike në vend”, ka thënë Zyra për Informim e Presidencës..

MOTI

Të enjten parashikohet mot pjeserisht me diell. Temperaturat do të levizin nga 7 deri 16 gradë Celsius. Mot i ngjashem në Tiranë, me temperatura nga 13-24 gradë celcius.

COVID-19 NË KOSOVË:

Total raste: 18626.Të Shëruar: 15198. Të vdekur: 669

www.rtvarberia.com
Tri kanalet e RTV Arberia si dhe Radion mund te i ndiqni edhe ne www.iptvshqipott.com

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *