Mar. Mar 5th, 2024

NGJARJE DITE, E MARTE 18.05.2021

By Rtv Arbëria Maj 18, 2021

Policia tërheq trupin e viktimës nga vendi ku ndodhi vrasja në Pejë

Policia e Kosovës para pak minutash ka tërhequr trupin e viktimës nga lokali ku ndodhi vrasja në komunën e Pejës.
Po ashtu, Policia e Kosovës ka identifikuar të dyshuarin për vrasjen e 40-vjeçarit, Gëzim Kastrati nga Peja.
I dyshuar është Xh.Januzi i cili aktualisht ndodhet në arrati për vrasjen e sotme të ndodhur në një lokal në rrugën “Gjon Gazulli” në Pejë.
Vrasja është konfirmuar edhe nga zëdhënësi i Policisë Rajonale në Pejë, Fadil Gashi.
“Rreth orës 15:36 minuta policia është njoftuar se në rrugën “Gjon Gazulli” në Pejë ka të shtëna me armë zjarri, ku pasi i janë përgjigjur rastit kanë hasur në një person i cili ka qenë i lënduar nga arma e zjarrit. Autoambulanca ka dalë në vendin e ngjarjes dhe mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e viktimës”, ka deklaruar Gashi

Lajçak: I lumtur që takova Kurtin për të vazhduar diskutimet në lidhje me hapat e ardhshëm në dialog

Përfaqësuesi special i BE-së për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, ka takuar gjatë ditës së sotme kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti në Bruksel.
Lajçak u shpreh se është i lumtur që takoi Kurtin, për të vazhduar diskutimin në lidhje me hapat e ardhshëm për dialogun mes Kosovës e Serbisë.
“Në margjinat e darkës joformale të Ballkanit Perëndimor sot, unë isha i lumtur që u takova me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti për të vazhduar diskutimet tona në lidhje me hapat e ardhshëm në dialog”, shkruan Kurti.
Ndryshe, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sot do të marrë pjesë në darkën tradicionale me liderët e Ballkanit Perëndimor në Bruksel..

Ministri Çeku u shkruan letër organizatës që nominoi Manastirin e Deçanit për listën e monumenteve të rrezikuara të Evropës

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku i është drejtuar me letër organizatës Future for Religious Heritage (shq: E ardhmja për trashëgiminë fetare) e cila kishte nominuar Manastirin e Deçanit për listën e “Shtatë monumenteve më të rrezikuara në Evropë” të Europa Nostra.
Në letër, Çeku liston pyetjet që ka ai dhe i gjithë shteti i Kosovës në lidhje me vendimin e tyre për ta nominuar njërin prej monumenteve më të sigurta në Evropë në listën e më të rrezikuarave.
“Si organizatë nominuese, ju ftojmë që publikisht të na tregoni burimet e konstatimeve tuaja dhe të na sqaroni disa detaje të rëndësishme të tekstit të nominimit”, thuhet në fillim të letrës ku kërkohet që kjo organizatë tu përgjigjet një liste pyetjesh.
Letra e plotë:
Të nderuar,
Organizata juaj ka nominuar Manastirin e Deçanit për programin “Shtatë monumentet më të rrezikuara në Evropë” të Europa Nostra. Pas shqyrtimit nga paneli përkatës, Manastiri i Deçanit, ne besojmë, padrejtësisht është përfshirë në listën finale. Një nga të metat kryesore e këtij vendimi të gabuar është faza e nominimit, përkatësisht përmbajtja, argumentet dhe faktet e tekstit të nominimit.
Si organizatë nominuese, ju ftojmë që publikisht të na tregoni burimet e konstatimeve tuaja dhe të na sqaroni disa detaje të rëndësishme të tekstit të nominimit. Konkretisht, ju ftojmë t’i jepni përgjigje pyetjeve në vijim:
– Cili ka qenë burimi i informacionit për sulmin e pretenduar të organizatës terroriste ISIS në Manastirin e Deçanit?
– Kujt saktësisht i referoheni kur përmendni termin “ekstremistë lokalë” dhe në raportet e cilave institucione të sigurisë jeni bazuar në lidhje me katër sulmet e pretenduara?
– Cili ka qenë burimi i informacionit për konstatimin tuaj se në afërsi të dyerve të manastirit planifikohet ndërtimi i një autostrade të madhe ndërkombëtare?
– A jeni në dijeni për marrëveshjen e arritur vitin e kaluar mes palëve (përfshi klerin ortodoks) në lidhje me rrugën, e cila as nuk ka qenë e menduar si autostradë dhe as nuk është ndërtuar?
– Cilat janë burimet e tjera mbi të cilat e keni ndërtuar argumentin tuaj për të nominuar Manastirin e Deçanit?

1 te vdekur ,409 të shëruar dhe 64 raste me COVID-19!

Nga IKSHPK
409 TË SHËRUAR DHE 64 RASTE ME COVID-19!

Gjatë 24 orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK dhe laboratoret private me metodën RT-PCR, si dhe laboratoret publike dhe private me metodën RAT, janë testuar gjithsej 4.297 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, prej të cilëve rezultojnë 64 raste pozitive.
Brenda 24 orëve është raportuar 1 rast i vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv. Rasti i vdekjes është nga komuna: Gjilan 1 rast (72 vjeç).
Numri total i rasteve pozitive është 107.003 raste nga 575.614 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 2.227 raste të vdekjes.
Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 409 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 100.233 raste, kurse numri i rasteve aktive është 4.543.
Rastet pozitive janë nga komunat: Prishtinë 12 raste, Ferizaj 9 raste, Skenderaj 7 raste, Mitrovicë 6 raste, Prizren 5 raste, Deçan 3 raste, Gjakovë 3 raste, Istog 3 raste, Klinë 3 raste, Malishevë 2 raste, Obiliq 2 raste, Vushtrri 2 raste dhe me nga një rast komunat Drenas, Fushë-Kosovë, Gjilan, Kamenicë, Pejë, Shtime dhe Suharekë.
Mbuloni gojën dhe hundën me maskë!
Mbani higjienën!
Respektoni distancën!!

Pezullohet Nehat Thaçi

Nehat Thaçi është pezulluar nga detyra e Drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit Korrektues të Kosovës.
Ky vendim është marrë nga Këshilli Shtetëror për Vlerësim dhe Disiplinë.
Vendimin e ka bërë të ditur, zëvendësministri i Ministrisë së Drejtësisë, Blerim Sallahu, përmes një postimi në Facebook.
Postimi i plotë:
Sot, kemi pranuar vendimin e Këshillit Shtetëror për Vlerësim dhe Disiplinë për pezullimin nga detyra të z. Nehat Thaçi – Drejtor i Përgjithshëm i SHKK-së.
Ditëve në vijim presim ftesat nga KShVD për prezantimin e fakteve tona që e mbështesin kërkesën tonë për shkarkimin e z.Thaçi nga pozita e Drejtorit të Përgjithshëm të SHKK-së…

Parashikimi i Motit

Gjatë ditës së merkkure parashikohet mot pjesrisht i vranet mundesi per te reshura te shiut dhe bubullima, temperaturat do të lëvizin nga 10 deri në 21 gradë celcius. Në Tiranë parashikohet moti pjeserisht i vranet ,temperaturat do te levizin nga 14 deri në 25 gradë celcius.

Covid – 19 në Kosovë:
Total raste:107.003 , Të shëruar: 100.233 , Të vdekur: 2227

www.rtvarberia.com

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *