Hën. Shk 26th, 2024

NGJARJE DITE, E MERKURE, 14.04.2021

By Rtv Arbëria Pri 14, 2021

Kryeministri Kurti dërgoi në Kushtetuese përgjigjet në kërkesën e deputetëve të pakicës serbe

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i ka dërguar sot kryetares së Gjykatës Kushtetuese, Arta Rama- Hajrizi, një letër përgjigje në kërkesën e parashtruar nga 11 deputetë të Republikës së Kosovës, për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Vendimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës për zgjedhjen e Qeverisë së Kosovës nr.08/V-005 të datës 22.03.2021.
Qeveria e Kosovës, në komentet e saj, konsideron se duhet referuar dispozitave kushtetuese të cilat përcaktojnë procedurën për zgjedhjen e qeverisë, dhe atyre që garantojnë të drejtat e pakicave për përfaqësim në kuadër të saj, me qëllim që të vlerësohet nëse vendimi i kontestuar është nxjerr sipas procedurës së paraparë më kushtetutë dhe nëse i njëjti është për nga përmbajtja në përputhje me Kushtetutën.
Po ashtu, Qeveria rithekson se përfaqësuesit e pakicës serbe në Kuvendin e Kosovës janë konsultuar, dhe propozimi i tyre është marrë parasysh në lidhje me emërimin e ministrit që përfaqëson komunitetin serb në Qeverinë e Kosovës.
Në këtë rast, Qeveria e Kosovës në argumentet e saj, konsideron se përfaqësimi i garantuar nga Kushtetuta e Kosovës për përfaqësuesit e pakicës serbe është respektuar me rastin e zgjedhjes së Qeverisë, rrjedhimisht, zgjedhja e saj është në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Në letrën e saj, Qeveria e Kosovës kërkon nga Gjykata Kushtetuese që të nxjerr aktgjykim me të cilin e shpall kërkesën të pranueshme, të konstatojë se vendimi i Kuvendit të Republikës së Kosovës për zgjedhjen e Qeverisë është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, dhe të refuzojë kërkesën për vendosjen e masave të përkohshme.
Në fund, Qeveria e Kosovës konsideron se kjo çështje nuk ka asnjë paqartësi, andaj kërkesa për mbajtjen e seancës dëgjimore nuk është e justifikuar dhe se e njëjta duhet të refuzohet..

Arben Vitia nesër takim virtual me kryetarët e komunave, a po hiqet ora policore?

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia dhe ai i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, nesër do të takojnë kryetarët e komunave
“Kryetarët e Komunave në këtë takim kanë diskutuar edhe për masat e tashme, zbatimin e tyre, efektin dhe për situatën pas datës 18 prill kur skadojnë këto masat e reja. Në fund Kryetarët e Komunave janë dakorduar për rekomandimet e pushtetit lokal ndaj pushtetit qendror lidhur me situatën pandemike dhe masat e reja në këtë drejtim dhe në anën tjetër respektimin e masave nga ana e qytetarëve”, ka bërë të ditur përmes një njoftimi Asociacioni i Komunave të Kosovës.
Mbledhja virtuale do të mbahet në ora 10:00 dhe është ftuar pas takimit të sotëm të kryetarëve të komunave, ku kërkua që të hiqet ora policore dhe të hapet gastronomia.

Konjufca u takua me ambasadoren e Kroacisë në Kosovë, ja çka diskutuan

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur sot në takim ambasadoren e Kroacisë në Kosovë, Danijela Barišić.
Ambasadorja Barišić e uroi Konjufca për detyrën e re në krye të Kuvendit të Kosovës, si dhe e përgëzoi për konstituimin e institucioneve të reja në vend, të dala nga zgjedhjet e 14 shkurtit.
Me këtë rast, Barišić rikonfirmoi përkrahjen e shtetit kroat për Kosovën në rrugëtimin drejt anëtarësimit në institucione ndërkombëtare.
Kryekuvendari Glauk Konjufca e falënderoi për urimin ambasadoren Barišić dhe vlerësoi lart gatishmërinë e Kroacisë për përkrahjen e gjithanshme ndaj Kosovës, duke theksuar nevojën e thellimit të mëtejmë të marrëdhënieve bilaterale mes dy shteteve në të ardhmen.
Bashkëbiseduesit trajtuan edhe çështje të tjera të bashkëpunimit ndërshtetëror, si dhe sfidat e përballimit të pandemisë globale Covid-19.​

14 të vdekur vdekur nga Covid-19, 701 raste të reja dhe 737 të shëruar

Njoftimi plotë nga IKSHPK!
737 TË SHËRUAR DHE 701 RASTE ME COVID-19!
Gjatë 24 orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK dhe laboratoret private me metodën RT-PCR, si dhe laboratoret publike dhe private me metodën RAT, janë testuar gjithsej 4.557 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, prej të cilëve rezultojnë 701 raste pozitive.
Brenda 24 orëve janë raportuar 14 raste të vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv. Rastet e vdekjes janë nga komunat: Pejë 2 raste (81, 78 vjeç), Prishtinë 2 raste (91, 79 vjeç), Prizren 2 raste (80, 68 vjeç), Viti 2 raste (73, 69 vjeç), Gjilan 1 rast (74 vjeç), Klinë 1 rast (80 vjeç), Mitrovicë 1 rast (75 vjeç), Shtërpcë 1 rast (62 vjeç), Skenderaj 1 rast (65 vjeç), Suharekë 1 rast (68 vjeç).
Numri total i rasteve pozitive është 99.536 raste nga 486.970 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 2.022 raste të vdekjes.
Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 737 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 84.328 raste, kurse numri i rasteve aktive është 13.186.
Rastet pozitive janë nga komunat: Prishtinë 157 raste, Gjilan 84 raste, Mitrovicë 59 raste, Pejë 51 raste, Ferizaj 46 raste, Vushtrri 45 raste, Gjakovë 44 raste, Prizren 28 raste, Skenderaj 28 raste, Fushë-Kosovë 22 raste, Lipjan 21 raste, Podujevë 20 raste, Kaçanik 12 raste, Viti 11 raste, Obiliq 10 raste, Suharekë 10 raste, Drenas 8 raste, Shtime 7 raste, Kamenicë 6 raste, Klinë 6 raste, Malishevë 5 raste, Rahovec 5 raste, Istog 4 raste, Junik 4 raste, Deçan 3 raste, Dragash 2 raste, Hani i Elezit 2 raste dhe Kllokot 1 rast.
Mbuloni gojën dhe hundën me maskë!
Mbani higjienën!
Respektoni distancën!!

Ministrja e Drejtësisë zotohet për angazhim kundër dhunës në familje dhe dhunës në baza gjinore

Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu dhe këshilltarja e ministres Nazlie Balaj, pritën në takim përfaqësueset e Rrjetit të Grave të Kosovës, Igballe Rugova, Ariana Qosaj dhe Adelina Berisha- udhëheqëse e programit Kundër Dhunës në Baza Gjinore.
Ministrja Haxhiu i njoftoi se Qeveria e Republikës së Kosovës tashmë e ka vendosur prioritet të saj adresimin e dhunës në familje dhe dhunës në baza gjinore dhe se do të angazhohet që edhe institucionet e drejtësisë t’i trajtojnë me seriozitetin e duhur çështjet që kanë të bëjnë me dhunën në familje dhe atë në baza gjinore.
Për të fuqizuar mekanizmat dhe për të prodhuar rezultate më të mëdha në këtë drejtim, bashkëpunimi me eksponentë të cilët angazhohen përreth kauzave të tilla janë të domosdoshme drejtë kontribuimit të arritjes së qëllimeve të cilat mbrojnë dhe sigurojnë pozitën e gruas drejt barazisë në shoqëri.
Si e tillë, sot të dy palët u dakorduan për të filluar amendamentin e Ligjit për Mbrojtje nga Dhuna në Familje, i cili duhet të harmonizohet me kërkesën e Konventës së Stambollit, tashmë të zbatueshme në Kosovë, duke nënkuptuar të gjitha format e dhunës me bazë gjinore.
Po ashtu, pajtueshmëri nga ky takim kishte edhe për inicimin e draftimit të Strategjisë Kombëtare dhe Planit të Veprimit kundër dhunës në familje 2021-2025, e cila në harmoni me ndryshimet në ligj, do të jetë gjithëpërfshirëse për të trajtuar edhe format e tjera të dhunës me bazë gjinore.
Gatishmëri u shpreh edhe për themelimin e sekretariatit si mekanizëm mbështetës për Zyrën e Koordinatorit Nacional për Mbrojtjen Kundër Dhunës në Familje.
Hapa të bashkërenduar për të aspiruar drejt një shoqërie më të lirë, më të zhvilluar dhe më të barabartë, institucionet e Republikës së Kosovës respektivisht Ministria e Drejtësisë do t’i trajtojnë me konsideratë çdoherë kontributet e tilla nga shoqëritë civile të cilat janë përherë të mirëseardhura.
Për më shumë angazhim në këtë drejtim, palët u pajtuan që të mbesin edhe më tutje në komunikim gjatë periudhës së ardhme..

Moti
Gjatë dites se enjte parashikohet mot pjeserisht me diell , temperaturat do të lëvizin nga minus 3 deri në 10 gradë celcius. Ndersa ne Tirane poashtu parashihet mot pjeserisht me diell , temperaturat do te levizin nga 4 deri në 16 gradë celcius .

COVID-19 NË KOSOVË:
Total raste: 99536,Të shëruar: 84328 ,të vdekur: 2022

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *