NGJARJE DITE, E PREMTE 26.03.2021

Qeveria Kurti merr vendime të rëndësishme

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e saj të parë sot ka miratuar rregulloren për fushat e përgjegjësisë administrative.
Këtë pikë kryeministri Kurti e ka vlerësuar shumë të rëndësishme.
“E di që ka vendime të shumta që janë duke u përgatitur nga të gjitha ministritë dhe që janë urgjente, por sot është një vendim me urgjent që është rregullorja e re, e cila i hap rrugë sistemimit të përgjegjësive që kemi në kryeministri dhe ministri të ndryshme”, ka thënë Kurti.
Qeveria në këtë mbledhje nuk ka marrë vendime të tjera.
Kurti ministrave: S’kemi kohë për të humbur, mbledhjet mund t’i mbajmë edhe në këmbë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në mbledhjen e mbajtur të Qeverisë u ka thënë ministrave se nuk kemi kohë për të humbur dhe mbledhjet e ekzekutivit mund t’i mbajnë edhe në këmbë.
Ai po ashtu ka kërkuar nga ta që sa më shpejtë të vijnë me vendimet e tyre.
“Ndoshta këtë mbledhje do të mund ta mbanim në këmbë, sepse vërtet nuk kemi kohë për të humbur, sepse vendimet e rëndësishme që keni ju për të propozuar duhet të vijnë sa më shpejtë në tavolinën time”, tha Kurti.
Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur të premten ka miratuar projekt-rregulloren për fushat e përgjegjësisë së Zyrës së Kryeministrit dhe të ministrive.
***

Ka nisur mbledhja e Qeverisë së Kosovës.
Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi ka paralajmëruar se në mbledhjen e sotme të Qeverisë do të merren vendime të rëndësishme.
Miftaraj ka thënë se këto vendime do ta kthejnë ligjshmërinë në disa institucione të rëndësishme ligjzbatuese.
“Në ora 16:00 si duket do të mirren disa vendime që do të kthejnë ligjshmërinë në disa institucione të rëndësishme ligjzbatuese.
Kur zbatohet ligji dhe procedura, kurrë mos u tut. Kur shkelet ligji dhe procedura, tutu edhe shumë bile”, ka shkruar Miftaraj në Facebook..

Konjufca nga Krusha: Do ta padisim Serbinë për gjenocid

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës njëherit edhe ushtruesi i detyrës së Presidentit, Glauk Konjufca, me rastin e 22 vjetorit të masakrave, bëri homazhe në Krushë të Madhe dhe në Krushë të Vogël.
U.d së Presidentit Glauk Konjufca tha se Kosova ka tri plagë që ende janë të hapura.
Plaga e parë është masakra që kanë përjetuar populli, plaga e dytë të zhdukurit dhe e treta është mungesa e drejtësisë për familjarët që humbën të dashurit e tyre….Konjufca tha se qeveria e re me kryeministër Kurtin ka premtuar që do të padisë shtetin e Serbisë për gjenocidin dhe kjo do të ndodhë dhe se do të vazhdojnë të kërkojnë të drejtat tona në dialogun me Serbinë.

LDK: Urimi i kryetares së Kushtetueses për Kurtin është i paprecedent dhe i pazakontë, cenon kredibilitetin e Gjykatës

Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar pasi kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Arta Rama-Hajrizi, i ka dërguar letër urimi liderit të Vetëvendosjes, Albin Kurtit, pas zgjedhjes së këtij të fundit kryeministër.
Në një komunikatë për media, partia që tashmë drejtohet nga Lumir Abdixhiku thonë se janë të brengosur me afërsinë që kryetarja e Kushtetueses po tregon me pushtetin.
“Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) shprehë brengosje për afërsinë e paprecedentë të Gjykatës Kushtetuese me Qeverinë – përkatësisht pushtetin”, thuhet në reagim.
“Pavarësia e Gjykatës Kushtetuese ka qenë vlerë e jashtëzakonshme e pjekurisë demokratike të institucionit që për vite ka ruajtur kredibilitetin e vet. Pushteti i Gjykatës është i ndarë dhe i pavarur nga ai i Qeverisë dhe si i tillë duhet të mbetet gjithëherë”, shton tutje njoftimi.
Nga partia e Abdixhikut thonë se në çfarëdo urimi dhe afrimi me pushtetin i kryetares në emër të Gjykatës krijon precedent dhe dëshmon se po cenohet integriteti i Kushtetueses si institucion.
“Tani çdo afrim, i Kryetarës së Gjykatës, në emër të Gjykatës, qoftë edhe si urim, i paprecedentë e i pazakontë dhe mbi të gjitha anues, dëshmon për cenimin e kredibilitetit të institucionit në fjalë; në kohë kur paanshmëria është vlerë thelbësore e demokracisë”, thuhet në njoftim

6 të vdekur ga Covid, 860 raste të reja dhe 682 të shëruar

Njoftimi plotë nga IKSHPK!
682 TË SHËRUAR DHE 860 RASTE ME COVID-19!
Gjatë 24 orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK dhe laboratoret private me metodën RT-PCR, si dhe laboratoret publike dhe private me metodën RAT, janë testuar gjithsej 4.318 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, prej të cilëve rezultojnë 860 raste pozitive.
Brenda 24 orëve janë raportuar 6 raste të vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv. Rastet e vdekjes janë nga komunat: Kamenicë 2 raste (78, 76 vjeç), Dragash 1 rast (84 vjeç), Ferizaj 1 rast (74 vjeç), Fushë-Kosovë 1 rast (65 vjeç) dhe Gjakovë 1 rast (83 vjeç).
Numri total i rasteve pozitive është 86.194 raste nga 405.798 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 1.819 raste të vdekjes.
Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 682 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 71.269 raste, kurse numri i rasteve aktive është 13.106.
Rastet pozitive janë nga komunat: Prishtinë 287 raste, Gjilan 69 raste, Gjakovë 63 raste, Mitrovicë 57 raste, Pejë 52 raste, Ferizaj 41 raste, Prizren 37 raste, Podujevë 35 raste, Fushë-Kosovë 30 raste, Lipjan 28 raste, Kamenicë 24 raste, Deçan 20 raste, Obiliq 18 raste, Istog 17 raste, Vushtrri 16 raste, Klinë 14 raste, Skenderaj 14 raste, Shtime 8 raste, Drenas 7 raste, Kaçanik 5 raste, Malishevë 4 raste, Graçanicë 3 raste, Viti 3 raste, Novobërdë 2 raste, Rahovec 2 raste, Suharekë 2 raste dhe me nga një rat komunat Dragash dhe Kllokot.
Të nderuar qytetarë!
Duke pasur parasysh vlerësimin dinamik dhe në kohë reale të situatës epidemiologjike me COVID -19, sot janë raportuar 860 raste pozitive, që paraqet numrin më të madh të rasteve pozitive këtë vit me tendencë të rritjes ditëve në vijim. Vetëm në Prishtinë janë raportuar 287 raste pozitive. Shprehim ngushëllime familjarëve për 6 rastet e vdekjeve të raportuara gjatë 24 orëve të fundit.
Numri i rasteve pozitive dhe vdekjeve nga COVID-19 vazhdon të jetë i lartë dhe brengosës si pasojë e drejtpërdrejtë e neglizhimit të masave.
Mjekët të stërngarkuar në spitale po luftojnë kundër këtij virusi tinëzar e shkatërrimtar me tërë fuqinë e tyre profesionale e njerëzore.
IKSHPK përsërit thirrjen për zbatimin e të gjitha masave të përgjithshme dhe specifike për mbrojtjen nga pandemia COVID-19.
Masat parandaluese janë të njëjta me aksent të veçantë se personat pozitiv duhet të qëndrojnë në shtëpi për të parandaluar përhapjen në familje dhe në komunitet. Me zvogëlimin e kontakteve, do ta bëjmë të mundur ndërprerjen e përhapjes së infeksionit.
Andaj rekomandojmë edhe një herë:
1. Të qëndrohet në shtëpi, dhe dalja të jetë vetëm për nevoja të domosdoshme;
2. Ndalimi rigoroz i takimeve me njerëz me të cilët nuk jetoni në bashkësi, pos për qëllime specifike;
3. Ndalimi rigoroz i tubimeve;
4. Respektimi rigoroz i masave kufizuese në aktivitetet publike;
5. Kufizimi i punës për veprimtaritë jo-esenciale dhe vend-ngjarjet duke reduktuar edhe kohën e punës gjatë ditës.
IKSHPK vlerëson se këto masa mund të ndërprenë rritjen e numrit të rasteve, të parandalojnë mbingarkesën e hospitalizimeve dhe të parandalojnë rritjen e numrit të vdekjeve.
IKSHPK apelon tek të gjithë qytetarët, institucionet dhe organizatat publike dhe private, për respektimin dhe ndërmarrjen e të gjitha masave të nevojshme për parandalimin, menaxhimin dhe kontrollin e infeksionit COVID-19, duke marrë parasysh dispozitat e Ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19, dhe vendimet në fuqi mbi masat dhe obligimet e institucioneve për zbatimin e masave të përgjithshme dhe specifike për mbrojtjen nga pandemia COVID-19.
Në veçanti, bëjmë thirrje për zbatimin e rekomandimeve dhe respektimin e masave kufizuese për aktivitetet publike, përkatësisht kufizimeve për grumbullimin e qytetarëve dhe tubimeve publike.
Grumbullimi i qytetarëve pa maska dhe pa mbajtje të distancës shton rrezikun e përhapjes së infeksionit përderisa virusi SARS-COV-2 është prezent në mesin tonë.
Apelojmë tek institucionet përgjegjëse, përkatësisht Policia e Kosovës dhe inspektoratet përgjegjëse që të mbikëqyrin me përpikëri dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e masave dhe vendimeve të tjera në fuqi në zbatim të Ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19 në Republikën e Kosovës.
Qytetarë të nderuar,
Ju lutemi për kujdes të shtuar!
Që të shmangni shkaqet dhe pasojat e infeksionit:
Respektoni masat kufizuese për grumbullimet dhe tubimet publike!
Mbani në mend:
FYTYRA E MBULUAR ME MASKË!
DUART E PASTRA! DISTANCA DHE HAPËSIRA E BOLLSHME!
Mbuloni gojën dhe hundën me maskë!
Mbani higjienën!
Respektoni distancën!

Vjosa Osmani për vdekjen e Rasim Thaçit: Sot Kosova u varfërua, mbeti pa ikonën e humorit

Deputetja Vjosa Osmani ka reaguar pas vdekjes së humoristit Rasim Thaçi-Cima, në moshën 71-vjeçare.
Osmani në rrjetin social “Facebook”, shkroi se Kosova sot është varfëruar pasi ka mbetur pa ikonën e humorit.
”Me pikëllim të thellë sot pranuam lajmin e ikjes së aktorit dhe humoristit të madh Rasim Thaçi-Cima. Sot Kosova u varfërua, mbeti pa ikonën e humorit, aktorin dhe njeriun e mirë që na fali shumë kujtime”, ka shkruar ajo.

Postimi i plotë i saj:
Me pikëllim të thellë sot pranuam lajmin e ikjes së aktorit dhe humoristit të madh Rasim Thaçi-Cima. Sot Kosova u varfërua, mbeti pa ikonën e humorit, aktorin dhe njeriun e mirë që na fali shumë kujtime. Humori i tij ishte dritë edhe në ditët tona më të errëta, ishte rezistencë ndaj sistemit shtypës, ishte shpresë për ditë më të mira! Ai na bëri të qeshnim gjithë jetën e tij. Ne sot jemi të pikëlluar, sepse ikja e Cimës do ta lërë një zbrazëtirë të madhe. Por, ne do ta kujtojmë përherë me mall humorin e tij! Ngushëllime familjes, miqve, kolegëve dhe gjithë popullit të Kosovës!.

Ministrja Nagavci takohet me udhëheqësit e SBAShK-ut, ja për çka u diskutua

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Arbërie Nagavci sot është takuar me përfaqësuesit e SBAShK-ut, Rrahman Jasharin dhe Ymer Ymerin.
Në komunikatën e lëshuar për media nga MSh thuhet se u diskutua për gjendjen aktuale në sektorin e arsimit,
Jashari u shprehë se SBAShK-u është I gatshëm për bashkëpunim dhe për të gjitha çështjet dhe proceset ku mund të kontribuojnë.

Komunikata e plotë:

Ministrja Arbërie Nagavci priti udhëheqësit e SBAShK-utMinistrja e Arsimit dhe Shkencës, znj. Arbërie Nagavci priti në takim kryetarin e SBAShK-ut, z. Rrahman Jasharaj dhe Kordinatorin për organizim të brendshëm, z. Ymer Ymeri, me të cilët bisedoi për situatën aktuale në sektorin e arsimit.
Ministrja Nagavci falënderoi udhëheqësit e SBAShK-ut për angazhimin e tyre të vazhdueshëm, veçanërisht për kontributin e dhënë në organizimin e mësimit në kushte të pandemisë COVID-19.
Ajo u shpreh e gatshme për bashkëpunim me Sindikatën në mënyrë që të arrihen synimet e përbashkëta për menaxhim të situatës aktuale, por edhe për realizimin e politikave për zhvillimin e arsimit.Kryetari i SBAShK-ut e uroi ministren Nagavci për detyrën e re, ndërsa theksoi se janë të gatshëm për bashkëpunim gjithmonë për të gjitha çështjet dhe proceset ku ata mund të kontribuojnë.

Moti
Gjatë dites se shtune parashikohet mot me diell , temperaturat do të lëvizin nga minus 4 deri në 11 gradë celcius Ne Tirane mot me diell , temperaturat do te levizin nga 3 deri në 18 gradë celcius .

COVID-19 NË KOSOVË:
Total raste: 86194 , Të shëruar: 71269 ,të vdekur: 1819

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Komente Së Fundi