Mër. Qer 19th, 2024

NGJARJET E DITËS, E HËNË, 01.02.2021

By Rtv Arbëria Shk1,2021

“Kështu jemi më të fortë”, ambasada e SHBA-së në Kosovë uron për marrëdhëniet diplomatike me Izraelin

Kosova dhe Izraeli sot kanë lidhur marrëdhënie diplomatike, ku për këtë gjë pati reagime të shumta, shkruan Indeksonline.
Ndër ta është edhe Ambasada e SHBA-së në Kosovë, ku përmes një postimi thanë se kur partnerët tanë (Kosova dhe Izraeli) janë të bashkuar, Shtetet e Bashkuara janë më të forta.
“Urime Izraelit dhe Kosovës për krijimin e marrëdhënieve diplomatike – një ditë historike. Kur partnerët tanë janë të bashkuar, Shtetet e Bashkuara janë më të forta. Lidhjet më të thella ndërkombëtare ndihmojnë më tej paqen dhe stabilitetin në Ballkan dhe Lindjen e Mesme”, ka shkruar në Twitter Ned Price./Indeksonline/
When our partners are united, the United States is stronger. Congratulations #Kosovo & #Israel.
Posted by U.S. Embassy Pristina, Kosovo on Monday, February 1, 2021.

Kurti e mirëpret zyrtarizmin e njohjes diplomatike nga Izraeli

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, e ka përshëndetur zyrtarizmin e njohjes diplomatike të Kosovës nga Izraeli, njohje kjo obligative në kuadër të Marrëveshjes së Uashingtonit.
Kurti përmes llogarisë së tij zyrtare në ‘Twitter’ ka thënë se shpreson në thellim të bashkëpunimit të politikave me shtetin e Izraelit
“E mirëpresim lajmin e mirë të zyrtarizmit të lidhjeve diplomatike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe shtetit të Izraelit. Shpresojmë në thellimin e bashkëpunimit politik, ekonomik dhe kulturor”, ka thënë Kurti.
Kosova dhe Izraeli sot kanë zyrtarizuar njohjen e ndërsjellë. Ministri i Jashtëm i Izraelit, Gabi Ashkenazi është paraqitur nga Jerusalemi në ceremoninë virtuale të zyrtarizmit të kësaj njohjeje.

5 të vdekur nga Covid, 282 raste të reja dhe 184 të shëruar

Njoftimi i plotë i IKSHPK-së:

184 TË SHËRUAR DHE 282 RASTE ME COVID-19!
Gjatë 24 orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK dhe laboratoret private me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 2.192 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, prej të cilëve rezultojnë 282 raste pozitive.

Brenda 24 orëve janë raportuar 5 raste të vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv. Rastet e vdekjes janë nga komunat: Gjilan 1 rast (72 vjeç), Lipjan 1 rast (71 vjeç), Prishtinë 1 rast (87 vjeç), Prizren 1 rast (84 vjeç) dhe Shtime 1 rast (76 vjeç).
Numri total i rasteve pozitive është 60.500 raste nga 235.724 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 1.503 raste të vdekjes.
Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 184 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 52.621 raste, kurse numri i rasteve aktive është 6.376.
Rastet pozitive janë nga komunat: Prishtinë 96 raste, Prizren 48 raste, Podujevë 19 raste, Ferizaj 16 raste, Fushë-Kosovë 13 raste, Pejë 13 raste, Drenas 10 raste, Mitrovicë 10 raste, Rahovec 10 raste, Gjakovë 8 raste, Lipjan 7 raste, Skenderaj 6 raste, Gjilan 5 raste, Suharekë 5 raste, Klinë 4 raste, Viti 3 raste, Kamenicë 2 raste, Kaçanik 2 raste dhe me nga një rast komunat Deçan, Malishevë, Ranillug, Shtime dhe Vushtrri 1 rast.
Mbuloni gojën dhe hundën me maskë!
Mbani higjienën!
Respektoni distancën!

Haradinaj-Stublla: Njohja nga Izraeli thyen zinxhirin e fushatës agresive të Serbisë kundër Kosovës

Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla ka thënë se vendosja e marrëdhënieve diplomatike me Shtetin e Izraelit është moment historik për shtetin tonë.
Ajo tha se njohja nga Izraeli thyen zinxhirin e fushatës agresive të Serbisë kundër Republikës sonë, duke krijuar terren për njohje universale të pavarësisë.
Po ashtu, Haradinaj-Stublla tha se suksesi ynë si shtet është ndërtuar mbi sakrificën e brezave të UÇK-së dhe popullit tonë, sukses i përbashkët me aleatin tonë të përjetshëm, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Postimi i plotë:
Vendosja e marrëdhënieve diplomatike me Shtetin e Izraelit është moment historik për shtetin tonë.
Kosova po çan nyjat e bllokadës me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Shtetin e Izraelit, një moment ky i jashtëzakonshëm, i cili forcon subjektivitetin tonë ndërkombëtarë, rrëzon secilin argument për vendet mosnjohëse, dhe thyen zinxhirin e fushatës agresive të Serbisë kundër Republikës sonë, duke krijuar terren për njohje universale të pavarësisë.
Andaj, në këto momente të rëndësishme për vendin, në këtë momentum të ri të krijuar, kur argumentet dhe faktet historike për Kosovën mundin çdo paragjykim dhe demaskojnë secilën gënjeshtër të kundërshtarit tonë, u bëj thirrje që të jemi bashkë e me një zë: t’i bashkojmë forcat e mendjet që ta lartësojmë Kosovën e ta bëjmë atë pjesë të pashmangshme të Evropës së Bashkuar e anëtare krenare të OKB-së dhe organizatave tjera ndërkombëtare.
Por, kurrë gjatë rrugës sonë ne nuk duhet të harrojmë, se suksesi ynë si shtet është ndërtuar mbi sakrificën e brezave të UÇK-së dhe popullit tonë, sukses i përbashkët me aleatin tonë të përjetshëm, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Mirënjohje e thellë përjetë popullit dhe shtetit mik amerikan!
Po ashtu, në momentet më të rëndësishme të historisë së saj, Kosova kishte krah saj, si mbështetje politike, financiare e ushtarake edhe nga vendet kryesore të Bashkimit Evropian, e vendet tjera aleate tona, të cilat do të kenë përgjithmonë mirënjohjen tonë të thellë, dhe përkushtimin e përhershëm për kultivim e thellim të mëtejmë të lidhjes së Kosovës me botën.

Sali Berisha pas njohjes nga Izraeli: Ditë historike për Kosovën dhe kombin, goditje e rëndë për Serbinë

Ish kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, e ka quajtur ditë historike për Kosovën dhe gjithë kombin shqiptar, nënshkrimin e marrëveshjes për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve,.
Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se ky është një akt i një rëndësie të veçantë për Kosovën dhe kombin shqiptar, dëshmi e një vullneti të dyanshëm për një të ardhme miqësore e të shkëlqyer midis dy vendeve dhe dy kombeve që kanë një trashëgimi të çmuar në marrëdhëniet dhe qëndrimin ndaj njëri tjetrit.
Berisha ka thënë se po ashtu, ky akt është një goditje e rëndë për Beogradin dhe projektin e tij të serbomadhisë, derisa Aleksander Vuçiç bëri gjithçka për të minuar zbatimin e kësaj marrëveshje por dështoi me turp.
Postimi i tij i plotë:
Ditë historike për Kosovën dhe Kombin!
Miq, sot në një takim virtual ministrat e jashtëm të Kosovës dhe të Izraelit, përkatësisht Meliza Haradinaj Stublla dhe Gabriel Ashkenazi firmosën me zoom, secili nga zyra e tij,
në një akt historik marrëveshjen e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve.
Ky është një akt i një rëndësie të veçantë për Kosovën dhe kombin shqiptar, dëshmi e një vullneti të dyanshëm për një të ardhme miqësore e të shkëlqyer midis dy vendeve dhe dy kombeve që kanë një trashëgimi të çmuar në marrëdhëniet dhe qëndrimin ndaj njëri tjetrit.
Në të njëjtën kohë ky akt është një goditje e rëndë për Beogradin dhe projektin e tij të serbomadhisë.
Marrëveshja u bë e mundur me ndërmjetësimin direkt të ish Presidentit të SHBA, Donald Trump dhe bashkëpunëtorëve të tij dhe vendimi u mor me datën 4 shtator 2020, gjatë takimit të delegacionit të Republikës së Kosovës të kryesuar nga kryeministri Hoti me ish presidentin Trump në Shtëpinë e Bardhë.
Miku i Zografit Bis, serbomadhi Aleksander Vuçiç bëri gjithçka për të minuar zbatimin e kësaj marrëveshje por dështoi me turp.
Duke përfunduar miq, le të shprehim ne mirënjohje të thellë ndaj të gjithë atyre që e bënë të mundur këtë akt tejet të rëndësishëm për marrëdhëniet midis dy vendeve.
Zoti i bekoftë Kosovën, Izraelin, shqiptarët dhe hebrenjtë kudo që janë! Urime! sb..

Dorëzohet Vuçiq: Nuk kemi asgjë nga Liqeni i Ujmanit, aty vetëm mund të lahemi

Aleksandar Vuçiq Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se gjatë takimit të sotëm në Paris me Presidentin francez Emanuel Macron, temë kryesore e bisedës ka qenë Kosova.
Vuçiq, pastakimit me presidentin francez ka thënë për mediet serbe se është biseduar për përmbushjen e marrëveshjes së Uashingtonit.
“Ne kryesisht biseduam për marrëdhëniet midis Beogradit dhe Prishtinës, është një çështje e vështirë dhe nevralgjike për të gjithë Evropën, jo vetëm për Serbinë. Unë tregova se cili është pozicioni i Serbisë. Besoj se do të kemi mbështetje serioze franceze në rrugën evropiane. Franca do të mbështesë Serbinë dhe në rrugën evropiane, unë gjithashtu besoj në gjetjen e zgjidhjeve inovative të kompromisit për çështjen e Kosovës”, tha ai.
Siç deklaroi ai, Prishtina dëshiron një hekurudhë përmes Mitrovicës me Kralevën dhe Rashkën në mënyrë që të marrë hekurudhat serbe në veri të Kosovës.
“Ne kërkuam rrugën dhe hekurudhën Prishtinë-Merdar, por ata nuk janë të interesuar, sepse nuk ka asnjë hekurudhë serbe që ata mund të marrin. Një çështje tjetër është Liqeni i Ujmanit, përveç notit në Ujman dhe një furnizimi të vogël të Zubin Potokut, nuk kemi asgjë tjetër”, tha ai.
“Unë pashë që Palmer (zyrtari i Departamentit të Shtetit) tmerrësisht rezistoi për t’i dhënë fund marrëveshjes midis Izraelit dhe Kosovës dhe unë e di se ai ishte kundër marrëveshjes së Uashingtonit. Tani do të shohim nëse doni të ndajmë burimet energjetike të Liqenit të Ujmanit”, tha Vuçiq..”.

Kurti pritet me britma Thaçi-Thaçi, UÇK-UÇK në Skenderaj, po ruhet nga Njësitet Speciale të Policisë së Kosovës

Kryetari i lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti po mban tubim elektoral në Skenderaj. Por atje, kandidatit të VV’së për kryeministër i është dashur mbrojtja nga Njësia Speciale e Kosovës.
Në pamjet që ka siguruar media shihet se tubimi i Kurtit është ruajtur nga Njësia Speciale.
Skenderaj njihet historikisht që ka përkrahur Partinë Demokratike të Kosovës, por si duket nuk e kanë disponimin e mirë që në qytet të tyrin të vije Albin Kurti.
Qytetarë të shumtë kanë brohoritur Thaçi, Thaçi dhe UÇK.

Analisti tregon dy arsyet: Ja pse Albin Kurti po e refuzon Enver Hoxhajn

Enver Hoxhaj, kandidat i PDK-së për kryeministër, e ka ftuar publikisht për ballafaqim televiziv me kreun e Vetëvendosjes, Albin Kurti.
“Për më shumë e ftoj z. Kurti në pesë debate televizive. Një debat për ekonominë, një debat për shëndetësinë, një debat për sundimin e ligjit, një për sistemin arsimor, e një debat për politikën e jashtme, e një debat të fundit të gjashtin, me 12 shkurt për të gjitha temat e mundshme”, u shpreh Enver Hoxhaj ditë më parë, kërkesë të cilën po e përsërit pothuajse në çdo takim.
Por ftesën për një debat e ka refuzuar lideri i Vetëvendosjes, njëherit kandidat për kryeministër, Albin Kurti.
“Kjo garë është për vendin e dytë në zgjedhjet e 14 shkurtit. E në atë garë, as unë as zonja Presidente, as s’kemi çfarë bëjmë as s’kemi çfarë kërkojmë”, u shpreh Kurti.
Se Albin Kurti duhet ta refuzojë debatin me Enver Hoxhajn, e thotë edhe analisti politik, Faton Mehmeti.
Sipas tij, ballafaqimi në një debat televiziv, mund të jetë vetëm një favor për Enver Hoxhajn.
“Në parim jam për debate, ato i ndihmojnë kultivimit të demokracisë, mirëpo vetëm kur debatet janë cilësore. Fatkeqësisht tek ne gjithnjë debatet i kërkon ai që është më i dobët, me idenë që do e sulmoj më të fortin dhe në krah të tij të fitojë poenë politikë. Kjo mendësi e përcjellur në vazhdimësi, shpërfaq nivelin e dobët të politikanëve tanë. Debatet duhet të bëhen traditë, të zhvillohen çdo herë, pavarësisht se kush është në epërsi dhe kjo jo. Refuzimi i Albinit ka këtë arsye: S’ka pse të del derisa është në avantazh, dalja vetëm mund t’i bëj favore kundërshtarit, i cili s’ka çka humb”, thotë Mehmeti për “Bota sot”.
Mehmeti shprehet se një ka vepruar edhe PDK, në kohën kur Albin Kurti u kërkonte ballafaqim në debate.
“Njësoj ka vepruar edhe PDK, kur Kuti kërkonte debate, por nuk pranonin se ishin në avantazh. Kjo është mendësi primitive, që po na përcjell akoma”, përfundon analisti politik, Faton Mehmeti për “Bota sot”..

Moti
Të martën parashikohet mot pjeserish vranët me mundesi per te reshura të shiut , temperaturat do të lëvizin nga 4 deri në 10 grad celcius.Mot i vranet dhe me muhndesi shiu në Tiranë,me temperatura nga 5 deri në 18 gradë celcius.

COVID-19 NË KOSOVË:
Total raste: 60500, Të shëruar:52621,të vdekur:1503
www.rtvarberia.com Tri kanalet e RTV Arbëria si dhe Radion mund të i ndiqni edhe në www.iptvshqipott.com

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *