Mër. Pri 24th, 2024

NGJARJET E DITËS, E SHTUNË, 30.01.2021

By Rtv Arbëria Jan 30, 2021

Serbët ia ndërprejnë vizitën Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit në Mitrovicë, publikohen pamjet

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti dhe u.d së presidentes Vjosa Osmani, gjatë ditës së sotme kanë kryer një vizitë në veri të Mitrovicës.
Mirëpo, gjatë ditës ata hasën në disa pengesa për shkak që disa serbë tentuan ta ndërprejnë agjendën e tyre.
Media ka kontaktuar me zëdhënësin e LVV, Arlind Manxhuka për këtë çështje.
Manxhuka ka konfirmuar se tubimi është mbajtur sikur ka qenë në agjendë.
“Tubimi është majt sikur ka qenë në agjendë, siç ka qenë e paraparë deri në fund”, tha ai.
Gjatë vizitës së sotme të kryetarit të Lëvizjes “Vetëvendosjes” dhe u.d së presidentes Vjosa Osmanit në Mitrovicën e Veriut, një grup serbësh i detyruan ata që ta ndërprejnë vizitën në këtë pjesë.
Ata kanë ecur në këmbë përmes urës dhe kanë dalë në veri.
Kjo ka bërë që të ketë forca të shumta të Policisë nëpër rrugë, sidomos tek Ura e Ibrit.
Aty shihen dhjetëra serbë teksa brohorasin dhe e ndërprenë vizitën e dy politikanëve të Kosovës. Në shoqërinë e Kurti dhe Osmanit, shihen edhe kandidatët për deputetë nga lista e përbashkët.

Kryeministri Hoti në Gjilan: Fokusi kryesor i zhvillimit ekonomik janë bizneset

Kryeministri Hoti vizitoi industrinë e mishit “Calabria”. Ai falënderoi pronarin për mikpritje dhe shikoi nga afër punën e kësaj industrie.
“Më vjen mirë që ka kompani me integritet, profesionalizëm të lartë dhe përvojë 30 vjeçare.
Ekonomia e vendit ka filluar të stabilizohet sepse kemi ndërmarrë hapat e nevojshëm për t’i ndihmuar bizneset dhe pjesa e dytë e zbatimit të pakos së rimëkëmbjes do të sjellë normalitet në shoqërinë tonë.
Politikat tona për ekonomi janë të qarta dhe fokusi kryesor i zhvillimit ekonomik janë bizneset”, tha Kryeministri Hoti.
Ai nënvizoi se, vetëm me një sektor privat të fuqishëm mund ta bëjmë vendin tonë pjesë të një zone ekonomike që do të bëhet së shpejti pjesë e Bashkimit Evropian. ..

5 të vdekur, 260 të shëruar dhe 285 raste me Covid-19!

Njoftimi i plotë i IKSHPK-së:
260 të shëruar dhe 285 raste me Covid-19!
Gjatë 24 orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK dhe laboratoret private me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 1.686 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, prej të cilëve rezultojnë 285 raste pozitive.
Brenda 24 orëve janë raportuar 5 raste të vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv. Rastet e vdekjes janë nga komunat: Istog 1 rast (77 vjeç), Malishevë 1 rast (72 vjeç), Prishtinë 1 rast (84 vjeç), Shtime 1 rast (82 vjeç) dhe Suharekë 1 rast (84 vjeç).
Numri total i rasteve pozitive është 59.931 raste nga 231.094 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 1.492 raste të vdekjes.
Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 260 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 52.208 raste, kurse numri i rasteve aktive është 6.231.
Rastet pozitive janë nga komunat: Prishtinë 140 raste, Prizren 26 raste, Suharekë 16 raste, Podujevë 15 raste, Fushë-Kosovë 10 raste, Vushtrri 10 raste, Lipjan 8 raste, Pejë 8 raste, Gjilan 7 raste, Deçan 5 raste, Gjakovë 5 raste, Mitrovicë 5 raste, Rahovec 5 raste, Drenas 4 raste, Ferizaj 4 raste, Malishevë 4 raste, Klinë 3 raste, Obiliq 3 raste, Viti 3 raste dhe me nga një rast komunat Dragash, Istog, Kamenicë dhe Skenderaj.
Mbuloni gojën dhe hundën me maskë!
Mbani higjienën!
Respektoni distancën!!

Vetëvendosje pa prijës liste në zgjedhje, rirenditje s’bën as AAK-ja e as Nisma

Sot Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka mbajtur mbledhjen e radhës.
Në këtë mbledhje u bë e ditur se administratorët e KQZ-së kanë telefonuar gjithësej 48 mijë e 712 mërgimtarët për t’i verifikuar si votues.
Nga ky numër 8 mijë e 466 persona nuk i janë përgjigjur telefonatave.
KQZ ka bërë të ditur se të njëjtit do të tentohet që përsëri të verifikohen përmes telefonatave të radhës.
Në këtë mbledhje po ashtu u bë e ditur se Vetëvendosje nuk e ka ndryshuar listën e kandidatëve për deputetë, që i bije se kjo parti shkon në zgjedhje pa bartës liste.
Lëvizja Vetëvendosje do të jetë pa prijës në listës e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 14 shkurtit, pasi partia nuk ka bërë rirenditje të kandidatëve në listë, pasi Gjykata Supreme vendosi për moscertifikim të disa kandidatëve të kësaj partie, përfshirë kryetarin e saj Albin Kurti që ishte numri një në listë.
Në mbledhjen e së shtunës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur që pasi partitë s’kanë vendosur për rirenditje, nuk i takon këtij institucioni të bëjë ndryshime nëpër lista.
Tek Vetëvendosje, pos numrit 1, atij të Albin Kurtit, janë hequr nga lista edhe emrat e Albulena Haxhiut dhe Bajram Mavriqit.
Rirenditje s’kanë pranuar të bëjnë as Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e Nisma Socialdemokrate.
– Sekretariati i KQZ-së është në procesin e vlerësimit të zotësisë juridike të votuesve të cilët kanë aplikuar për të votuar si votues nga jashtë vendit.
Kryeshef Ekzekutiv i këtij institucioni, Burim Ahmetaj, ka dhënë shifrat për votuesit e regjistruar deri më tani dhe ata që janë verifikuar.
“Nga baza aktuale e të dhënave janë 178,026 aplikues nga jashtë vendit, ndërsa vlerësimi i zotësisë juridike është bërë për 13,657 aplikues apo 77,88 për qind të aplikacioneve që janë të regjistruara. Të aprovuara janë 127,639 aplikacione dhe në pritje për aprovim janë 10,964”.
Ai në mbledhjen e KQZ-së ka treguar se nga qendra e thirrjeve janë realizuar 48, 712 thirrje deri më tani dhe se nga kjo shifër 41,131 janë të konfirmuara. 115 aplikues kanë deklaruar se s’janë ata që figurojnë në data bazë.
Ahmeti njoftoi se 8466 persona s’e kanë hapur telefonin, por se janë në proces e sipër për provuar t’i kontaktojnë sërish.
Për këtë punë janë shtuar linja telefonike dhe tani janë në funksion 33 linja telefonike.
Yll Buleshkaj nga Zyra për Regjistrim të Partive dhe Certifikim ka bërë të ditur se Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate, nuk kanë bërë rirenditje të kandidatëve në listat garuese për deputetë të Kosovës, pasi Gjykata Supreme nuk i certifikoi të plota këto lista.
Ai ka thënë se në numrat në broshura, ku mungojnë emrat e kandidatëve, do të hijezohen për të mos lejuar gabime nga qytetarët.
Ka nisur mbledhja e KQZ-së, ku pritet të vendoset për listat me kandidatët për deputetë, pas vendimit të Gjykatës Supreme.
Komisioni Qendror Zgjedhor mban mbledhjen e radhës sot në ora 17:00. Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së, konfirmoi se ky institucion ka njoftuar partitë politike se deri në ora 16:00, ato mund të njoftojnë KQZ-në për ri-renditjen e kandidatëve për deputetë.
“KQZ, përmes Zyrës për regjistrimin e certifikimin e subjekteve politike, i ka njoftuar subjektet politike, që janë pjesë e Aktgjykimeve të Gjykatës Supreme dhe vendimeve të PZAP-it, se deri sot në orën 16:00 mund të njoftojnë KQZ-në lidhur me ri-renditjen e kandidatëve për deputetë”, ka thënë ai.
Dje Gjykata Supreme ka vendosur për ankesat e subjekteve politike, ku nga pesë ankesat të subjekteve politike, dy prej tyre janë pranuar pjesërisht.
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka mbetur jashtë listës. Mbetet të shihet se si do të ri-radhiten emrat në listat e kësaj partie dhe partive tjera meqë në numrat e mbetur të zbrazët, sipas vendimit të gjykatës, nuk mund të vendosen emra të tjerë…

Haradinaj, Vuçiqit: Ushtria e Kosovës është e NATO-s, jo e Rusisë

Kandidati për president të Kosovës, Ramush Haradinaj, përmes një video-incizimi ka lëshuar një deklaratë lidhje me kërkesën e presidentit serb ndaj ushtrisë së Kosovës.
Haradinaj theksoi se Ushtria e Kosovës është multietnike, e gjithë qytetarëve të Kosovës dhe e krijuar me standarde të NATO-s dhe si e tillë, i shërben popullit të Kosovës për t’i mbrojtur të gjithë dhe po ashtu mbron paqen së bashku me NATO-n.
“Kërkesa e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, për çarmatosjen e Ushtrisë së Kosovës është e drejtuar gabimisht. Ushtria jonë nuk është ushtri e Rusisë, është ushtri e NATO-s dhe e paqes”, potencoi Haradinaj.
Haradinaj tha tutje se përpara se të kërkohet çarmatosja e Ushtrisë së Kosovës, Vuçiq do të bënte mirë ta reformojë ushtrinë e vet, që është mbetje e ushtrisë që ka kryer gjenocid në Ballkan e njëkohësisht ende sot e kësaj dite, i nënshtrohet Rusisë.
“Si president i vendit, nesër do ta ndjej detyrim ta forcoj ushtrinë tonë, një ushtri që është mbrojtse, një ushtri që nuk ka për qëllim agresionin dhe që nuk rrezikon askënd dhe nëse Vuçiq ndihet i rrezikuar, në vend që të kërkojë çarmatosjen e ushtrisë sonë, bën mirë ta njeh Kosovën shtet të pavarur dhe Sovran, ta respektojë dhe të jetojmë në paqe”, u shpreh Haradinaj.

8 mijë e 466 mërgimtarë nuk iu përgjigjën telefonatave të KQZ-së për t’u verifikuar si votues

Sot Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka mbajtur mbledhjen e radhës.
Në këtë mbledhje u bë e ditur se administratorët e KQZ-së kanë telefonuar gjithësej 48 mijë e 712 mërgimtarët për t’i verifikuar si votues.
Nga ky numër 8 mijë e 466 persona nuk i janë përgjigjur telefonatave.
KQZ ka bërë të ditur se të njëjtit do të tentohet që përsëri të verifikohen përmes telefonatave të radhës.
Në këtë mbledhje po ashtu u bë e ditur se Vetëvendosje nuk e ka ndryshuar listën e kandidatëve për deputetë, që i bije se kjo parti shkon në zgjedhje pa bartës liste.”.

IPK konfirmon arrestimin e policit Haris Kelmendi, për rastin suspendohen edhe dy policë tjerë

Inspektorari Policor i Kosovës ka konfirmuar arrestimin e zyrtarit policor, Haris Kelmendi, pasi që i njëjti shfaqej në një video ku shihej duke e goditur një të ri brenda stacionit policor, imazhe këto që shkaktuan reagime të ashpra në opinion.
IPK me anë të një komunikate për media ka bërë të ditur se ka vazhduar ndërmarrjen e veprimeve hetimore, teksa dje është arrestuar një zyrtar policor.
“Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht Departamenti i Hetimeve kanë vazhduar të ndërmarrin veprime hetimore lidhur me informacionin (vide-incizim i një ngjarje të vitit 2018) në bazë të të cilit dyshohej për tejkalim të autorizimeve policore gjatë përdorimit të forcës nga një zyrtar policor në Prishtinë (shih komunikatën e datës 28.01.2021 si më poshtë)”, thuhet në komunikatë.
Sidoqoftë, IPK ka thënë se i njëjti është arrestuar sot sërish, pasi u lirua nga procedurë të rregullt.
“Lidhur me këtë rast IPK kishte arrestuar një zyrtar policor më 28 .01 2021 me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare”kurse i njëjti rast nga prokuroria është vendosur që të vazhdohet në procedurë të rregullt. Pas disa veprimeve hetimore në konsultim me prokurorinë kompetente, hetuesit e IPK-së kanë arrestuar sot këtë zyrtar policor me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “pengim i të provuarit”, dhe të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë”, thuhet tutje në komunikatë.
Po ashtu, lidhur me rastin janë suspenduar edhe dy zyrtarë të tjerë.
“Në kuadër të këtij hetimi, Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin edhe të dy punonjësve policorë (një rreshteri policor që në kohën e incidentit të vitit 2018 ishte mbikëqyrës i të dyshuarit dhe një zyrtar tjetër policor që dyshohet se ishte pjesëmarrës në keqtrajtim). Veprimet e mëtutjeshme hetimore lidhur me këtë rast për të sqaruar rrethanat e këtij incidenti do të vazhdojnë nga hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës”, thuhet në fund të komunikatës. ..

Persona me uniformë ushtarake serbe shihen brenda territorit të Kosovës

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës nga Lista Serbe, Sllavko Simiq, sot është parë në komunën e Leposaviq duke bërë homazhe për 104 vjetorin e rënies së luftëtarëve të kryengritjes së Toplicës.
Aty pranë qëndronin disa persona afër memorialit të ndërtuar në nder të luftëtarëve të Serbisë, të cilët janë të veshur me uniformë të ushtrisë serbe.
Herën e fundit që një ushtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës pati vënë këmbët në territorin serb, u pati arrestuar.
Milosh Shoshiq, ushtar i FSK’së u pati arrestuar më 2018-ën nga policia serbe në pikën kufitare në Konçul. Ai më pas ishte liruar nga autoritetet serbe.
Autoritetet e vendit ende nuk kanë bërë ndonjë reagim karshi prezencës së uniformave serbe përbrenda territorit të Kosovës.

Moti
Të dielën parashikohet mot i vranët dhe me shi , temperaturat do të lëvizin nga 3 deri në 8 grad celcius.Mot i vranet dhe me shiu në Tiranë,me temperatura nga 10 deri në 16 gradë celcius.

COVID-19 NË KOSOVË:
Total raste: 59931, Të shëruar:52208,të vdekur:1492
www.rtvarberia.com Tri kanalet e RTV Arbëria si dhe Radion mund të i ndiqni edhe në www.iptvshqipott.com

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *