Pre. Pri 19th, 2024

NGJARJET E DITES SE DIELE 30.05.2021

By Rtv Arbëria Maj 30, 2021

BE-ja e demanton dokumentin që doli pas darkës së liderëve të Ballkanit: Falsifikim i plotë

Bashkimi Evropian e ka mohuar të ketë shkruar dokumentin që ka qarkulluar të shtunën në mediat e Kosovës, në të cilin thuhej se Përfaqësuesi i Lartë i BE-së Josep Borrell do t’i thoshte kryeministrit Albin Kurti që të mos e dërgojë policinë në veri të Kosovës.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka thënë për portalisova se një dokument i tillë nuk është shkruar nga ata.
“Zakonisht nuk i komentojmë raportet e mediave në lidhje me dokumentet e pretenduara të BE-së, në këtë rast të veçantë “dokumenti” është një falsifikim i plotë dhe diçka e tillë nuk u prodhua kurrë nga BE”, ka thënë Stano.
Gjithashtu, në atë dokument thuhej se Kurti e kishte mbështetur vazhdimin e mandatit të Misionit EULEX në Prishtinë dhe se dokumenti ishte përpiluar nga Komisioni Evropian pas takimit joformal të liderëve të Ballkanit.
Tutje, në dokument shkruhej se Borrell e përshëndet raportin e Kurtit me Gjykatën Speciale..

Hoxhaj zyrtarizon kandidaturën në Shtime: Të arriturat e këtij qyteti e kanë vulën e Naim Ismajlit dhe PDK-së

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj sot ka zyrtarizuar kandidaturën e Naim Ismajlit për kryetar të komunës së Shtimes.
Në një konferencë për media, duke theksuar se ndjehet krenar që historia e Kosovës dhe fitoret e saj janë të lidhura ngushtë me historinë dhe fitoret e PDK-së, Hoxhaj nga Shtimja ka ftuar qytetarët t’i ndëshkojnë me vota mohuesit e lirisë e pavarësisë, mashtruesit që protestonin e kërkonin të mos shkohet në dialog pa kërkuar falje Serbia.
“Ndëshkoni këta mohues të lirisë e pavarësisë që para disa vitesh thonin se Kosova kurrë nuk do të ketë ushtri e sot parakalojnë para kësaj ushtrie dhe thurin lavde për FSK-në.Prandaj ndëshkoni këta mashtrues që protestonin e kërkonin të mos shkohet në dialog pa kërkuar falje Serbia – ndërsa sot bëjnë turr e vrap dhe janë të gatshëm për kompromise të rënda për funksionalitetin e shtetit të Kosovës. Prandaj mos u besoni këtyre mashtruesve që pretendojnë se historia duhet të nisë me ta sepse kjo nuk do të ndodhë: Historia e Kosovës është historia e këtij populli dhe askush s’mund ta ndryshojë atë.” ka thënë Hoxhaj.
Ai ka thënë se historia e shkruar së bashku me PDK-në në Shtime, është modeli i mirë i qeverisjes, i këtij qyteti që nga një provincë e vogël dhe e diskriminuar, është kthyer në një qytet urban, të zhvilluar e aktiv.
Hoxhaj ka rikujtuar se nën udhëheqjen e PDK-së, Shtimja është vlerësuar si një ndër komunat me performancën më të mirë në Kosovë nga institucionet qendrore në bashkëpunim me ambasadat e huaja, si dhe për mbajtjen e premtimeve elektorale në masë prej 100 për qind, ka 95 për qind të infrastrukturës rrugore të përfunduar, pjesëmarrje në vendimmarrje të gruas me 50 për qind, 14 objekte të reja shkollore, Zonë Ekonomike me 12 biznese funksionale, mes tyre 2 biznese ndërkombëtare, administratë profesionale efikase, parqe të reja, trotuare dhe terrene sportive për secilin vendbanim.
“Këto të arritura e kanë vulën e Partisë Demokratike të Kosovës dhe të kryetarit të saj, njeriut më meritor, z Naim Ismajli të cilin do ta kemi në garë edhe për një mandat 4 vjeçar. Jam i lumtur që pa ndonjë hezitim ta konfirmojmë e zyrtarizojmë këtë kandidaturë vetëm e vetëm që t’i vazhdojmë punët e mira në Shtime, që të nisim projekte të reja dhe këtë model të mirë të zhvillimit ta përhapim pas zgjedhjeve lokale në vjeshtën e këtij viti edhe në komunat e tjera.”, ka thënë Hoxhaj.
Kurse, kandidati për kryetar të komunës së Shtimes nga radhët e PDK-së, njëherësh kryetari aktual i kësaj komune, Naim Ismajli ka falënderuar kryetarin Hoxhaj dhe strukturat e partisë që për të pestën herë ia besuan kandidaturën për të qeverisur në këtë komunë.

Besnik Tahiri: Me mua si kryetar, Podujeva do të ketë zhvillim të qëndrueshëm të kulturave bujqësore

Kandidati për kryetar të komunës së Podujevës nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri shef i Grupit Parlamentar nëpërmjet një video mesazhi që ka shpërndarë në Facebook, ka prezantuar Burim Hasanin, kandidat për Asamble Komunale në Podujevë.
Tahiri nëpërmjet këtij video mesazhi ka treguar të arriturat dhe aftësitë e Hasanit.
“Jam në Bradash, në plantacionin katër hektarësh të cilin e udhëheq Burim Hasani, ai që nga klasa e 10 ka shprehur vullnet të punojë tokën. Ai është një fermer i suksesshëm, djalë i zoti, është kandidat për Asamble Komunale dhe njëkohësisht është pjesë e ekipit tim e cila do udhëheq të gjitha planet për bujqësi dhe fermerë. I uroj mirëseardhje në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe i them shkojmë përpara ta zhvillojmë Podujevën”, tha Tahiri në këtë video mesazh.
Ai nëpërmjet shkrimit krahas këtij video mesazhi tregoi arritjet e Burim Hasanit i cili është absolvent në Mjekësinë Veterinare në Fakultetin e Bujqësisë në Prishtinë, i certifikuar në 13 trajnime të avancuara në fushat specifike (shëndeti dhe mirëqenia e kafshëve, agronomi, menaxhim dhe marketing).

Rreth 65 mijë persona vaksinohen kundër COVID-19 në Kosovë

Në gjithë vendin gjatë ditës së sotme janë vaksinuar rreth 800 persona kundër COVID-19.
Përderisa në sallën “1 Tetori”, në Prishtinë vaksinën e kanë marrë 100 persona mbi moshën 65 vjeçare.
Këtë e ka bërë të ditur, Niman Bardhi, koordinator i kësaj qendre.
Ai ka treguar se deri tani janë vaksinuar mbi 64 mijë e 800 persona.Reklamë
“100 persona janë vaksinuar në Sallën ‘1 Tetori’, ndërsa në nivel vendi rreth 800 persona kanë marrë vaksinën Anti-Covid, Ndërsa mbi 64 mijë e 800 vaksina janë dhënë që nga fillimi”, tha Bardhi për EO.
Tutje, ai tha se interesimi i qytetarëve për t’u vaksinuar gjatë fundjavës ka qenë më i vogël.
Kujtojmë që deri tani janë vaksinuar punëtorët shëndetësorë, personat e moshuar e ata me sëmundje kronike.
Aktualisht po vazhdon faza e dytë e procesit të imunizimit, ku janë duke u vaksinuar grupmosha 65-79 vjeç..

130 të shëruar dhe 23 raste me Covid-19

Njoftimi i Plotë nga IKSHPK

ASNJË RAST I VDEKJES, 23 RASTE POZITIVE DHE 130 TË SHËRUAR NGA COVID-19!
Gjatë 24 orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK dhe laboratoret private me metodën RT-PCR, si dhe laboratoret publike dhe private me metodën RAT, janë testuar gjithsej 2.120 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, prej të cilëve rezultojnë 23 raste pozitive.
Brenda 24 orëve nuk është raportuar asnjë rast i vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv.
Numri total i rasteve pozitive është 107.405 raste nga 609.350 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 2.243 raste të vdekjes.
Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 130 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 102.782 raste, kurse numri i rasteve aktive është 2.380.
Rastet pozitive janë nga komunat: Mitrovicë 6 raste, Prishtinë 5 raste, Pejë 2 raste, Vushtrri 2 raste dhe me nga një rast komunat Ferizaj, Fushë-Kosovë, Gjilan, Junik, Obiliq, Podujevë, Prizren dhe Shtime.
Mbuloni gojën dhe hundën me maskë! Mbani higjienën! Respektoni distancën!

Pacolli shpall kandidaturën e Selim Pacollit për kryetar të Prishtinës

Kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli ka shpallur kandidaturën e Selim Pacollit për kryetar të Prishtinës nga partia e tij.
Pacolli tha se Selimi e ka dëshmuar veten si një menaxher të aftë e vizionar, shkruan Indeksonline.
Kreu i AKR-së po ashtu njoftoi që do të jetë mbëshetës i fuqishëm i Selimit.
Postimi i plotë:
Kam kënaqësinë të shpall kandidaturën e Selim Pacollit për Kryetar të Komunës së Prishtinës nga Aleanca Kosova e Re (AKR).
Selimi e ka dëshmuar veten si një menaxher i aftë dhe vizionar që mund të adresojë sfidat e Prishtinës, të angazhohet me qytetarët dhe të sjellë zgjidhje për problemet dhe sfidat me të cilat përballet Prishtina.
Prishtina ka nevojë për menaxher dhe vizion. Selimi mund ta ofroj këtë për ta sjellë Prishtinën në një nivel të lartë, më një model të ri, për të zgjidhur sfidat e përditshme dhe për të sjellë më shumë investime dhe më shumë zhvillim në qytet dhe një jetë më të mirë për qytetarët e qytetit.
Unë do të jem mbështetës i fuqishëm i Selimit në garë dhe Së bashku do t’i kthejmë krenarinë në qytet..

Aksident në rrugën Ferizaj-Shtime/ Rrotullohet vetura, qytetarët mbesin të ngujuar

Gjatë ditës së sotme ka ndodhur një aksident trafiku në rrugën Ferizaj-Shtime.
Sipas banorëve, nga ky aksident ka persona të lënduar mirëpo jashtë rrezikut për jetë.
Po ashtu në pamje shihen edhe qytetarët që ndihmojnë të aksidentuarit.
Lidhur me rastin Indeksonline ka kontaktuar me Policinë e Kosovës dhe është në pritje të përgjigjes.

Parashikimi i motit:

Gjatë ditës së hënë parashikohet mot pjesërisht me diell pasta me vranesira dhe mundesi per te reshura shiu dhe bubullima,temperaturat do të lëvizin nga 6 deri në 17 gradë celcius, Mot pjeserisht me diell dhe mundesi per te reshura te shiut në Tiranë me temperatura nga 11 deri në 25 gradë celcius.

Covid-19 në Kosovë: Total Raste: 107.405 , Të Sheruar: 102.782 , Të vdekur: 2.243 ,Raste aktive: 2.380
www.rtvarberia.com

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *