Die. Dhj 8th, 2024

NGJARJET E DITËS SË SHTUNË, 29.05.2021

Polici boshnjak me uniformë të Kosovës fyen popullin shqiptar dhe nxit urrejtje

Pjesëtari i policisë së Kosovës nga komuniteti boshnjak, Safet Sajo Civovic ka zhvilluar një vizitë tek një mik i tij.
Krahas personit që ai ka pozuar (identiteti i të cilit nuk dihet), përmes përshkrimit ai ka nxitur urrejtje përballë shqiptarëve duke bërë edhe propagandë, shkruan IndeksOnline.
“Isha i nderuar të vizitojë këtë mik të madh- Shefin në Dobrushë i cili u bëri ballë terroreve shqiptare. E mëshiroftë Zoti”, ka shkruar ai krahas kësaj fotografie.
Megjithëse Civovic-it i është besuar uniforma e pjesëtarit të Policisë së Kosovës, i cili punon në pikën kufitare Kullë, duket se kjo nuk e ka bërë që ai të zbutë urrejten dhe mllefin ndaj popullit shqiptar.

Përplasen Haxhiu e Tahiri në Facebook për pronën e Vicianumit: Problemet tuaja zgjidhni vet

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se kompania të cilës ia kanë shkëputur kontratën për shkak se, sipas saj, ishte e lidhur me shkelje të rënda ligjore, pavarësisht vendimit të Ministrisë, ka rifilluar punimet në pronën “Vicianium” në Vushtrri.
Haxhiu ka shkruar se kryetari i Komunës, Xhafer Tahiri, nuk duhet të lejojë keqpërdorimin e pronës publike.
“Vendimi i Ministrisë është mbi çfarëdo vendimi që ka marrë Komuna për t’ju përshtatur interesave të atyre që janë përgjegjës për këtë dëmtim të pronës. Prona duhet të mbrohet.
Ne jemi njoftuar që kompania ka paditur Ministrinë prandaj deri në një vendim të Gjykatës, kompania nuk guxon të rifillojë punimet. I bëjmë thirrje kryetarit të Komunës ta mbrojë pronën publike dhe po ashtu policisë që ta zbatojë vendimin e Ministrisë”.
I menjëhershëm ishte edhe reagimi i kryetarit Tahiri duke thënë se Haxhiu kishte refuzuar t’ia kthej pronën e ish Motel Vicianum Komunës së Vushtrrisë.
Ai kërkoi që të mos i bëj presion public por t’i zgjedh problemet juridike të Ministrisë që, sipas tij, vet i ka krijuar.
“Zonja Ministre,
Ju vet keni refuzuar të ja ktheni pronën e ish Motel Vicianum Komunës së Vushtrrisë, njësoj si në mandatin tuaj të parë. Prandaj ktheja pronën Komunës së Vushtrrisë që të bëjmë Stacionin e Autobusve.
Tani, mos kërko nga unë, e as mos ushtro presion publik e përmes telefonit, për të zgjedhur problemet juridike të Ministrisë që vet i keni krijuar, problemet tuaja zgjidhni vet!
Xhafer Tahiri”, shkroi ai

Gjykimi i krimeve të luftës, Kurti: Po punojmë në rritjen e numrit të prokurorëve brenda Prokurorisë Speciale

Kryeministri i Republikës së Kosovës Albin Kurti, ka thënë se para dy vitesh Kuvendi i Republikës së Kosovës pati ndryshuar Kodin e Procedurës Penale, duke mundësuar kështu gjykimin në mungesë të kriminelëve të luftës.
Por sipas tij, hetimi dhe gjykimi i krimeve të luftës ende mbetet çështje e heshtur e institucioneve dhe e sistemit tonë të drejtësisë, shkruan IndeksOnline.
Ai tha se janë duke punuar në rritjen e numrit të prokurorëve brenda Prokurorisë Speciale.
Postimi:
Sot u mbushën dy vjet prej kur Kuvendi i Republikës së Kosovës pati ndryshuar Kodin e Procedurës Penale, duke mundësuar kështu gjykimin në mungesë të kriminelëve të luftës. 22 vite pas luftës, e dy vjet pas këtij plotësim-ndryshimi, hetimi dhe gjykimi i krimeve të luftës ende mbetet çështje e heshtur e institucioneve dhe e sistemit tonë të drejtësisë.
Duke pasur prioritet adresimin e krimeve të kryera gjatë luftës, Qeveria jonë ka bërë sërish ndryshimet e nevojshme për të lehtësuar punën e institucioneve të drejtësisë për gjykimin në mungesë të kriminelëve të luftës.
Jemi duke punuar edhe në rritjen e numrit të prokurorëve brenda Prokurorisë Speciale. Ndërkaq, me themelimin e Institutit për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, do të kemi më në fund dokumentim të qartë e të plotë mbi krimet e Serbisë në vendin tonë.
Kosovës i nevojiten prokurorë aktivë e të mençur, dhe gjykatës efikasë e të ditur. S’kemi kohë për të humbur

PSD-ja mbledh 10 mijë nënshkrime për faljen e gjobave të pandemisë Covid-19

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj ka njoftuar se deri më tani janë mbledhur 10 mijë nënshkrime të qytetarëve për peticionin për faljen e gjobave të pandemisë Covid-19.
Më tutje Molliqaj shkroi se qindra pejanë e kanë nënshkruar këtë peticion.
“Me qindra pejanë iu bashkangjitën nismës për të falur gjobat e pandemisë COVID-19 duke nënshkruar peticionin. Mbi 200.000 gjoba i janë faturuar qytetarëve. Zbatimi selektiv i ligjit është padrejtësi.
Prandaj duhet korrigjuar. E këtë korrigjim do ta bëjë projektligji ynë me 10.000 nënshkrimet e qytetarëve të Kosovës”, ka shkruar ai…

1 i vdekur 133 të shëruar dhe 28 raste me Covid-19

Njoftimi i Plotë nga IKSHPK

133 TË SHËRUAR DHE 28 RASTE ME COVID-19!
Gjatë 24 orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK dhe laboratoret private me metodën RT-PCR, si dhe laboratoret publike dhe private me metodën RAT, janë testuar gjithsej 3.025 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, prej të cilëve rezultojnë 28 raste pozitive.
Brenda 24 orëve është raportuar 1 rast i vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv. Rasti i vdekjes është nga komuna: Prizren 1 rast (76 vjeç).
Numri total i rasteve pozitive është 107.382 raste nga 607.230 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 2.243 raste të vdekjes.
Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 133 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 102.652 raste, kurse numri i rasteve aktive është 2.487.
Rastet pozitive janë nga komunat: Lipjan 5 raste, Prishtinë 5 raste, Gjakovë 4 raste, Gjilan 3 raste, Mitrovicë 3 raste, Prizren 2 raste dhe me nga një rast komunat Drenas, Ferizaj, Fushë-Kosovë, Istog, Pejë dhe Vushtrri.
Mbuloni gojën dhe hundën me maskë! Mbani higjienën! Respektoni distancën!

Paralajmërohet lëvizja e madhe nga kryeministri Rama

Ish-nënkryetarja e Kuvendit, Valentina Leskaj u shpreh se Partia Socialiste pasi siguroi mandatin e tretë duhet të mendojë një ndryshim të madh.
Mes të tjerash Leskaj tha se vlerëson shumë shtrirjen e dorës për bashkëpunim nga ana e kryeministrit Edi Rama drejt PD-së.
Ajo është e bindur se Rama do të bëjë lëvizje të mëdha në mandatin e tretë.

Çelet sezoni turistik në Shqipëri, rreth 13 mijë qytetarë nga Kosova drejt plazhit

Me aktiviteteve të ndryshme është çelur zyrtarisht sot sezoni turistik në plazhet e Shqipërisë.
Ashtu si edhe vikendet e kaluara, edhe dita e sotme ka nisur me fluks të madh të qytetarëve nga Kosova që shkojnë drejt Shqipërisë.
Familjarë e grupe të ndryshme shoqërore kanë kaluar kufirin drejt qyteteve të ndryshme shqiptare për të kaluar këtë fundjavë.
Për disa prej qytetareve është edhe periudhë pushimesh në det.
Policia kufitare është dashur të punojë që në orët e para të mëngjesit me procedure të përshpejtuar për të shmangur radhët e gjata dhe qëndrimet e panevojshme ne kufi.
Vetëm sot përllogariten të kenë hyre më shume se 6,300 mjete dhe rreth 13 mijë qytetarë të Kosovës drejt Shqipërisë.
Sezoni turistik veror në Shqipëri, këtë vit po jep shenja gjallërimi dhe pritshmëritë që të jetë më i mirë sesa ai i vitit të shkuar mbeten të larta.
Sipas të dhënave nga INSTAT, katër mujori i parë i këtij viti solli në Shqipëri 754.796 qytetarë të huaj, shifër kjo 1.3 herë më e lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar, por 31% më e ulët se periudha e para-krizës shëndetësore.
Teksa sezoni veror po gjendet në sprovën e dytë radhazi të pandemisë Covid-19, qytetarët nga Kosova e Maqedonia e Veriut pritet të jenë edhe shpëtimi përmes të ashtuquajturit “turizmi patriotik.
Kjo konfirmohet edhe nga shifrat e INSTAT nga ku rezulton se në katër muajt e parë të këtij viti, në vend kanë hyrë mbi 380 mijë qytetarë nga Kosova dhe 120 mijë nga Maqedonia e Veriut.

Parashikimi i motit:

Gjatë ditës së diele parashikohet mot pjesërisht me diell pasta me vranesira dhe mundesi per te reshura shiu dhe bubullima,temperaturat do të lëvizin nga 6 deri në 16 gradë celcius, Mot pjeserisht me diell dhe mundesi per te reshura te shiut në Tiranë me temperatura nga 13 deri në 24 gradë celcius.

Covid-19 në Kosovë:
Total Raste: 107.382 , Të Sheruar: 102.652 , Të vdekur: 2.243 ,Raste aktive: 2.593
www.rtvarberia.com

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *