Pre. Dhj 6th, 2024

NGJARJET E DITËS,E PREMTË, 15.01.2021

Hoti: Vjosa hyri në listën e kundërshtarëve të shtetit, ajo tenton që votuesit e LDK-së t’i orientoj diku tjetër!

Kandidati për kryeministër nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, tha të premten se përpjekja e Vjosa e Osmanit për ta orientuar votën e elektoratit të LDK-së dikun tjetër, do të dështoj më 14 shkurt, pasi dihet fati i atyre që mundohen të dëmtojnë shtëpinë e vet.
“Dje një figurë e lartë e LDK-së, ajo të cilës i dhamë besim dhe mbështetje të pakursyer për një veprim duke ia vulosur vetes të ardhmen politike. Fati i atyre që punojnë kundër shtëpisë së vet dihet. Ajo hyri në listën e kundërshtarëve të shtetit të Kosovës dhe po tenton që votuesit e LDK-së t’i orientoj diku tjetër me qëllim e vetëm që të bëhet presidente. Por nuk do të ketë sukses. Të ftosh votuesit e LDK-së që të votojnë për Vetëvendosjen është tradhti e madhe. Ajo dje e përmbylli të ardhmen e saj politike dhe LDK do të ec përpara”, tha Hoti gjatë takimit me strukturat partiake në Han të Elezit.
Edhe gjatë këtij takimi, Hoti potencoi faktin se fushatë për zgjedhjet e 14 shkurtit do të jetë e ashpër, pasi në to përballen dy koncepte, ata që duan shkatërrimin e Kosovës dhe ata që duan ta parandalojnë këtë.
“ Kjo është një garë mes dy koncepteve. Në njërën anë është koncepti i LDK-së që ka nisur në vitin 1989, për shtet të pavarur, demokratik, të zhvilluar, për shoqëri të civilizuar dhe të lirë. Në anën tjetër është një koncept që dërgon kah monizmi, pra kjo është gara në këto zgjedhje”, tha kandidati i LDK-së.
Hoti tha se LDK e ka për obligim që të parandaloj përpjekjet për të rrënuar shtetin e Kosovës dhe për këtë arsye duhet mobilizim i madh nga të gjithë.

Zemaj : Sot arritën frigoriferët për ruajtjen e vaksinës anti Covid

Ministri i Shëndetësisë, ne detyre Armend Zemaj ka dhënë një lajm .
Frigoriferët për ruajtjen e vaksinës kundër koronavirusit kanë arritur në Kosovë, transmeton Indeksonline.
Zemaj u shprehë në postimin e tij se Kosova është gati për pranimin e vaksinës.
Postimi i plotë:
Qytetarë të vendit tim, profesionistë shëndetësorë, partnerë ndërkombëtarë, bashkëpunëtorë në luftimin e pandemisë Covid-19,Sot arritën frigoriferët për ruajtjen e vaksinës anti Covid, të siguruar nga Ministria e Shëndetësisë që bëjnë ftohjen dhe mirëmbajtjen për vaksinat deri në – 86 gradë. Jemi gati për pranimin e vaksinës, siç kërkojnë kushtet e ruajtjes, të cilat e kërkojnë frigoriferin deri në minus 70 gradë.
Po ashtu, kemi përgatitur strategjinë për vaksinim dhe distribuimin e saj. Në MSh dhe IKShKP janë marrë të gjitha masat dhe jemi përgatitur për vaksinim. Vaksina po vjen!Ruani higjienën, bartni maskë dhe mbani distancën!Bashkë ia dalim!

7 të vdekur nga Covid në Kosovë, 296 raste të reja dhe 526 të shëruar!

IKSHPK ka njoftuar se janë shënuar 296 raste të reja dhe 526 persona janë shëruar.
Njoftimi i plotë:
526 TË SHËRUAR DHE 296 RASTE ME COVID-19!
Gjatë 24 orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK dhe laboratoret private me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 1.659 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, prej të cilëve rezultojnë 296 raste pozitive.
Brenda 24 orëve janë raportuar 7 raste të vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv. Rastet e vdekjes janë nga komunat: Malishevë 3 raste (88, 86, 47 vjeç), Dragash 1 rast (70 vjeç), Prishtinë 1 rast (75 vjeç), Rahovec 1 rast (78 vjeç), Vushtrri 1 rast (76 vjeç).
Numri total i rasteve pozitive është 55.135 raste nga 205.352 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 1.399 raste të vdekjes.
Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 526 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 48.572 raste, kurse numri i rasteve aktive është 5.164.
Rastet pozitive janë nga komunat: Prishtinë 88 raste, Podujevë 31 raste, Malishevë 22 raste, Lipjan 15 raste, Suharekë 15 raste, Gjakovë 14 raste, Mitrovicë 13 raste, Ferizaj 12 raste, Fushë-Kosovë 12 raste, Prizren 12 raste, Obiliq 10 raste, Drenas 8 raste, Vushtrri 7 raste, Dragash 6 raste, Gjilan 6 raste, Rahovec 6 raste, Viti 6 raste, Istog 3 raste, Pejë 3 raste, Skenderaj 3 raste, Kamenicë 2 raste dhe me nga një rast komunat Kaçanik dhe Shtime.
Mbuloni gojën dhe hundën me maskë!
Mbani higjienën!
Respektoni distancën!

Fadil Syleviqi gjendet i vdekur te Liqeni i Badovcit, kryeprokurori dhe policia japin detaje

Fadil Syleviqi, ish-zyrtar i Policisë së Kosovës, është gjetur sot i vdekur te Liqeni i Badovcit.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Bajram Krasniqi.
“Sot, më 15.01.2021, pak pas orës 14:00, policia është njoftuar për një rast që ka ndodhur në rrugën që shpie nga Mati për te liqenin e Badovcit, ku një person dyshohet se është pa shenja jete. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes, ka kontaktuar familjarët e personit, si dhe ka ftuar prokurorin e shtetit dhe ekipet e mjekësisë urgjente”, ka thënë Krasniqi.
Sipas tij, ekipet e hetuesisë dhe krim-teknikës janë duke shikuar vendin e ngjarjes.
“Ne vendngjarje mjekët kanë konstatuar se trupi i viktimës është i pajetë. Viktima është: F.S, mashkull. Ekipe të hetuesisë dhe krim-teknikës edhe në këto momente janë duke shikuar vendin e ngjarjes. Për informata të reja do t’ju njoftojmë me kohë”, ka deklaruar Krasniqi.
Për këtë rast është deklaruar edhe Kryeprorkuroi i Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Kujtim Munishi.Munishi ka treguar se prokurori është nisur për në vendngjarje për të parë se çfarë ka ndodhur.
“Prokurori është nisur në vendin e ngjarjes për të parë se çfarë ka ndodhur. Policia është në vendin e ngjarjes. Ai është gjetur diku në mal i vdekur”, ka thënë Munishi.

Donika Kadaj-Bujupi nuk do të kandidojë për deputete, thumbon AAK-në

Ish-deputetja nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Donika Kadaj-Bujupi, ka njoftuar se nuk do të kandidojë për deputete në zgjedhjet e 14 shkurtit.
Kadaj-Bujupi këtë e bëri të ditur përmes një njoftimi në rrjetin e saj social Facebook, ku u shpreh se duke mos e gjetur shprehjen e organizuar e kolektive për bindjet e saj, ka vendosur që në këtë proces zgjedhor të mos garojë.
“E gjetur mes dy mundësish: të garojë për vete duke bërë kompromis me bindjet e mia, ose te mos marrë pjesë në garë duke bërë kompromis me interesin vetanak, kam zgjedhur të dytën. Më e rëndësishme është t’u mbetem besnike bindjeve të mia, të cilat mund të gjejnë shprehje politike në të ardhmen, se sa të heq dorë nga ato e ta depolitizojë rolin e përfaqësueses”, deklaroi Kadaj-Bujupi, përcjell “Bota sot”.
Ajo falendëroi të gjithë përkrahësit e saj në rrugëtimin e saj politik deri më sot, por Kadaj-Bujupi nuk përmendi asnjë përfaqësues të AAK-së.
Postimi i plotë
Angazhimin politik përherë e kam parë në funksion të së mirës së përgjithshme, rritjes së barazisë së qytetarëve, dhe krijimit të një hapësire të re për gruan në sferën publike. Secila përpjekje imja është menduar në këtë drejtim. Si deputete përmes diskutimeve e propozimeve institucionale e legjislative; në rrugë përmes protestës të përbashkëta. Ky rrugëtim politik sigurisht se i ka pasur lëshimet e veta. Por edhe mos suksesin. Por me rëndësi është që, përkundër rrjedhës, ka pasur kohëra të rëndësishme arritjesh e momente të kujtueshme të përmbushjes.
Duke e parë që hapësira politike sot po ndryshon, dhe duke mos e gjetur shprehjen e organizuar e kolektive për bindjet e mia, unë kam vendosur që në këtë proces zgjedhor të mos garojë. E gjetur mes dy mundësish: të garojë për vete duke bërë kompromis me bindjet e mia, ose te mos marrë pjesë në garë duke bërë kompromis me interesin vetanak, kam zgjedhur të dytën. Më e rëndësishme është t’u mbetem besnike bindjeve të mia, të cilat mund të gjejnë shprehje politike në të ardhmen, se sa të heq dorë nga ato e ta depolitizojë rolin e përfaqësueses.
Dua t’i falendeoj të gjithë ata me të cilët kam bashkëpunuar. Dua t’i falenderojë të gjithë kolegët për sjelljet e tyre kolegiale. Veçanërsisht dua t’i falenderoj të gjithë mbështetësitë e mi, ata që më ndoqën, ata që më votuan, ata që më besuan mua e ma besuan përfaqësimin e tyre në Kuvend, ata që janë meritorët kryesor për sukseset elektorale të miat, dhe që ma mundësuan këtë përvojë të jashtëzakonshme në politikë.
Ne do të shihemi prapë. Deri atëherë faleminderit..

Haradinaj paraqet listën e kandidatëve para Këshillit Drejtues

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, zgjedhjet e 14 shkurtit i ka quajtur ndryshe për shkak të zhvillime të fundit në vend, përfshirë edhe shkuarjen në Hagë të ish-krerëve të UÇK-së.
“Ne kishim ëndërr lirinë e Kosovës. As sot, pas dy dekadash në liri, dashuria jonë për Kosovën nuk është zbehur aspak. Solidarizohemi me bashkëluftëtarët që sot janë në Hagë dhe iu themi bashkëluftëtarëve kudo që janë, se qëndrojmë të fortë. Jemi këtu për ta, jemi këtu me ta”, ka thënë Haradinaj.
Ai u ka thënë qytetarëve të vendit, që Aleanca është adresë, jo vetëm e qëndrueshme dhe e fortë, por edhe adresë që në procese të rëndësishme janë vendimtarë.
Roli i AAK-së, siç thotë Haradinaj, është vendimtar për cilësinë e reformave, fuqinë e Kosovës dhe të institucioneve. Programi ynë është i punuar me kujdes, ku në plan të parë është ekonomia e vendit. Aty përfshihet fondi 1-miliardësh për rimëkëmbje, i cili jo vetëm që e ndal rënien ekonomike, por me të vërtetë e bën ndryshimin, për shumë qytetarë të Kosovës të cilët i ka prekur pandemia dhe rënia ekonomike. Me këtë fond, askush nuk do të mbetet i papërfshirë. Ne kemi kërkuar që fondet e Autostradës së Dukagjinit të ridestinohen në urgjencën ekonomike, te qytetarët dhe sipërmarrësit, të paktën edhe këtë vit”, ka shkruar Haradinaj në rrjetin social Facebook.
“Në këto zgjedhje, ne nuk zgjedhim vetëm Kuvendin, qeverinë dhe programin qeverisës. Në këto zgjedhje, ne zgjedhim edhe Presidentin e vendit dhe programin e tij. Kjo është një risi, që Aleanca e ofroi me kohë për vendin. Në fillim nuk u kuptuam. Sot kemi edhe kandidatë tjerë, kemi zonjën Vjosa Osmani nga Vetëvendosje, të cilën e kam ftuar në debat televiziv, që t’iu tregojmë qytetarëve se si do ta forcojmë Kosovën në planin e brendshëm dhe të jashtëm, si do të përballemi me të gjitha ato tema që i kemi përpara, por edhe si do ta anëtarësojmë Kosovën ne NATO. E kush e di më mirë rrugën drejt NATO-s? Kush do ta ruajë më mirë besimin e brezave që sakrifikuan për Kosovën e 17 shkurtit? Ju siguroj që ndoshta në Serbi do të gëzohen nëse nuk do të jem president. Por e kanë gabim, sepse Kosova qëndron në të drejtën e vet, pa i dëmtuar të tjerët. Zgjidhja është respekti i ndërsjellë, e jo qasja që po ndodh tash, kur kemi qeveri dhe presidente në detyrë”.
Haradinaj ka thënë se AAK ka ditur të punojë me të gjithë udhëheqësit botërorë, e të ngrisin çështjen e Kosovës në nivelin më të lartë të vendimmarrësve më të mëdhenj të botës, por jo duke u nënshtruar, sepse Kosova nuk ka nevojë të nënshtrohet para askujt.
Ai gjithashtu ka njoftuar se sot para Këshillit Drejtues, ka paraqitur për miratim listën e kandidatëve për zgjedhjet e 14 shkurtit.
“Sa i përket listës së kandidatëve, Aleanca i jep Kosovës garancën, me njerëzit më të mirë që i ka vendi, në një proces që po vjen, të qeverisjes, të reformave, të ecjes para të vendit, por edhe të ruajtjes së ekuilibrit politik e institucional. Aty përfshihen njerëz me përvojë politike dhe që kanë pasur përgjegjësi institucionale, intelektualë e ekspertë të respektuar në fushat e tyre por edhe njerëz që për herë të parë që garojnë në zgjedhje. Lista përmban doktorë shkencash, mjekë specialistë, profesorë universitarë, juristë, ekonomistë, politologë, inxhinierë, sociologë, arkitektë, veteranë të luftës dhe njerëz me bagazh të madh kombëtar”.

Kandidatët e LDK’së për deputetë, pjesë e saj edhe Adnan Merovci

Janë gjithsej 90 propozime të ardhura nga degët e partisë.
Aty gjendet emrat e ministrave dhe deputetëve të kësaj legjilature. Emrat tjerë të propozuar nuk sjellin ndonjë risi.
Në listë shihet se në garën zgjedhore të 14 shkurtit për herë të parë do marr pjesë edhe Adnan Merovci, derisa do rikthehet si kandidat për deputet edhe Nuredin Ibishi, që njihet si ekspert i sigurisë, e nuk do mungojë as ministri i brendshëm në detyrë, Agim Veliu e as shefja e kabinetit të Hotit, Ardita Dushi.
Kësaj radhe duket se pjesë e listës nuk arriti të behët ish prokurori Sylë Hoxha, e koordinatori për dialogun Kosovë-Serbi, Skënder Hyseni.
E disa vende të zbrazëta që pritet t’i plotësoj AKR-ja.
E u.d. i kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj, nuk ka treguar se kush do jetë pjesë e listës, veçse ka thënë se 10-shja e parë do jetë më e mira në rajon.
Ndërkohë gjatë ditës, në këtë parti kanë ndodhur dy aderime.
As nga AAK nuk kanë dhënë detaje për listën e deputetëve, por Haradinaj ka thënë se 2/3 e tyre do jenë figura të reja, derisa ende nuk dihet as për Nismen Socialdemokrate.
Ndërkohë kritika për mënyrën se si këto lista po përpilohen ka analisti Imer Mushkolaj…

Moti
Të shtunen parashikohet mot i vranet, me mundesi te reshurave te bores,temperaturat do të levizin nga -12 deri -4 gradë Celsius. Mot me diell në Tiranë, me temperatura nga -5 deri ne 9 gradë celcius.

COVID-19 NË KOSOVË:
Total raste: 55135. Të Shëruar: 48572. Të vdekur: 1399
www.rtvarberia.com Tri kanalet e RTV Arbëria si dhe Radion mund të i ndiqni edhe në www.iptvshqipott.com

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *