Sht. Pri 27th, 2024

SBAShK dhe prindërit kundër vendimit të MASHTI-t, a do të vazhdojë të mbahet mësimi të shtunave?

By Rtv Arbëria Tet 16, 2022

E shtuna e 15 tetorit, detyroi inspektorët e arsimit të dalin në terren për të shikuar se kush nga mësimdhënësit nuk po e zbatonin vendimin e MASHTI-t për të mbajtur mësim të shtunave.

Të shtunën për Klankosova, Valdrin Dervishaj nga kabineti i ministres Arbërie Nagavci, deklaroi se shkollat u inspektuan dhe nuk kishte parregullsi, përveç disa mungesave të nxënësve.

“Inspektorët janë në terren që rreth orës 07:00 dhe nga informacionet bazë që kemi, shumica e mësimdhënësve kanë dalë në vendin e punës dhe po i zhvillojnë orët mësimore. Në disa shkolla mungojnë disa nxënës, mungesa e të cilëve mund të jetë për arsye të ndryshme. Mirëpo, secila mungesë duhet të evidentohet në ditar. Ata mund të kenë munguar edhe si pasojë e mosinformimit me kohë”, deklaroi ai.

Mirëpo, i menjëhershëm ishte reagimi nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit. Sipas tyre në 70 për qind të institucioneve të arsimit fillor e të mesëm të ulët këtë të shtunë s’është mbajtur mësim.

SBAShK-u i bëri thirrje MASHTI-it që të mbajnë një takim me ta, Asociacionin e Komunave, Drejtoritë Komunale të Arsimit dhe Këshillin e Prindërve në mënyrë që të bëhet përpjekje për të arritur marrëveshje në lidhje me orët e humbura gjatë grevës.

“Nëse nuk veprohet kështu, atëherë do të kemi situatë të njëjtë edhe në të shtunat tjera e aq më shumë edhe në ditët e rregullta të punës procesi mësimor nuk do të ketë rrjedhë të mbarë nga debatet që do të zhvillohen lidhur me çështjen e orëve e ditëve të humbura në grevë”, thuhet në komunikatën e SBAShK-ut.

Edhe nga Këshilli i Prindërve i kanë bërë thirrje Ministrisë së Arsimit se mësimi të shtunave është i padrejtë dhe ai s’bëhet me zor.

“Mësimi nuk bëhet me zor! Kjo nuk po kuptohet drejt! Mësimi i të shtunave është gabim e ai do të refuzohet arsyeshëm”, thuhet në reagimin e një dite më parë të Këshillit të Prindërve.

Kryetari i këtij këshilli Jeton Demi, deklaroi se nxënësit në shumicën absolute, sidomos në Prishtinë, nuk kanë shkuar në shkollë.

Ai e konsideroi këtë veprim të drejtë dhe ligjor, pasi e shtuna, sipas tij, duhet të jetë pushim e relaks për fëmijët, jo mbingarkesë pa asnjë efekt.

Kujtojmë, se Ministria e Arsimit ka vendosur që nga e shtuna e djeshme edhe në shtatë të tjera të zëvendësohet mësimi i humbur gjatë grevës ku humbën 22 ditë mësimi, për nxënësit nga klasa e parë e deri në të nëntën.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *