Enj. Maj 16th, 2024

Antidroga me bastisje në disa qytete, sekuestrohen armë e marihuanë

By Rtv Arbëria Jan 26, 2023

Policia e Kosovës, konkretisht njësitet e antidrogës këto 24 orët e fundit kanë realizuar disa operacione policore në parandalimin dhe luftimin e abuzimit me substanca narkotike dhe në këtë kontekst, më datë 25.01.2023, hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në Gjilan, pas pranimit të informacioneve se disa persona të dyshuar kanë në posedim sasi të substancës narkotike të llojit “marihuanë”, janë ndërmarrë veprime taktike-operacionale për kapjen e personave të dyshuar të cilët dyshohej se bënin të mundur shpërndarjen dhe shitjen e narkotikëve në disa lagje të Komunës së Gjilanit.

Pas lokalizimit të vendndodhjes së personave të dyshuar, janë realizuar veprime të shpejta operacionale dhe njësitë policore kanë arrestuar tre (3) personat e dyshuar meshkuj/kosovarë.

Si prova materiale nga të dyshuarit gjatë operacionit të kontrollit është konfiskuar sasi e substancës narkotike (373.1 gr dhe 822.6 gr) dhe një peshore digjitale.

Po ashtu mbrëmë me datë 25.01.2023, në rajonin e Prishtinës hetuesit e antidrogës gjatë një operacioni kanë arrestuar dy (2) persona të dyshuar tjerë për posedim droge dhe janë kryer bastisje në lokacionet e tyre. Dëshmi relevante janë sekuestruar nga policia për procedura të mëtejme ligjore.

Një operacion tjetër i antidrogës është realizuar edhe sot më 26.01.2023, në rajonin e Pejës, ku me urdhër të organeve të drejtësisë, në mbështetje të Njësive për reagim të shpejtë (NJRSH) Pejë dhe Forenzikës Rajonale është zbatuar urdhër kontroll në lokacionin e dy personave të dyshuar, dhe gjatë operacionit të bastisjes-kontrollit të shtëpisë, tek njëri i dyshuar janë gjetur: Një revole, një grinder (mulli për bluarje të marihuanës), substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë, në peshë prej 119.4 gramë, e cila ishte e ndarë në vende të ndryshme.

Në vazhdën e bastisjes-kontrollit, në dhomën e të dyshuarës tjetër në një kasafortë metali janë gjetur dhe sekuestruar 5.8 gramë substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë.

Të gjitha veprimet policore janë ndërmarrë në bashkëpunim me prokurorinë kompetente për procedura të mëtejme ligjore.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *