Enj. Maj 23rd, 2024

Gjykata dënon nëntë të akuzuar për bixhoz

By Rtv Arbëria Pri 23, 2024

Gjykata Themelore në Prishtinë, të martën ka shpallur aktgjykim dënues për nëntë të akuzuar për bixhoz të paligjshëm dhe shpëlarje parash, duke i dënuar me 5 vjet e 20 ditë burgim dhe 46 mijë e 100 euro gjobë (së bashku) pas arritjes së marrëveshjes për pranim fajësie me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës.

Kryetari i trupit gjykues, Arben Hoti, shpalli aktgjykim dënues ndaj të akuzuarve: Gasper Kaqinari, Skerdi Fero, Lulzim Paqarada, Taulant Palushi, Fisnik Sadrija, Jozef Gjini, Rrezarta Miftaraj-Beqiri, Dardan Arifi dhe Boban Stevanoviq, lidhur me akuzën se në bashkëkryerje kanë organizuar lojëra të fatit – bastore online, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktgjykimit, i akuzuari Gasper Kaqinari për veprën penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm në vazhdim” u dënua me burgim në kohëzgjatje prej 6 muaj, në mënyrë komulative, si dhe dënim me 2 mijë euro gjobë.

Kurse, për veprën penale “Shpëlarja e parave”, u dënua me 4 muaj burgim dhe 1 mijë e 500 euro gjobë. Ndaj tij, Gjykata shpalli dënim unik me 8 muaj burgim dhe 3 mijë e 500 euro gjobë.

Po ashtu gjykatësi Hoti, tha se pasi që Gjykata ka shpallur aktgjykim jashtë kufijve të marrëveshjes, i akuzuari mund të paraqesë ankesë për vendimin mbi dënimin.

I akuzuari Skerdi Fero për veprën penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm në vazhdim” u dënua me 7 muaj burgim dhe 5 mijë e 500 euro gjobë. Për veprën penale “Shpëlarja e parave”, u dënua me 6 muaj burgim dhe 900 euro gjobë, kurse për armëmbajtje pa leje u dënua me 200 euro gjobë.

Sikurse ishte përcaktuar në marrëveshje, ndaj Feros u shpall dënim unik prej 10 muaj e 20 ditë burgim dhe 7 mijë e 300 euro gjobë.

Më tej, të akuzuarit Lulzim Paqarada për veprën penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm në vazhdim”, iu shqiptua dënim me 6 muaj burgim, të cilin dënim mund ta zëvendësojë me gjobë, sipas ligjit, si dhe u dënua me 5 mijë euro gjobë.

Kurse, i akuzuari Fisnik Sadrija për veprën penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm në vazhdim”, u dënua me 6 muaj burgim dhe 5 mijë euro gjobë, ndërsa për armëmbajtje pa leje 500 euro gjobë.

Sipas marrëveshjes për pranim fajësie, ndaj Sadrijajt u shpall dënim unik me 6 muaj burgim, të cilin mund ta zëvendësojë me gjobë dhe 5 mijë e 300 euro gjobë.

I akuzuari Taulant Palushi për veprën penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm në vazhdim” u dënua me 6 muaj burgim dhe 5 mijë euro gjobë. Dënimin me burgim, i njëjti mund ta zëvendësojë me gjobë.

I akuzuari Boban Stevanoviq për veprën penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm në vazhdim” u dënua me 6 muaj burgim dhe 5 mijë euro gjobë. Dënimin me burgim, i njëjti mund ta zëvendësojë me gjobë.

Edhe i akuzuari Dardan Arifi për veprën penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm në vazhdim” u dënua me 6 muaj burgim dhe 5 mijë euro gjobë. Dënimin me burgim, i njëjti mund ta zëvendësojë me gjobë.

Njësoj sikurse të tre të lartpërmendurit, e akuzuara Rrezarta Miftaraj-Beqiri për veprën penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm në vazhdim” u dënua me 6 muaj burgim dhe 5 mijë euro gjobë. Dënimin me burgim, e njëjta mund ta zëvendësojë me gjobë.

Po ashtu, i akuzuari Jozef Gjini për veprën penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm në vazhdim” u dënua me 6 muaj burgim dhe 5 mijë euro gjobë. Dënimin me burgim, i njëjti mund ta zëvendësojë me gjobë.

Gjykatësi Hoti tha se në dënimin e shqiptuar, të gjithë të pandehurve do t’iu llogaritet koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak.

Gjithashtu, gjykatësi theksoi se të pandehurit Kaqinari i janë konfiskuar në mënyrë të përhershme të hollat në xhirollogari, kurse konform marrëveshjes, të njëjtit i kthehet në pronësi garazhi prej 17 metra katrorë.

Kurse, të akuzuarve Sadija dhe Fero, gjykatësi Hoti tha se iu konfiskohen në mënyrë të përhershme armët e konfiskuara nga Policia e Kosovës.

Në këtë rast akuzohen edhe Alban Peti dhe Fidan Hoxha, të cilët në seancën e 19 prillit 2024 u deklaruan të pafajshëm, andaj gjykatësi i rastit i kishte njoftuar që në afat prej 10 ditësh kanë të drejtë për kundërshtimin e provave dhe aktakuzës.

Po ashtu, në atë seancë ishte nxjerrë aktvendim për veçimin e procedurës penale ndaj të akuzuarve Sokol Stafa dhe Flakron Kurteshi, pasi që nga parashtresat e mbrojtësve të tyre avokatit Besnik Berisha respektivisht avokatit Ahmet Tahiri, thuhet se dy të akuzuarit kanë gjendje të rëndë shëndetësore për çka është vërtetuar nga raportet mjekësore të dorëzuara.

Sipas aktakuzës së ngritur më 10 janar 2023, thuhet se të akuzuarit Stafa, Kaqinari, Fero, Peti, Paqarada, Hoxha, Sadrija, Gjini, Kurteshi, Arifi, Stevanoviq, Palushi dhe Miftaraj- Beqiri, nga koha e pavërtetuar e deri në mars 2021, në bashkëkryerje kane organizuar lojëra të fatit – bastore online dhe se selinë e kanë pasur të vendosur në një banesë në Prishtinë.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Stafa ka punuar si koordinator i lojërave të fatit Kosovë-Shqipëri, i akuzuari Kaqinari si drejtor, e akuzuara Miftaraj- Beqiri arkëtare, i akuzuari Fero si menaxher kryesor, ndërsa të akuzuarit Peti, Paqarada, Hoxha, Sadrija, Gjini, Kurteshi, Arifi, Stevanoviq, dhe Palushi si “menaxherë” kanë punuar në regjione të caktuara të Kosovës dhe të gjithë fitimin e kanë dorëzuar tek e akuzuara Rrezarta, ashtu që vetëm për janar, shkurt dhe 15 ditë të muajit mars të vitit 2021, humbja e shkaktuar shoqërisë kosovare nga kjo vepër penale arrin shumën prej 5 milionë e 668 mijë e 584 euro e 8 centë, ndërsa fitimi i organizatorëve ka qenë 947 mijë e 724 euro e 65 centë.

Me këtë, akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm në vazhdim” nga neni 294, par.3, lidhur me par.2, lidhur me nenin 31 dhe 77 të Kodit Penal.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i akuzuari Kaqinari duke e ditur se pasuria e tij buron nga aktivitetet kriminale të përshkruara si në dispozitivin 1 dhe është e fituar me kryerjen e veprave penale, me qëllim të fshehjes së këtyre aktiviteteve dhe burimit të vërtet të pasurisë, paratë e tilla i ka futur në sistemin bankar përmes deponimeve, të hollave të gatshme, kryesisht në xhirollogarinë në emër të tij dhe atë në shuma të ndryshme nga 1 mijë euro e deri në 200 mijë euro, pastaj e ka kryer fshehjen e origjinës së tyre përmes transfereve bankare, me qëllim që në fund t’i integrojë, duke i konvertuar në asete të luajtshme dhe të paluajtshme.

Me këtë, i akuzuari Kaqinari ngarkohej se ka kryer veprën penale “Shpëlarja e parave” nga neni 302 të KPRK-së, lidhur me nenin 56, paragrafi 1, nënparagrafi 1.1. të Ligjit nr. 05/L-096 për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmi.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Fero, duke e ditur se pasuria e të akuzuarit Kaqinari buron nga aktivitetet kriminale të përshkruara në dispozitivin e lartcekur dhe ishte e fituar me kryerjen e veprave penale, ka bashkëpunuar me të njëjtin, duke i ndihmuar që ta fsheh burimin e vërtetë të pasurisë, në atë mënyrë që më 6 nëntor 2020 ka deponuar 6 mijë euro në xhirollogari të të akuzuarit Kaqinari kinse për blerje të një veture, të cilën e ka shitur 1 vit më herët për 1 mijë euro.

Me këtë, i akuzuari Fero ngarkohej se ka kryer veprën penale “Shpëlarja e parave” nga neni 302 të KPRK-së lidhur me nenin 56, paragrafi 1, nënparagrafi 1.6 të Ligjit nr. 05/L-096 për Parandalimin e Pastrimit te Parave dhe Luftimin e Financimit te Terrorizmit.

Aktakuza thotë se të akuzuarit Sadrija, Fero dhe Hoxha në lokalet e bastores online, me adresë të cekur në dispozitivin e parë, në kundërshtim me Ligjin për armë secili veç e vec, kanë poseduar armë, dhe atë i akuzuari Sadrija nje revole, i akuzuari Hoxha një thikë, i akuzuari Fero një boks hekuri, të cilat janë gjetur dhe konfiskuar me rastin e kontrollit nga ana e Policisë.

Me këtë secili veç e veç, thuhet se kanë kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, par.1, lidhur me nenin 113, dhe atë i akuzuari Sadrija veprën nga paragrafi 40.1 , kurse të akuzuarit Hoxha dhe Fero veprën nga paragrafi 40.7 të KPRK-së.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *