Hën. Tet 7th, 2024

Kërkoi dorëheqjen e Kurtit, Haradinajt i vjen ‘goditja’ e rëndë / Miku yt Radojçiqi ka krijuar ‘brigadën e veriut’!

Qeveria Kurti po përballet me kritika dhe akuza të vazhdueshme nga partitë opozitare, marrë parasysh zhvillimet e fundit në vend.

Pak ditë para takimit të djeshëm në Bruksel ku kryeministri Albin Kurti u takua me presidentin e Serbisë, pa arritur ndonjë marrëveshje, kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj befasoi me deklaratën e tij ndaj kryeministrit Albin Kurti.

Ai kërkoi dorëheqjen e kryeministrit, pasi sipas tij nuk po arrinë të qeverisë mirë vendin.

“…po ju drejtohem që ta rishikoni pozicionin tuaj. Është fisnike me ditë kur me u tërheq. Me qeverisjen tuaj, jeni duke e rrezikuar seriozisht këtë vend! Ka diçka më të vlefshme se sa karriga e kryeministrit”, shkroi Haradinaj në Facebook.

Por, takimi në Bruksel me Sekretarin e NATO-s Jens Stoltenberg, i cili i premtoi Kurtit se Aleanca do të ndërhyjë proporcionalisht me situatën që mund të krijohet si pasojë e rezistencës serbe, e demantoi si duket Haradinajn rëndë.

Po ashtu, nga takimi në Bruksel thuhet se presidenti i Serbisë doli si humbës, dhe se projektet serbe nuk do të kenë vend.

Këto zhvillime duket se nuk i japin kuptim, ‘kërkesës së befasishme’ të Haradinajt për dorëheqjen e Kurtit.

Ndërkohë, që dy liderët tjerë opozitar, Memli Krasniqi dhe Lumir Abdixhiku kanë qenë më të heshtur.

Lidhur me kërkesën e Haradinajt për dorëheqjen e kryeministrit Kurti për “Bota sot” folën Dedë Preqi dhe Muhamet Kelmendi.

Preqi: Sipas Ramushit, Albini po e bënë llugë me Serbinë, por opozita çfarë po bën?!

ImageDed Preqi
Opinionisti Dedë Preqi në një prononcim për “Bota sot” u shpreh i befasuar me një kërkesë të tillë të Haradinajt.

Fillimisht, ai konsideroi se kreu i AAK-së po e zhvlerëson vetveten sot dhe mundin e tij në kohë të luftës, për një copë pushtet.

“Është interesant se si gjërat e shenjta dhe gjërat historike, të cilat i njohu edhe i vlerësoi e gjithë bota demokratike si fryte të demokracisë që i mbollëm dhe i korrëm me shumë mund e shumë sakrifica të mëdha, dhe ne, si popull i shumëvuajtur erdhi koha t’i shijojmë dhe t’i përqafojmë vlerat e tilla që e kanë shijen e lirisë, ndërsa në anën tjetër, po ata që i kontribuuan këtyre vlerave të shtrenjta, sikur po e zhvlerësojnë vetveten sot dhe mundin e vet për një copë pushtet.

Mund ta quajmë thelbësore edhe egon tonë që kemi për një copë pushtet, por jo edhe atë që kemi ndërtuar dhe kemi dhënë çdo gjë për të ardhur deri këtu ku jemi, që nuk e kemi pasur kurrë ndonjëherë edhe gjatë gjithë historisë së mundimshme, e cila në çdo etapë është ujitur me gjakun e këtij populli”, deklaroi ai.

Preqi tha se është skandaloze që sot vetë t’i nënvlerësojmë vlerat tona, kjo do t’i jepte kënaqësi vetëm pushtuesit dhe armikut tonë.

“Një fjalë e njerëzve të mençur thotë, «lëreni egon tuaj mbi tavolinë, dilni nga vetja e juaj dhe qëndroni me parimet aty ku jeni përcaktuar, pastaj mendoni dhe pritni pak, që te ju vijnë perceptime me ndjesi dhe mesazhe të reja, dhe uni i juaj do të ngre vetë mure të larta rreth e përqark për të ju mbrojtur, të cilin të gjithë do e quajnë realitet ». Shumë njerëz jetojnë sot duke parë dhe ëndërruar atë që dëshirojnë të bëhen, duke dëgjuar «unin» që dëshirojnë vetë, dhe duke e ndjerë aromën e luksit të saj deri në skaj, ndërsa në anën tjetër mbetet diçka e pa plotësuar, nëse gjërat i lejojmë të hyjnë nëpër korridoret tona të jetës së arnueme e të dhimbshme, të cilat i shohim dhe i prekim në realitet për çdo ditë në mesin tonë.

Prandaj, edhe Kosova, dihet fare mirë se qysh ka depërtuar deri më tani deri në prag të lirisë dhe demokracisë, por është skandaloze që sot vetë t’i nënvlerësojmë vlerat tona, kjo do t’i jepte kënaqësi vetëm pushtuesit dhe armikut tonë, të cilin e kemi parasysh sikur kuçedrën, që po pret në çdo moment për të na kapërdi të tërën pa një pikë mëshire”, u shpreh opinionisti.

Bazuar në këtë, ai përplasjet mes pozitës dhe opozitës i vlerësoi si një ‘rrufe’, ndonëse secila parti e ka provuar pushtetin.

Ndonëse, thotë se secili ka të drejtë të bëjnë kritika dhe sugjerime ndaj pushtetarëve dhe udhëheqësve të vendit.

“Atëherë, çfarë po ndodhë sot në Kosovë, çfarë është kjo rrufe e mosmarrëveshjeve politike në mes pozitës dhe opozitës kosovare, edhe pse ka kaluar një përvojë jo e vogël pushtetare, dhe secila parti e ka provuar rolin e saj në qeverisje të vendit, por deri më tani, sikur asnjëra prej tyre nuk e ka dhënë provimin me sukses, apo për t’i thënë «mashalah».

Besoj sinqerisht se secili prej nesh ka dëshirë që Kosovën, ta shoh ndryshe dhe më të zhvilluar, sepse secili prej nesh ka një potencial dashurie për këtë vend, por nëse nuk veprohet dhe mungojnë përpjekjet e harmonizuara për ti vënë në jetën praktike, gjërat nuk do lëvizin vetë, sepse kërkojnë shërbimin dhe përpjekjet tona.

«Po doni me ba llugë me Serbinë», i thotë Ramushi kryeministrit Kurti, nëpërmjet fb.

Secili qytetar i thjeshtë dhe të tjerë, kanë të drejtë të bëjnë kritika dhe sugjerime ndaj pushtetarëve dhe udhëheqësve të vendit, në këtë rast edhe Ramush Haradinaj, si një ish-kryeministër i Qeverisë së Kosovës, edhe pse kritikat nuk maten në peshore, por secila e ka masën e vet, por varësisht do varet edhe se kush e kritikon në realitet, apo jashtë realitetit”, theksoi Preqi.

Në vazhdim, opinionisti përmendi faktin se Haradinaj ka bashkëpunuar me Listën Serbe në të kaluarën dhe ka pas rastin që të tregojë kapacitetin e tij, por që një gjë të tillë nuk e ka bërë.

“Qeveria e Albin Kurtit, nuk është një qeveri që do t’i drejtonte gjërat në Kosovë, sipas tekeve dhe dëshirave, apo me një shkop magjik edhe sikur ta kishte dirigjent kryetarin e SHBA-ve, por ndoshta është herët për të parë gjithë kapacitetin e saj në fronte të ndryshme, që po ballafaqohet me situata të pa lakmueshme, në veçanti edhe me negociatat me Serbinë, që do të ishte një çështje shumë e ndërlikuar, por që nuk varet e tëra prej palës shqiptare, sepse Serbia, ishte dhe mbetet e njëjta me ekzibicionet e saj mashtruese dhe të pa ndryshuara ndaj Kosovës.

Z.Ramush Haradinaj, si një ish-kryeministër i vendit, i cili përmes votës së Listës serbe, u bë kryeministër, por që ka pas rastin të tregojë kapacitetin e vet të qeverisjes dhe rolin e tij si një udhëheqës produktiv dhe konstruktiv, i cili sot po jep ligjërata dhe këshilla në formë të satirave dhe thumbimeve ndaj qeverisjes Kurti, shpesh dhe duke e fyer dhe duke i dhënë urdhra të tërheqjes së tij nga qeverisja”, shpjegoi ai.

Më tej, Preqi beson se Haradinaj po tenton të krenohet me kritikat e tij ndaj Kurtit, por të cilat në realitet më shumë janë fyese dhe përçmuese, se sa argumentuese.

“Mirëpo, për t’mos e zgjatur më shumë për të kuptuar rolin e tij si drejtues i shtetit, Ramushi në qeverisjen e tij ndër të tjera, arriti të harxhojë jo vetëm buxhetin e shtetit dhe pa e kryer mandatin arriti deri te arka e kursimeve shtetërore, e cila do të ishte strategjia e fundit e një shteti dhe pika kulminante e prekjes në arkën shtetërore.

Në fakt nuk harrohet edhe marrëveshja ndërkufitare në mes Malit të Zi, dhe Kosovës, që vetë ish-kryeministri Ramush Haradinaj, ishte në krye të shtetit kur nënshkroi marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi, duke humbur Kosova, jo më pak se 8 mijë hektarë tokë.

Ramush Haradinaj, sikur po krekoset në një mënyrë me kritikat e tij shumë të vrazhda ndaj Kurtit dhe qeverisë së tij, sikur diçka po mundohet të thotë, por në realitet, më shumë kritikat e tij janë fyese dhe përçmuese që dalin nga goja e një lideri politik dhe nga një ish-kryeministër”, potencoi opinionisti.

Ndër të tjera, ai tha se kreu i AAK-së nuk ka të drejtë ta kritikoj Kurtin për qasjen e tij ndaj Serbisë, kur dihet se ishte pikërisht ai që bashkëpunoi me Radojçiqin dhe LS-në.

“Dhe ajo që është e ditur botërisht marrëdhëniet me Listën serbe dhe Radojçiqin, i kishte vetë, dhe nuk mundet që të fajësojë Kurtin apo tjetrin, që po e bënë llugë me Serbinë, por në çdo drejtim që të kthehemi, ne shqiptarët po e qëllojmë veten, sepse sa do që po mundohemi që t’ia lëmë fajin njëri-tjetrit për gabimet tona, do të ishte skandaloze që t’ia tregojmë edhe botës.

Nuk duhet të kënaqemi me gabimet dhe gafet e njëri-tjetrit, sepse në fund të fundit që të gjitha janë pësime dhe mëkate të rënda, të cilat po i vuan populli i këtij vendi në kurrizin e vet, e ne jemi bijtë dhe bijat e këtij populli, që duhet ta fajësojmë vetveten për gabimet e ndryshme të qëllimshme dhe të pa qëllimshme, që ta ndjejmë barrën e këtij populli mbi supin tonë”, përfundoi Dedë Preqi për “Bota sot”.

Kelmendi: Njohja e shtetit të pavarur dhe sovran duhet të jetë bazë e dialogimit mes Kosovës dhe Serbisë

ImageMuhamet Kelmendi

Kurse, profesori Muhamet Kelmendi në bashkëbisedimin e tij me “Bota sot” tregoi arsyet se pse Ramush Haradinaj po e kritikon kryeministrin Albin Kurti.

“Në raport me shtetin serb kemi aktualisht një paqartësi të madhe nga Qeveria Kurti. Qëndrimet e z.Kurti janë jo të qarta dhe të mbështjella në parim dhe në renditje të zgjidhjes së temave që të futen në dialogim me kriminelët e Beogradit.

Nga koha kur ishte në opozitë, e deri tash në pozitë, kemi një ndryshim në qëndrime të përmasave të mëdha. Kjo ka bërë që z.Haradinaj ta kundërshton dialogun dhe të kërkojë qartësi politike nga z.Kurti”, vlerësoi ai.

Madje, Kelmendi kritikoi qasjen e LDK-së dhe PDK-së, duke thënë se për këto parti më i rëndësishëm është dialogu i filluar nga Mustafa dhe Thaçi, se vazhdimësia e tij nga Kurti.

“Duket se për LDK-në dhe për PDK-në nuk ka rëndësi renditja. Për ta është me rëndësi dialogimi i filluar nga z.Thaçi dhe i vazhduar edhe nga z.Mustafa.

Atëherë, në opozitë, thuhej nga z.Kurti se nuk ka çka të dialogohet me shtetin serb.

Nga kjo pozitë qeveritare, brenda periudhës sa gjendet z.Kurti në pushtet, kemi gjithashtu dallime të thella në qëndrime. Thuhej njohje reciproke e statusit të shtetit, ndërsa tash i ka futur temat teknike në dialogim. Kjo ia shtoi jetën Serbisë dhe kështu po krijohen kushtet që mos të këtë njohje reciprokë të shteteve”, nënvizoi profesori.

Tutje, ai përmendi disa nga temat teknike që po diskutohen në dialog, derisa përmendi edhe qasjen e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.

“Thonte, – z. Kurti se, – njohja reciproke është bazë e dialogimit. Tash kemi tërheqje. Në renditje po futen gradualisht temat teknike, para njohjes së shtetit, dhënies së dëmshpërblimit, gjetjen e 1600 shqiptarëve të masakruar, e që u bartën në Serbi etj.

As përgjegjësi penale nuk ka dhënë shteti serb për masakrat, terrorin dhe gjenocidin e bërë.

Krimineli Vuçiq kurrë nuk kërkoi dhe nuk kërkon falje ndaj shqiptarëve të masakruar, djegur e përdhunuar, në emër të shtetit dhe të kombit serb. Për kriminelin Vuçiq dhuna dhe terrori i bërë, gjenocidi serb mbi shqiptarët ishte i drejtë”, potencoi Kelmendi.

Në fund, profesori tha se nuk duhet të bëhen bisedim për asnjë temë para njohjes reciproke.

“Kështu u futen temat teknike në dialogim, këto tema teknike janë objekt i dialogimit. Mirëpo, para kësaj, duhet të bëhet njohja reciproke e statusit të shtetit, kuptohet për dy shtetet tashmë të pavarura, përkatësisht të Kosovës dhe të Serbisë.

Është shumë e dëshiruar që mbi bazën e parimit të reciprocitetit, të futet në rendin e ditës, kur kërkohet asociacioni serb në Kosovë, edhe asociacioni shqiptar në luginën e Preshevës. Kjo e ndal shtetin serb në aksion dhe ndikon pozitivisht në çështjen e dialogimit.

Shkurt dhe qartë: Dialogimi për asnjë temë para njohjes reciproke nuk duhet të bëhet. Me njohjen e statusit të shtetit krijohen kushtet për dialogim për çështjet tjera politike dhe edhe teknike, duke u mbështetur në parimin bazik për marrëdhënie bilaterale me Serbinë. Rrugë tjetër nuk ka”, përmbylli Muhamet Kelmendi për “Bota sot”.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *