Hën. Dhj 9th, 2024

Kodi Civil së shpejti në Kuvend, Bashkimi Evropian bën thirrje që të miratohet

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka deklaruar që shumë shpejtë do të dërgojnë për votim në Kuvendin e Kosovë draftin e Kodit Civil. Ajo ka thënë se ky është një dokument i rëndësishëm për miratimin e të cilit duhet të bashkëpunojnë pozita dhe opozita.

Haxhiu është deklaruar pas takimit me ambasadorin e Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog i cili ka thënë se do të jetë përgjegjësi e qeverisë dhe deputetëve krijimi i Kodit Civil dhe sigurimi i zbatimit të tij.

Pas përfundimit të projektit të Bashkimit Evropian për mbështetjen e Kodit Civil, shefi i zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog ka deklaruar se është e rëndësishme që drafti të miratohet nga Kuvendi i Kosovës.

“Tani para nesh e kemi një draft por ajo që është e rëndësishëm është të sigurohemi që ky draft do të miratohet nga Kuvendi i Republikës së Kosovës. Do të jetë përgjegjësi e qeverisë dhe Kuvendit që të përfundojnë krijimin e Kodit Civil dhe të sigurojnë zbatimin e tij dhe suksesin e përgjithshëm”, ka thënë Szunyog.

Sipas tij, ky draft do të modernizonte shoqërinë e Kosovës në përputhje me standardet evropiane.

Szunyog ka thënë se disa nga përftimet që sjell drafti i Kodit Civil është sigurimi i barazisë së grave në të drejtat familjare, të drejtat e fëmijëve dhe rregullimi i çështjes së martesave të gjinisë së njëjtë.

E ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se draftin do ta procedojnë për në Kuvend pa vonesa.

“Pas përmbylljes së projektit ne do të vazhdojmë pastaj me bashkëpunimin tjetër për draftin e kodit të procedurës civile. Mirëpo më lejoni t’ju njoftoj që ne si Ministri e Drejtësisë planifikojmë që shumë shpejtë, pa vonesa, draftin e Kodit Civil, që është një dokument shumë i rëndësishëm për Republikën e Kosovës, ta procedojmë në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, ka thënë Haxhiu.

Ajo ka thënë se drafti është në linjë me standardet evropianë derisa ka shtuar që i njëjtë duhet të miratohet.

“Edhe ambasadori Szunyog e përmendi rëndësinë që ka Kodi Civil në kuptimin e lirive dhe të drejtave të njeriut, standardeve ndërkombëtare sepse drafti i Kodit Civil është në linjë me këto standarde prandaj duke qenë kështu edhe qeveria, edhe mazhoranca, edhe opozita e kemi obligim të bashkëpunojmë dhe të kemi një konsensus për ta shtyrë përpara”, ka thënë ajo.

Në mars të këtij viti, Kuvendi i Kosovës ka dështuar të miratojë në parim Kodin Civil, dokument ky i cili nuk e ka marrë përkrahjen as të deputetëve të pozitës. Kundërshtimet dhe debati është zhvilluar për shkak të mospajtimeve për një pjesë të këtij kodi që synon të rregullojë martesat e personave të gjinisë së njëjtë.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *