Hën. Dhj 9th, 2024

Kosova has në vështirësi për identifikimin dhe menaxhimin e aseteve jashtë vendit

Kosova po vazhdon të përballet me vështirësi në identifikimin dhe menaxhimin e të gjitha pronave të ndërmarrjeve shoqërore jashtë shtetit. Sipas të dhënave që ka Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) , Kosova ka ne evidencën e saj 163 prona nëpër shtete të dala nga ish-Jugosllavia, pasuri e ndërmarrjeve shoqërore të Kosovës. Numri më i madh i aseteve të Kosovës jashtë vendit janë në Serbi.

Sipas AKP-së, në Serbi janë 99 prona, në Mal të Zi janë 35, 15 në Bosnje Hercegovinë, 8 në Maqedoni të Veriut, 5 në Kroaci dhe 1 në Slloveni.

Nga Qeveria e Kosovës nuk janë deklaruar për trajtimin e këtyre pronave dhe nëse të njëjtat do të bëhen pjesë e aseteve të Fondit Sovran. Ekspertë të ekonomisë thonë se këto prona duhet të shfrytëzohen dhe të jenë në interes të shtetit.

Në Agjencinë e Kosovare të Privatizimit kanë pranuar se kanë vështirësi në procesin e identifikimit të të gjitha pronave.

“Agjencia ka vështirësi në procesin e identifikimit të të gjitha aseteve të ndërmarrjeve shoqërore të Kosovës jashtë territorit të Kosovës në ish-Jugosllavi”, thuhet një përgjigje me shkrim për KP.

Sfidë tjetër për AKP-në mbetet edhe sa i përket pronave të ndërmarrjeve shoqërore (N.Sh.) në Serbi dhe në Mal të Zi, ku po përballet me konstatime në gjykatat e këtyre shteteve.

“Sa i përket pronave në Republikën e Serbisë, AKP ka raste kontestimore, të cilat udhëhiqen në Gjykatën Ekonomike në Beograd. Paditës N. Sh. ‘Eximkos’, Prishtinë e padituar ‘Modern Trade’, Beograd, kontesti ka përfunduar në dhjetor 2021 dhe pritet vendimi i Gjykatës Ekonomike në Beograd, ka përfaqësuar Departamenti ligjor – NJTAJK dhe rasti tjetër ku përfaqësojmë në Gjykatën Ekonomike në Kraljeve përmes avokatit Samir Hoti në Gjykatën Ekonomike në Kraljevë. Ndërsa sa i përket pronave në Republikën e Malit të Zi, kemi raste transformimi dhe ndërrim titullarit juridik të pronës në mënyra të kundërligjshme, e rasti me eklatantë është prona e N.Sh. ‘Rekreaturs Prishtina’, e zëvendësuar me ‘Rekreaturs Budva’ dhe shumica e këtyre pronave janë jashtë kontrollit faktik të AKP-së dhe autoritetit të likuidimit të N.Sh.-ve, kurse një pjesë e vogël e tyre evidentohet në emër të N.Sh.-ve në regjistrat pronësore, ndërsa për një kategori të caktuar AKP është duke ndjekur procedurat gjyqësore nëpër gjykata dhe organet administrative”, thuhet në përgjigjen e AKP-së.

Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë, Skënder Krasniqi ka thënë se pronat jashtë vendit duhet të shfrytëzohen për interesa të shtetit ekonomisë së Kosovës.

Krasniqi ka kritikuar qeverinë edhe për procesin e privatizimit që po vazhdon edhe nga kjo qeveri për pronat brenda vendit.

“Shteti gjithmonë duhet të sigurojë dhe mbrojë pronën e vetë kudo që është brenda apo jashtë. Institucionet duhet të marrin masa që këto asete të jenë në funksion të shtetit dhe për interesin e saj. Ne kemi pritur që pronat e AKP-së do të kalojnë në pronësi të bizneseve për zhvillim dhe nuk ka ndodhur, po vazhdon shitja siç ka vazhduar më herët pa i bërë një ofertë biznesit për interesa të zhvillimit ekonomik. Pra, po vazhdon dëmi njëjtë siç ka vazhduar edhe më herët, edhe përkundër premtimeve të kësaj qeverie që do të ndërpritet procesi i privatizimit. Pronat jashtë vendit duhet të shfrytëzohen për interesa të shtetit, për ambasada ose t’i jepen bizneseve tona që janë në ato vende për shfrytëzim, pse jo edhe të shiten. Megjithatë, duhet të futen nën kontroll dhe në interes të shtetit”, thotë Krasniqi.

Ndërsa, eksperti i ekonomisë Safet Gërxhaliu shprehet skeptik që këto asete të mund të bëhen prona të shtetit të Kosovës.

Sipas tij, në mungesë të sundimit të ligjit, shumë politikanë të lidhur me krim dhe biznese të caktuara këto pronësi i kanë tjetërsua në forma të ndryshme.

“Po flasim për 163 asete që Kosova në mënyrë faktike i ka poseduar apo ishte dashur t’i posedojë në vendet e Ballkanit Perëndimor duke filluar nga Sllovenia, Kroacia, Bosnja e Hercegovina, Serbia, Maqedonia e në veçanti në bregdetin e Malit të Zi, mirëpo të gjitha këto i takojnë të kaluarës nga vet fakti që në mungesë të sundimit të rendit dhe ligjit, shumë politikanë të lidhur me krim dhe biznese të caktuara këto pronësi i kanë tjetërsua në forma të ndryshme dhe ato janë të gjithkujt, por jo të Kosovës”, thotë ai.

Sa i përket mundësisë së futjes së këtyre pronave në Fondin Sovran, që është në formim e sipër, Gërxhaliu thotë se do të jetë e pamundur.

“Definitivisht për t’i futur këto asete, që janë 163, jashtë në Fondin Sovran në rend të parë duhet dihet pronësia, duhet të dihet cili është fati i tyre, kush i ka privatizuar, kush ka përfituar dhe tek atëherë të flitet për këtë mundësi. Në aspektin teorik ka mundësi, por në aspektin real është e pamundur”, theksoi ai.

Madje, ish-kryetari i OEK, Gërxhaliu thekson se për Fondin Sovran shumë më tepër është fol nga dimension politik apo nga dëshira se sa që do të jetë e mundur për t’u realizuar.

As nga Ministria e Punëve të Jashtme nuk janë përgjigjur rreth mundësisë së menaxhimit të pronave jashtë vendit.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *