Pre. Dhj 6th, 2024

KQZ pranon 2337 pako me fletëvotime nga diaspora

Një javë para përfundimit të afatit kohor për votimin nga jashtë Kosovës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar 2337 pako të supozuara me fletëvotime.

Në mbledhjen e sotme të KQZ-së, u bë e ditur se në 20 ditë fushatë, partitë politike kanë paraqitur 629 kërkesa për tubime zgjedhore, 15 prej tyre janë mbajtur pa i përfillur rregullat zgjedhore dhe vendimin për masat mbrojtëse antiCOVID-19.

Ndërkohë, KQZ-ja ende s’e di si të veprohet për votimin e qytetarëve me dy shtetësi, të Kosovës dhe Maqedonisë Veriore, pasi zgjedhjet lokale mbahen në njëjtën ditë dhe kriteri i verifikimit me rreze ultraviolete mund të paraqet problem.

Kryeshefi i Sekretariatit të KQZ-së, Burim Ahmetaj, duke i bërë të ditura të dhënat e fletëvotimeve nga jashtë Kosovës, tregoi detaje edhe për shtypjen e listës përfundimtare të votuesve.

Ahmetaj: KQZ ka pranuar gjithsej 2337 pako të supozuara me fletëvotime

“Deri më datën 5 tetor, KQZ ka pranuar gjithsej 2337 pako të supozuara me fletëvotime. Pakon me fletëvotime janë tërhequr në përcjelljen e policisë nga zyrat postare si dhe postat e shpejta. KQZ-ja do të bëjë pranimin e fletëvotime deri më datën 15 tetor 2021. Periudhë tjetër është regjistrimi i votuesve me nevoja të veçanta. Sipas të dhënave preliminare deri më tani janë regjistruar 3200 votues, sipas kategorive…shtypja e listave përfundimtare të votuesve është në proces e sipër, ka filluar me datën 4 tetor 2021, janë lista përfundimtare të votuesve dhe listat komunale të votuesve. Aktualisht është në procesin e shtypjes, ndërsa shtypja e listës përfundimtare të votuesve është realizuar në tërësi procesi i printimit të tyre… tani kanë arritur fletëvotimet për kryetar komune dhe kuvendin komunal, si dhe broshurat e kandidatëve për kuvendin komunal në depon qendror të KQZ-së. Më datën 6 tetor është bërë pranimi teknik i tyre dhe printimi i fletëvotimeve është bërë në Slloveni”, tha ai.

Krahas kësaj, Ahmetaj tha se prej 629 kërkesave për tubime politike, 100 prej tyre nuk janë mbajtur fare dhe në 15 tubime zgjedhore, partitë politike nuk i kanë përfillur rregullat zgjedhore dhe vendimin për masat mbrojtëse anti-COVID 19.

Ahmetaj: 15 tubime politike janë mbajtur pa i përfillur rregullat zgjedhore

“Sa i përket fushatës zgjedhore, për periudhën 20 ditore nga data 16 shtator deri më 5 tetor, sipas raporteve janë paraqitur 629 kërkesa për tubime politike, duke respektuar rregullat zgjedhore të KQZ-së dhe masat mbrojtëse antiCOVID-19. Deri më 5 tetor, 15 tubime sipas raportimeve janë mbajtur pa i përfillur rregullat zgjedhore dhe vendimin për masat mbrojtëse. Nga 629 kërkesa për tubime politike prej tyre 110 tubime nuk janë mbajtur fare, ani pse janë lajmëruar”, shtoi Ahmetaj.

Në KQZ u ngrit shqetësimi edhe për votuesit nga Hani i Elezit dhe Kaçanikut të cilët kanë shtetësi të Kosovës dhe Maqedonisë Veriore.

Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje në këtë institucion, Sami Kurteshi, tha se KQZ-ja duhet të merr një vendim për këtë çështje, pasi problemi mundet me qenë te verifikimit me rreze ultraviolete.

Kurteshi: Do të jetë problem te çështja e ngjyrave në gishta

“Sidomos ka me qenë problemi te çështja e ngjyrave në gishta. Nëse në Maqedoni të Veriut votojnë përpara, i qesin ngjyrë në gishta dhe votojnë në Kosovë edhe pse në listë mund të jenë, te ne nuk e plotësojnë një kusht shumë me rëndësi që me i lënë për të votuar. Nuk e di si duhet të shkojë kjo punë. Nëse në Maqedoninë e Veriut nuk i qesin ngjyrë në gishta, që Kosova ka vendosur me bërë atë, atëherë kishte qenë më e lehtë”, tha Kurteshi.

Por, anëtari i AAK-së në KQZ, Ibrahim Selmonaj tha se kjo çështje nuk duhet të ishte preokupim për KQZ-në, por votuesit duhet të zgjedhin se a kanë prioritet të votojnë në Kosovë dhe Maqedoni të Veriut.

Selmonaj: Votuesit të zgjedhin a kanë prioritet të votojnë në Kosovë, apo Maqedoni të Veriut

“Sa i përket dyshtetësisë, mendoj se pak duhet të preokupoheshim me këtë element. Votuesit të zgjedhin se a kanë prioritet për të votuar në Kosovë, apo Maqedoni të Veriut. Nuk më shqetëson ky problemi me dalë për të votuar edhe këndej edhe andej. Votuesi i Kosovës nëse ka prioritet të votojë në Kosovë, të votojë në Kosovë, nëse dëshiron me i bërë të dyja, ne i kemi marrë një vendin që qytetarët tanë që e kanë humbur shtetësinë nuk i kemi lënë për të votuar hiç”, shtoi ai.

Në mbledhjen e sotme, KQZ akreditoi edhe disa vëzhgues për zgjedhjet lokale të 17 tetorit.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *