Enj. Nën 7th, 2024

Kritikohet Fondi për Sigurime Shëndetësore, Kaquri: Nuk ka raport financiar të barazimit me spitalet në Turqi

Gjatë shqyrtimit të raportit të auditimit për pasqyrat financiare të Fondit për Sigurime Shëndetësore, për vitin 2021, deputetë nga pozita dhe opozita kanë kritikuar drejtuesit e këtij Fondi për siç theksuan ata keqmenaxhim dhe mos transparencë të rasteve për trajtim jashtë vendit.

Gjatë shqyrtimit të raportit të auditimit për pasqyrat financiare të Fondit për Sigurime Shëndetësore, për vitin 2021, deputetë nga pozita dhe opozita kanë kritikuar drejtuesit e këtij Fondi për siç theksuan ata keqmenaxhim dhe mos transparencë të rasteve për trajtim jashtë vendit.

Kryetarja e Komisionit për Mbikëqyrje Financiare, Hykmete Bajrami ka kritikuar se shumica e buxhetit të Fondit për Sigurime Shëndetësore shkon në Turqi.

Deputetja Bajrami ka kërkuar raporte për barazimin financiar në çdo 6 muaj me të gjitha institucionet private shëndetësore brenda dhe jashtë vendit për të gjitha shërbimet shëndetësore.

“Rekomandimi i parë i Komisionit që është miratuar në Kuvend, është që nga ana e Fondit për sigurime shëndetësore të bëhet barazimi i plotë financiar në çdo 6 muaj me të gjitha institucionet private shëndetësore brenda dhe jashtë vendit për të gjitha shërbimet shëndetësore. Ju përmendet Kosovën dhe Maqedoninë, ne sipas informatave kemi parë që pjesa më e madhe e buxhetit shkon në Turqi. Pra, a ka pasur barazime me institucionet shëndetësore në Turqi? Dhe rekomandimi i dytë ka qenë që në baza të rregullta kohore, së paku dy herë në vit të bëhet përditësimi i listës së sëmundjeve për të cilat ofrohet mbështetja e nevojshme për trajtim jashtë institucioneve shëndetësore publike në vend”, thotë Bajrami.

Gjatë raportimit, ushtruesi i detyrës së drejtorit të Fondit për Sigurime Shëndetësore Bujar Kaquri pranoi se deri më sot nuk ka pranuar ndonjë raport zyrtar të barazimit me ndonjë institucion jashtë vendit, e sidomos nga spitalet në Turqi.

“Kryesisht trajtimi jashtë vendit bëhet në institucionet shëndetësore në Turqi, mirëpo ka edhe raste të tjera. Sipas informatave që i kemi marrë Komisioni për barazime ka punuar dhe është në procedim dhe ka dërguar kërkesa për barazim edhe tek institucionet jashtë vendit, mirëpo deri më sot nuk kemi pranuar ndonjë raport zyrtarë të barazimit me ndonjë institucion jashtë vendit e sidomos nga spitalet në Turqi”, theksoi ai.

Më tej Kaquri theksoi se ky institucion ka qenë në gjendje të rëndë, siç u shpreh ai, në katrahurë si pasojë e mos koordinimit nga ana e menaxhmentit të fondit dhe ish- bordit për trajtim jashtë vendit.

Nuk kemi parë deri sot që ka pasur ndonjë rast të aprovuar nga drejtori në bazë të flet zotimeve se është refuzuar nga Bordi për trajtim jashtë vendit, përjashto këtu ish-bordin i cili ka stopuar, dhe nuk i ka trajtuar rastet urgjente nga flet zotimet e lëshuara nga drejtori i fondit. Mirëpo, kjo nuk ka zgjat shumë dhe ai bord është shkarkuar dhe sot jemi në gjendjen në të cilën jemi, dhe kemi këtë katrahurë dhe këtë mospërputhje edhe të obligimeve, edhe të deklarimeve, që jemi bërë target. Pra, e gjithë kjo katrahurë vlerësoj se është bërë për shkak të mos koordinimit nga ana e menaxhmentit të fondit dhe bordit për trajtim jashtë vendit”, tha Kaquri.

Për trajtimin e pacientëve jashtë vendit kryesisht në Turqi, kritika pati edhe deputeti nga VV-ja, Eman Rrahmani.

Ai tha se mbi 40 përqind e rasteve të trajtimit jashtë vendit bëhen për shkak të mungesës së materialit shpenzues, për çka ai konsideroi se është keqpërdorim nëse dikush trajtohet në Turqi për mungesë të materialit shpenzues në institucionet publike të Kosovës.

“Një e gjetur që ka qenë e që duhet të merret parasysh është, që diku mbi 40 përqind e rasteve të trajtimit jashtë vendit bëhen për shkak të mungesës së materialit shpenzues. Kjo dukuri duhet me u ndalu dhe nuk ka mundësi që dikush me shku me u trajtu jashtë institucioneve shëndetësore publike për shkak të mungesës së materialit shpenzues. Nuk mundet dikush me shku në Turqi pse nuk ka material shpenzues dhe arsyetimeve të kota. Kjo është vërtet keqpërdorim”, theksoi Rrahamni.

Edhe deputeti Hajdar Beqa nga PDK-ja tha se në bazë të raportit të auditorit, vetëm 55 pacientë i kishin dorëzuar faturat e trajtimeve, përderisa pjesa tjetër e pacientëve nuk i kishin dorëzuar dëshmitë e trajtimit të subvencioneve nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore.

“Nga 88 mostra të testuara në vlerë prej 4 milionë e 827 mijë euro tek rastet e rregullta ose jo urgjente, vetëm 55 pacientë i kishin dorëzuar faturat e trajtimeve, përderisa pjesa tjetër e pacientëve nuk i kishin dorëzuar dëshmitë e trajtimit të subvencioneve nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore. Vlera financiare e rasteve të cilat nuk i kishin dorëzuar dëshmitë për trajtime është 446 mijë euro”, theksoi Beqa.

Në fund, drejtues të Fondit theksuan se më 2021 është rritur numri i rasteve për trajtim jashtë vendit.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *