VV: Kandidimi i Albin Kurtit dhe i kandidatëve të tjerë nuk do të mund të ndalet
Sot Paneli për Ankesa dhe Parashtresa nxori vendim duke ia ndaluar kandidimin, kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, bartësit të listës, Albin Kurti, si dhe kandidatëve, Albulena Haxhiu, Liburn Aliu, Labinotë Demi-Murtezi dhe Bajram Mavriqi.
Sipas Lëvizjës Vetëvendosje, PZAP veproi në një vijë me tre anëtarët e KQZ-së, Valdete Dakën, dhe përfaqësuesit e LDK-së e PDK-së, duke sajuar argumente të paqena juridike dhe kushtetuese vetëm sa për të prodhuar këtë pengesë që është në fakt një padrejtësi e shumëfishtë.
“Të konfirmosh, siç ka bërë PZAP, nën direktivën arbitrare të kryesueses së KQZ-së, përjashtimin nga lista zgjedhore të të kandiduarve, do të thotë që të gjykosh për të dytën herë atë që Gjykata tashmë e ka përbyllur pa pasoja juridike. Pra, praktikisht PZAP po jep dënim me masë më të rëndë se sa parashihet me ligj. E kjo as është detyrë e PZAP-së, e as është e imagjinueshme në një shtet të së drejtës dhe demokratik. Kështu si ky vendim sot duket vetëm inkuizicioni. Inkuizicion politik e juridik”, thuhet në reagimin e VV-së.
Kjo padrejtësi, sipas VV-së, e dalë haptazi bashkë me aktorët që e bartin atë ndër vite në Kosovë, është kufizim i të drejtave në atë shkallë që synon eliminimin politik.
“Këto vendime, pra, ai i disa anëtarëve të KQZ dhe ky sot i PZAP-së, janë shpërfaqje e një konjukture që i rri mbi krye institucioneve duke ua zënë frymën demokratike. Por jo edhe për shumë gjatë. Kandidimi i Albin Kurtit dhe i kandidatëve të tjerë nuk do të mund të ndalet, sepse kështu e thotë e drejta, dhe lista e Vetëvendosje!-s do të paraqitet e plotë e fitimtare në zgjedhjet e 14 shkurtit sepse kështu po e kërkon populli”, thuhet ndër të tjera në reagim.
Hooper insiston në lirimin e Thaçit: S’mund të krahasohet me Karagjiqin një i nominuar për Nobel
David Hooper, avokat i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i ka paraqitur në Gjykatën Speciale të hënën përgjigjet e tij ndaj parashtresave të kryeprokuorit të Specializuar, Jack Smith, kundër lirimit të përkohshëm të klientit të Thaçit.
Avokati i Thaçit i ka cilësuar “mashtruese dhe selektive” parashtresat e Zyrës së Prokurorit të Specializuar lidhur me kërkesën për lëshimin e urdhërarrestit ndaj Thaçit dhe mbajtjen e tij në paraburgim.
“Është një tipar tregues i përgjigjes së ZPS-së që ZPS ka përgjithësuar në mënyrë të përsëritur pretendimet e saj ka paraqitur keq dhe karakterizuar keq provat themelore e ka mashtruar gjykatën dhe me qëllim i ka hequr provat kryesore në bërjen e parashtresave të saj”, thuhet në përgjigjen e Hooper, transmeton Gazeta Express,
Ai i ka dhënë rëndësi të veçantë pretendimit të ZPS-së për ta krahasuar Thaçin me politikanin famëkeq serb, Radovan Karagjiq, i cili ishte dënuar për gjenocid me burgim të përjetshëm nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish Jugosllavinë. Hooper ka thënë se është për keqardhje krahasimi i Thaçit me Karagjiqin, duke përmendur faktin se Thaçi u dorëzua vullnetarisht në Gjykatën Speciale.
“Është për të ardhur keq paraqitja e ZPS-së duke tërhequr krahasimin me ‘figurat e tjera të njohura ndërkombëtare’ që përdorën ‘burimet e tyre për t’iu shmangur drejtësisë’. […] Ndryshe nga presidentët Habré, Karagjiq dhe Taylor, të cilët pasi mësuan konfirmimin e aktakuzave kundër tyre u arratisën, Z. Thaçi kur mësoi të se aktakuza ndaj tij ishte konfirmuar dha menjëherë dorëheqje si president i Kosovës dhe iu dorëzua DHSK-së”, thuhet në materialin që Hooper ia ka dorëzuar gjykatës.
Avokati anglez ka përmendur angazhimin e Thaçit “për pajtimin e etnive të ndryshme në Kosovë”, duke thënë se ai ishte nominuar për ta fituar çmimin Nobel për Paqe.
“Kjo është një e drejtë civile që i ofrohet çdo të akuzuari, përfshirë edhe atë që deri në ditën e arrestimit ishte President i respektuar me një angazhim për paqe dhe stabilitet – një i nominuar për çmimin Nobel për Paqe – i cili tani akuzohet për kryerjen e krimeve 22 vjet më parë”, ka shkruar Hooper në parashtresë.
Ai konsideron se provat e Prokurorisë lidhen me shumë ngjarje të nxjerra jashtë kontekstit.
“Siç diskutohet në Aplikimin fillestar dhe më poshtë, ‘provat’ e mbështetura nga ZPS kanë të bëjnë me shumë ngjarje të marra jashtë kontekstit dhe nuk janë shpjeguar ose paraqitur në mënyrë të papërshtatshme”, thuhet në parashtresën e mbrojtjes.
Hooper shkruan se privimi i Thaçit nga liria nuk mund të arsyetohet me paralajmërimin se ai “mund të dënohet me burgim të përjetshëm”.
“Gjykata do të pranojë që privimi i një individi nga liria e tij është një vendim i rëndë edhe pas një dënimi”, thotë avokati i Thaçit, ndërsa i jep përgjigje edhe pretendimeve të Prokurorisë për rrezikun që ish-drejtori politik i UÇK-së të arratisej.
“Rreziku duhet të jetë një rrezik real më shumë sesa të jetë imagjinar ose thjesht mundësi”, shkruan Hooper.
Ai i është kundërpërgjigjur edhe pohimeve të ZPS-së se Thaçi s’kishte zgjidhje tjetër përveç dorëzimit, duke thënë se me këtë ZPS bie në kundërshtim me veten.
“Pohimi i ZPS-së se Z. Thaçi nuk kishte ‘zgjidhje tjetër përveç dorëzimit’ është i paarsyeshëm dhe i pavërtetë. Për qëllimin e këtij argumenti, ZPS me lehtësi braktis nocionin e se ai ka në dispozicion burimet e një rrjeti efektiv, të gjerë”, thuhet ndër tjerash në përgjigjet e avokatit.
Mbrojtja e Thaçit thotë se Prokuroria e ka mashtruar gjykatën, pasi siç thuhet në material, “Thaçi kishte zgjedhje tjera”, përveç dorëzimit.
“Presidenti Thaçi u soll me përgjegjësi dhe me respektin e duhur për autoritetin e DHSK-së. Ai kishte zgjedhje. Ai zgjodhi të dorëzohej dhe të mos mbështetej në imunitetin e tij”, shkruan Hooper.
Avokati ka përgjigje edhe lidhur me rëndësinë që ZPS në pretendimet e saj i ka dhënë letrës që Thaçi ia kishte dërguar Sekretarit amerikan të Shtetit, Mike Pompeo. Hooper thotë se një pjesë e letrës është cituar gabimisht.
“Në letër Z. Pompeo vlerëson Z. Thaçi për ‘angazhimin e tij personal’ në negociatat e përpikta dhe miratimin e strukturës dhe rregullave të Gjykatës”, shkruan Hooper, ndërsa kujton se pas kësaj kishte pasuar një takim mes të dyve.
“Letra u dërgua në 21 janar 2020. Ajo u pasua nga një takim në shkurt midis Z. Pompeo dhe Presidentit Thaçi në të cilin ishte e qartë se Qeveria e SHBA-së e perceptoi Z. Thaçi si një partner të rëndësishëm në ndjekjen e politikave të saj për të mbështetur DHSK-në dhe paqen në zonë”, shton avokati.
Ai e vlerëson lart dhe e rithekson rolin e Thaçit për ngritjen e Gjykatës Speciale, duke konsideruar se ajo “nuk do të kishte ekzistuar pa të”.
“Duhet të përsëritet se Z. Thaçi e përkrahu DHSK-në – që nuk do të kishte ekzistuar pa të. Me vite mbështetja e tij mund të ketë ndryshuar: gjykata nuk bëri asgjë për disa vjet dhe u kritikua nga disa akterë, gjë që e bëri Z. Thaçi të vinte në pikëpyetje nevojën ose interesin e një institucioni të tillë – kjo është ndryshe nga pengimi i drejtësisë”, thuhet në parashtresë.
Avokati anglez i ka renditur edhe rastet kur Thaçi u ka dalë në mbrojtje qytetarëve të ndryshëm serbë dhe viktimave të këtij komuniteti në Kosovës, duke përmendur rastin kur Thaçi e kishte dënuar dëmtimin e varrit të një gruaje serbe, e më pas duke shkruar për dhjetëra homazhe që si president, Thaçi u kishte bërë serbëve të vrarë në Kosovë gjatë dhe pas luftës.
“Homazhe për viktimat serbe në Kosovë: Si President i Kosovës, Z. Thaçi vizitoi përmendore të caktuara të serbëve në Kosovë dhe i bëri homazhe serbëve të Kosovës të vrarë gjatë dhe pas luftës në Kosovë, duke bërë thirrje për drejtësi për të gjitha viktimat e luftës; deklaratat e tilla të Z. Thaçi shkaktuan zemërim te shumë njerëz në Kosovë”, thuhet në këtë material.
Në fund, avokati kërkon që Gjykata Speciale ta pranojë kërkesën për lirimin e përkohshëm të Thaçit me çfarëdo kushte të cilat konsiderohen të domosdoshme dhe të përshtatshme….
5 të vdekur, 288 raste me Covid dhe 256 të shëruar
Njoftimi i IKSHPK’së:
256 TË SHËRUAR DHE 288 RASTE ME COVID-19!
Gjatë 24 orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK dhe laboratoret private me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 1.842 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, prej të cilëve rezultojnë 288 raste pozitive.
Brenda 24 orëve janë raportuar 5 raste të vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv. Rastet e vdekjes janë nga komunat: Gjilan 1 rast (90 vjeç), Malishevë 1 rast (78 vjeç), Pejë 1 rast (88 vjeç), Prishtinë 1 rast (71 vjeç) dhe Prizren 1 rast (82 vjeç).
Numri total i rasteve pozitive është 58.687 raste nga 223.505 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 1.471 raste të vdekjes.
Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 256 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 51.337 raste, kurse numri i rasteve aktive është 5.879.
Rastet pozitive janë nga komunat: Prishtinë 110 raste, Podujevë 27 raste, Pejë 24 raste, Gjakovë 20 raste, Deçan 17 raste, Gjilan 15 raste, Suharekë 13 raste, Ferizaj 11 raste, Klinë 7 raste, Lipjan 6 raste, Fushë-Kosovë 5 raste, Malishevë 5 raste, Kamenicë 4 raste, Rahovec 4 raste, Viti 4 raste, Prizren 3 raste, Istog 2 raste, Mitrovicë 2 raste, Shtime 2 raste dhe me nga një rast komunat Drenas, Graçanicë, Hani i Elezit, Junik, Kaçanik, Obiliq dhe Shtërpcë.
Mbuloni gojën dhe hundën me maskë!
Mbani higjienën!
Respektoni distancën!… !
Selimi: Kurti kyeministër e Haradinaj president nuk përbën asgjë rrezik
Ditët e fundit, ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka bërë një deklaratë të fortë duke thënë se nëse nuk anëtarësohet Kosova në BE do kërkojë referendum për bashkim me Shqipërinë.
Këtë deklaratë të shefit të partisë së tij, ministri Selim Selimi e konsideron si një gjë të drejtë dhe që duhet bërë nëse Evropa nuk i pranon dhe pas plotësimit të kushteve.
“Kjo është një deklaratë plotësisht legjitime, pasi për 20 vite jemi mohuar në rrugën tonë drejt Bashkimit Evropian. Ne kemi plotësuar kushtet dhe e meritojmë anëtarësimin. Pas këtij refuzimi është legjitim dhe referendumi”, shprehet ministri i drejtësisë
Pas kësaj deklarate ka reaguar dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, cili mendon se me Kurtin kryeministër dhe Haradinajn president Kosova është e rrezikshme për Evropën dhe botën. Por ky pretendim i Vuçiç kundërshtohet nga z. Selimi, i cili thotë se nuk është Kosova, por Serbia ajo që përbën rrezik për Evropën dhe botën.
“Nuk përbën rrezik Kurti kryeministër dhe Haradinaj president, por Vuçic që është sateliti i Rusisë,” – tha zoti Selimi.
Ai nuk hodhi poshtë as koalicionin pas zgjedhor me Vetëvendosjen. Gjatë intervistës në “Balkan Talks”, ministri i Drejtësisë së Kosovës foli është për ish-krerët e UÇK-së në Hagë dhe mbështetjen që ka ofruar institucioni që ai drejton.
“Ne besojmë në drejtësi se ka qenë dhe do jetë edhe këtu në anën tonë. Ministria ka nënshkruar udhëzime për mbrojtje ndaj tyre, familjeve dhe kompensim për ata që shpallen të pafajshëm”, shprehet anëtari i kryesisë së AAK-së.
Nisur nga fakti se z.Selimi është nga Lugina e Preshevës, gazetari Franko Egro shfrytëzoi rastin ta pyeste atë përsonalisht se çfarë qëndrimi ka për çështjen shqiptare aty, për këtë ministri u përgjigj: “Kur kemi qenë në dialog çështjen e Luginës e kemi shtruar aty për të drejta e tyre. Ne nuk negociojmë sovranitetin tonë”, tha z. Selimi…
Adriatik Kelmendi: LVV-ja po e respekton secilin vendim të institucioneve
Gazetari Adriatik Kelmendi, përmes një postimi në Facebook, thotë se Lëvizja Vetëvendosje po e respekton secilin vendim të institucioneve të vendit.
Sipas tij, LVV-ja nuk u pajtua me interpretimin e KQZ-së dhe u ankua në PZAP.
Tash, sipas tij, nuk u pajtua me PZAP dhe po paralajmëron ankesë në Gjykatën Supreme.
Ai thotë se, njëjtë thuhej se Kurti nuk do ta lëshojë zyrën e kryeministrit pas votimit të Qeverisë Hoti, por nuk ndodhi asnjë rezistencë.
Postimi i plotë:
Dorën në zemër, hiç linçimet e militantëve në rrjetet sociale, LVV-ja është duke respektuar secilin vendim të institucioneve të vendit.
Nuk pajtohen me interpretimin e KQZ-së, u ankuan në PZAP. Nuk u pajtuan me PZAP-në, po paralajmërojnë ankesë në Gjykatën Supreme.
Njëjtë thuhej se Albin Kurti nuk do ta lëshojë zyrën e kryeministrit pas votimit të Qeverisë Hoti, por nuk ndodhi asnjë rezistencë.
Tash është normale që LVV-ja nëse mendon se po i bëhet e padrejtë këtë ta shfrytëzojë edhe për të mobilizuar votuesit në zgjedhje, njësoj siç partitë e tjera po thurrin skenare ogurzeza për t’i mobilizuar votuesit e vet.
A të flasim tash për programe?!
PDK në fushatë, nuk u shihet fundi njerëzve të mbledhur në Skenderaj
Ndonëse situata me koronavirus në Kosovë vazhdon të jetë serioze, ata që dalin pothuajse çdo ditë nëpër media vazhdojnë të japin shembull të keq të mosrespektimit të masave nga Qeveria.
Sami Lushtaku i PDK-së e ka publikuar një fotografi nga Skenderaj, ku shihet se një sallë e madhe është mbushur me njerëz, duke shkelur kështu masat kundër koronavirusit.
“Me kryeministrin në ardhje, profën Enver Hoxhaj, takuam familjet e dëshmorëve, invalidët dhe veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Skenderaj. Së bashku premtuam përkujdesje të veçantë për kategoritë e dala nga lufta dhe rritje të pensioneve për këto kategori. Mbështetja për PDK-në është masive nga kategoritë e dalura nga lufta. Me këtë mobilizim kaq masiv do të dalim fitues në zgjedhjet e 14 shkurtit!”, ka shkruar Lushtaku në Facebook.
Ja shkrimi i tij:
Me kryeministrin në ardhje, profën Enver Hoxhaj, takuam familjet e dëshmorëve, invalidët dhe veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Skenderaj. Së bashku premtuam përkujdesje të veçantë për kategoritë e dala nga lufta dhe rritje të pensioneve për këto kategori.
Mbështetja për PDK-në është masive nga kategoritë e dalura nga lufta. Me këtë mobilizim kaq masiv do të dalim fitues në zgjedhjet e 14 shkurtit! SL…/BS.
Flasin nga AAK pas vendimit të PZAP-së: Do të ankohemi në Supreme, lista nuk do të mbetët e zbrazët
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ka vendosur edhe për ankesën e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).
PZAP-ja vendosi për certifikimin e kësaj partie, teksa për katër kandidatët që u gjet se janë të dënuar me vendim të formës së prerë u vendos që mos tu lejohet kandidimi.
Edhe pse AAK-ja të njëjtit sot i zëvendësoi me emra të tjerë, sipas vendimit që mori sot PZAP-ja këto zëvendësime nuk do të pranohen.
Përfaqësuesi i AAK-së në KQZ, Brahim Selmanaj, në një prononcim ka thënë se ndaj këtij vendimi të PZAP-së do të ankohen në Supreme.
“Në fakt PZAP-ja si duket nuk e ka marrë për bazë që ne e kemi ndërruar vendimin nga data kur edhe fillon verifikimi për deputet, do të thotë kemi një datë që lidhet me ditën e certifikimit ajo është data kur fillon certifikimi për deputet dhe kjo do të thotë që zotëri Dreshaj edhe juridikisht i plotëson kushtet, por si duket PZAP-ja nuk i ka shqyrtuar vendimin e fundit që e pa pasur KQZ-ja”, ka thënë ai.
Derisa shton se ankesa do të adresohet edhe për zëvendësimin e këtyre kandidatëve në listën zgjedhore të 14 shkurtit.
“Për kandidatët e tjerë ne i kemi larguar 3 kandidatët që kanë pasur dënime, por rast më specifik është rasti i Dreshaj. Ne me kohë do të paraqesim ankesën, ankesa do të adresohet edhe për zëvendësimin e emrave, pra kemi emra konkret që do të zëvendësohen, jo të mbetët lista e zbrazët”, ka deklaruar ai.
Ndryshe, Shemsedin Dreshaj, Gani Dreshaj, Rrahim Ajeti dhe Shqipe Kastrati, janë kandidatët që s’janë certifikuar nga KQZ-ja për zgjedhjet e 14 shkurtit.
Me këtë rast, të gjithë këta kandidatë sipas vendimit të PZAP-së, s’mund të zëvendësohen..
Gjendja nga vërshimet mund të përkeqësohet, të gjitha kapacitetet shtetërore vihen në gatishmëri
Zyra për komunikim në Qeverinë e Kosovës, ka bërë të ditur se kryeministri Avdullah Hoti, është njoftuar nga Qendra e Situatave – Këshilli i Sigurisë së Kosovës, se nga reshjet e vazhdueshme atmosferike, në pjesë të caktuara të vendit situata mund të përkeqësohet me mundësi të vërshimeve.
Sipas të dhënave nga Qendra e Situatave, në autostradën Pejë-Prishtinë afër rrethrrotullimit tek aeroporti, ka filluar të ngritët niveli i ujit, por megjithatë autostrada është e kalueshme.
Njësitet e Policisë janë në vendin e ngjarjes në fshatin Kuzmin, ku rruga është e pakalueshme, niveli i ujit është në rritje dhe mund të rrezikohen disa shtëpi.
Në Volljakë tek Guri i zi, restorantet janë përmbytur nga uji i Drinit të Bardhë dhe lumi Mirusha.
Në zonën e Malishevës të gjitha rrugët janë të kalueshme por me vështirësi.
Qendra e Situatave – Këshilli i Sigurisë së Kosovës, bën të ditur se të gjitha institucionet e Kosovës janë duke e përcjellë nga afër situatën dhe të gjitha kapacitetet shtetërore janë vënë në gjendje gatishmërie, përfshirë këtu Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave, Shtabet Lokale, Policinë dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Moti
Të mërkurën parashikohet mot pjeserisht i vranët me mundesi per te reshura te bores , temperaturat do të lëvizin nga -7 deri në 0 grad celcius.Mot pjeserisht i vranet në Tiranë,me temperatura nga -3 deri në 8 gradë celcius.
COVID-19 NË KOSOVË:
Total raste: 58687, Të shëruar:51337,të vdekur:1471
www.rtvarberia.com Tri kanalet e RTV Arbëria si dhe Radion mund të i ndiqni edhe në www.iptvshqipott.com