Die. Maj 5th, 2024

NGJARJET E DITËS, E ENJTE 27.01.2021

By Rtv Arbëria Jan 27, 2021

Isa Mustafa: LDK do dëshironte që Kurti ta udhëhiqte listën e Vetëvendosjes

Gjatë ditës së djeshme Paneli për Ankesa dhe Parashtresa Zgjedhore mori vendim që të refuzohet pjesërisht ankesa e Lëvizjes Vetëvendosje për vendimin e Komisionit Qendror Zgjedhor për mos-ceritifkimin e listës së kandidatëve për deputetë.
Kësisoj të gjithë kandidatët që patën probleme me ligjin gjatë tri viteve të fundit, nuk do të mund të jenë pjesë e garës për deputet.
Në mesin e tyre është edhe vetë lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, të cilit tashmë i është pamundësuar kandidimin për deputet, derisa partia e tij ka dorëzuar sot ankesë në Gjykatën Supreme lidhur me këtë vendim. Madje Blerim Sallahu, përfaqësues ligjor i kësaj partie deklaroi se nëse përgjigja e Supremes do të jetë në kundërshtim me kërkesën e VV-së, ata do t’i drejtohen edhe Gjykatës Kushtetuese.
Pas këtij vendimi të Komisionit Qendror Zgjedhor si dhe ati të djeshëm të PZAP-së, media ka kontaktuar liderin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa.
I pyetur nëse mos-kandidimi i Kurtit po ia lehtëson LDK-së fitoren në këto zgjedhje, Mustafa deklaroi se jo LDK-së, por Kurtit po i bëhet më e lehtë situata pa Albin Kurtin kandidat për deputet.
Sipas tij, ndryshe Qeveria me votat e atyre që janë të dënuar do të rrëzohej.
“Konsideroj se jo LDK-së, por zotit Kurti po i bëhet më e lehtë situata pa Albin Kurtin, kandidat për deputet. Ndryshe qeveria me vota të atyre që janë të dënuar do të rrëzohej”, tha ai.
Isa Mustafa, apo i pari i Lidhjes Demokratike të Kosovës shtoi se partia e tij dhe Lëvizja Vetëvendosje kanë garuar edhe kur Kurti ka qenë në krye të listës dhe se edhe kësaj radhe do të garonin pa asnjë problem.
“Bile, po mos të ishte verdikti i Kushtetueses do të ishte më e dëshiruar për LDK-në lista në krye me z.Kurti. Sepse kështu po e luajnë rolin e viktimës, por në fakt janë viktimë e vetvetes”, shtoi Mustafa.
I pyetur nëse Lidhja Demokratike e Kosovës tashmë është duke menduar për ndonjë koalicion të mundshëm, Mustafa theksoi se partia e tij do të bashkëpunojë me ata që e ruajnë dhe e përparojnë Kosovën.
“Do të bashkëpunojmë me ata që e ruajnë dhe e përparojmë Shtetin e Kosovës”, deklaroi ai.
Ndryshe në vendimin që kandidatët të cilët kanë probleme me ligjin të mos jenë pjesë e listës për deputetë ishte edhe Xhavit Ukaj nga Lidhja Demokratike e Kosovës, por i njëjti u zëvendësua që në ditët e para dhe kësisoj LDK nuk pati më probleme të ngjashme.
Por përpos Albin Kurtit nga Lëvizja Vetëvendosje të cilëve iu pamundësua kandidimi, janë edhe Albulena Haxhiu, Liburn Aliu, Labinotë Demi-Murtezi dhe Bajram Mavriqi, të cilët nuk mund t’i bashkohen listës së kandidatëve të VV-së në zgjedhjet e 14 shkurtit.
Ndryshe më 14 shkurt, qytetarët e Kosovës do t’u drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në Kuvendin e Kosovës si dhe të parin e Qeverisë.

Mësohen motivet që e quan babain të vriste djalin, Albert Krasniqin

Një vrasje e rëndë ka ndodhur sot në Prishtinë. Albert Krasniqi ka mbetur i vrarë në bodrumin e banesës së tij te rruga C.
Mësohet se dorasi ka qenë babai i tij.
Dyshohet se viktima ka pasur probleme familjare dhe ka kërcënuar që disa ditë familjarët e tij për t’ia plotësuar kushtet që kërkonte.
Babai pasi e ka kryer aktin ka njoftuar vetë policinë…..

181 të shëruar, 8 të vdekur dhe 301 raste me Covid-19

Njoftimi i plotë i IKSHPK-së:
Gjatë 24 orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK dhe laboratoret private me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 2.325 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, prej të cilëve rezultojnë 301 raste pozitive.
Brenda 24 orëve janë raportuar 8 raste të vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv. Rastet e vdekjes janë nga komunat: Deçan 1 rast (91 vjeç), Gjakovë 1 rast (75 vjeç), Gjilan 1 rast (85 vjeç), Malishevë 1 rast (82 vjeç), Obiliq 1 rast (70 vjeç), Prishtinë 1 rast (61 vjeç), Skenderaj 1 rast (74 vjeç) dhe Vushtrri 1 rast (54 vjeç).
Numri total i rasteve pozitive është 58.988 raste nga 225.830 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 1.479 raste të vdekjes.
Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 181 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 51.518 raste, kurse numri i rasteve aktive është 5.991.
Rastet pozitive janë nga komunat: Prishtinë 127 raste, Ferizaj 19 raste, Podujevë 18 raste, Gjakovë 16 raste, Suharekë 16 raste, Pejë 15 raste, Malishevë 14 raste, Fushë-Kosovë 13 raste, Lipjan 13 raste, Prizren 11 raste, Dragash 5 raste, Kaçanik 5 raste, Klinë 5 raste, Obiliq 5 raste, Rahovec 3 raste, Vushtrri 3 raste, Drenas 2 raste, Gjilan 2 raste, Mitrovicë 2 raste, Shtime 2 raste dhe me nga një rast komunat Deçan, Graçanicë, Istog, Junik dhe Shtërpcë.
Të nderuar qytetarë,
Duke pasur parasysh vlerësimin e situatës aktuale epidemiologjike me COVID -19, këtë muaj është raportuar numër më i madh të rasteve pozitive dhe vdekjeve. Mjekët të stërngakuar në spitale po luftojnë kundër këtij virusi tinzar e shkatrrimtar me tërë fuqinë e tyre profesionale e njerëzore.
Numri i rasteve pozitive vazhdon të jetë i lartë dhe brengosë si pasojë e drejtëpërdrejtë e neglizhimit të masave.
IKSHPK përsërit thirrjen për zbatimin e të gjitha masave të përgjithshme dhe specifike për mbrojtjen nga pandemia COVID-19.
IKSHPK apelon tek të gjithë qytetarët, institucionet dhe organizatat publike dhe private, për respektimin dhe ndërmarrjen e të gjitha masave të nevojshme për parandalimin, menaxhimin dhe kontrollin e infeksionit COVID-19, duke marrë parasysh dispozitat e Ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19, dhe vendimet në fuqi mbi masat dhe obligimet e institucioneve për zbatimin e masave të përgjithshme dhe specifike për mbrojtjen nga pandemia COVID-19.
Në veçanti, bëjmë thirrje për zbatimin e rekomandimeve dhe respektimin e masave kufizuese për aktivitetet publike, përkatësisht kufizimeve për grumbullimin e qytetarëve dhe tubimeve publike.
Grumbullimi i qytetarëve pa maska dhe mbajtje të distancës shton rrezikun e përhapjes së infeksionit përderisa virusi SARS-COV-2 është prezent në mesin tonë.
Apelojmë tek institucionet përgjegjëse, përkatësisht Policia e Kosovës dhe inspektoratet përgjegjëse që të mbikëqyrin me përpikëri dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e masave dhe vendimeve të tjera në fuqi në zbatim të Ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë në territorin e Republikës së Kosovës.
Qytetarë të nderuar!
Ju lutemi për kujdes të shtuar!
Që të shmangni shkaqet dhe pasojat e infeksionit:
Respektoni masat kufizuese për grumbullimet dhe tubimet publike!
Mbuloni gojën dhe hundën me maskë!
Mbani higjienën!
Respektoni distancën!!

KQZ aprovon 48 mijë aplikacione nga diaspora dhe 27 mijë e-maila ende të pahapura

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se shërbimi votues është duke vazhduar punën intensive me regjistrimin dhe verifikimin e aplikacioneve të pranuara.
Sipas të dhënave deri sot në mesditë në sistem janë futur 130 mijë aplikacione për regjistrim, kurse prej tyre janë aprovuar rreth 46 mijë.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë për Telegrafin se sipas të dhënave nga shërbimi votues janë edhe 27 mijë e-maila të pahapura.
“Vetëm pas përfundimit të të gjithë kësaj periudhe të shqyrtimit, vlerësimit dhe verifikimit të aplikacioneve, në fund do të kemi një raport të detajuar ku do ta dijmë saktë se sa është numri i aplikimeve për t’u regjistruar si votues jashtë vendit dhe se sa prej do të regjistrohen suksesshëm pasi kanë plotësuar kriteret ligjore”, shtoi Elezi.
Elezi tutje, sqaroi se të gjithë qytetarët të cilët regjistrohen suksesshëm si votues jashtë Kosovës do të mundet të votojnë përmes postës duke filluar më 2 shkurt. Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme fletëvotimet duhet të pranohen nga KQZ-ja deri më 12 shkurt.
“Deri më 27 janar, sipas raportit të mesditës, në qendrën e thirrjeve për konfirmimi dhe verifikim të aplikacioneve, janë realizuar rreth 39 mijë thirrje, prej tyre në rreth 32 mijë aplikues kanë konfirmuar të dhënat e tyre, ndërsa rreth 7 mijë e 300 persona nuk e kanë hapur telefonin. Do të bëhen tentime të radhës me qëllim të verifikimit dhe konfirmimit”, tha ai.
Zëdhënësi i KQZ-së, gjithashtu bëri të ditur se nga numri i përgjithshëm i atyre që janë lajmëruar në telefon, 51 persona të cilët i kemi kontaktuar kanë thënë se nuk janë personat konkret, pra, nuk e kanë emrin, mbiemrin, datën e lindjes dhe shtetin, sikurse në të dhënat nga aplikacioni për regjistrim ose kanë deklaruar se nuk aplikuar fare për regjistrim për të votuar përmes postës..

“Befason” me parashikimin e tij Dardan Islami: VV 45 deputetë, Nisma nuk e kalon pragun, tregon rezultati për partitë tjera

Kandidati për deputet i AAK-së, Dardan Islami, i cili së fundmi ka aderuar në këtë parti, ka parashikuar rezultatin zgjedhor, i cili mund të dal pas 14 shkurtit.
Ai përmes një postimi në Facebook, thotë se VV do të fitojë 45 ulëse, ndërsa Nisma nuk do e kaloj pragun.
Sipas tij, LDK-ja do të marr 23 ulëse në Kuvend, PDK-ja 20 dhe AAK-ja 12.
Postimi i plotë:
Siç po e shihni poshtë unë para dy muajve i kam publiku parashikimet!
Atëherë mendoja se Nisma dhe AKR me nga 2 karrige do ti bashkohen AAK për ta kalua pragun, por Nisma shkoj vet AKR u fut në LDK të cilës ja shtojmë këto dy karrige 23 total!
Vjosa ishte pa parti dhe unë e pata parashikua me 7 karrige të cilat tash ja shtojmë VV 43 plus dy të Nismës që nuk kalon dhe bëhet VV me total 45
PDK mbetet 20
AAK 12
LDK 23
VV 45
Ju flm

LVV dorëzon ankesën në Supreme, shprehet optimiste se vendimi do të jetë në favor të tyre

Lëvizja Vetëvendosje ka dorëzuar sot ankesë në Gjykatën Supreme, pas vendimit të fundit të PZAP-së lidhur me mos certifikimin e pesë kandidatëve të saj për deputetë në mesin e të cilëve është edhe Albin Kurti.
Anëtari i LVV-së dhe përfaqësuesi ligjor, Blerim Sallahu tha se kanë kundërshtuar vendimin e PZAP-së, pasi sipas tyre nuk ka asnjë bazë kushtetuese.
“Ne e kemi kundërshtuar vendimin e PZAPs-së, lidhur me atë se që një normë ligjore e vë si kriter kushtetues. PZAP deklaron pa asnjë bazë kushtetuese se neni 29 paragrafi 1 pika Q është normë kushtetuese, ju e dini se amendamentet kushtetues bëhen në Kuvendin e Kosovës, dhe as Gjykata Kushtetuese dhe as PZAP nuk mund të vë si normë kushtetuese një kriter ligjor për arsye se amandamentimi bëhet vetëm nga Kuvendi”, u shpreh Sallahu.
Sallahu është shprehur i bindur se këta pesë kandidatë do të certifikohen për zgjedhjet e 14 shkurtit.
“Gjykata Supreme do të merr vendim në favor të LVV-së sepse kanë argumente të mjaftueshme për këtë. Kodi Penal mbi të cilën i janë shqiptuar dënime kandidatëve tanë s’përbën asnjë efekt juridik, dhe ne besojmë që kandidatët tanë do të certifikohen duke ditur edhe profesionalizmin që ekziston në Gjykatën Supreme”, ka thënë Sallahu.
Sallahu i pyetur për veprimet që do t’i ndërmarrin nëse nuk certifikohen kandidatët, ka thënë se nuk beson që një gjë e tillë të ndodh, pasi sipas tij, Supremja do të vendos në favor të tyre.
Por, ai se ka përjashtuar mundësinë e ankesës edhe në Kushtetuese për të vendosur masë të përkohshme ndaj këtij vendimi..

Kërcënohet Vjosa Osmani, Mehmeti kërkon reagimin e Policisë dhe Prokurorisë

U.d së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, është kërcënuar me jetë përmes rrjeteve sociale.
Këtë e ka bërë të ditur këshilltari i saj, Faton Peci duke shkruar se, “fushata e egër kundrejt u.d. Presidentes ka që një kohë të gjatë që po përcillet edhe me kërcënime me jetë”.
Ndër komente kërcënuese ishte ”Trutë në tokë t’i kisha qit”
Analisti politik, Faton Mehmeti në një prononcim për “Bota sot” ka thënë se, kjo po bëhet pasi që shumë grupeve të interesit ua prish pazaret, por që kërcënimet duhet të merren me shumë seriozitet.
“Sa më shumë që fuqizohet njeriu është aq më i rrezikuar, pasi shumë grupeve të interesit ua prish pazaret. Duke qenë se Vjosa nuk është nënshtruar asnjëherë karshi grupeve të interesit, e të cilat janë të lidhura me politikën, natyrisht se kërcënimet duhet të merren me shumë seriozitet. Në fakt, besoj se policia e Kosovës do të merret me rastin në fjalë, të vazhdoj pastaj procedurat e saja”.
Sipas tij, policia është ajo që duhet të reagojë menjëherë, e poashtu edhe prokuroria të tregohet e pamëshirshëm ndaj të tillëve.
“Mirëpo, shteti, prokuroria më një fjalë duhet të jetë e pamëshirshëm ndaj njerëzve që kërcënojnë krerët e shtetit, institucionet me një fjalë. Vetëm dënimi i merituar, pa asnjë lloj mëshirë, bën që të disiplinohet këto kërcënime, e të cilat janë jo vetëm kundër Vjosës, por edhe atyre gazetarëve që kanë thënë të vërtetën. Është shqetësuese një kërcënim i tillë, policia duhet të reagojë menjëherë, dhe prokuroria të tregohet e pamëshirshëm ndaj të tillëve”.

Ky është skenari që i pret partitë pas ankesës në Supreme

Gjatë ditës së djeshme PZAP nëpërmjet një vendimit që publikoi të martën ka vërtetuar vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për moscertifikimin e pesë kandidatëve për deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje. Nga radhët e Vetëvendosjes nuk u certifikua as kreu i saj, Albin Kurti, e më pas nuk u certifikua as Albulena Haxhiu, Liburn Aliu, Bajram Mavriqi dhe Labinotë Demi-Murtezi.
Ndëra gjatë ditës së sotme, LVV-ja dhe AAK-ja, do të dorëzojnë ankesë në Gjykatën Supreme ndaj vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa e Parashtesa (PZAP) për moscertifikimin e disa kandidatëve për deputetë të cilët kanë probleme me ligjin.
VV-ja para pak çastësh u shpreh shumë optimistë se këta pesë kandidatë do të certifikohen për zgjedhjet e 14 shkurtit.
Në lidhje me këtë temë njohësi i çështjeve juridike, Muhamet Kelmendi në një prononcim për “Bota sot”, u shpreh që në momëntin që iu është refuzuar kërkesa nga PZAP kanë të drejtë të I drejtohen Supremës, përcjell “Bota sot”.
Më tej, juristi thotë këto vendime për këto partitë politike vetëm po ju rrisin dukshëm përkrahjen. Gjithashtu Kelmendi thotë që të kandidatëve të dënuar për tri vitet e fundit me kusht e gjobë, pa dënim me burg është tërësisht i gabuar.
“Natyrisht se VV dhe AAK e NISMA dhe çdo parti që iu kanë refuzuar kandidatët nga PZAP kanë të drejtë të i drejtohen Gjykatës Supreme. Ajo është kompetente për të vendosur mbi çështjen e tillë dhe atë brenda një afati prej 72 orëve. Vendimi pasi u refuzua edhe nga gjykata, kandidatët do të ndikon edhe më dukshëm në rritjen e përkrahjes për subjektet e tilla. Këtu edhe VV ka bazë dhe krijon terren që në masat të paraqitet si subjekt dhe Albin Kurti si person që partitë politike kanë frikë dhe ajo është normale që ia rrit retingun. Dua edhe njëherë të them se vendimet e tilla për përjashtimin nga kandidatura të Gjykatës Kushtetuese të kandidatëve të dënuar në tri vitet e fundit me dënime me kusht, me gjobë etj., pa dënim me burg për një e më shumë vite, është tërërsisht i gabuar”, u shpreh Kelmendi.
Në fund, analisti thotë që Gjykata Supreme është në një pozitë të rëndë sepse në njërën anë është ligji dhe në anën tjetër verdikti i Gjykatës Kushtetuese, që ua ndalon kandidimin mirëpo që sipas Kelmendit edhe nga Supremja do të jetë ndaluese kandidimi i këtyre kandidatëve.
“Dënimet duke ua ndalur të drejtën e tillë kandidatëve e shpallë vetëm gjykata që e ka dënuar. Nëse ajo gjykatë ka dhënë dënim me kusht dhe nuk ka dhënë ndonjë ndalim në ushtrimin e punëve dhe të detyrave askush nuk mund të përjashtohet. Tash Gjykata Supreme është në pozitë të rëndë. Në njërën anë është ligji, që e lejon kandidimin e këtyre kandidatëve për deputetë dhe në anën tjetër, është Verdikti i Gjykatës Kushtetuese, që ua ndalon kandidimin. Si do të vepron gjykata? Këtu është vështirë të përgjigjemi! Mendoj se do të jetë ndalues edhe këtu vendimi për kandidatët”, përfundoi Kelmendi për “Bota sot”..

Moti
Të enjten parashikohet mot pjeserisht i vranët , temperaturat do të lëvizin nga -3 deri në 2 grad celcius.Mot pjeserisht i vranet në Tiranë,me temperatura nga 4 deri në 9 gradë celcius.

COVID-19 NË KOSOVË:
Total raste: 58988, Të shëruar:51518,të vdekur:1479
www.rtvarberia.com Tri kanalet e RTV Arbëria si dhe Radion mund të i ndiqni edhe në www.iptvshqipott.com

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *