Sht. Maj 18th, 2024

LAJME DITORE, E MERKURE, 17.03.2021

By Rtv Arbëria Mar 17, 2021

Hoxhaj tregon nëse do të ketë vendim për mbështetjen e Osmanit si presidente

Gjatë ditës së sotme, autoritetet e Belgjikës kanë arrestuar Pjetër Shalën në zbatim të fletarrestimit dhe aktakuzës së konfirmuar për krime lufte, lëshuar nga Gjykatësi i Procedurës Paraprake i Dhomave të Specializuara të Kosovës.
Pjetër Shala do të mbahet i ndaluar në Belgjikë, në pritje të transferimit të tij në objektin e paraburgimit të DHSK-së në Hagë, thuhet në njoftim, transmeton Indeksonline.
Së shpejti do të jepet më shumë informacion ku do të përfshihet edhe informacion për nxjerrjen publike të aktakuzës së konfirmuar me redaktimet e nevojshme.
Tutje thuhet se në bazë të rregullës 88 të Rregullores së Procedurës dhe Provave, aktakuza bëhet publike jo më vonë se paraqitja e parë e të akuzuarit..

53 deputetë u regjistruan sot, procesi vazhdon nesër dhe pasnesër

Sot ka filluar regjistrimi i i deputetëve të Legjislaturës së Tetë të Kuvendit të Kosovës.
Nga Zyra për Informim në Kuvend, thanë se gjatë ditës së sotme janë regjistruar 53 deputetë, kryesisht nga Lëvizja Vetëvendosje.
Ky proces do të vazhdojë edhe nesër dhe pasnesër.
Deputetët e PDK-së, LDK-së, AAK-së, Listës Serbe dhe të komuniteteve tjera, janë ata që do të regjistrohen në vazhdim.
Kujtojmë që seanca konstituive e Kuvendit për Legjislaturën e Tetë, do të mbahet më 22 mars në orën 10:00./

Zemaj bisedon me homologun izraelit për sigurimin e vaksinave kundër Covid-19

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj sot zhvilloi një takim virtual me homologun e tij nga Izraeli, Yuli Edelstein, ku disktuan për gjendjen e pandemisë në vendin tonë, shkruan Indeksonline.
Ai tha se folën edhe për angazhimin e Kosovës në sigurimin e vaksinave kundër Covid-19.
Tutje, Zemaj njoftoi se bashkëpunimi mes dy vendeve do të jetë i plotë.
Postimi i plotë:
Ishte kënaqësi e jashtëzakonshme takimi virtual me Ministrin e Shëndetësisë së Izraelit, z. Yuli Edelstein të diskutoja për gjendjen e pandemisë në shtetin tonë, përkushtimin, të arriturat dhe sfidat tona si dhe bashkëpunimin në mes të dy vendeve në sektorin e shëndetësisë.
Republika e Kosovës është e bekuar me miqësinë e popullit dhe shtetit të Izraelit, i cili ishte përkrah qytetarëve tanë në kohën kur na kanosej ekzistenca, ashtu sikur që ne mbajtëm besën në kohët e vështira kur kombet tjera ishin të pabesë ndaj tyre.
Andaj, edhe sot, brengat tona i trajtuam në pajtim me situatën e pandemisë, luftimin dhe parandalimin virusit si dhe angazhimin tonë në sigurimin e vaksinave anti Covid.
Bashkëpunimi do të jetë i plotë, andaj edhe shpreha falënderim për Ministrin, z. Yuli Edelstein për këtë gatishmëri.
Faleminderit!…

8 të vdekur vdekur nga Covid, 709 raste të reja dhe 385 të shëruar

Njoftimi plotë nga IKSHPK!
385 TË SHËRUAR DHE 709 RASTE ME COVID-19!
Gjatë 24 orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK dhe laboratoret private me metodën RT-PCR, si dhe laboratoret publike dhe private me metodën RAT, janë testuar gjithsej 4.388 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, prej të cilëve rezultojnë 709 raste pozitive.
Brenda 24 orëve janë raportuar 8 raste të vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv. Rastet e vdekjes janë nga komunat: Gjilan 2 raste (74, 60 vjeç), Prishtinë 2 raste (89, 76 vjeç), Kaçanik 1 rast (76 vjeç), Podujevë 1 rast (70 vjeç), Rahovec 1 rast (62 vjeç), Skenderaj 1 rast (64 vjeç).
Numri total i rasteve pozitive është 79.089 raste nga 366.574 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 1.731 raste të vdekjes.
Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 385 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 65.979 raste, kurse numri i rasteve aktive është 11.379.
Rastet pozitive janë nga komunat: Prishtinë 242 raste, Gjilan 61 raste, Fushë-Kosovë 60 raste, Pejë 51 raste, Gjakovë 41 raste, Kamenicë 41 raste, Mitrovicë 35 raste, Ferizaj 33 raste, Podujevë 18 raste, Viti 18 raste, Obiliq 16 raste, Vushtrri 12 raste, Skenderaj 11 raste, Prizren 10 raste, Suharekë 10 raste, Drenas 9 raste, Lipjan 9 raste, Istog 6 raste, Novobërdë 6 raste, Klinë 5 raste, Rahovec 5 raste, Deçan 4 raste, Shtime 3 raste dhe me nga një rast komunat Junik, Kaçanik dhe Kllokot.
Mbuloni gojën dhe hundën me maskë!
Mbani higjienën!
Respektoni distancën!!

17 vjet nga revolta kundër UNMIK-ut

Shtatëmbëdhjetë vjet më parë, shpërtheu revolta popullore kundër misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë- UNMIK.
Pas përfundimit të luftës në qershor 1999, në Kosovë instalohet misioni i OKB-së, i cili lejoi krijimin e strukturave paralele serbe dhe ndikoi në ngulfatjen e ekonomisë së Kosovës.
Më 17 mars 2004, filluan trazirat që më vonë janë përfolur shumë si “trazirat e marsit”.
Këto trazira filluan pasi që dy fëmijë shqiptarë në pjesën veriore të Mitrovicës u mbytën në lumin Ibër.
Disa fëmijë që mbijetuan në orët e vona, po atë natë, treguan para kamerave se ata ishin ndjekur nga serbët dhe duke ikur dy fëmijë kishin humbur jetën në lumë.
Kjo ngjalli reagime të ashpra te qytetarët, të cilët më 17 mars nisën protestat thuajse në të gjithë Kosovën, duke eskaluar në dhunë.
Edhe 17 vjet pas, ende nuk dihet se kush i organizoi apo nëse ishin të orkestruara qëllimshëm. Derisa, askush nuk u gjykua dhe dënua për ato ngjarje.
Gjatë këtyre trazirave u vranë 19 persona, prej tyre 12 shqiptarë.

Gara për Prishtinën, këta janë kandidatët e mundshëm për kryetar

Pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, subjektet politike kanë nisur përgatitjet për zgjedhjet lokale që do të mbahen në vjeshtë të këtij viti. Disa nga partitë tashmë kanë nisur diskutimet me degët e tyre nëpër komuna ku më pas do të bëjnë të ditur edhe kandidatët për kryetar që do t’i nominojnë.
Gara më interesante pritet që të jetë si gjithmonë në kryeqytet. Se kush do të jetë kryetari i ardhshëm i Prishtinës mbetet të shihet pas zgjedhjeve.
Deri tash në media janë përfolur emri i Arben Vitisë nga LVV-ja, Uran Ismaili nga PDK-ja dhe nga LDK-ja ishte përfolur Lumir Abdixhiku si kandidat për kryetar të Prishtinës. Kandidimin e mundshëm të Arben Vitisë nga LVV-ja për kryetar të Prishtinës, e ka përmendur kohë më parë edhe nënkryetari i kësaj partie, Glauk Konjufca.
Konjufca kishte deklaruar se Vitia do të ishte figurë më kredibile për të konkurruar në postin e kryetarit të Prishtinës.
“Ende nuk është vendosur por Arben Vitia do të ishte figura më kredibile që do ta fitonte atë betejë”, kishte deklaruar Konjufca.
Në anën tjetër, sekretari i Përgjithshëm i PDK-së, Uran Ismaili kishte deklaruar gjithashtu se ka paraqitur kandidaturën e tij për kryetar të Prishtinës. Kandidimin e Ismailit për këtë post, e ka mbështetur edhe ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj.
Hoxhaj ka thënë se Ismaili i ka bërë nderë partisë me vendosmërinë e tij për të garuar për të parin e Prishtinës.
“Mendojmë që ai do të jetë kandidati jonë për këtë post. Ai e ka mbështetjen tonë. Për një kohë të shkurtë do të dalim edhe me listën për kandidatët e tjerë”, kishte deklaruar Hoxhaj kohë më parë.
E në Lidhjen Demokratike të Kosovës, pas zgjedhjes së Lumir Abdixhikut si kryetar i këtij subjekti, nuk dihet ende se kush do të jetë kandidat i mundshëm për kryetar të kryeqytetit, shkruan Telegrafi. Abdixhiku ka deklaruar se nuk do të jetë kandidat për kryetar të Prishtinës, pasi që tash detyra e tij është punojë për partinë.
Deri tash nuk është diskutuar ndonjë opsion tjetër nga ana e LDK-së, ani pse në media janë përfolur dy emra nga ky subjekt, ish-kandidati i LDK-së për Prishtinë, Arban Abrashi i cili aktualisht është ministër në detyrë i Infrastrukturës dhe ministri në detyrë i Bujqësisë, Besian Mustafës, por ende nuk ka asgjë zyrtare.
Partitë tjera nuk është që kanë dhënë sinjale për ndonjë kandidat potencial për garën e të parit të kryeqytetit. Për një kandidatë të mundshëm nuk ka dhënë sinjale as Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Kujtojmë se në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbajtura më 14 shkurt 2021, Arben Vitia nga LVV-ja ka marrë 107 mijë e 858 vota në total, kurse vetëm në Prishtinë ka marrë 30 mijë e 793 vota.

Moti
Gjatë dites se enjte parashikohet mot i vranet dhe me te reshura te shiut, temperaturat do të lëvizin nga minus 1 deri në 7 gradë celcius .Ndersa Ne Tirane poashtu parashihet mot vranet dhe me te reshura te shiut, temperaturat do te levizin nga 2 deri në 14 gradë celcius .

COVID-19 NË KOSOVË:
Total raste: 79089 , Të shëruar: 65979 ,të vdekur: 1731
www.rtvarberia.com Tri kanalet e RTV Arbëria si dhe Radion mund të i ndiqni edhe në www.iptvshqipott.com

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *