Sht. Kor 27th, 2024

NGJARJET E DITES,E MARTE, 16.03.2021

By Rtv Arbëria Mar16,2021

Gjykata Speciale arreston një komandant të UÇK’së në Belgjikë

Gjatë ditës së sotme, autoritetet e Belgjikës kanë arrestuar Pjetër Shalën në zbatim të fletarrestimit dhe aktakuzës së konfirmuar për krime lufte, lëshuar nga Gjykatësi i Procedurës Paraprake i Dhomave të Specializuara të Kosovës.
Pjetër Shala do të mbahet i ndaluar në Belgjikë, në pritje të transferimit të tij në objektin e paraburgimit të DHSK-së në Hagë, thuhet në njoftim, transmeton Indeksonline.
Së shpejti do të jepet më shumë informacion ku do të përfshihet edhe informacion për nxjerrjen publike të aktakuzës së konfirmuar me redaktimet e nevojshme.
Tutje thuhet se në bazë të rregullës 88 të Rregullores së Procedurës dhe Provave, aktakuza bëhet publike jo më vonë se paraqitja e parë e të akuzuarit..

Kurti dhe Osmani përfundojnë takimin me Listën Serbe, Rakiq nuk deklarohet për media

Kryetari i VV-së Albin Kurti dhe u.d së presidentit Vjosa Osmani kanë përfunduar ditën e takimeve me kryetarin e Listës Serbe Goran Rakiq i shoqëruar nga Dalibor Jevtiq.
Ky i fundit pas takimit nuk është deklaruar për medie.
Ndryshe gjatë ditës së sotme Kurti dhe Osmani kishin takuar edhe përfaqësuesit e tjerë të komuniteteve për t’u konsultuar për formimin e institucioneve.
Ndërsa, të premtën Albin Kurti dhe Vjosa Osmani presin në takim kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikun

Alma Lama reagon pas deklaratave të deputetit të VV-së

Deputeti i ardhshëm i Lëvizjes Vetëvendosje Eman Rrahmani, ka reaguar pas hapjes së Ambasadës së Kosovës në Izrael.
Rrahmani këtë e ka konsideruar si një hap të dëmshëm. Sipas tij ky veprim nuk vullnetin e popullit të Kosovës.
Ai ka shkruar se për 22 vite u janë bërë dëme të tilla qytetarëve të vendit tonë, ku janë hapur shumë “ambasada serbe” në Kosovë.
E, lidhur me këtë ka reaguar ish-kandidatja për deputete e LDK-së, Alma Lama.
Ajo përmes një shkrimi në Facebook, ka thënë se pasi nuk i votuan properëndimorët, t’i durojnë këta në parlament (deputetët e Vetëvendosjes).
Madje, ajo thotë se ky është veçse fillimi.
Ja shkrimi i saj:
Sa bukur,
nuk na votuat neve properëndimoreve, tani duroni këta në parlament.
Krejt te pritshme kërkesat e tyre , kanë dhenë votën për të çuar përpara agjendën e tyre.
Ky është vetëm fillimi, madje…

8 të vdekur vdekur nga Covid, 553 raste të reja dhe 534 të shëruar
Njoftimi plotë nga IKSHPK!
534 TË SHËRUAR DHE 553 RASTE ME COVID-19!
Gjatë 24 orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK dhe laboratoret private me metodën RT-PCR, si dhe laboratoret publike dhe private me metodën RAT, janë testuar gjithsej 3.649 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, prej të cilëve rezultojnë 553 raste pozitive.
Brenda 24 orëve janë raportuar 8 raste të vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv. Rastet e vdekjes janë nga komunat: Vushtrri 3 raste (87, 80, 76 vjeç), Deçan 1 rast (86 vjeç), Ferizaj 1 rast (71 vjeç), Gjakovë 1 rast (71 vjeç), Lipjan 1 rast (67 vjeç), Mitrovicë 1 rast (62 vjeç).
Numri total i rasteve pozitive është 78.380 raste nga 362.186 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 1.723 raste të vdekjes.
Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 534 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 65.594 raste, kurse numri i rasteve aktive është 11.063.
Rastet pozitive janë nga komunat: Prishtinë 273 raste, Fushë-Kosovë 32 raste, Prizren 32 raste, Lipjan 28 raste, Podujevë 25 raste, Vushtrri 23 raste, Gjilan 20 raste, Mitrovicë 20 raste, Gjakovë 19 raste, Obiliq 19 raste, Klinë 9 raste, Pejë 8 raste, Kamenicë 7 raste, Drenas 5 raste, Malishevë 5 raste, Graçanicë 4 raste, Junik 4 raste, Rahovec 4 raste, Ferizaj 3 raste, Istog 3 raste, Suharekë 3 raste, Deçan 2 raste, Shtime 2 raste dhe me nga një rast komunat Hani i Elezit, Skenderaj dhe Viti 1.
Mbuloni gojën dhe hundën me maskë!
Mbani higjienën!
Respektoni distancën!!

Mësimi në bankat shkollore apo online, SBAShK-u pajtohet për të dyja variantet

Të mërkurën pritet që qeveria të marrë vendimin për shkuarjen më 22 mars në pushim të parakohshëm për të gjitha nivelet arsimore në vend, në mënyrë që të shqyrtohet mundësia e fillimit të mësimit online në të gjitha nivelet e arsimit për dy javët e ardhshme.
Kjo pasi Ministria e Arsimit dhe Shkencës, Ministria e Shëndetësisë, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik dhe Sindikata e Bashkuar e Arsimit janë dakorduar të shkojnë në pushim, në mënyrë që gjatë javës që do të pushojnë, të shikohen mundësitë për nisjen e mësimit në formë online.
Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj në një konferencë për media tha në mësimin online do të përfshihen të gjitha nivelet, përveç atij parashkollor dhe çerdheve.
Ai tha se janë dakorduar për shkuarjen në pushim të parakohshëm në mënyrë që të ruajnë cilësinë, por edhe shëndetin e nxënësve dhe mësimdhënësve.
“Kemi ardhur te disa konkluzione që në ditën e nesërme do t’i vlerësojmë së bashku dhe do të marrim një vendim përfundimtar sipas rekomandimeve të IKShP-së, që të kemi një shkuarje të pushimit të parakohshëm në të gjitha nivelet arsimore dhe kjo në bazë të rekomandimeve të institucioneve profesionale dhe të ruajtjes së cilësisë, por mbi të gjitha ruajtjes së shëndetit. Interesimi ynë është që të shkojmë 5 ditë përpara, por gjatë kësaj jave të bëhet vlerësimi nga Ministria e Arsimit, t’i koordinojmë në rastet, të cilat i gjurmojmë dhe testojmë dhe bëjmë kategorizimet e komunave dhe të shohim javën tjetër a mund të vazhdojmë me mësimin online apo duhet të ketë një ndërprerje dy javore për ta ulur pozitivitetin e arsimtarëve dhe të të rinjve”, tha ai.
Zemaj theksoi se do të shqyrtojnë edhe mundësitë që në rastet kur të dy prindërit punojnë të lirohet njëri nga ta nga puna.
Zëvendësministri në detyrë i MASH-it, Xhavit Rexhaj tha se kanë propozuar një javë pushim, pastaj rishikim për të parë se në çfarë forme të shkohet më tutje.
“Ne kemi propozuar që të mos i ndajmë fëmijët nga edukimi parashkollor, plus në universitet kemi propozuar që të shkojmë me një ri-shtrëngim të masave që ta kontrollojmë situatën në arsimin e lartë”, tha ai.
Ndërsa kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jashari tha për KosovaPress se kanë kërkuar që të mos ketë shkëputje klasike të vitit shkollor, por të kalojnë në mësimin online. Ai shtoi se mbetet të vendoset se cili nga variantet do të ndiqen, kthimi në bankat shkollore apo shkuarja online.
“Javën e 22 marsit do të jetë pushim klasik dhe pastaj do të mobilizohemi për të parë çka më tutje. Ose do të përmirësohen kushtet dhe do të kthehemi në shkolla ose do të kthehemi pa dëshirën tonë në mësimin online. Në të dy rastet SBASHK-u pajtohet dhe do të jep kontributin e vet”, tha Jashari.

Gjatë ditës së sotme kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti ka njoftuar se pas takimit me institucionet shëndetësore dhe arsimore, kanë shqyrtuar mundësinë e fillimit të mësimit online në të gjitha nivelet e arsimit, për dy javët e ardhshme, duke filluar nga 22 marsi., .

Erdogan dhuron 30 mijë vaksina për Bosnjën, por nuk premton vaksina edhe për Kosovën

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka premtuar sot se vendi i tij do të dhurojë 30.000 vaksina anti-COVID për Bosnjën-Hercegovinën.
Premtimin, Erdogan e ka dhënë pas takimit që pati me treshen e Presidencës së Bosnjës, Zheljko Komshiq, Shefik Xhaferoviq dhe Milorad Dodik në Ankara.
“Dua të shpreh ngushëllime për të gjitha familjet që janë humbur më të dashurit e tyre në luftë me koronavirusin. Ne do të dhurojmë 30.000 vaksina për Bosnjën”, ka thënë presidenti turk në konferencën për media.
Në anën tjetër, në kohën kur Kosova është vendi i vetëm në Ballkan që ende nuk ka filluar vaksinimin, Erdogan nuk është dëgjuar të premtojë ndonjë vaksinë por në anën tjetër ka kërkuar nga Kosova që të mos e vendosë ambasadën e vet në Jerusalem për shkak të qëndrimeve të Turqisë karshi shtetit të Izraelit.
Edhe pse nuk është thënë se për cilën vaksinë bëhet fjalë, sipas mediumit të Bosnjës, do të jenë ato kineze, Sinovac. Kësisoj, sasia e parë e madhe e vaksinave në Bosnjë do të jetë donacion.
Më herët edhe Serbia dhuroi 5.000 vaksina për këtë vend. Po ashtu, gjatë qëndrimit në Turqi, është nënshkruar edhe marrëveshja për autostradën Sarajevë – Beograd. Mediat nuk kanë njoftuar se si do të financohet ky projekt dhe se çfarë roli do të kenë qeveria dhe kompanitë turke…..

Moti
Gjatë dites se merkure parashikohet mot i vranet dhe me te reshura te shiut, temperaturat do të lëvizin nga minus 1 deri në 6 gradë celcius .Ndersa Ne Tirane poashtu parashihet mot vranet dhe me te reshura te shiut, temperaturat do te levizin nga 2 deri në 13 gradë celcius .

COVID-19 NË KOSOVË:
Total raste: 78380 , Të shëruar: 65594 ,të vdekur: 1723
www.rtvarberia.com Tri kanalet e RTV Arbëria si dhe Radion mund të i ndiqni edhe në www.iptvshqipott.com

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *