Enj. Tet 10th, 2024

Ministrja e Jashtme e Suedisë viziton Kosovën

Ministrja e Punëve të Jashtme e Suedisë, njëkohësisht kryesuesja e radhës e OSBE-së, Ann Linde, do ta vizitojë Kosovën me 7 dhe 8 korrik, ku ndër të tjera gjatë takimeve të planifikuara do të diskutojë çështje që lidhen me normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë.

Ajo udhëton së bashku me Ndihmëssekretaren e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara dhe Zëvendësdrejtoren ekzekutive të UN Women, Åsa Regnér, me ç’rast fokus kryesor i vizitës do të jetë agjenda “Gratë, Paqja dhe Siguria.”

Kështu është bërë e ditur përmes një komunikate për medie ku po ashtu bëhet e ditur se ministrja Linde do të takohen me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe Zëvendëskryeministren dhe Ministren e Punëve të Jashtme Donika Gërvalla-Schwarz.

Temat e tjera të vizitës janë zbatimi i reformave strategjike të Kosovës, përpjekjet anti-korrupsion, zgjedhjet lokale, integrimi gjyqësor, promovimi dhe mbrojtja e të drejtave të personave që i përkasin komuniteteve si dhe tejkalimi i pandemisë.

Ministrja gjithashtu do të diskutojë çështje që lidhen me normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë, rëndësinë e stabilitetit rajonal dhe rolin e OSBE-së në të.

Kryesuesja do të takohet edhe me Ministrin për Komunitete dhe Kthim, Goran Rakić. Linde dhe Regnér do ta takohen edhe me stafin e Misionit të OSBE-së në Kosovë si dhe do të vizitojnë projektet në terren.

Një takim i nivelit të lartë do të organizohet me organizatat që mbështesin të drejtat e grave dhe organizatat e shoqërisë civile për të diskutuar dhe shkëmbyer qasjet për avancimin e agjendës së grave, paqes dhe sigurisë në Kosovë.

Barazia gjinore dhe pjesëmarrja e grave në ndërtimin dhe ruajtjen e paqes gjatë viteve të fundit do të jenë gjithashtu në rend të ditës, duke reflektuar mbi strategjitë e suksesshme për përfshirjen dhe fuqizimin e grave, si dhe mbështetjen e grave të reja në punën për ndërtimin e paqes dhe parandalimin e konflikteve, drejtësinë tranzicionale si dhe arritjen e potencialit të grave në ndërtim të mirëbesimit.Më 8 korrik, në ora 13:40, pas takimit në Bibliotekën Universitare të Kosovës, Linde dhe Regnér do të flasin para mediave.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *