Enj. Maj 2nd, 2024

Nagavci mirëpret pezullimin e grevës: Kalendari i vitit shkollor duhet të ndryshohet

By Rtv Arbëria Tet 1, 2022

Ministrja e Arsimit Arbërie Nagavci ka mirëpritur vendimin e SBASHK-ut për pezullimin e grevës dhe fillimin e procesit mësimor më 3 tetor.

Në një postim në Facebook, ajo ka ftuar të gjitha shkollat që ende nuk kanë shpërndarë tekstet mësimore për nxënësit, që këtë ta bëjnë të hënën në orën e parë të mësimit.

“Drejtoritë Komunale të Arsimit duhet të marrin të gjitha masat që të hënën gjithçka të jetë gati për të filluar mësimin në shkolla e punën në çerdhe, pa asnjë pengesë.Ftojmë prindërit, mësuesit e udhëheqësit e shkollave për bashkëpunim të shtuar. Duhet të jemi unik në kryerjen e misionit fisnik për edukimin e arsimimin e fëmijëve tanë”, ka shkruar ajo.

Për më tepër, ministrja Nagaci ka thënë se kalendari i vitit shkollor duhet të ndryshohet, andaj të hënën MASHTI do të formojë grupin punues për të rishikuar këtë udhëzim administrativ.

Ajo ka theksuar se do të vazhdojnë punën me intensitet të shtuar në përmirësimin e legjislacionit për licencimin e mësimdhënësve, vlerësimin e performancës dhe realizimin e shtesës së performancës.

“Do të vazhdojmë vizitat e takimet në komuna e shkolla për të dëgjuar e adresuar secilën brengë e ide të nxënësve, mësuesve, prindërve e udhëheqësve të shkollave.Një muaj i humbur i mësimit është një dëm i madh, andaj dhe puna e angazhimi i të gjithë neve për të përmirësuar këto humbje, duhet të jetë edhe më i madh”, ka shkruar Nagavci.

Nagavci ka thënë se Ministria e Arsimit do të vazhdojë t’i kushtojë vëmendje përmirësimittë kushteve të punës në çerdhe e shkolla, ofrimin e mundësive të barabarta për nxënësit e studentët, mbështetjen e punëtorëve të arsimitdrejt përmirësimit të mësimdhënies së tyre.

“Në këtë drejtim, tashmë kemi ndërmarrë një varg veprimesh konkrete dhe nuk do të ndalemi me kaq.Në Projektligjin e ri për Paga punëtorët e arsimit për herë të parë janë trajtuar dinjitetshëm dhe do të kenë koeficientin më të lartë se që e kanë pasur ndonjëherë.Me këtë rast, ftoj të gjithë mësimdhënësit që të japin kontributin e tyre me komente e sugjerime, që të kemi një Projektligj sa më të mirë për pagat”, ka thënë ajo duke shtuar se mirëpret dialogun social me SBASHK-un.

Ndryshe, sot SBASHK-u ka njoftuar për pezullimin e grevës deri në janar të vitit të ardhshëm, por ka paralajmëruar se orët e humbura të mësimit gjatë grevës që zgjati pesë javë nuk do të kompensohen.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *