Die. Tet 6th, 2024

Nesër mbahet takimi për targat/ BE-ja kërkon kompromis

Bashkimi Evropian ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia që të arrijnë kompromis për çështjen e targave të makinave, teksa kanë mbetur edhe dy ditë që të gjendet një zgjidhje afatgjate për këtë çështje.

Të mërkurën dhe enjten (20 dhe 21 prill) në Bruksel do të zhvillohen takimet e delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e BE-së, në përpjekje për të gjendur zgjidhje për targat e makinave të Kosovës dhe Serbisë.

Fillimisht do të takohen grupet punuese të Kosovës dhe Serbisë, që janë krijuar për këtë çështje. Më 21 prill, kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, po ashtu pritet të takohen me ndërmjetësimin e të dërguarit të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak.

Diplomatët në BE i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se nuk dëshirojnë të shohin tensione në pikat kufitare midis Kosovës dhe Serbisë, siç kishin parë shtatorin e vitit të kaluar. Prandaj, ata kanë bërë thirrje që të shfrytëzohen këto takime të fundit që të arrihet një marrëveshje.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi më 18 prill se për Kosovën, është i padiskutueshëm dhe panegociueshëm “parimi i reciprocitetit si thelb i çfarëdo zgjidhjeje të ardhshme” për çështjen e targave.

Këto deklarata të Kurtit, në Serbi i kanë parë si kërcënim.

Kosova thotë se parimi i reciprocitetit për targat “është i panegociueshëm”
Duke rikujtuar takimin e fundit të grupeve punuese, që u zhvillua më 7 prill në Bruksel, zëdhënësi i BE-së për çështje të jashtme dhe siguri, Peter Stano, tha për Radion Evropa e Lirë se “rundet e reja të takimeve do të zhvillohen më 20 dhe 21 prill në Bruksel, pikërisht para se të skadojë mandati i tyre”.

“BE-ja i ka ndihmuar të dyja delegacionet për të identifikuar zgjidhjet, por është në përgjegjësi të palëve që të pajtohen për një zgjidhje. Ne presim nga to që të ketë përparim deri më 21 prill”, tha Stano.

Ai shtoi se “BE-ja dëshiron t’ua rikujtoj palëve edhe një herë se tani është urgjent që të arrihet një qëndrim i përbashkët. Secila marrëveshje për targat kërkon fleksibilitet politik dhe kompromis nga të dyja palët”.

Mandati i grupeve punuese skadon më 21 prill, pasi më 30 shtator me ndërmjetësimin e BE-së, palët arritën një marrëveshje të përkohshme të targave.

Marrëveshja e përkohshme pasoi vendimin e 20 shtatorit të Qeverisë së Kosovës që vendosi masën e reciprocitetit për çështjen e targave serbe, që nënkuptonte se me të hyrë në territorin e Kosovës, makinat me targa serbe, duhet të merrnin targa provuese. Ideja ishte që këto targa provuese të ishin të vlefshme për 60 ditë dhe të kushtonin pesë euro.

Deri atëherë, qytetarët e Kosovës, të cilët kishin targa RKS (Republika e Kosovës), përgjatë një dekade, kur hynin në territorin e Serbisë, paguanin rreth pesë euro për targat provuese, që vlenin për 60 ditë.

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për targat më pas nxiti protesta dhe bllokada nga serbët lokalë, të cilët shtatorin e kaluar bllokuan rrugët që çonin në dy pikëkalimet kufitare që lidhin Kosovën dhe Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak.

Edhe pse në Bruksel deklarojnë se “nuk duan të komentojnë deklaratat që jepen në Serbi dhe Kosovë rreth mundësisë së rritjes së tensioneve, sidomos në veri [të Kosovës]”, ekziston frika se situata mund të përshkallëzohet, siç kishte ndodhur vitin e kaluar.

Në takimet e mëhershme në Bruksel, pala kosovare kishte thënë se nuk është e interesuar për një zgjidhje të përkohshme.

Por, të njëjtat burime në Bruksel besojnë se “ka hapësirë për kompromis”. Në BE shpresojnë që të gjendet një zgjidhje sepse diçka e tillë jo vetëm që do të ndihmonte lirinë e lëvizjes, por do të shënonte një kthesë pozitive në dialogun Kosovë-Serbi, që ndërmjetësohet nga blloku evropian.

Edhe pse nuk janë të sigurt nëse do të ketë zgjidhje në takimet në dy ditët e ardhshme në Bruksel, në BE thanë se “palët megjithatë kanë zvogëluar dallimet mes tyre dhe do të ishte për keqardhje nëse nuk shfrytëzohet rasti për kompromis”.

Sipas burimeve, Kosova dhe Serbia janë po ashtu afër arritjes së pajtimit për çështjet e energjisë dhe të pagjeturve. Por, për këto dy tema, siç thanë në Bruksel, kërkohet më shumë vullnet politik nga të dyja palët.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *