Sht. Maj 18th, 2024

NGJARJE DITE, E DIEL, 14.03.2021

By Rtv Arbëria Mar 14, 2021

Abdixhiku nuk shkon te henen në takim me Kurtin e Osmanin, ju propozon ditën e premte për takim

Kryetari i ri i LDK-së Lumir Abdhixiku, theksoi se partia e tij do jetë konstruktive me partitë e tjera me të në krye.
Ai ka refuzuar parimisht ftesën e Kurtit dhe Osmanit për tu takuar të hënën, ndërkohë që ka një propozim që takimi të mbahet të premten.
“Ishte proces i rregullt dhe demokratik, me kulturë të lartë politike. Kemi vendosur një standard të ri e të lartë në Kosovë. I falënderoj delegatët që ma besuan detyrën e të parit. Duhet ta bëjmë rikthimin e shpejtë, falënderoj edhe kundër kandidatët për kulturën e lartë. Qasja jonë do jetë konstruktive, pjesë e platformës time është që të jemi konstruktiv me partitë shqiptare, jemi pjesë e institucioneve dhe kemi përgjegjësi, theksoi Abdixhiku para mediave.
Ai ka thënë se nesër do dal në zyrën e LDK-së.
“Falënderoj Kurtin e Osmanin për ftesën por e kam të pamundur të marr pjesë në takimin e nesërm, propozoj të premten si datë për takim.”, deklaroi Abdixhiku…

Anton Quni tregon pse u tërhoq sot nga gara, “shkrihet” për kryetarin e ri

Anton Quni ka thënë se është tërhequr sot nga gara për kreun e ri të LDK-së për t’i hapur rrugën frymës së re të ndryshimit, e që sipas tij këtë rrugë do e trasojë Lumir Abdixhiku në mënyrën më të mirë.
Quni thotë se ndihet i lumtur që është pjesë e këtij ndryshimi që ndodhi sot dhe që sipas tij tani ka nisur një etapë e reformave substanciale në LDK.
Quni i ka ofruar përkrahje të plotë kreut të ri të partisë duke premtuar se do t’i rikthehet dinjiteti i humbur LDK-së.
“Të nderuar delegatë të Këshillit të Përgjithshëm, e sidomos Ju mbështetës të Lidhjes Demokratike të Kosovës,
Sot, në Kuvendin Zgjedhor, ashtu siç ka reflektuar çdo herë, Lidhja Demokratike tregoi maturinë dhe nivelin më të lartë të përgjegjësisë, për të qenë të unifikuar për t’i dhënë përkrahjen një Kryetari të ri, që reflekton si një Rilindje, për frymën e re drejt rrugëtimit që sot fillon “Lidhja jonë e Re”.
Sot, nuk ishte e lehtë të merrja një vendim për t’u tërhequr nga gara, por përgjegjësia për t’i hapur rrugën frymës së re dhe ndryshimit pozitiv, që më së miri do t’i përfaqësonte Lumiri, mendova se ishte vendimi i duhur.
Prandaj, të dashur mbështetës dhe anëtarë, Jam shumë i lumtur që jam pjesë e këtij ndryshimi!
Sot, “Lidhja” dëshmoi edhe njëherë që aspirata e papërmbushur në dukje, për demokracinë, na bashkoi në një proces zgjedhor kredibil, për të reflektuar mbi shembullin më të lartë dhe fisnik, që tejkalon interesat individuale të secilit, në kërkim të kohërave më të mira dhe reflektim për nivelin më të lartë të kulturës demokratike.
Nga sot, fillon një etapë e re e demokracisë së brendshme dhe një reformë substanciale, siç din “Lidhja” jonë, si një parti tradicionale që i ka ndriçuar çdo herë rrugën e ndryshimit, çdo procesi demokratik të vendit tonë.
I dashur miku im Lumir,
Do të jem perkrah në secilën ditë, në secilin moment, për të materializuar një proces të mirëfilltë evoluimi, për të jetësuar frymën imponuese dhe të pa-kompromis, të një ndryshimi thelbesor pozitiv; të promovimit të vlerave më të larta, të integritetit, profesionalizmit, meritokracisë dhe gjithëpërfshirjes.
Bashkë, do të rikthejmë dinjitetin e humbur të “Lidhjes” sonë, për të nxitur aktivistët, për të rikthyer anëtarët në shtëpinë e vjetër të tyre dhe për t’i hapur rrugën anëtarëve të rinj me kompetencë dhe integritet profesional, për t’i dhënë mundësitë meritore grave dhe rinisë; sepse kjo ishte fryma Rugoviane, sepse të tillë e deshi “Lidhjen” tonë, Presidenti Rugova.
Me Ty Lumir, bashkë, këtë kauzë do t’a jetësojmë, sepse literalisht, s’ka asnjë alternativë tjetër.
Të dashur mbështetës dhe anëtarë,
Sot, anëtarësia e LDK-së, unike si asnjëherë më parë, vulosën me votën e tyre të lirë, një ndryshim, në një momentum historikisht të domosdoshëm për të ardhmen e saj. Ne besojmë fuqishëm se zanafilla e kësaj përpjekjeje fillon dhe mbaron këtu, në “Lidhjen” tonë për të nxitur çdo diskutim, për të replikuar e për të marrë vendime, për të dialoguar e për të arritur konsensuse, sa herë që na kërkohet që të vet-reflektojmë, të vet-përmirësohemi; e posaçërisht, për të shprehur maturinë tonë sa herë që na thërret atdheu, për t’i dhënë krahë mbështetjes së proceseve shtetërore dhe forcimit të subjektivitetit të shtetit tonë.
Ndërkaq, si parti opozitare, e kam bërë të ditur faktin se do t’i japim kuptim demokracisë parlamentare, duke e dhënë shembullin më të shkëlqyeshëm të një partie opozitare dhe të mirëfilltë demokratike; duke respektuar me përkushtimin më të lartë paprekshmërinë dhe pavarësinë e funksionimit të institucioneve të shtetit dhe respektimin e Kushtetutës. Por që, nga partitë në pushtet, do të ngrisim në nivelin më të lartë llogaridhënien dhe përgjegjësinë për secilën punë publike; ndërkaq konsensusin e përjashton vetëm një pikë: “qeverisja kundër vlerave demokratike”.
Në fund,
Me përuljen më të lartë për të gjithë anëtarët që votuan sot dhe të gjithë mbështetësit, që ndryshimit pozitiv dhe frymës së re Rugoviane i dhanë privilegjin e jashtëzakonshëm, për t’i dhënë fuqi udhëheqjes së re në krye me Kryetarin e ri, Kryetarin tonë, Lumirin!
Por që dua të nënvizoj, se ky besim është përgjegjësia më e lartë në gjithë historikun e Lidhjes Demokratike të Kosovës, sepse jemi të vetëdijshëm se ndryshimi dhe rikthimi nuk janë rruga më e lehtë. Por që nga sot, puna dhe përkushtimi për “Lidhjen” do të projektohen në programin e ndryshimit dhe me pasionin emblematik nuk do të ndalemi, derisa të arrijmë të përmbushim ëndrrën Rugoviane!
Do të jemi së bashku pjesë e ndryshimit pozitiv në rrugëtimin tonë të ri të “Lidhjes” sonë” shkruan Quni në njoftim!.

Melihate Tërmkolli: S’jam më në LDK

Anëtarja e LDK-së, Melihate Tërmkolli ka bërë të ditur se nuk është më pjesë e këtij subjekti politik.
Pas përfundimit të zgjedhjes së Këshillit të Përgjithshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Melihate Tërmkolli ka deklaruar se më nuk është pjesë e këtij subjekti politik.
“S’jam në LDK më”, deklaroi shkurt Tërmkolli.
Theksojmë se gjatë ditës së sotme, 190 delegatë ia kanë dhënë besimin Lumir Abdixhikut që ai të jetë kryetar i LDK-së.
Në anën tjetër Tërmkolli prej vitesh ka qenë anëtare e LDK-së…

6 të vdekur vdekur nga Covid, 565 raste të reja dhe 304 të shëruar
Njoftimi plotë nga IKSHPK!
304 TË SHËRUAR DHE 565 RASTE ME COVID-19!
Gjatë 24 orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK dhe laboratoret private me metodën RT-PCR, si dhe laboratoret publike dhe private me metodën RAT, janë testuar gjithsej 3.444 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, prej të cilëve rezultojnë 565 raste pozitive.
Brenda 24 orëve janë raportuar 6 raste të vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv. Rastet e vdekjes janë nga komunat: Prizren 2 raste (64, 64 vjeç), Dragash 1 rast (86 vjeç), Prishtinë 1 rast (72 vjeç), Suharekë 1 rast (78 vjeç) dhe Vushtrri 1 rast (67 vjeç).
Numri total i rasteve pozitive është 77.253 raste nga 354.967 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 1.702 raste të vdekjes.
Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 304 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 64.666 raste, kurse numri i rasteve aktive është 10.885.
Rastet pozitive janë nga komunat: Prishtinë 231 raste, Pejë 44 raste, Ferizaj 35 raste, Gjakovë 32 raste, Mitrovicë 31 raste, Gjilan 22 raste, Fushë-Kosovë 21 raste, Vushtrri 20 raste, Kamenicë 18 raste, Obiliq 15 raste, Podujevë 12 raste, Viti 10 raste, Prizren 9 raste, Drenas 8 raste, Lipjan 8 raste, Skenderaj 8 raste, Suharekë 8 raste, Deçan 6 raste, Rahovec 5 raste, Graçanicë 4 raste, Novobërdë 4 raste, Istog 3 raste, Klinë 3 raste, Dragash 2 raste, Kaçanik 2 raste, Kllokot 2 raste dhe me nga një rast komunat Hani i Elezit dhe Shtërpcë.
Mbuloni gojën dhe hundën me maskë!
Mbani higjienën!
Respektoni distancën!!

Kosova hapi ambasadën e saj në Jerusalem, çka shkruan VOA?

Ministria e Jashtme e Kosovës tha të shtunën se ka hapur ambasadën në Jerusalem, duke e bërë Kosovën vendin e tretë që hap misionin e saj diplomatik në atë qytet.
Në një njoftim të ministrisë së Jashtme të Kosovës të publikuar në rrjetet sociale thuhet se “bazuar në Marrëveshjen e Uashingtonit të 4 shtatorit 2020, ku zyrtarizohet njohja e ndërsjellë mes Republikës së Kosovës dhe Shtetit të Izraelit dhe zotimit të Qeverisë së Kosovës ndaj Qeverisë izraelite dhe Administratës amerikane dhe veprimet që janë̈ ndërmarrë nga 1 shkurti, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ju njofton se tashmë është hapur edhe zyrtarisht Ambasada e Kosovës në Shtetin e Izraelit, me seli në Jerusalem”.
Me 1 shkurt Kosova dhe Izraeli vendosën marrëdhënie diplomatike, pasi që më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë, në kuadër të një dakordimi për normalizimin ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në praninë e ish presidentit amerikan Donald Trump, pjesë e të cilit ishte edhe pajtimi i Izraelit për njohjen e Kosovës dhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike.
Ministria e Jashtme tha të shtunën se “në pamundësi për të qenë prezentë̈ në Jeruzalem përfaqësuesit e shtetit të Kosovës, për shkak të situatës pandemike, Ministria e Punëve të Jashtme ka udhëzuar të Ngarkuarën me Punë në Izrael që Pllakën e zbuluar nga Ministri Ashkenazi, bashkë me flamurin shtetëror, ta vendosë në objektin e Ambasadës së Kosovës në Jeruzalem”.
Kosova ka emëruar zonjën Ines Demiri të ngarkuar me punë ndërsa emërimi i ambasadorit do të bëhet më vonë.
“Vendosja e pllakës dhe flamurit shtetëror në Ambasadën e Kosovës në Izrael reflekton përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për të përmbushur zotimin e dhënë për vendosjen e misionit diplomatik në Jeruzalem. Ambasada e Republikës së Kosovës në Jeruzalem do të përkushtohet fuqimisht për të rritur bashkëpunimin bilateral dhe për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit të Kosovës”, thuhet në njoftimin e ministrisë së Jashtme të Kosovës.
Njoftimi i sotëm u dha fund debateve që ishin nxitur në Kosovë për shkak të reagimeve të vendeve që kundërshtojnë vendosjen e ambasadave në Jerusalem, përfshirë Turqinë e cila e cilësoi “zhgënjyes” faktin që “një hap i tillë, që do të përbënte shkelje të qartë të ligjit ndërkombëtar, po shqyrtohet nga autoritetet e Kosovës”.
Menjëherë pas marrëveshjes së 4 shtatorit në Shtëpinë e Bardhë, Bashkimi Evropian ishte shprehur i shqetësuar me zotimin e Kosovës për vendosjen e ambasadës në Jerusalem.
Në fund të vitit 2017, ish presidenti amerikan Donald Trump, shpalli vendimin e qeverisë së tij për të njohur Jerusalemin si kryeqytet të Izraeli dhe në maj të viti 2018 hapi ambasadën në atë qytet. Guatemala është vendi i dytë që zhvendosi ambasadën nga Tel Avivi në Jerusalem.
Të enjten në 11 mars Republika Çeke hapi përfaqësinë e saj diplomatike në Jerusalem./VOA..

Dalin detaje të reja për vrasjen e dyfishtë në Prishtinë, flasin nga Policia

Hetimet për vdekjen e dy personave në lagjen “Emshir” në Prishtinë tregojnë se bëhet fjalë për një vrasje dhe vetëvrasje.
Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Agron Borovci
“Nga këqyrja e vendit të ngjarjes – kryerjes së ekzaminimeve forenzike të deritanishme si dhe veprimeve të para hetimore policia ka ngritur versionin e hetimit se kemi të bëjmë me rast të vrasjes dhe vetëvrasjes. Viktimat një femër 44 vjeç dhe një mashkull 44 vjeç, shtetas kosovar, kanë humbur jetën nga plagët e marra me armë zjarri”, tha ai.
Në vendin e ngjarjes policia ka sekuestruar edhe një armë zjarri e cila dyshohet të jetë arma e përdorur në rast.
…………
Gjatë ditës së sotme është duke raportuar për vrasjen e dyfishtë që tronditi Prishtinën.
Burime të medias mësojnë se i dyshuari që vrau ish gruan është Lulzim Sopi, i lindur në vitin 1976 dhe është nga qyteti i Gjilanit.
Burime nga vendngjarja kanë bërë të ditur se Lulëzimi për motive xhelozie fillimisht ka qëlluar ish-bashkëshorten e tij, Sebahate Sopen, dhe më pastaj ka kryer vetëvrasje.
Afër trupave të çiftit është gjetur edhe një armë zjarri që dyshohet se është përdorur në këtë aktit të vrasjes së dyfishtë.
Lajmin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës.
“Rreth orës 09:00 policia ka pranuar informatën për dy persona të pajetë në lagjen Emshiri në Prishtinë. Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes bashkë me prokurorin e shtetit dhe mjekët emergjent”, ka bërë të ditur zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci…..

Moti
Gjatë dites se hene parashikohet mot i vranet dhe me shi, temperaturat do të lëvizin nga 1 deri në 6 gradë celcius . Ne Tirane parashihet poashtu Mot pjeserisht i branet dhe mundesi per te reshura shiu ,temperatura do te levizin nga 2 deri në 11 gradë celcius .

COVID-19 NË KOSOVË:
Total raste: 77253 , Të shëruar: 64666 ,të vdekur: 1702
www.rtvarberia.com Tri kanalet e RTV Arbëria si dhe Radion mund të i ndiqni edhe në www.iptvshqipott.com

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *