Enj. Dhj 5th, 2024

NGJARJE DITE, E SHTUNE 13.03.2021

Ky është rendi i ditës i Kuvendit të LDK-së, ku do të zgjidhet kryetari i ri

Nesër do të mblidhen delegatët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për të zgjedhur kryetarin e ri.
Janë rreth 350 delegatëve të kësaj partie që do të marrin pjesë nesër në një prej takimeve më të rëndësishme për të ardhmen e partisë, iu është dërguar edhe rendi i ditës.
Mbledhja do të fillojë në orën 10:00 të mëngjesit, derisa nga ora 9 deri në orën 9 e 45 është koha kur delegatët duhet të mblidhen në hotelin “Emerald” ku edhe do të mbahet Kuvendi Zgjedhor.
Në pikën e parë të rendit të ditës do të zgjidhen trupat punuese të Kuvendit, derisa në pikën e dytë të rendit të ditës do të jetë zgjedhja e kryetarit të ri të Lidhjes Demokratike të Kosovës që do ta pasojë Isa Mustafën.
Deri tash, kandidaturat e bëra publike janë ajo e Lumir Abdixhikut, Lutfi Haziri, Anton Qunit dhe Besian Mustafës.
LDK në këtë proces të brendshëm zgjedhor ka hyrë pas një disfate të rëndë në zgjedhjet e 14 shkurtit ku doli si parti e tretë me 100 mijë vota më pak se në zgjedhjet e kaluara të 6 tetorit..

Ky do të jetë prioriteti i Albin Kurtit, bashkëpunëtori zbulon lidhjen e kreut të VV-së me ushtrinë e Kosovës

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar sot rezultatin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të mbajtura më 14 shkurt të këtij viti sipas së cilave Lëvizja Vetëvendosje është partia fituese më 50.28 për qind të votave. Pas këtij vendimi, Kushtetuta e Kosovës e obligon presidentin e vendit që në një afat prej 30 ditësh të thërras seancën e parë të Kuvendit për të formuar institucionet e reja.
E, pasi kanë mbetur edhe pak ditë deri te krijimi i institucioneve të reja, anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli, ka zbuluar prioritetet e fituesit të zgjedhjeve të 14 shkurtit.
Dugolli ka treguar se Kurti do ketë prioritet zhvillimin, forcimin dhe avancimin e Forcës sonë.
Madje ai thotë se Kurti gjithmonë e ka dashtë dhe respektuar Ushtrinë e Kosovës.
Ja shkrimi i tij:
Albin Kurti gjithmonë e ka dashtë dhe respektuar Ushtrinë e Kosovës.
Tani Kryeministër legjitim i Qeverisë së Republikës së Kosovës do ketë prioritet zhvillimin, forcimin dhe avancimin e Forcës sonë.
Ditë të mira po vijnë për vendin tonë!.

Mesazhi i Palmer për opozitën, vjen thirrja tjetër nga Amerika: Vjosa Osmani presidente, është vullneti i popullit

Mathew Palmer, ndihmës sekretar dhe përfaqësues special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, rreth votimit për president të Kosovës pati një mesazh të qartë për opozitën.
Në një intervistë, Palmer ditë më parë ka thënë se opozita duhet të jetë lojale dhe të sigurojë që ka kuorum në ditën kur të votohet presidenti në Kuvend.
“Sa i përket zgjedhjeve për president, ne mendojmë se ato parti që do jenë në opozitë, të veprojnë me përgjegjësi si opozitë lojale. Lojale jo ndaj qeverisë, por lojale ndaj shtetit, të bëjnë punën e tyre. Të jenë të pranishëm, të sigurojnë që ka kuorum për të votuar dhe që institucionet të funksionojnë”, tha Palmer.
E, këtë deklaratë të Palmer, përmes një shkrimi të dërguar në redaksinë e gazetës “Bota sot”, e ka komentuar njohësi i zhvillimeve politike.
Nijazi Halili, anëtar i rregullt i Akademisë Shqiptare-Amerikane për Shkencë dhe Arte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke komentuar këtë deklaratë, ka thënë se ky ishte një masazh i qartë nga SHBA-ja për skenën politike, se duhet t’i jepet mbështetja e nevojshme Vjosa Osmanit, që kjo e fundit të zgjidhet presidente e vendin.
Ai mendon se e gjithë kjo është në interesin e vendit.
“Palmer, shpreh dëshirë të shoh një qeveri partnere të fortë për SHBA-të. Duket se ka rrugë të qartë përpara drejt një qeverie të fortë në Kosovë që mund të jetë partnere e SHBA-së. Për formim të Qeverisë nevojiten 61 vota, ndërsa sa i përket presidentit, kandidatët për këtë pozitë duhet të kenë 80 vota. Sipas mesazhit të Mathew Palmer, ndihmës sekretari dhe përfaqësuesi special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, është bërë e ditur për opinion publik se është në interes të vendit dhe qytetarëve që procesi mos të pengohet në krijimin e institucioneve të vendit nga opozita dhe t’i jepet mbështetje e plotë për presidente znj. Vjosa Osmani”, ka deklaruar Halili.
Anëtari i rregullt i Akademisë Shqiptare-Amerikane për Shkencë dhe Arte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka theksuar se mbështetja amerikane për Osmanin është e arsyeshme, pasi sipas tij, është zëri dhe vullneti i popullit.
“Vendin e presin detyra dhe sfida të shumta e me mjaftë përgjegjësi, siç është dialogu, sundimi i ligjit dhe lufta kundër korrupsionit. Është e arsyeshme dhe e drejtë mbështetja amerikane për Vjosa Osmanin presidente, pasi është zëri dhe vullneti i popullit i shprehur me votë të lirë e demokratike”, tha ai…

8 të vdekur vdekur nga Covid, 578 raste të reja dhe 470 të shëruar
Njoftimi plotë nga IKSHPK!
470 TË SHËRUAR DHE 578 RASTE ME COVID-19!
Gjatë 24 orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK dhe laboratoret private me metodën RT-PCR, si dhe laboratoret publike dhe private me metodën RAT, janë testuar gjithsej 3.142 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, prej të cilëve rezultojnë 578 raste pozitive.
Brenda 24 orëve janë raportuar 8 raste të vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv. Rastet e vdekjes janë nga komunat: Prishtinë 2 raste (92, 84 vjeç), Gjakovë 1 rast (70 vjeç), Gjilan 1 rast (71 vjeç), Klinë 1 rast (83 vjeç), Rahovec 1 rast (74 vjeç), Viti 1 rast (64 vjeç), Vushtrri 1 rast (67 vjeç).
Numri total i rasteve pozitive është 76.688 raste nga 351.523 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 1.696 raste të vdekjes.
Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 470 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 64.362 raste, kurse numri i rasteve aktive është 10.630.
Rastet pozitive janë nga komunat: Prishtinë 173 raste, Gjilan 53 raste, Fushë-Kosovë 39 raste, Lipjan 32 raste, Gjakovë 31 raste, Vushtrri 31 raste, Mitrovicë 30 raste, Pejë 29 raste, Prizren 28 raste, Podujevë 24 raste, Kamenicë 17 raste, Ferizaj 16 raste, Deçan 9 raste, Suharekë 9 raste, Drenas 8 raste, Shtime 7 raste, Istog 6 raste, Dragash 5 raste, Malishevë 5 raste, Graçanicë 4 raste, Obiliq 4 raste, Skenderaj 4 raste, Kaçanik 3 raste, Klinë 3 raste, Rahovec 3 raste, Viti 3 raste dhe Novobërdë 2 raste.
Mbuloni gojën dhe hundën me maskë!
Mbani higjienën!
Respektoni distancën!!

Nis vaksinimi i mësuesve, Rama: Nga e hëna procesi shtrihet në të gjithë Shqipërinë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka premtuar se shumë shpejt në Shqipëri do të vijnë doza masive vaksinash që mund të lejojnë një vaksinim masiv të popullatës.
Rama në një deklaratë për mediat pasi pa nga afër procesin e vaksinimit në shkollën “4 Dëshmorët” në Tiranë, tha se të hënën do të nisë vaksinimi i mësuesve në të gjithë Shqipërinë.
Ai shtoi më tej se procesi i vaksinimit pritet të shkojë sipas planit dhe do të ketë një sezon turistik më të lehtësuar.
“Do të shtrihet ditën e hënë nëntë gjithë Shqipërinë sipas njësive administrative, me shkollat që do të shërbejnë si qendër vaksinimi. Është një hap i madh përpara dhe unë kam shumë shpresë që më fund në ditët në vijim do të kemi një lajm të mirë për një sasi shumë të madhe. Kjo do të na ndihmojë që të kemi një sezon turistik me të lehtë se zakonisht”, u shpreh Rama.
Po ashtu pati një përgjigje për të rinjtë e PD që protestuan kur ai shkoi në ambientet e shkollës “4 Dëshmorët, duke thënë se nuk ka ende vaksinë për tërbimin.
Vaksinën për të tërbimin nuk e kemi për fat të keq dhe do na duhet të jetojmë me këtë tërbim. Ajo që ka rëndësi duhet të mundim kundërshtarin e padukshëm, por rëndësi ka që do mundim”, u shpreh Rama..

Kishin mospajtime politike, Behgjet Pacolli tregon a do t’ia votojë Albin Kurtit qeverinë e re më 25 mars

Kreu i Aleancës Kosova e Re Behgjet Pacolli, ka folur për rezultatin e zgjedhjeve të mbajtura më 14 shkurt në Kosovë.
Ai ka thënë se këto zgjedhje ishin korrekte dhe demokratike, teksa ka theksuar se u ndëshkuan si AKR, për shkak të koalicionit me LDK-në.
“Zgjedhjet e 14 shkurtit, përkundër disa anomalive, në përgiithësi ato ishin korrekte dhe demokratike për çka duhet falënderuar në rend të parë qytetarët e Kosovës. Vota ka qenë plebishitare dhe ndëshkuese po jo aq për zgjidhje. Koalicionin me LDK-në e paguam edhe ne, si ndëshkim i qytetarëve ndaj kësaj partie, siç thonë për t’skejt të thatit shkon edhe i njomi”, ka thënë Pacolli për Le Canton27.ch, përcjell Bota sot.
Pacolli ka konfirmuar se do të votojë për qeverinë “Kurti 2”, më 25 mars, kur pritet të mbahet seanca për formimin e qeverisë së re.
Pacolli ka treguar se këtë do ta bëjë për shkak të qytetarëve, pasi sipas tij, ata humbin shumë me bllokada politike.
“Zgjedhjet e fundit dëshmuan se populli ishte për ndryshim, madje edhe unë vet këtë e kam konfirmuar duke e votuar qeverinë Kurti, që më pas kam votuar edhe qeverinë tjetër dhe tash më 25 mars padyshim se do ta votoj edhe Qeverinë Kurti 2. Unë, tërë jetën kam votuar qeveri, duke menduar se institucionet e vendit janë të nevojshme për qytetarët e Kosovës! Unë i votoj qeveritë, sepse e di fort mirë se sa Kosova, qytetarët tanë humbin me bllokada politike dhe vendi ynë nuk guxon të ketë këso bllokadash, vakumesh institucionale dhe vendi ynë nuk e ka atë luks për këto manovrime politike, sepse ashtu-kështu neve na ka ikur treni këta muajt e fundit duke u grindur me qeverinë në kohë pandemie, duke harruar qytetarët tanë”, ka konfirmuar i pari i AKR-së.
Ai ka thënë se do ta votojë qeverinë “Kurti2”, përkunër mospajtimeve politike me të. Sipas tij, qytetarët nuk meritojnë “maltretim” me zgjedhje të reja në pandemi.
“Pavarësisht nga hidhërimet apo mospajtimet e mia me zotin Albin Kurti, fundja jetojmë në një vend me pluralizëm politik, të cilat gjëra mund të ndodhin, unë sërish do ta votoj qeverinë Kurti. Garda e FSK-së para Qeverisë së Kosovës, unë isha ai që ia dorëzova postin e kryeministrit të ri Albin Kurtit. Ju siç e dini vitin e kaluar, kur te gjithë ikinin, isha i vetmi personalitet që ia dorëzova si burrat detyrën e kryeministrit z.Kurti, ku qeverinë dhe ministritë ia dorëzova jo thjeshtë me një letër, por me një raport të punës se si dhe çfarë duhet vepruar në afat të shkurt, të mesëm apo afatgjatë dhe plus ia kam rregulluar ambientet me paratë e mia. Unë i dëshiroj Albin Kurtit sa më gjatë t’i zgjat mandati se vërtetë Kosova është traumatizuar me këto zgjedhje. Më 25 mars do ta votoj pa hezituar Qeverinë Kurti-2, duke menduar se institucionet e vendit janë të nevojshme për qytetarët e Kosovës! Boll më me zgjedhje, ky popull nuk e meriton këtë maltretim aq më tepër në këtë kohë pandemie. Të bashkohemi e të ndërtojmë dhe zhvillojmë Kosovën tonë, se vetëm me punë dhe unitet mund të ecim përpara, s’ka alternativë tjetër”, ka shtuar Behgjet Pacolli….

Moti
Gjatë dites se diele parashikohet mot pjeserisht me diell, temperaturat do të lëvizin nga 4 deri në 15 gradë celcius . Ne Tirane parashihet poashtu Mot pjeserisht me diell,temperatura do te levizin nga 6 deri në 19 gradë celcius .

COVID-19 NË KOSOVË:
Total raste: 76688 , Të shëruar: 64362 ,të vdekur: 1696
www.rtvarberia.com Tri kanalet e RTV Arbëria si dhe Radion mund të i ndiqni edhe në www.iptvshqipott.com

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *