Pre. Kor 19th, 2024

NGJARJET E DITES, E ENJTE 01.04.2021

By Rtv Arbëria Pri1,2021

Të premten Kuvendi i Kosovës mbanë seancë, ja rendi i ditës

Kuvendi i Kosovës do të mbajë këtë të premte seancën e radhës, në të cilën janë të parapara tri pika të rendit të ditës.
Në bazë të një njoftimi që ka dërguar Kuvendi i Kosovës, gjatë kësaj seance do të ketë deklarime jashtë rendit të ditës, pyetjet parlamentare dhe shqyrtimi i Propozim-vendimit për formimin e komisioneve parlamentare.
Pas konstituimit të Kuvendit të Kosovës, që u bë pas zgjedhjeve parlamentare të 14 shkurtit, pos seancës për konstituimin e Kuvendit, ku është zgjedhur kryetari i Kuvendit, kjo është seanca e tretë me radhë..

Me urdhër të Prokurorisë Speciale ngrihen 700 mijë euro të “Call center” në Kosovë

Aksioni i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, i nisur një ditë më parë në “Call center” në 17 lokacione të ndryshme në Prishtinë dhe Ferizaj, ka vazhduar edhe sot.
Prokuroria Speciale njofton se gjatë ditës së sotme janë ngrirë shtatëqindmijë (700.000) euro.
Ato dyshohet se janë përfituar nga veprimtaritë e “Call center” në mënyrë të kundërligjshme, lidhur me veprat penale të “Mashtrimit” dhe “Krimit të organizuar”.
Deri më tani nga ky operacion janë ngrirë shtatëqindmijë (700.000) euro, janë sekuestruar njëqindegjashtëdhjetëmijë (160.000) euro, gjashtë (6) vetura, janë arrestuar tetëmbëdhjetë (18) persona, si dhe një numër i konsiderueshëm i kompjuterëve, serverëve dhe telefonave mobil e të cilët janë shfrytëzuar për kryerjen e veprave penale..

Kurti liron nga detyra zëvendësministrin Dugolli, kjo është arsyeja

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka liruar nga detyra e zëvendësministrit të Mbrojtjes, Enver Dugollin.
Zyra e Kryeministrit ka njoftuar se lirimi i Dugollit nga detyra është bërë me kërkesë të tij.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka liruar nga detyra zëvendësministrin e Mbrojtjes, Enver Dugolli. Nëpërmjet një letre drejtuar Kryeministrit Kurti, zëvendësministri i Mbrojtjes Dugolli, ka kërkuar që të lirohet nga të gjitha detyrat dhe përgjegjësitë e përcaktuara nga vendimi paraprak për emërimin e tij.
Arsyeja e dorëheqjes së zëvendësministrit Dugolli ka të bëjë me certifikimin si Deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e ZKM-së.
Më herët, Dugolli kishte deklaruar se është i gatshëm ta pranojë pozitën e ministrit të Mbrojtjes, por këtë pozitë Kurti ia ka besuar Armend Mehajt…

12 të vdekur vdekur nga Covid-19, 975 raste të reja dhe 893 të shëruar

Njoftimi plotë nga IKSHPK!
893 TË SHËRUAR DHE 975 RASTE ME COVID-19!
Gjatë 24 orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK dhe laboratoret private me metodën RT-PCR, si dhe laboratoret publike dhe private me metodën RAT, janë testuar gjithsej 5.010 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, prej të cilëve rezultojnë 975 raste pozitive.
Brenda 24 orëve janë raportuar 12 raste të vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv. Rastet e vdekjes janë nga komunat: Prishtinë 2 raste (90, 81 vjeç), Ferizaj 1 rast (92 vjeç), Fushë-Kosovë 1 rast (71 vjeç), Kamenicë 1 rast (62 vjeç), Kaçanik 1 rast (60 vjeç), Mitrovicë 1 rast (81 vjeç), Pejë 1 rast (82 vjeç), Prizren 1 rast (72 vjeç), Rahovec 1 rast (81 vjeç), Suharekë 1 rast (70 vjeç) dhe Vushtrri 1 rast (76 vjeç).
Numri total i rasteve pozitive është 91.405 raste nga 430.860 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 1.884 raste të vdekjes.
Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 893 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 75.647 raste, kurse numri i rasteve aktive është 13.874.
Rastet pozitive janë nga komunat: Prishtinë 328 raste, Ferizaj 120 raste, Gjilan 78 raste, Mitrovicë 66 raste, Prizren 44 raste, Podujevë 42 raste, Gjakovë 37 raste, Pejë 37 raste, Fushë-Kosovë 33 raste, Viti 32 raste, Lipjan 20 raste, Kaçanik 18 raste, Vushtrri 16 raste, Drenas 15 raste, Obiliq 15 raste, Skenderaj 12 raste, Suharekë 12 raste, Deçan 8 raste, Klinë 8 raste, Rahovec 8 raste, Kllokot 6 raste, Istog 4 raste, Kamenicë 4 raste, Shtime 3 raste, Graçanicë 2 raste, Malishevë 2 raste, Novobërdë 2 raste dhe me nga një rast komunat Junik, Shtërpcë dhe Zubin-Potok.
Të nderuar qytetarë!
Duke pasur parasysh vlerësimin dinamik dhe në kohë reale të situatës epidemiologjike me COVID -19, sot janë raportuar 975 raste pozitive, që paraqet numrin më të madh të rasteve pozitive këtë vit me tendencë të rritjes ditëve në vijim. Vetëm në Prishtinë janë raportuar 328 raste pozitive. Shprehim ngushëllime familjarëve për 12 rastet e vdekjeve të raportuara gjatë 24 orëve të fundit.
Numri i rasteve pozitive dhe vdekjeve nga COVID-19 vazhdon të jetë i lartë dhe brengosës si pasojë e drejtpërdrejtë e neglizhimit të masave.
Mjekët të stërngarkuar në spitale po luftojnë kundër këtij virusi tinëzar e shkatërrimtar me tërë fuqinë e tyre profesionale e njerëzore.
IKSHPK përsërit thirrjen për zbatimin e të gjitha masave të përgjithshme dhe specifike për mbrojtjen nga pandemia COVID-19.
Masat parandaluese janë të njëjta me aksent të veçantë se personat pozitiv duhet të qëndrojnë në shtëpi për të parandaluar përhapjen në familje dhe në komunitet. Me zvogëlimin e kontakteve, do ta bëjmë të mundur ndërprerjen e përhapjes së infeksionit.
Andaj rekomandojmë edhe një herë:
1. Të qëndrohet në shtëpi, dhe dalja të jetë vetëm për nevoja të domosdoshme;
2. Ndalimi rigoroz i takimeve me njerëz me të cilët nuk jetoni në bashkësi, pos për qëllime specifike;
3. Ndalimi rigoroz i tubimeve;
4. Respektimi rigoroz i masave kufizuese në aktivitetet publike;
5. Kufizimi i punës për veprimtaritë jo-esenciale dhe vend-ngjarjet duke reduktuar edhe kohën e punës gjatë ditës.
IKSHPK vlerëson se këto masa mund të ndërprenë rritjen e numrit të rasteve, të parandalojnë mbingarkesën e hospitalizimeve dhe të parandalojnë rritjen e numrit të vdekjeve.
IKSHPK apelon tek të gjithë qytetarët, institucionet dhe organizatat publike dhe private, për respektimin dhe ndërmarrjen e të gjitha masave të nevojshme për parandalimin, menaxhimin dhe kontrollin e infeksionit COVID-19, duke marrë parasysh dispozitat e Ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19, dhe vendimet në fuqi mbi masat dhe obligimet e institucioneve për zbatimin e masave të përgjithshme dhe specifike për mbrojtjen nga pandemia COVID-19.
Në veçanti, bëjmë thirrje për zbatimin e rekomandimeve dhe respektimin e masave kufizuese për aktivitetet publike, përkatësisht kufizimeve për grumbullimin e qytetarëve dhe tubimeve publike.
Grumbullimi i qytetarëve pa maska dhe pa mbajtje të distancës shton rrezikun e përhapjes së infeksionit përderisa virusi SARS-COV-2 është prezent në mesin tonë.
Apelojmë tek institucionet përgjegjëse, përkatësisht Policia e Kosovës dhe inspektoratet përgjegjëse që të mbikëqyrin me përpikëri dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e masave dhe vendimeve të tjera në fuqi në zbatim të Ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19 në Republikën e Kosovës.
Qytetarë të nderuar,
Ju lutemi për kujdes të shtuar!
Që të shmangni shkaqet dhe pasojat e infeksionit:
Respektoni masat kufizuese për grumbullimet dhe tubimet publike!
Mbani në mend:
FYTYRA E MBULUAR ME MASKË!
DUART E PASTRA! DISTANCA DHE HAPËSIRA E BOLLSHME!
Mbuloni gojën dhe hundën me maskë!
Mbani higjienën!
Respektoni distancën!!

22 vite pas, familjarët vazhdojnë të kërkojnë drejtësi për masakrën e Lybeniqit

Kanë kaluar 22 vite nga masakra e Lybeniqit të Pejës, e familjarët vazhdojnë të kërkojnë drejtësi për më të dashurit e tyre. Lybeniqi që përjetoi tri masakra, kjo e 1 prillit të vitit 1999 konsiderohet si një ndër masakrat më makabre ku nuk janë kursyer as fëmijët, gratë, e pleqtë, ku mbeten të vrarë afër 70 persona.
Alban Rexhaj, është i mbijetuar i masakrës së Lybeniqit, e që babai i tij është në mesin e të masakruarve nga forcat serbe.
Ai rrëfen ngjarjen e ndodhur 22 vite më parë, teksa shton se është mrekulli nga Zoti që ai ka arritur të shpëtojë..Ai kishte arritur të largohet nga turma vetëm në tentimin e tretë, e që tha se askush nuk kishte arritur ta shihte dhe se emri i tij kishte dalë si i masakruar në mesin e afër 70 bashkëfshatarëve…

Gashi: Për presidentin, LDK ka marrë vendim politik, çështja e deputetëve është individuale

Lëvizja Vetëvendosje ende nuk ka mbledhur nënshkrimet për thirrjen e seancës së jashtëzakonshme për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës, konfirmojnë zyrtarët e kësaj partie, e cila ka shumicën në Kuvendin e Kosovës.
Lidhja Demokratike e Kosovës, gjatë kësaj jave mori vendimin që të mos bëjë obstruksione në procesin e zgjedhjes së presidenti të vendit.
Prania e deputetëve të LDK-së në seancën e Kuvendit të Kosovës, kur do të votohet për zgjedhjen e presidentit, është e domosdoshme për mundësimin e kuorumit në këtë proces….

Moti
Gjatë dites se premte parashikohet mot pjeserisht me diell pasdite mundesi per te reshura te shiut dhe bubullima , temperaturat do të lëvizin nga 7 deri në 18 gradë celcius Ndersa Ne Tirane mot me diell , temperaturat do te levizin nga 11 deri në 22 gradë celcius .

COVID-19 NË KOSOVË:
Total raste: 91405 , Të shëruar: 75647 ,të vdekur: 1884

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *