Sht. Maj 18th, 2024

lajme ditore e merkure 31.03.2021

By Rtv Arbëria Mar 31, 2021

Hoxhaj: PDK nuk e mbështetë Osmanin për presidente

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj ka mbajtur konferencë për media, ku ka ritheksuar se PDK nuk do ta mbështesë kandidaturën e Vjosa Osmanit për presidente të vendit.
Hoxhaj ka thënë se Partia Demokratike e Kosovës e mbështetë procesin e konstituimit të institucioneve shtetërore, të cilat duhet të ofrojnë stabilitet të brendshëm, përballim me pandeminë dhe krizën ekonomike, si dhe ta forcojë pozicionin ndërkombëtar të Kosovës, por krijimi i tyre nuk do të duhej të rrezikojë demokracinë, polarizojë shoqërinë, kërcënojë ndarjen e pushteteve dhe as instalimin e një sistemi njëpartiak ku të gjitha pushtetet do të kontrolloheshin nga një parti politike.
“Zgjedhja e Vjosa Osmanit si presidente do ta vendoste Kosovën në një pozicion të rrezikshëm, ku Lëvizja Vetëvendosje do ta kishte de facto dhe de juro, pushtetin absolut, duke kontrolluar presidencën, legjislativin dhe ekzekutivin. Kosova do të udhëhiqej nga një politikan autoritar siç është zotëri Kurti dhe partia e tij politike, duke shuar çdo mekanizëm tjetër të kontrollit dhe balancit – ashtu siç do të duhej të ishte në një demokraci parlamentare. Pra, PDK është kundër sistemit njëpartiak dhe e mbështet vetëm një kandidat konsensual për president.”, ka theksuar ai.

Fjalimi i plotë i Hoxhajt:
Partia Demokratike e Kosovës e mbështet procesin e konstituimit të institucioneve shtetërore, të cilat duhet të ofrojnë stabilitet të brendshëm, përballim me pandeminë dhe krizën ekonomike, si dhe ta forcoj pozicionin ndërkombëtar të Kosovës.
Por, krijimi i tyre nuk do të duhej të rrezikoj demokracinë, polarizoj shoqërinë, kërcënoj ndarjen e pushteteve dhe as instalimin e një sistemi njëpartiak ku të gjitha pushtetet do të kontrolloheshin nga një parti politike. Prandaj, janë disa arsye pse Partia Demokratike e Kosovës nuk e mbështet as kandidaturën e znj Vjosa Osmani për presidente.
Vjosa Osmani nuk është figurë unifikuese por skajshmërisht përçarëse. Ajo tani e disa vite ka qenë politikane që karrierën e saj politike e ka ndërtuar përmes përçarjes në skenën politike të Kosovës dhe duke vepruar çdo herë kundër parimit të unitetit në vendin tonë.
Ajo është kandidate partiake jo konsensuale — Vetëvendosja, si e para në zgjedhje, nuk po synon ta zgjedh Presidentin me konsensus, ashtu siç do të duhej të ishte në interes të vendit.
Ajo është treguar e njëanshme — Gjatë kohës sa ka qenë u.d. e Presidentes, znj Osmani nuk e ka përfaqësuar Institucionin e Presidencës si figurë mbi partiake, por përkundrazi ka përdorë zyrën e Presidencës për të krijuar një parti politike që t’i bashkohet listës së Vetëvendosjes për të garuar në zgjedhje;
Presidenti i ardhshëm i Kosovës duhet të jetë i pavarur politikisht dhe assesi i varur partiakisht. Znj. Osmani ka dëshmuar se është në diktatin total të kryeministrit Kurti dhe që do t’i shërbej vetëm interesave të tij dhe jo të interesave të shtetit të Kosovës.
Vjosa Osmani nuk është institucionaliste por populiste — Ajo ka dëshmuar se nuk e respekton protokollin dhe i mungon kultura minimale institucionale. Në kohën sa ishte u.d. e Presidentes, ajo përdorte protokollin dhe privilegjet e Presidencës në shërbim të agjendës së saj politike partiake, duke keqpërdorur edhe protokollin shtetëror madje për të nënshkruar marrëveshje koalicioni parazgjedhor.
Vjosa Osmani është politikisht e ndikueshme dhe jo stabile — Këtë e ka dëshmuar në disa raste për shumë vite që është e luhatshme dhe që më shumë e ndjek interesin personal se sa partiak, e që sot mund të ndjek më shumë atë partiak se sa shtetëror.
Kandidatura e Vjosa Osmanit është propozim bazuar në logjikën e shantazhit — Në vend se mazhoranca e re të dilte me një kandidat që përfaqëson më së miri të gjithë shoqërinë dhe në dialog me opozitën meqë po i kërkon votat e saj, ajo kërcënon me një krizë të re që janë zgjedhjet e parakohshme.
Vjosa Osmani nuk udhëhiqet nga parimet për interesa të rëndësisë së lartë shtetërore por nga kalkulimet. Shembull është kundërshtimi i saj i madh kundër marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi në vitin 2016 kur Kosova po priste për vizat, dhe e ka nënshkruar të njëjtin dy vite më vonë.
Vjosa Osmani nuk ka një platformë të saj të qartë se për cka qëndron për një varg temash të brendshme dhe të jashtme të cilat janë shumë jetike për të ardhmen e shtetit tonë të ri.
Zgjedhja e Vjosa Osmanit si presidente do ta vendoste Kosovën në një pozicion të rrezikshëm, ku Lëvizja Vetëvendosje do ta kishte de facto dhe de juro, pushtetin absolut, duke kontrolluar presidencën, legjislativin dhe ekzekutivin. Kosova do të udhëhiqej nga një politikan autoritar siç është zotëri Kurti dhe partia e tij politike, duke shuar çdo mekanizëm tjetër të kontrollit dhe balancit – ashtu siç do të duhej të ishte në një demokraci parlamentare. Pra, PDK është kundër sistemit njëpartiak dhe e mbështet vetëm një kandidat konsensual për president..

Konjufca: Ka dëshmitarë për masakrën e Pastaselit, drejtësia duhet të ndodh

U.d. Presidenti i Kosovës, njëherësh Kryetar i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, sot ka bërë homazhe dhe ka nderuar kujtimin për 106 martirët e rënë në fshatin Pastasel të Rahovecit.
Ai ka thënë se masakrat që po përkujtohen këto ditë na e kujtojnë çmimin e lartë të lirisë.
“Në këtë masakër shteti i Serbisë dhe forcat e saj nuk i kanë kursyer as fëmijët. Kjo tregon se çfarë përbindëshi ka qenë pushteti i Millosheviqit, por as Serbia e sotme, e udhëhequr prej Aleksandër Vuçiqit, nuk është shkëputur nga ajo politikë”, është shprehur u.d. Presidenti Konjufca, duke shtuar se qëndrimet e politikës së sotme serbe tregojnë një vazhdmësi të njëjtë politike karshi shtetit të Kosovës. “Kujtojmë se një politikë e tillë shkaktoi gjenocidin dhe në masakrat në Rahovec, Pastasel dhe fshatrat përreth”.
U.d. Presidenti Konjufca ka thënë se dëshmitë e të shpëtuarve nga kjo masakër janë tejet të vlefshme, porse drejtësia ende nuk ka marrë një epilog.
“Faktikisht askush nga kriminelët serbë, të cilët kanë marrë pjesë drejtpërdrejt dhe e kanë kryer këtë masakër, nuk është dënuar deri sot. Prandaj bëjmë thirrje që drejtësia duhet të ndodh sa më parë”, tërhoqi vërejtjen z.Konjufca.

Prokuroria jep detaje për operacionin e sotëm në “call center”

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe në bashkëpunim të ngushtë me hetuesit policor dhe Prokurorët e Prokurorisë së Përgjithshme në Bamberg – Gjermani, kanë përmbyllur me sukses operacionin që ka të bëjë me grupe kriminale të përfshira në veprën penale të Mashtrimit si formë e Krimit të Organizuar.
Prokuroria Speciale njofton se personat e dyshuar në këtë rast kanë joshur dhe mashtruar qytetarët e ndryshëm nga Gjermania përmes platformave online “call center” duke iu ofruar për të investuar në aksione të ndryshme, si dhe në kriptovaluta që në këtë rast kanë qenë platforma fiktive dhe të dyshimtit kanë përvetësuar shuma të mëdha të hollash.
Gjithashtu, në operacionin e sotëm janë kontrolluar 17 lokacione të ndryshme në Prishtinë dhe Ferizaj, deri më tani janë arrestuar tetë (8) persona të dyshimtë, si dhe janë intervistuar një numër i konsiderueshëm i personave të dyshuar.
Gjatë kontrollit të lokacioneve në këtë operacion deri më tani janë gjetur dhe sekuestruar: 6 vetura, 149.300 euro kesh, dhe një numër i konsiderueshëm i kompjuterëve, Serverëve dhe telefonave mobil e të cilët janë shfrytëzuar për kryerjen e veprës penale.
Tetë (8) personat e dyshuar të cilët janë arrestuar me urdhër të Prokurorit të Shtetit, dërgohen në mbajtje ku më pas pritet të dalin para gjyqtarit.
Këtij operacioni i ka paraprirë një hetim i përbashkët në mes të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe partnerëve tanë nga Prokuroria e Përgjithshme në Bamberg – Gjermani.
Në cilësi të provave materiale është sekuestruar dokumentacion i nevojshëm që do të përdoren në procedurat e mëtutjeshme..

14 të vdekur vdekur nga Covid-19, 923 raste të reja dhe 771 të shëruar

Njoftimi plotë nga IKSHPK!
771 TË SHËRUAR DHE 923 RASTE ME COVID-19!
Gjatë 24 orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK dhe laboratoret private me metodën RT-PCR, si dhe laboratoret publike dhe private me metodën RAT, janë testuar gjithsej 3.470 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, prej të cilëve rezultojnë 923 raste pozitive.
Brenda 24 orëve janë raportuar 14 raste të vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv. Rastet e vdekjes janë nga komunat: Prishtinë 4 raste (82, 80, 79, 76 vjeç), Prizren 4 raste (66, 62, 57, 49 vjeç), Ferizaj 1 rast (85 vjeç), Fushë-Kosovë 1 rast (81 vjeç), Lipjan 1 rast (82 vjeç), Mitrovicë 1 rast (89 vjeç), Pejë 1 rast (52 vjeç) dhe Vushtrri 1 rast (69 vjeç).
Numri total i rasteve pozitive është 90.430 raste nga 425.850 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 1.872 raste të vdekjes.
Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 771 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 74.754 raste, kurse numri i rasteve aktive është 13.804.
Rastet pozitive janë nga komunat: Prishtinë 273 raste, Gjakovë 81 raste, Gjilan 76 raste, Mitrovicë 63 raste, Ferizaj 62 raste, Prizren 55 raste, Fushë-Kosovë 52 raste, Pejë 50 raste, Podujevë 42 raste, Kamenicë 22 raste, Obiliq 20 raste, Klinë 15 raste, Lipjan 14 raste, Shtime 13 raste, Viti 13 raste, Deçan 12 raste, Suharekë 12 raste, Vushtrri 12 raste, Istog 8 raste, Graçanicë 5 raste, Drenas 4 raste, Kaçanik 4 raste, Malishevë 4 raste, Dragash 3 raste, Skenderaj 3 raste, Junik 2 raste dhe me nga një rast komunat Hani i Elezit, Rahovec dhe Zubin-Potok.
Të nderuar qytetarë!
Duke pasur parasysh vlerësimin dinamik dhe në kohë reale të situatës epidemiologjike me COVID -19, sot janë raportuar 923 raste pozitive, që paraqet numrin më të madh të rasteve pozitive këtë vit me tendencë të rritjes ditëve në vijim. Vetëm në Prishtinë janë raportuar 273 raste pozitive. Shprehim ngushëllime familjarëve për 14 rastet e vdekjeve të raportuara gjatë 24 orëve të fundit.
Numri i rasteve pozitive dhe vdekjeve nga COVID-19 vazhdon të jetë i lartë dhe brengosës si pasojë e drejtpërdrejtë e neglizhimit të masave.
Mjekët të stërngarkuar në spitale po luftojnë kundër këtij virusi tinëzar e shkatërrimtar me tërë fuqinë e tyre profesionale e njerëzore.
IKSHPK përsërit thirrjen për zbatimin e të gjitha masave të përgjithshme dhe specifike për mbrojtjen nga pandemia COVID-19.
Masat parandaluese janë të njëjta me aksent të veçantë se personat pozitiv duhet të qëndrojnë në shtëpi për të parandaluar përhapjen në familje dhe në komunitet. Me zvogëlimin e kontakteve, do ta bëjmë të mundur ndërprerjen e përhapjes së infeksionit.
Andaj rekomandojmë edhe një herë:
1. Të qëndrohet në shtëpi, dhe dalja të jetë vetëm për nevoja të domosdoshme;
2. Ndalimi rigoroz i takimeve me njerëz me të cilët nuk jetoni në bashkësi, pos për qëllime specifike;
3. Ndalimi rigoroz i tubimeve;
4. Respektimi rigoroz i masave kufizuese në aktivitetet publike;
5. Kufizimi i punës për veprimtaritë jo-esenciale dhe vend-ngjarjet duke reduktuar edhe kohën e punës gjatë ditës.
IKSHPK vlerëson se këto masa mund të ndërprenë rritjen e numrit të rasteve, të parandalojnë mbingarkesën e hospitalizimeve dhe të parandalojnë rritjen e numrit të vdekjeve.
IKSHPK apelon tek të gjithë qytetarët, institucionet dhe organizatat publike dhe private, për respektimin dhe ndërmarrjen e të gjitha masave të nevojshme për parandalimin, menaxhimin dhe kontrollin e infeksionit COVID-19, duke marrë parasysh dispozitat e Ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19, dhe vendimet në fuqi mbi masat dhe obligimet e institucioneve për zbatimin e masave të përgjithshme dhe specifike për mbrojtjen nga pandemia COVID-19.
Në veçanti, bëjmë thirrje për zbatimin e rekomandimeve dhe respektimin e masave kufizuese për aktivitetet publike, përkatësisht kufizimeve për grumbullimin e qytetarëve dhe tubimeve publike.
Grumbullimi i qytetarëve pa maska dhe pa mbajtje të distancës shton rrezikun e përhapjes së infeksionit përderisa virusi SARS-COV-2 është prezent në mesin tonë.
Apelojmë tek institucionet përgjegjëse, përkatësisht Policia e Kosovës dhe inspektoratet përgjegjëse që të mbikëqyrin me përpikëri dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e masave dhe vendimeve të tjera në fuqi në zbatim të Ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19 në Republikën e Kosovës.
Qytetarë të nderuar,
Ju lutemi për kujdes të shtuar!
Që të shmangni shkaqet dhe pasojat e infeksionit:
Respektoni masat kufizuese për grumbullimet dhe tubimet publike!
Mbani në mend:
FYTYRA E MBULUAR ME MASKË!
DUART E PASTRA! DISTANCA DHE HAPËSIRA E BOLLSHME!
Mbuloni gojën dhe hundën me maskë!
Mbani higjienën!
Respektoni distancën!

Kurti takohet me ambasadorin turk, flasin për disa eliminime

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka takuar sot ambasadorin e Turqisë në Kosovë, Çagri Sakar.
Ambasadori Sakar e ka uruar kryeministrin Kurti për marrjen e detyrës dhe ka ritheksuar vullnetin për vazhdimin e bashkëpunimit dhe kultivimin e mëtejmë të marrëdhënieve miqësore ndërmjet dy vendeve.
Kryeministri Kurti e falënderoi ambasadorin për urimet dhe për përkrahjen e vazhdueshme të Turqisë përgjatë të gjitha fazave të shtetndërtimit nëpër të cilat ka kaluar Kosova.
Në takim u bisedua edhe për mundësinë e eliminimit të disa barrierave ekonomike që do të lehtësonin investimet dhe shkëmbimet…

Thellohen raportet mes Kosovës dhe Izraelit

Ambasada e Kosovës në Sofje të Bullgarisë njofton se ambsadori i Kosovës atje, Delfin Pllana u takua me ambasadorin izraelit, Yoram Elron.
Gjatë takimi u bisedua për zhvillimet dhe raportet mes Kosovës dhe Izraelit.
Ambasadorët Pllana dhe Elron u pajtuan se e kaluara e dy vendeve dhe ndihma izraelite gjatë luftës në Kosovë janë themele të marrëdhënieve premtuese.
Njoftimi i plotë nga ambasada e Kosovës në Sofje:
Konfirmohet thellimi i raporteve ndërmjet Kosovës dhe Izraelit
Sofje, 31 mars, I ngarkuari me punë në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Sofje, Ambasador Delfin Pllana u prit në një takim shumë miqësor në rezidencën e tij nga Ambasadori i Izraelit në Bullgari z.Yoram Elron. Në takim, ku mori pjesë edhe Këshilltari Agron Smakiqi, u diskutua për zhvillimet e fundit në raportet ndërmjet të dyja vendeve dhe potencialin e madh për të thelluar edhe më shumë këto raporte. Ambasadori Pllana dhe Elron u pajtuan që e kaluara e ndritshme në raportet mes të dyja vendeve, respekti dhe ndihma e dhënë për komunitetin hebraik në Kosovë gjatë historisë si dhe ndihma Izraelite dhënë për refugjatët Kosovar gjatë luftës në vitin 1999 janë themele të fuqishme të marrëdhënieve shumë premtuese në të ardhmen…

Ambasada Amerikane me flamur gjigant i uron Kosovës fat në ndeshjen me Spanjën

Kanë mbetur edhe pak orë para se të nis ndeshja futbollistike ndërmjet Kosovës dhe Spanjës.
Për shkak se Spanja nuk e njeh shtetësinë e Kosovës, është diskutuar shumë nëse do t’u lejohet Dardanëve që të prezantohen me flamurin dhe himnin e Kosovës.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovës i ka uruar fat kombëtares së Kosovës duke postuar një flamur gjigant të Kosovës në llogarinë e saj në Facebook.
“I dëshirojmë Kosovës fat në ndeshjen kundër Spanjës. Gjithmonë një moment krenar kur mund të luash nën hijen e flamurit valëvitës të vendit tënd në stadium”.

Moti
Gjatë dites se enjte parashikohet mot pjeserisht me diell , temperaturat do të lëvizin nga 5 deri në 17 gradë celcius Ndersa Ne Tirane mot me diell , temperaturat do te levizin nga 9 deri në 22 gradë celcius .

COVID-19 NË KOSOVË:
Total raste: 90430 , Të shëruar: 74754 ,të vdekur: 1872

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *