Die. Pri 28th, 2024

NGJARJET E DITËS, E ENJTE 21.01.2021

By Rtv Arbëria Jan 21, 2021

Hoxhaj se bën hesap Hotin e LDK-në: Jemi në garë me Vetëvendosjen dhe Albin Kurtin

Kandidati i PDK-së për kryeministër, Enver Hoxha beson se është në garë vetëm me Lëvizjen Vetëvendosje në zgjedhjet e 14 shkurtit.
Në një intervistë për “RTV Besa”, Hoxha u shprehë se është në garë me Albin Kurtin për t’u bërë kryeministër, duke anashkaluar tërësisht kandidatin e LDK-së, Avdullah Hoti,
“Mendoj që kandidatë që garojnë nga Prizreni për të qenë deputet në Kuvendin e Kosovës, janë ekipi më i mirë që mund të ketë Prizreni.”
“Janë njerëz të cilët janë të përgatitur, me profesione të ndryshme, me përvojë të mirëfilltë politike, vijnë nga fusha të ndryshme, me një përfaqësim të duhur gjinor. Nuk mendoj që një subjekt politikë ka kandidat më të mirë dhe unë jam shumë i sigurt që të gjithë këta (kandidatët e PDK-së nga Prizreni) do të jenë deputetët e ardhshëm të Kuvendit të Kosovës dhe një pjesë do të jenë ministra, në Qeverinë që do ta udhëheqi unë si kryeministër.”
“Ne jemi në garë me një subjekt tjetër, Lëvizjen Vetëvendosje dhe liderin e saj, Albin Kurti dhe unë jam një nga dy kandidatët më serioz për t’u bërë kryeministër”, u shprehë ai..

Isa Mustafa komenton deklaratën e Glauk Konjufcës, i del në mbrojtje Valdete Dakës

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka reaguar ndaj deklaratës së Glauk Konjufcës së VV-së, i cili mbrëmë fajësoj kryetaren e KQZ-së, Valdete Daka se po ia ndalon liderit të partisë së tij, Albin Kurti, të kandidoj për deputetë në zgjedhjet e 14 shkurtit.
Mustafa e ka quajtur si të padrejtë e të palejueshme këtë deklaratë të Konjufcës,
Postimi i plotë:
Të fajësohet Kryetarja e KQZ-së deri në kërcënim, se po e zbaton aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese është e padrejtë dhe e palejueshme. Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese për rastin Etem Arifi, në esencë është i quditshëm, sepse më shumë përngjan në shkrim të ri të normave kushtetuese, sesa në interpretim të normave ekzistuese, që do duhej të jetë fushëveprim i Gjykatës. Fundja vet aktgjykimi është derivat i lëndës së inicuar nga LVV. As neve si LDK, s’na ka pëlqyar. Jo pse kufizon të drejtën e atyre që janë të dënuar për vepra penale të konkurrojnë për mandat ligjëvënësi, sepse nuk shkon edhe ligjëvënës edhe shkelës i ligjit, por për faktin se Gjykata e rrëzoi Parlamentin!? Pak si shumë në një demokraci Parlamentare.Prandaj mos e atakoni zonjën Daka, sepse nuk keni të drejtë. IM.

7 të vdekur, 202 të shëruar dhe 296 raste të reja me Covid

Gjatë 24-orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK dhe laboratorët privatë me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 1.569 mostra të marra nga SHSKUK-ja dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, prej të cilëve rezultojnë 296 raste pozitive.
Brenda 24-orëve janë raportuar 7 raste të vdekjes me SARS CoV-2 pozitivë.
Rastet e vdekjes janë nga komunat: Deçan 1 rast (91 vjeç), Ferizaj 1 rast (40 vjeç), Istog 1 rast (73 vjeç), Prizren 1 rast (79 vjeç), Rahovec 1 rast (42 vjeç), Viti 1 rast (72 vjeç), Vushtrri 1 rast (81 vjeç).
Numri total i rasteve pozitive është 57.028 raste nga 214.941 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 1.433 raste të vdekjes.
Gjatë 24-orëve të fundit, janë shëruar 202 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri sot është gjithsej 50.184 raste, kurse numri i rasteve aktive është 5.411.
Rastet pozitive janë nga komunat: Prishtinë 60 raste, Podujevë 26 raste, Mitrovicë 25 raste, Suharekë 25 raste, Gjilan 18 raste, Vushtrri 18 raste, Ferizaj 16 raste, Gjakovë 16 raste, Prizren 15 raste, Malishevë 12 raste, Fushë-Kosovë 9 raste, Lipjan 9 raste, Deçan 7 raste, Rahovec 7 raste, Pejë 6 raste, Klinë 5 raste, Skenderaj 5 raste, Viti 4 raste, Drenas 3 raste, Graçanicë 2 raste, Istog 2 raste, Obiliq 2 raste, Shtime 2 raste dhe me nga një rast komunat Dragash dhe Kaçanik.
Mbulojeni gojën dhe hundën me maskë!
Mbajeni higjienën!
Respektojeni distancën!

Kosnett pas ankesave për certifikim: Të respektohen gjykatat, të mos thuhet na pëlqen ose s’na pëlqen ky vendim

Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett u ka bërë thirrje të gjithë kandidatëve që nuk janë certifikuar që të respektojnë vendimet e gjyqësorit.
Në një intervistë për Politiko në Kanal10, Kosnett ka thënë se nuk duhet të thuhet se “na pëlqen ky vendim, nuk na pëlqen ky vendim”, pasi që siç thotë kryediplomati amerikan ekziston mundësia e ankesës dhe ka një proces ligjor.
“Komenti im për këtë është se mendoj për të gjithë ata që nuk janë certifikuar, të gjithë kandidatët potencialë që nuk janë certifikuar, ekziston procesi i ankesës. Ka proces gjyqësor dhe duhet ta respektojmë atë. Ambasada, qeveria ime shpesh ka marrë qëndrimin që është e domosdoshme, është e rëndësishme të respektohet sistemi gjyqësor, të respektohen gjykatat. Të mos thuhet: na pëlqen ky vendim, nuk na pëlqen ky vendim. Pra, në këtë fushë ekziston procesi i ankesës, ka proces ligjor”, ka thënë Kosnett.
Duke komentuar denoncimin publik të kryetares së KQZ-së, Valdete Daka, Kosnett ka thënë se ajo është e aftë të argumentojë rastin në publik.
“Mendoj se kryesuesja Daka nuk ka nevojë që të flas në emrin e saj e as z. Kurti nuk ka nevojë që të flas në emrin e tij. Mendoj se këta njerëz janë mjaft të aftë për të argumentuar rastin e tyre në publik para popullit të Kosovës sepse kjo është audienca më e rëndësishme.”, ka thënë Kosnett.. ”.

Edhe Sindikata e Policisë paralajmëron protesta

Sindikata e Policisë së Kosovës, përmes një njoftimi për media kanë thënë se përkundër që kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të plotësohen kërkesat e tyre për vazhdimin e pagesës së pakos emergjente, një gjë e tillë nuk po bëhet.
Kjo sindikatë kanë paralajmëruar protesta për siç kanë thënë ata diskriminimin që u është bërë.
“Sindikata e Policisë së Kosovës, tash e një kohë të gjatë kërkon me ngulm nga Qeveria e Republikës së Kosovës realizimin e kërkesave të tyre të parashtruara kohë më parë. Kërkesa këto që ishin vazhdimi i pagesës së pakos emergjente për të gjithë punonjësit e PK-ës, pa dallim pozite dhe njësie, dhe fillimi i pagesës së shujtës (ushqimore) sipas zotimit për realizim nga muaj Janar 2021 për të gjithë Punonjësit e Policisë së Kosovës”.
Kjo sindikatë ka bërë të ditur se pas shumë përpjekjeve dhe kërkesave të një pas njëshme, akoma nuk ka asnjë përgjigje sa i përket realizimit të këtyre kërkesave sipas zotimeve. Po ashtu nuk janë përfshirë të gjithë zyrtarët policor në pagesën e pakos (shtesës prej 100 eurosh). Ndërsa për shujtën ushqimore nuk ka përgjigje se do paguhet sipas legjislacionit në fuqi, por edhe sipas zotimeve se do filloi nga ky fillim viti.
“Andaj duke parë këtë Këshilli drejtues i SPK-ës, sot me datën 21.01.2021 në takimin e mbajtur ka vendosur që të paralajmërojë protesta duke parë me shqetësimin, diskriminimin dhe anashkalimin e punonjëseve të PK-së. Dhe mu për ketë kërkojmë reflektim të shpejtë dhe konkret të Qeverisë së vendit, pasi që zgjedhja e veprimeve tona sindikale tashmë do jetë vetëm protesta:, thuhet ndër të tjera sindikata e policisë….

Serbët e Kosovës po vazhdojnë vaksinimin anti-COVID në Kurshumli

Qeveria e Serbisë ka vendosur që serbët e Kosovës të marrin vaksinën anti-COVID-19 në Kurshumli, qytet në kufi me Kosovën.
Ky hap është marrë, pasi Qeveria e Kosovës ka reaguar për vaksinimin e serbëve në shtëpitë e shëndetit në qytetet me shumicë serbe në Kosovë, që funksionojnë në kuadër të sistemit shëndetësor të Serbisë.
Sipas mediave serbe, vaksinimi i serbëve ka nisur të martën dhe vaksinën e kanë marrë 209 qytetarë serbë të Kosovës, që kanë udhëtuar në mënyrë të organizuar.
Vaksinimi ka vazhduar edhe të mërkurën me vaksinimin e 262 qytetarëve, sot janë vaksinuar 69, kurse për të premten është paraparë të vaksinohen 120.
Vaksinimin e serbëve të Kosovës në qytetet e Serbisë, e ka paralajmëruar edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, si kundërmasë për ndalimin që ka vendosur Qeveria e Kosovës. Javën e shkuar, disa qytetarë të veriut të vendit vaksinën e kanë marrë në Rashkë, ndërkohë Vuçiqi ka paralajmëruar se në dispozicion do të jenë edhe shtëpitë e shëndetit në Bujanovc dhe Vranjë.
Në fakt, Serbia kishte sjell disa doza të vaksinës anti-COVID-19 në Mitrovicë të Veriut në fund të dhjetorit, por pas reagimit të institucioneve të Kosovës, procesi u ndalua. Për këtë çështje, inspektorati i Ministrisë së Shëndetësisë të mërkurën ka bastisur edhe shtëpinë e shëndetit në Shtërpcë, në kërkim të vaksinave ilegale të sjella nga Serbia..
Komisioni Evropian: Haradinaj nuk duhet të kërcënojë me bashkimin me Shqipërinë

Komisioni Evropian ka thënë se liderët e rajonit duhet të japin shembull në promovimin e besimit të ndërsjellë.

“Udhëheqësit politikë në rajon duhet të japin një shembull në promovimin e besimit të ndërsjellë, duke ushqyer marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimin, parimet dhe vlerat e Bashkimit Evropian”, kanë thënë nga Komisioni Evropian kur janë pyetur lidhur me deklaratat e Ramush Haradinaj për mundësinë e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, shkruar N1.
Ramush Haradinaj kandidat për president ka thënë të hënën se trajtimi i Kosovës nga ana e BE’së e ka dërguar drejt bashkimit me Shqipërinë dhe një referendum për këtë çështje nuk është përjashtuar.
Haradinaj ka thënë këtë gjatë prezantimit të programit të partisë para zgjedhje të hershme të 14 shkurtit.
Komisioni Evropian ka thënë se rregullat duhet të respektohen gjatë kampanjave elektorale

Rama kujton presidentin Rugova: Sa më shumë kalojnë vitet, aq më shumë do lartësohet në sytë shqiptarisë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e ka përkujtuar presidentin historik, Ibrahim Rugovën.
Mes fjalësh në reagimin e tij të cilin e ka bërë në facebook, Rama shkruan se Rugova në sytë e gjithë shqiptarëve do të lartësohet edhe më, sa më shumë që kalojnë vitet.

Postimi i plotë:
Ibrahim Rugova
Sa më shumë kalojnë dhe do të kalojnë vitet, aq më shumë do të lartësohet Ibrahim Rugova në sytë e krejt shqiptarisë.

Vizita e Albin Kurtit te varri i Ibrahim Rugovës, kështu e komenton Lutfi Haziri

Haziri: Më vjen mirë që edhe politikanët majtistë po gjunjëzohen para varrit të tij
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, duke komentuar vizitën kandidatit për kryeministër nga VV-ja, Albin Kurti tek varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova, ka thënë se është mirë që të gjithë liderët kanë filluar me u gjunjëzua para varrit të tij.
Haziri ka thënë se gjunjëzimi para varrit të Rugovës është gjunjëzim para veprës dhe punës së tij
“Më vjen mirë që herët a vonë liderët e partive politike që përshijnë edhe të majtit edhe ekstremin e majtë edhe liderët e të majtës qendër që kanë filluar m’u gjunjëzua para varrit të tij, sepse është gjunjëzim para veprës së tij, para filozofisë së tij politike dhe para kontributit të tij politik në shtet. Dita e bardh sot shënohet falë vizionit të tij dhe kryengritjes së UÇK-së në vitet 98-99”, ka thënë Haziri.
Në 15 vjetorin e vdekjes së ish-presidentin Ibrahim Rugova, Albin Kurti së bashku me Vjosa Osmanin, ushtruese e detyrës së Presidentes dhe kandidate për këtë pozitë e Vetëvendosjes, kanë bërë homazhe tek varri i Rugovës.
“Erdhëm që të vendosim lule të freskëta të presidentit të parë të Kosovës, duke kujtuar insistim e tij, përkushtimin e tij dhe qetësin dhe durimin njerëzor”, u shpreh Kurti.

Moti
Të premten parashikohet mot pjesërisht I vranët, temperaturat do të lëvizin nga 3 deri në 8 grad celcius.Mot me shi në Tiranë,me temperatura nga 10 deri në 16 gradë celcius.

COVID-19 NË KOSOVË:
Total raste:57028, Të shëruar:50184,të vdekur:1433
www.rtvarberia.com Tri kanalet e RTV Arbëria si dhe Radion mund të i ndiqni edhe në www.iptvshqipott.com

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *