Hën. Tet 7th, 2024

NGJARJET E DITËS, E MËRKURË 09.12.2020

PDK sfidë VV-së: Sillni nënshkrimet në Kuvend, e rrezojmë Qeverinë

Zëdhënësi i PDK-së, Avni Bytyçi, ka thënë se nëse nuk ka marrëveshje për zgjedhjen e presidentit dhe shterohen rrugët institucionale, janë të gatshëm për zgjedhje.
Ai ka bërë të ditur se nëse Lëvizja Vetëvendosje i sjell në Kuvend votat për rrëzimin e Qeverisë, atëherë PDK-ja do ta votojë këtë mocion.
“Si parti e përfaqësuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës, ne jemi të gatshëm të diskutojmë me partitë e tjera për zgjedhjen e presidentit. Nëse nuk ka marrëveshje, edhe shterohen rrugët institucionale edhe kushtetuese. Kosova shkon në zgjedhje, e për këtë çështje, PDK-ja është gati”, ka shkruar Bytyçi në rrjetin e tij social Facebook.
Bytyçi ka theksuar se kur VV-ja t’i sjellë 40 nënshkrime në seancë për mocionin e votëbesimit, atëherë PDK-ja do ta votojë rrëzimin Qeverisë duke ofruar 24 vota..

Eskalon protesta para Ministrisë se Brendshme në Shqipëri, lëndohet një polic nga protestuesit

Hurma, gurë dhe shishe janë hedhur drejt Ministrisë së Punëve të Brendshme të Shqipërisë, të cilët pas vrasës së të riut në Tiranës po kërkojnë dorëheqjen e ministrit të Punëve të Brendshme, Sander LLeshaj.
Qindra qytetarë kanë dalë në protestë pasditen e kësaj të mërkure përpara Ministrisë së Brendshme ku kërkojnë drejtësi për vrasjen nga policia të Klodjan Rashës.
Me thirrjet “Duam drejtësi!”, “Poshtë komunizmi!”,“Lleshaj jep dorëheqjen!” protestuesit janë bërë bashkë me një qëllim të vetëm, të kundërshtojnë aktin ekstrem të bërë nga polici i cili vrau Klodjan Rashën mëngjesin e 8 dhjetorit.
“Do të rezistojmë këtu derisa të vihet drejtësia” ishte premtimi i protestuesve. “Jo politikë. Nuk është miting politik, është i popullit” tha një tjetër qytetar.
“Nuk do t’ lejojmë të na vrasin djemtë tanë, po i rrisim me gjak. Bashkohuni për të ruajtur rininë tonë, poshtë vrasësit dhe kriminelët” tha një prind.
Gjatë protestave është plagosur një efektiv policie, i cili shihet të nxirret nga protesta, nga kolegët e tij. Ai ka pësuar dëmtime, pas përplasjes me qytetarët që po protestojnë….

11 të vdekur,884 të shëruar e 561 raste të reja me Covid-19

Gjatë 24-orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK-së dhe laboratorët privatë me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 1357 mostra të marra nga SHSKUK-ja dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, prej të cilëve rezultojnë 561 raste pozitive.
Brenda 24-orëve janë raportuar 11 raste të vdekjes me SARS CoV-2 pozitivë. Rastet e vdekjes janë nga komunat: Gjilan 3 raste (72, 67, 62 vjeç), Gjakovë 2 raste (64, 51 vjeç), Prishtinë 1 rast (66 vjeç), Rahovec 1 rast (77 vjeç), Pejë 1 rast (63 vjeç), Prizren 1 rast (47 vjeç), Suharekë 1 rast (75 vjeç), Obiliq 1 rast (78 vjeç).Numri total i rasteve pozitive është 44.442 raste nga 156.982 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 1.148 raste të vdekjes. Gjatë 24-orëve të fundit, janë shëruar 884 pacientë, derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri sot është gjithsej 31.041 raste, kurse numri i rasteve aktive është 12.253. Rastet pozitive janë nga komunat: Prishtinë 269 raste, Podujevë 54 raste, Ferizaj 32 raste, Mitrovicë 30 raste, Fushë-Kosovë 20 raste, Gjilan 20 raste, Lipjan 20 raste, Viti 20 raste, Vushtrri 16 raste, Drenas 15 raste, Kamenicë 11 raste, Malishevë 9 raste, Shtime 8 raste, Suharekë 6 raste, Istog 5 raste, Obiliq 5 raste, Prizren 5 raste, Skenderaj 5 raste, Graçanicë 4 raste, Novobërdë 3 raste, Kaçanik 2 raste dhe me nga 1 rast komunat Gjakovë dhe Kllokot. Mbulojeni gojën dhe hundën me maska! Mbajeni higjienën! Respektojeni distancën!.!

Hoti: S’ka datë se kur do të mbahet tryeza për presidentin, me këtë po merret Mustafa.

Kryeministri i Kosovës, dhe nënkryetari i LDK-së, Avdullah Hoti, nuk ka dhënë ndonjë datë se kur do të mbahet tryeza e partive politike për çështjen e presidentit.
Ai ka thënë se më këtë po merret kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, bën të ditur EO.
Pas një vizite që i bëri sot Komitetit Olimpik të Kosovës, Hoti përsëriti se nëse nuk ka gatishmëri për të zgjedhur presidentin, duhet të pajtohen me partitë për datën e zgjedhjeve.
“Unë pres që sa më parë të organizohet tryeza e partive politike, për të parë gatishmërinë e partive politike për të gjetur një zgjidhje për presidentin e vendit. Nëse ka gatishmëri tek pastaj ne duhet të ulemi dhe bisedojmë cilën qasje duhet të ndjekim. Çfarë propozime, ne kemi dëgjuar në medie që janë dhënë propozime të ndryshme nga disa prej partive politike, por ne duhet të ulemi në tryezë të partive politike parlamentare për të bërë pyetjen elementare. Ka gatishmëri për gjetur zgjidhje për president, nëse ka mandej do të caktojmë kriteret, qasje për të dalë tek emri konkret i presidentit. E nëse nuk ka gatishmëri ne duhet të dakordohemi për datën e zgjedhjeve”, tha ai.
I pyetur se kur mund të organizohet ky takim, Hoti tha se po bëjnë përpjekje që të realizohet sa më shpejtë i njëjti.
“Kryetari Mustafa është duke u marrë me këtë çështje…nuk e di besoj që po…nuk mund të them datë, por po bëjmë përpjekje që të realizojmë”, u shpreh ai.
Në pyetjen tjetër sa i përket mundësisë që anëtari i LDK-së, Lumir Abdixhiku të kandidohet për kryetar të Prishtinës, Hoti tha se asnjëherë nuk kanë diskutuar për një gjë të tillë në parti.
“Nuk kemi biseduar, nuk jemi në atë pikë”, tha ai…

Punëtorët socialë me kërkesa për qeverinë, paralajmërojnë protesta

Sindikata e punëtorëve social dhe kryesisë së lidhjeve të qendrave për punë sociale të Kosovës, kanë shprehur shqetësim për mospërfshirje në pakon mbështetëse të punëtorëve socialë sikurse që ka ndodhur zjarrfikësit dhe një numër të caktuar të stafit administrativ në kuadër të shëndetësisë.
Kryetarja e Sindikatës së punëtorëve socialë, Dashurije Ahmeti ka shprehur shqetësimin e këtyre punëtoreve për mos përfshirje në pakon emergjente, duke e ditur rrezikshmërinë nga pandemia COVID-19.
Ajo ka thënë se përkundër vendimit që zjarrfikësit të paguhen në pandemi, kjo nuk ka ndodhur edhe për punëtorët socialë.
“Sot jemi mbledhur si sindikatë në mënyrë që t’i shprehim shqetësimet e tona dhe brengat tona si punëtorë socialë, sepse të vetmit zyrtarë që nuk e kanë vëmendjen edhe të nivelit lokal, edhe qendror, janë punëtorët që punojnë në qendrat për punë sociale, përkundër rrezikshmërisë së lartë që ne ballafaqohemi çdo ditë dhe kategoritë të cilat i mbulojmë edhe në pakon e Qeverisë së Kosovës, nuk janë përfshirë punëtorët socialë…Përkundër vendimit të fundit që e ka marrë kryeministri i vendit, për t’i paguar kolegët tanë në nivelet e tjera, që ka të bëjë me kolegët që janë në institucionin e zjarrfikësve, ndërsa për ne që jemi punëtorë të shërbimit socialë nuk janë marrë vendime konkrete nga institucionet e nivelit lokal dhe qendror”, ka thënë Ahmeti.
Ahmeti ka thënë se kanë formuar edhe këshillin grevist dhe në momentin kur të gjitha kërkesat e sindikatës për mos përfshirje në pako emergjente, hasin në mos-mirëkuptim, do të hyjnë në protestë.
“Kërkesë është që duhet t’i drejtohem tri institucioneve të vendit, në mënyrë që të jemi të përfshirë në pakon emergjente. Do t’i drejtohet Zyrës së kryeministrit, Parlamentit, grupeve parlamentare dhe do të diskutojmë edhe me Asociacionin e komunave të Kosovës dhe grupet e strukturave që janë brenda asociacionit”, ka thënë Ahmeti.
Ndërsa kryetari i Sindikatës së shërbimit civil të Kosovës, Mursel Zymberi ka thënë se kjo kategori kanë vështirësi në punë dhe keqtrajtim nga ana e Qeverisë. Ai thotë se politikanët dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet të reflektojnë dhe ta njohin rolin e punëtorit social.
“Nëse pak ndalen dhe kthjellohen politikanët tanë, anëtarë dhe deputetë të Kuvendit të Kosovës dhe e dinë me cilat kategori merremi ne, duhet të reflektojnë dhe ta njohin rolin e punëtorit social, ta shpërblejë mundin e tyre, sepse punëtori social punon natën, jashtë orarit pa pagesë, punon me pagë minimale”, ka thënë Zymberi.
Ai ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që kërkesat e këtyre të realizohen pasi ato janë të drejta dhe të domosdoshme.
“Në tërësi kërkesat e shërbyesve civilë duhet të realizohen, sepse janë kërkesa të drejta dhe të domosdoshme. Veprimet tona sindikale do të varen nga reflektimi i Qeverisë. Nëse ata do të përmirësojnë gabimet e tyre, atëherë ne jemi për t’iu ndihmuar, sepse shteti është yni”, ka thënë Zymberi.
E kryetari i Lidhjes se Qendrave për Punë Sociale, Mexhid Krasniqi, ka thënë se kanë bërë kërkesa të vazhdueshme në institucionet e vendit që pozita e punëtorëve socialë të jetë e dinjitetshme, por deri më tani nuk kanë hasur në përmirësim të pozitës së punëtorëve të këtij sektori..”.

VV-ja thotë se do ta padisë Serbinë në GJND për gjenocidin e kryer në Kosovë

Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se me të marrë sërish pushtetin në vend do ta padisë Serbinë në Gjykatën Ndërkombëtare për Drejtësi (GJND) për gjenocidin e kryer në Kosovë.
VV-ja ka thënë se pa ndëshkimin e krimeve të luftës, nuk mund të ketë as qetësi e as paqe të qëndrueshme.
Sipas VV-së, krimet e luftës, gjenocidi e krimet kundër njerëzimit nuk janë të kaluara derisa dikush nuk merr përgjegjësi për to.
“Sot, në Ditën Ndërkombëtare për Përkujtimin e Viktimave të Gjenocidit kujtojmë gjenocidin e fundit të Serbisë ushtruar ndaj popullsisë civile shqiptare në Kosovë gjatë luftës së viteve 1998-99. Mbi 13 mijë civilë të vrarë, 1643 ende të pagjetur, 20 mijë gra të dhunuara, dhe më shumë se 1 milion të dëbuar dhunshëm nga shtëpitë e tyre, janë shifra që kanë shtyrë përplot studiues të deklarojnë se ky është gjenocidi i dytë më i rëndë pas atij të nazizmit. Ne nuk harrojmë e as nuk do të qëndrojmë pasiv duke pritur që Serbia një ditë ta njeh të kaluarën e saj kriminale e të na kërkoj falje. Prioritet i Qeverisë sonë të re do të jetë padia për gjenocid kundër Serbisë në Gjykatën ndërkombëtare të Drejtësisë. Ne nuk i kemi asgjë borxh asaj, e ajo na ka shumë neve”, thuhet në postimin e VV-së në Facebook

Moti
Të enjten parashikohet mot i vranet , temperaturat do të levizin nga 1 deri 9 gradë Celsius. Mot me shi në Tiranë, me temperatura nga 6-1 gradë celcius.

COVID-19 NË KOSOVË:
Total raste: 44442. Të Shëruar:31041. Të vdekur: 1148.
www.rtvarberia.com Tri kanalet e RTV Arbëria si dhe Radion mund të i ndiqni edhe në www.iptvshqipott.com

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *