Enj. Maj 16th, 2024

NGJARJET E DITËS, E MËRKURË, 30.12.2020

By Rtv Arbëria Dhj 30, 2020

Avdullah Hoti, kandidat i LDK-së për kryeministër

Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës ka caktuar Avdullah Hotin kandidat për kryeministër në zgjedhjet e ardhshme.
Zgjedhjet e reja të dala nga rrëzimi i qeverisë pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese duke e shpallur të pavlefshme votën e deputetit Etem Arifi, pritet të mbahen në fillim të vitit 2021. Me t’u publikuar aktgjykimi i plotë nga Kushtetuesja, vendi do të shkojë në zgjedhje të reja e Qeveria në krye me Hotin do të mbetet qeveri në detyrë deri në formimin e qeverisë së re.
Hoti ishte zgjedhur kryeministër në fillim të qershorit.
“Kemi vlerësuar se qeveria ka bërë punën mirë, se qeveria ka arritur suksesshëm të kthejë Kosovën në arenën ndërkombëtare. Kemi vlerësuar se qeveria ka qenë shumë e zellshme në luftën kundër pandemisë. Kemi vlerësuar se programi i rimëkëmbjes ekonomike është i mirë. Vlerësimet tona janë se qeveria nuk ka ra si pasojë e mospunës së saj e si pasojë e përgjegjësisë së kësaj qeverie sepse qeveria nuk i zgjedhe deputetët dhe gjithë kjo ka ndodhur jo me fatin e qeverisë. Hoti do të vazhdojë të jetë kandidat i LDK-së për kryeministër”, ka thënë në prezantimin e kandidaturës së Hotit, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa.
Hoti në anën tjetër është ndarë i kënaqur për vlerësimin që partia e tij i ka bërë Qeverisë.
“Besoj që gjatë këtyre muajve kemi dhënë evidencë të fortë në gjërat kryesore nga sundimi i ligjit, kthimi i partneritetit, luftës së jashtëzakonshme kundër pandemisë. Ditëve të ardhshme do të dalim me ofertën. Unë jam i bindur që jemi favoriti kryesor për t’i fituar këto zgjedhje”, ka thënë ai.
LDK-ja ka bërë të ditur se pos Hotit, s’ka pasur propozime të tjera.
Mustafa i ka dëshiruar suksese ish-nënkryetares së partisë, Vjosa Osmani, në garën e ardhshme zgjedhore. Osmani, e shkarkuar nga LDK-ja, pritet të hyjë me listën e vet në garën e ardhshme zgjedhore.
I pari i LDK-së, duke komentuar deklaratat e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje për fitoren në Podujevë dhe ndikimin e tyre në zgjedhjet e përgjithshme, ka thënë se këto janë deklarata “që nuk i sheh pa zor të madh”.
“Kurti ndonjëherë mundet me qenë racional e nganjëherë jo. Kur njerëzit janë në zor e shohin veten si mbretër… unë këtë çështje ua lë qytetarëve. LDK-ja do t’i marrë votat e veta si dhe do ta marrë besimin që do ta drejtojë qeverinë”.
Për largimet nga partia, Mustafa ka thënë se nuk mund të minimizojë apo shpallë të pavlefshëm asnjë nga ta.
“Nuk kam parë personalitete që munden me i dhanë një vlerë të re Vjosës e as Kosovës. Largimet nuk paraqesin humbje për LDK-në”, ka thënë Mustafa.. .

DOKUMENT| Vjosa Osmani kishte kundërshtuar ndarjen e shtesave për stafin e saj!

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani kishte kundërshtuar ndarjen e shtesave për stafin e saj politik dhe civil.
Indeksonline ka siguruar transkriptin e mbledhjes se Kryesisë të mbajtur me 14 dhjetor.
Aty shihet se si Osmani kishte potencuar që përshkak të pandemisë, këto mjete s’duhet të jepen në këtë periudhë. “Unë dua të ju njoftoj që Kabineti im do të shkëputet nga ky vendim”, ka deklaruar Osmani.

Shtatë të vdekur nga COVID-19 në 24 orët e fundit në Kosovë, 234 raste të reja e 564 të shëruar

Shtatë persona kanë vdekur si pasojë e koronavirusit në 24 orët e fundit në Kosovë, ka njoftuar Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë, në raportin e së mërkurës. Sot janë regjistruar edhe 234 raste të reja.
Për 24 orë janë kryer 1181 testime.
Rastet e vdekjes janë nga komunat: Prishtinë 2 raste (87, 58 vjeç), Deçan 1 rast (65 vjeç), Ferizaj 1 rast (63 vjeç), Malishevë 1 rast (74 vjeç), Obiliq 1 rast (76 vjeç) dhe Vushtrri 1 rast (73 vjeç). Prishtina prin edhe për rastet e reja me 88.
Në 24 orët e fundit janë shëruar 564 pacientë duke e çuar totalin e të shëruarve në 40 mijë e 987 nga 51 mijë e 144 sa kanë rezultuar pozitivë deri tash. 1332 persona kanë vdekur. 8825 është numri i rasteve aktive.

“Koalicioni PDK-LVV, pa Albin Kurtin”: Vetëvendosje i kundërpërgjigjen ashpër Sami Lushtakut

Gjatë ditës së sotme Partia Demokratike e Kosovës, e ka përjashtuar mundësinë e koalicionit parazgjedhor me Lëvizjen Vetëvendosje, dhe Nismën Socialdemokrate.
Nënkryetari i PDK-së, Sami Lushtaku, ka deklaruar se, PDK bën koalicion me VV-në, vetëm nëse Albin Kurti, nuk është në krye të saj.
“Partia Demokratike ka vendosur që të shkojë e vetme në zgjedhje. Unë së paku me opinionin që e kam jo. Unë nuk mundem me thënë për momentin asgjë, ata kanë thënë se nëse nuk është Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli ne kemi mundësi me bë koalicion, edhe ne i themi Vetëvendosjes pa Albin Kurtin edhe ne jemi të gatshëm me hy me Vetëvendosjen”, ka thënë Lushtaku.
E këtyre deklaratave iu është kundërpërgjigjur deputeit i LVV-së, Dimal Basha.
Ai për gazetën “Bota sot”, thotë se, nuk i marrin seriozisht deklaratat e Lushtakut.
Basha tutje shprehet se zgjedhjet janë çlirim për vendin.
“Zgjedhjet i shohim si mundësi për zhvillimin e vendit dhe çlirimi nga hajnia dhe korrupsioni qe i është bërë këtij vendi tash e 20 vite.
Meqenëse është edhe Dita e Veteranit, këto zgjedhje paraqesin edhe mundësinë qe me çu amanetin e tyre ne vend, pra për një Kosovë të drejtë, me arsim cilësor dhe shëndetësi.
Kurse deklaratat e Sami Lushtakut nuk duhet marrë seriozisht, sepse kanë zero vlerë”, ka thënë deputeti Basha.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, po i vazhdon takimet me qytetarë

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, po i vazhdon takimet me qytetarë nëpër komuna të ndryshme të Kosovës, para zgjedhjeve, që pritet të mbahen së shpejti.
Ai sot ka qëndruar në komunën e Podujevës.
Gjatë takimit në një fshat të kësaj komune, Kurti është pritur nga shumë qytetarë, të cilët kanë qëndruar edhe në shkallë, për të ndjekur fjalimin e Kurtit.
Kjo shihet edhe në një fotografi që po qarkullon në rrjetet sociale, ku qytetarët shihen duke mos respektuar as distancën.
Në LVV, janë të bindur se në zgjedhjet e reja, ata do të fitojnë mbi 50% të votave

Qorrolli pas kandidimit të Hotit: Nuk do koment, nuk fitoi në 2017 e as nuk do të fitojë në 2021

Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se Hoti nuk arriti të fitojë në vitin 2012 dhe nuk do të fitojë as në 2021.
Qorrolli ka thënë se ai nuk ishte as kryeministër tani, pasi Kushtetuesja e shpalli NUL.
Postimi i tij i plotë:
Caktimi për herë të dytë i kandidatit për kryeministër nga ana e partisë më të vjetër demokratike në Ballkan (LDK) — i shpallur me vendim të Gjykatës Kushtetuese si NUL (i paqenë, A. Hoti asnjëherë ai s’ka qenë KM i Republikës së Kosovës) — vërtetë nuk meriton asnjë koment!
Hoti nuk arriti të fitojë në 2017, s’do mend që nuk do fitojë as në 2021’tën — edhe kur u bë demek KM, nuk u njoh si i tillë kushtetutshmërisht.
Speechless, do thoshin i ashtu. Brezi i Republikës, që kurrë politikanë s’u bënë e as që do bëhen ndonjëherë…….

Moti
Të enjten parashikohet mot pjeserisht i vranet me mundesi per te reshura shiu , temperaturat do të levizin nga 0 deri 8 gradë Celsius. Mot me shi në Tiranë, me temperatura nga 5-15 gradë celcius.

COVID-19 NË KOSOVË:

Total raste: 51144. Të Shëruar: 40987. Të vdekur: 1332.
www.rtvarberia.com Tri kanalet e RTV Arbëria si dhe Radion mund të i ndiqni edhe në www.iptvshqipott.com

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *