Enj. Maj 16th, 2024

NGJARJET E DITES ,E PREMTE 11.12.2020

By Rtv Arbëria Dhj 12, 2020

Vjosa Osmani thumbon krerët e LDK-së: Të dalin në zgjedhje e të mos struken

“S’ka logjikë të ulem e të bisedoj me përjashtuesit”, ka thënë ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, e pyetur nëse do të bashkëpunojë me Lidhjen Demokratike të Kosovës, vetëm disa muaj pasi ky subjekt e nominoi për kandidate për kryeministre e më pas e përjashtoi nga strukturat e kryesisë së partisë. Në një intervistë për televizionin publik, Osmani ka ftuar krerët e LDK-së, dikur bashkëpartiakë, të jenë pjesë e listave në zgjedhjet e ardhshme.
Ish-nënkryetarja e LDK-së ka thënë se është duke punuar në formimin e listës së re me të cilën planifikon të dalë në zgjedhjet e ardhshme. Ajo ka thënë do të garojë në një listë që themel do ta ketë “integritetin e politikanëve”.
Ajo ka thumbuar krerët e LDK-së të cilët në zgjedhjet e fundit nuk kishin qenë pjesë e listave zgjedhore. I ka ftuar të dalin në zgjedhje e mos të “struken”.
“Jemi në progres, po punojmë, shpresojmë që të jemi fuqishëm të përfaqësuar në parlamentin e ri duke pas parasysh se çka ka sot nevojë Kosova, janë pikërisht njerëzit me integritet. Kurdo që janë zgjedhjet e radhës presim që të garojmë, të matemi e shpresoj që edhe të tjerët që po na bëjnë thirrje të dalim të matemi, të mos frikësohen e të struken, të dalin në lista e të hynë në to e të shohim çfarë besimi do të marrin. Mezi po presim që të dalim dhe të marrim besimin qytetar. S’kemi arsye të frikësohemi, përkundrazi, dalim ballëhapur”, ka thënë Osmani.
Osmani ka shtuar se nuk do të bashkëpunojë me partitë “që kanë kontribuar në kapjen e shtetit, apo duke i mbajtur në pushtet ata që e kanë kapur shteti”.
Kryeparlamentarja ka thënë se publikimi i listës së re zgjedhore do të bëhet shumë shpejt.
Ka thënë se janë në diskutime me Lëvizjen Vetëvendosje për një koalicion të mundshëm..

Përjashtim politik i Drejtorit të Përgjithshëm të MPJD-së

Me dy vendime të fundit, Ministria e Jashtme ka larguar nga zyra dhe ia ka ndaluar gradimin deri në pesë vjet Drejtorit të Përgjithshëm, Albert Prenkaj. Të paligjshme, arbitrare, autoritare, e të diktuara politikisht i ka kualifikuar vendimet Prenkaj. Ai ka paralajmëruar ankesë në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës, mekanizëm që masat e ngjashme që paraprakisht i kishte marrë ministrja Meliza Haradinaj, i kishte shpallur të pavlefshme
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës i ka dhënë epilog një vendimi të kontestuar të ministres Meliza Haradinaj, e cila me ta marrë detyrën, kishte pezulluar nga puna drejtorin e përgjithshëm, Albert Prenkaj.
Nëpërmjet dy vendimeve të fundit, ambasadori Prenkaj është larguar nga zyra.
“Z. Albert Prenkaj, Drejtor i Përgjithshëm në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, i caktohet masa disiplinore largim nga zyra dhe transferohet në një lokacion dhe pozitë tjetër me detyra të ngjashme dhe i ndalohet gradimi deri në pesë vjet”, thuhet në vendimin e Komisionit Disiplinor të Ministrisë, i marrë më 26 nëntor, e të cilit i është shoqëruar një arsyetim prej katër faqesh.
Është vepruar kësisoj, ndonëse vendimi i ministres Haradinaj dhe një tjetër i nënshkruar nga ushtruesi i detyrës së sekretarit të përgjithshëm, Lulzim Morina, ishin shpallur të pavlefshëm nga Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës.
Ambasadori Prenkaj i ka kualifikuar të jashtëligjshme masat e reja kundër tij.
“Përsëri kam marrë në mënyrë arbitrare/autoritare dy vendime të paligjshme: i ashtuquajturi ‘Komision Disiplinor’ i udhëhequr nga z. Korab Mushkolaj ka nxjerrë një kuazi-vendim të diktuar politikisht, dhe një vendim tjetër nga i ashtuquajturi Sekretar i Përgjithshëm, z. Shkelzen Morina, i cili nuk ndryshon aspak nga ai parapraku, që ka pasuar nga vendimi i ministres Hardinaj-Stublla, e që të dyja i pat hedhur poshtë Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës i Shërbimit Civil”, i ka thënë KOHËS Prenkaj.
Në vendimin e Komisionit Disiplinor, që kryesohej nga Korab Mushkolaj, e që për anëtarë kishte edhe Lendita Gashin dhe Arben Muhametin, janë përligjur arsyet mbi të cilat ministrja Haradinaj kishte marrë masa kundër Prenkajt.
Mbi bazën e tri pretendimeve është marrë vendimi. Për Drejtorin e Përgjithshëm thuhet se ka refuzuar kërkesën e ministres për të marrë pjesë në një video-konferencë me shefa të misioneve diplomatike; ia ka ngritur zërin një këshilltareje të ministres si dhe; Nëpërmjet një statusi në Facebook ka dëmtuar imazhin e Kosovës, kur kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, i është referuar me “autokrat”, pas vendimit për ta rrëzuar Teatrin Kombëtar.
Sa i përket video-konferencës Prenkaj pati theksuar se nuk ka mundur ta udhëheqë për shkak të problemeve shëndetësore. E në lidhje me asistenten, ai kishte theksuar se vetëm i ka kërkuar që t’i mundësohet një takim prej dy minutash me ministren, për t’u sqaruar.
Prenkaj tash ka paralajmëruar se sërish do t’i drejtohet Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës, institucion që kishte anuluar vendimet e bazuara mbi këto pretendime. E ai jep gjykimin pse të dyja vendimet e fundit janë të jashtëligjshme.
“Vendimi i të ashtuquajturit ‘Komision Disiplinor’ është nxjerrë në mënyrë arbitrare dhe sipas porosisë politike, është i pabazuar në ligj dhe përshkohet me shkelje të dispozitave procedurale, meqë nuk më është ofruar mundësia e paraqitjes së kundërshtimit tim dhe dëgjimi i versionit tim, si dhe parashtrimit të provave nga ana ime në seancë, duke caktuar qëllimshëm dhe sipas porosisë politike seanca pa marrë parasysh gjendjen time shëndetësore të shkaktuar nga COVID-19, për çka kam dërguar raportet e Spitalit Rajonal në Pejë dhe të IKSHPK-së”, ka thënë Prenkaj. “Pra, gjendja ime shëndetësore ka qenë e rëndë për pesë javë rresht”.
Prenkaj ka kontestuar edhe ligjshmërinë e të gjitha vendimeve të Lulzim Morinës, pasi thotë se, në bazë të ligjit, ai nuk mund ta ushtrojë detyrën e sekretarit të përgjithshëm për më shumë se 3 muaj.
“E quaj të jashtëligjshëm zëvendësuesin e Sekretarit të përgjithshëm, pra ushtruesin e detyrës, z. Morina, ngase kohëzgjatja e një ushtrues detyre sipas nenit 30, paragrafi 4, të Ligjit për Shërbyes Civil, ushtruesi i detyrës nuk mund ta ushtrojë detyrën në afat kohor më gjatë se 3 muaj”, ka thënë ai. “Pra, një person i cili sipas ligjit nuk mund të vazhdojë ta ushtrojë deryrën e zëvendësuesit të Sekretarit të përgjithshëm, nuk ka fuqi juridike të nënshkruajë asnjë dokument e aq më pak të nxjerr vendim, as për themelim të komisioneve e as vendime për sistematizim”.
KOHA ka adresuar pyetje në Ministri, me kërkesën për të marrë qëndrimin e Morinës dhe anëtarëve të Komisionit Disiplinor. Përgjigjja ka munguar..

13 të vdekur,696 te sheruar dhe 590 të infektuar me COVID-19
IKSHPK ka bërë të ditur se edhe 13 persona të infektuar me koronavirusin e ri (COVID-19) kanë vdekur duke e çuar në 1.174 numrin e të vdekurve nga ky virus.
Bazuar në të dhënat e fundit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKShPK) edhe 590 raste të reja janë diagnostikuar pozitiv me koronavirus, derisa numri i tyre ka shkuar në 45.594.
Në 24 orët e fundit në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK dhe laboratorët privatë janë testuar gjithsej 1.775 mostra të dyshuara me COVID-19, ndërsa nga data 8 shkurt deri më tani janë testuar gjithsej 160.352 mostra.
Sa i përket numrit të të shëruarve, të dhënat kanë njoftuar për 696 pacientë të rinj, ndërsa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më tani ka shkuar në gjithsej 32.498 raste, kurse numri i rasteve aktive është 11.922.!

PDK tha se AAK’ja nuk do e kalojë pragun, përgjigjet Lekaj.

Anëtari i kryesisë së AAK’së, Pal Lekaj, i ka konsideruar si të ngutshme deklaratat e dhëna nga ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK’së, Enver Hoxhaj, i cili tha se Aleanca nuk do e kalojë as pragun për të hyrë në Kuvend.
Lekaj, i ftuar në emisionin ‘DPT te Fidani’ në T7, ka thënë se deklarata të këtilla nuk duhet marrë seriozisht, shkruan Gazeta Express.
“Nuk mendoj që PDK’ja e ka seriozisht në pohimet se AAK’ja nuk do e kalojë pragun. Enver Hoxhaj dha deklarata të ngutshme, bashkë me zëdhënësin”, ka deklaruar anëtari i kryesisë së Aleancës.
Tutje, ai ka folur edhe për nocionin e ri të sjellë në skenën politike, të ashtuquajturën “votën borxh”, për të cilën ka thënë se partia e tij nuk ka kurrfarë borxhi ndaj PDK’së.
ASHI dhe Trusti thonë se ueb faqet e qeverisë janë të sigurta
Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës dhe Agjencia e Shoqërisë së Informacionit (ASHI) janë sqaruar rreth çështjes së sigurisë së portalit për aplikim online nga Trusti, të ngritura në publik.
Këto dy institucione sigurojnë se kjo praktikë e aplikuar është shumë profesionale dhe nuk rrezikon sigurinë e të dhënave të qytetarëve dhe se deri me tani kanë mbledhur më shumë se 200 mijë aplikacione edhe përmes linkut të ofruar nga ASHI, që është https://trusti.rks-gov.net/.
E konsiderojmë të nevojshme të reagojmë përkitazi me publikimet dhe hedhjen e dyshimeve mbi sigurinë e portalit të Trustit, për aplikim përmes internetit për tërheqje të 10% të kursimeve të qytetarëve.
Ju informojmë se pas vështirësive të paraqitura gjatë fazës së lansimit të portalit të Trustit (trusti10.org) me qëllim të tejkalimit të këtyre problemeve është gjetur një zgjidhje alternative në bashkëpunim me Agjencinë e Shoqërisë së Informacionit – ASHI.
Ekspertët e ASHI-së dhe të Trustit kanë realizuar një zgjidhje teknike duke u bazuar në praktikat më të mira të sigurisë, ku është aplikuar certifikata e sigurisë së domainit *.rks-gov.net, e cila nuk i rrezikon shërbimet ekzistuese të domainit .rks-gov.net, e as sigurinë e certifikatës.
Certifikata e sigurisë i është dhënë në shfrytëzim Trustit, i cili po ashtu është Institucion i Republikës së Kosovës, dhe nuk bëhet fjalë për palë të treta sikurse që pretendohet në disa mediume elektronike.
Ju sigurojmë se kjo praktikë e aplikuar është shumë profesionale dhe nuk rrezikon sigurinë e të dhënave të qytetarëve dhe se deri me tani kemi mbledhur më shumë se 200 mijë aplikacione edhe përmes linkut të ofruar nga ASHI, që është https://trusti.rks-gov.net/..

Moti
Moti: Të shtunen parashikohet mot pjeserisht i vranet , temperaturat do të levizin nga 2 deri 7 gradë Celsius. Mot me shi në Tiranë, me temperatura nga 7-16 gradë celcius.

COVID-19 NË KOSOVË:
Total raste: 45594. Të Shëruar:32498. Të vdekur: 11922.
www.rtvarberia.com Tri kanalet e RTV Arbëria si dhe Radion mund të i ndiqni edhe në www.iptvshqipott.com

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *