Pre. Dhj 6th, 2024

NGJARJET E DITËS, E SHTUNË, 12.12.2020

Njerëz të LDK-së pjesë e komisionit përzgjedhës për kreun e SHSKUK-së, kandidon këshilltari i Zemajt

Për ta drejtuar institucionin më të rëndësishëm spitalor në vend – Shërbimin Klinik Universitar të Kosovës pretendentë janë figura që janë të lidhura me politikën. Garës për drejtor të këtij institucioni i është futur, Saudin Maliqi, pjesë e LDK-së e këshilltar i ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemaj.
Siç ka mësuar KOHA, në mesin e katër kandidatëve që deri tani kanë konkurruar për të marrë drejtimin e SHSKUK-së, përveç Maliqit janë edhe Gani Halilaj, pjesë e PDK-së, Driton Ukmata ish-këshilltar i ish-drejtorit Basri Sejdiu i zgjedhur në kohën kur ministër ishte Uran Ismaili, e kandidatja e katërt është Gloria Staka.
Maliqi është pjesë e kabinetit të Zemajt prej kur ai e ka marrë postin. Drejtori i SHSKUK-së zgjidhet nga një komision i cili formohet nga bordi i SHSKUK-së.
Pjesë e këtij komisioni janë së paku dy njerëz të afërt me LDK-në, e cila udhëheq me Ministrinë e Shëndetësisë. Këshilltari i Armend Zemajt, Diellor Rizaj, është pjesë e komisionit përzgjedhës, ku ka konkurruar kolegu i tij këshilltar, Saudin Maliqi. Rizaj i kontaktuar nga KOHA, ka kërkuar që pyetjet t’i dërgohen me shkrim, ndërsa ka thënë së do të përgjigjet ditën e hënë. Në cilësinë e këshilltarit të ministrit ai është emëruar anëtar i bordit të SHSKUK-së, nga ministri Zemaj.
Vjollca Kadolli Halili, ka qenë asambliste e LDK-së në Viti. Është zgjedhur anëtare e bordit të SHSKUK-së në Qeverinë Hoti. Kadolli po ashtu është pjesë e komisionit për përzgjedhjen e drejtorit të SHSKUK-së. KOHA nuk ka arritur të sigurojë një qëndrim të Kadollit.
Burimet i kanë thënë KOHËS, se po bëhet presion që procesi i përzgjedhjes së drejtorit të bëhet në mënyrë të përshpejtuar. As ministri Zemaj e as këshilltari i tij, Saudin Maliqi nuk kanë qenë të qasshëm në telefon gjatë ditës së shtunë.
Ligji për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik, në nenin 18 ua ndalon zyrtarëve të lartë që pas përfundimit të funksionit publik, të mund të marrin pozita menaxhuese në institucionet vartëse, dy vjet pas përfundimit të mandatit.
SHSKUK-ja ka buxhet vjetor rreth 120 milionë euro. Dy drejtorët e mëhershëm të këtij institucioni nuk kanë përfunduar mandatet. Basri Sejdiu është shkarkuar disa muaj më herët, e Curr Gjocaj ishte dorëhequr në vitin 2017. Atëkohë Ministria e Shëndetësisë udhëhiqej nga Uran Ismaili i PDK-së…

Gani Geci paralajmëron fundin e Vjosa Osmanit: Ja e arritura më e madhe e Albin Kurtit

Deklarata e kryetares së Kuvendit, Vjosa Osmani se në zgjedhjet e ardhshme do të garojë e ndarë nga LDK-ja dhe se votuesin e LDK-së e përfaqëson vetëm ajo, e jo LDK-ja, ka nxitur shumë reagime në Kosovë.
Ndaj Osmanit ka reaguar edhe ish deputeti i LDK-së, Gani Geci.
Sipas Gecit, Vjosa Osmani do ta ketë fatin e Nexhat Dacit dhe Jakup Krasniqit.
“Po më vjen shumë keq që Vjosa Osmani nuk ka arritur ta kuptoj se e arritura më e madhe e Albin Kurtit dhe e LVV është shkatërrimi politikë i rivales së tij kryesore Vjosa Osmani, e në të njëjtën kohë edhe dëmtimi përkohshëm i LDK-së. LDK do të rikthehet gradualisht, por karriera politike e Vjosa Osmanit do të përfundoj ngjashëm me atë të Nexhat Dacin ,Jakup Kraaniqin, Genc Pollon Bamirë Topit Fatmir Sejdiu etj. që te gjithë kanë ikur nga trungu i rritës se tyre politike dhe kanë përfunduar karrierën politike”, ka shkruar Geci, përcjellë “Bota sot”.
Kujtojmë se Osmani mbrëmë ka deklaruar se vetëm ajo e përfaqëson votuesin e LDK-së.
“Ka qenë zgjidhje e LDK-së, apo logos që për momentin e kanë njerëzit që janë në lidership, por votuesin e LDK-së dihet që e përfaqësoj unë dhe po ashtu parimet mbi të cilat kemi garuar në zgjedhjet e fundit i përfaqësoj unë dhe shumë kolegë të mi. Sepse ne kemi dalë dhe kemi garuar me një platformë të caktuar me premtime të caktuara të natyrës politike dhe natyrave të tjera dhe të gjitha ato fjalë që i kemi dhënë i kemi mbajtur”, deklaroi Osmani…

12 të vdekur, 566 të sheruar e 524 raste të reja me koronavirus në Kosovë

Dymbëdhjetë persona kanë vdekur e 524 raste të reja me koronavirus janë shënuar në 24 orët e fundit në Kosovë.
Sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, në 24 orët e fundit janë shëruar 566 persona.
Rastet pozitive kanë dalë pas marrjes së 1555 mostrave.
Numri total i rasteve pozitive është 46.118 raste nga 161.907 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 1.186 raste të vdekjes.
Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 566 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 33.064 raste, kurse numri i rasteve aktive është 11.868.

Kthehet faqja e Trustit, mbi 230 mijë aplikime deri më tani.

Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës përmes një postimi në Facebook ka njoftuar se është kthyer faqja “trusti10.org” përmes së cilës qytetarët mund të aplikojnë për tërheqjen e 10-përqindëshit.
Dje, para se të niste aplikimi kishte rënë nga sistemi kjo faqe, megjithatë Trusti kishte ofruar një faqe tjetër ku qytetarët kanë arritur të aplikojnë.
Trusti publikon uebsajt tjetër për të aplikuar për 10%
“Të nderuar kontribuues, adresën www.trusti10.org të cilën e kemi promovuar dhe dizajnuar për aplikim për tërheqjen e 10%-shit e kemi funksionalizuar pas mesnatës. Kontribuuesit që nuk kanë aplikuar deri tani mund të aplikojnë tek kjo adresë”, thuhet në njoftim.
Deri në mëngjes janë kryer mbi 230 mijë aplikime.
“Edhe adresat e tjera, që i kemi publikuar mbrëmë për aplikim, dhe përmes të cilave janë realizuar mbi 230 mijë aplikime deri në mëngjes, vazhdojnë të jenë aktive dhe mund të aplikohet në to. Për të gjitha çështjet e tjera teknike me llogaritë bankare jemi duke u marrë, dhe për disa tashmë kemi gjetur zgjidhje, e ditëve në vijim do t’ju njoftojmë për çështjet e tjera që janë shfaqur në konfirmimin e llogarive bankare. Janë edhe dy javë për të aplikuar për pagesat e dhjetorit, si edhe tre muaj të tjera në fillimvitin 2021 (deri më 6 prill 2021 mbyllet afati i aplikimit)”, thuhet në njoftim. “Ju falënderojmë për mirëkuptimin dhe mbështetjen! Jemi duke i lexuar dhe trajtuar të gjitha komentet, mesazhet dhe e-mailet tuaja”..

Qeveria: Po i shqyrtojmë pakënaqësitë e “Srpskas”, besojmë se do të arrijmë pajtueshmëri

Lista Serbe është subjekti më problematik i koalicionit qeverisës që drejtohet nga Avdullah Hoti. Edhe pse nga Qeveria pohojnë që është duke kontribuar në punët e ekzekutivit, në Parlament kjo parti ka qëndrim ndryshe. Rrallëherë voton ligje të rëndësishme e kushtëzimi është forma që e përdor më shpesh.Por kur vie puna për rrëzim të Qeverisë, LS-ja nuk heziton asnjëherë që të jap votën. E kërcënimet e tilla kryeministri Hoti nuk i dëshiron aspak. Madje ai paralajmëroi se javëve në vijim do të adresohen disa çështje lidhur me këtë parti. E në një konferencë për media ai tha se ’’Qeveria mund të bie por nuk pranon të shantazhohet nga askush’’. Të kënaqur me punën e këtij subjekti politik nuk janë as partnerët e tjerë të koalicionit.
Lista Serbe nuk është duke marr pjesë aktivisht në seancat e Kuvendit të Kosovës. Madje kjo parti nuk po ua siguron votat as ekzekutivit pjesë e së cilës është edhe vet, për kalimin e ligjeve dhe projektligjeve. Lidhur me këtë gjë ditë më parë ka reaguar edhe kryeministri Hoti, e që para mediave tha se do t`i adresojnë disa çështje që lidhen me këtë parti.
Mirëpo nga Zyra e Kryeministrit po thonë që ky subjekt politik është duke kontribuar në punën e Qeverisë së Kosovës.
“Lista Serbe është pjesë e koalicionit qeverisës dhe është duke kontribuar në punën e Qeverisë së Kosovës. Kryeministri Hoti ka komunikim të rregullt me të gjithë partnerët e koalicionit, ndërsa komunikime në baza ditore / javore me ministrat dhe zëvendëskryeministrat”, ka thënë për Express, zëdhënësja e Qeverisë, Antigona Baxhaku.
Megjithatë nga Qeveria, konfirmuan për Express se janë në shqyrtim të disa pakënaqësive të Listës Serbe.
“Jemi të vetëdijshëm se ka disa pakënaqësi nga Lista Serbe, të cilat janë duke u shqyrtuar dhe besojmë që shumë shpejtë do të arrijmë pajtueshmëri”, ka thënë më tutje ajo për Express.
Nga LDK-ja parti kjo që e ka postin më të lartë të ekzekutivit po thonë që është ende herët që të flasin për Listën Serbe sepse nuk ka matje të performancës. Sipas nënkryetarit Lutfi Haziri vetëm kryeministri Avdullah Hoti është ai që në emër të LDK-së mund të vlerësojë punën e këtij subjekti politik.
“Ne nuk kemi bërë ende ndonjë matje të performancës. Vetëm kryeministri në emër të LDK-së është ai i cili mund të vlerësoj dhe mund të bëj matjen e performancës të partive politike përfshirë këtu edhe Listën Serbe”, ka deklaruar nënkryetari i LDK-së për Express.
Sjelljet e Listës Serbe në Qeveri dhe ato në Kuvendin e Kosovës, sipas anëtarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Rasim Selmanajt nuk janë risi. Ai tha për Express se ky subjekt politik njësoj ka vepruar edhe në mandatet e tjera.
“Lista Serbe gjithmonë është sjellë kështu dhe nuk është çështja vetëm tek ky mandat por edhe tek mandatet e tjera. Lista Serbe është e obliguar që të marr pjesë në Kuvend sepse ashtu ia përcakton mandati. Ajo duhet poashtu të jetë pjesë e votimit të ligjeve që janë me interes të qytetarëve, pra një obligim që e kanë të gjitha grupet parlamentare”, ka thënë Rasim Selamanaj për Express.
Në ndërkohë nga Nisma Socialdemokrate po vlerësojnë se Lista Serbe ende nuk e ka hequr dominimin nga Beogradi dhe si e tillë nuk ka krijuar asnjëherë stabilitet qeverisës. Kështu ka deklaruar dje në T7, zyrtari i Nismas Bekim Brestovci.
“Natyrisht deputetët e Listës Serbe nuk kanë krijuar asnjëherë një stabilitet qeverisë. Mirëpo jemi dëshmitarë që shpeshherë qeveritë tona vihen në një situatë të tillë kur duhet të krijojnë 61 numra përfshirë edhe të Listës Serbe. Kjo parti nuk ka hequr dominimin nga Beogradi por vazhdon ta mbaj relacionin e tillë çfarë e ka pas. Mendoj që kjo parti do të vazhdojë që interes të mos e ketë stabilitetin e Kosovës por destabilitetin e Kosovës, andaj edhe sjellët e saj në momentin aktual nuk është diçka që duhet të na habis”, ka thënë ai në emisionin Frontal.
Kujtojmë që me 3 qershor të këtij vitit është arritur marrëveshja për formimin e qeverisë aktuale në mes të LDK-së, AAK-së, Nismas dhe Listës Serbe, e ku në krye të saj u vendos Avdullah Hoti.

Moti
Moti: Të dielën parashikohet mot i vranët dhe me shi , temperaturat do të levizin nga 1 deri 5 gradë Celsius. Mot i ngjashem ne Tiranë, me temperatura nga 5-18 gradë celcius.

COVID-19 NË KOSOVË:
Total raste: 46118. Të Shëruar:33064. Të vdekur: 1186.
www.rtvarberia.com Tri kanalet e RTV Arbëria si dhe Radion mund të i ndiqni edhe në www.iptvshqipott.com

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *