Pre. Nën 1st, 2024

NGJARJET E DITES, E SHTUNE, 10.04.2021

Çeku: Vendimi i Europa Nostra është me ndikim të qartë politik

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka reaguar ndaj organizatës Europa Nostra e cila e ditë më parë e ka vendosur Manastirin e Deçanit në listën e monumenteve të rrezikuara.
Sipas Çekut, qasja e Europa Nostra është joprofesionale, jorealiste, e njëanshme dhe me ndikim të qartë politik.
“Vendimi për ta futur Manastirin e Deçanit në listën e 7 objekteve më të rrezikuara nuk bazohet në logjikë të shëndoshë, duke qenë se vetë arsyetimi i vendimit bie ndesh me argumentet për rrezikun që kinse po i kanoset. Për këtë flasin edhe fotografitë të cilat i ka publikuar vetë Europa Nostra në faqen e saj zyrtare”.
“Institucionet e Republikës së Kosovës janë duke e trajtuar me përkushtim të plotë këtë çështje. Jemi duke zhvilluar konsultime të brendshme, si dhe me miqtë tanë ndërkombëtarë për të përcaktuar hapat e ardhshëm për trajtimin e këtij problemi, të cilët do t’i ndërmarrim në ditët në vijim”.
“Republika e Kosovës është instanca më e lartë e mbrojtjes së aseteve të trashëgimisë kulturore në vend. Ne e mbrojmë trashëgiminë tonë. Trashëgimia jonë është universale. Ajo i takon krejt njerëzimit, i takon brezave të kaluar, të tashëm dhe të ardhshëm”.
Më poshtë mund ta lexoni reagimin e plotë të ministrit Çeku:
Me shqetësim e morëm dje lajmin se Europa Nostra ka vendosur që Manastirin e Deçanit ta fusë në listën e 7 monumenteve më të rrezikuara të Evropës për vitin 2021.
Kur kjo organizatë kishte vendosur që Manastirin e Deçanit ta nominonte në listën e monumenteve më të rrezikuara, pati reaguar Presidentja bashkë me Kryeministrin e Kosovës me një letër ku shpalosën argumente të qarta se përse ky Manastir nuk bën të futet në këtë listë, duke qenë se nuk i plotësonte as parakushtet themelore për t’u konsideruar i rrezikuar.
Është vlerësim i pavarur dhe profesional i organeve përkatëse të rendit dhe sigurisë që kishat ortodokse në Kosovë gëzojnë nivel të lartë sigurie dhe nuk janë të rrezikuara.
Me shpalljen e pavarësisë, shteti i Kosovës ka miratuar të gjitha garancitë kushtetuese, ligjore, institucionale dhe politike për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të të gjitha komuniteteve joshumicë në vendin tone.
Republika e Kosovës është plotësisht e përkushtuar për mbrojtjen e të gjitha aseteve të trashëgimisë kulturore të vendit, e ne veçanti të kishave dhe manastireve ortodokse, klerit ortodoks, praktikuesve të fesë e komuniteteve joshumicë.
Monumentet e përfshira në listën e Europa Nostra janë vërtet në rrezik duke qenë se u kanoset edhe shembja për shkak të faktorëve të ndryshëm. Përjashtim këtu bën vetëm Manastiri i Deçanit i cili, në vetë arsyetimin e Europa Nostra, përshkruhet si një objekt funksional kulti, në gjendje të mirë, ku zhvillohen liturgjitë ditore, ku komuniteti kryen ceremonitë e tyre duke qenë i hapur edhe për pelegrinë.
I vetmi shqetësim, i supozuar, lidhur me Manastirin e Deçanit thuhet të jetë një rrugë e pandërtuar për të cilën vetë Europa Nostra konstaton se është arritur marrëveshje mes të gjitha palëve, duke përfshirë klerin ortodoks.
Gjuha e përdorur në tekstin e nominimit është e pasaktë, tendencioze dhe e papranueshme. Cilësimi “ekstremistët lokalë” është ekzagjerim i qëllimshëm, sulmi i pretenduar nga organizata terroriste “ISIS” është i pabazuar në fakte, andaj kjo na bën të besojmë se nominuesi nuk ka ndjekur linjë profesionale argumentimi por ka devijuar në një përmbajtje me ngarkesa politike dhe krejt të pabazuara në burime.
Si në tekstin e nominimit ashtu edhe në shpalljen finale, ndër tjerash, paragjykohet statusi i shtetit të Kosovës, si dhe bëhet përpjekje për ndërlidhjen e çështjes së Manastirit me dialogun politik mes Kosovës dhe Serbisë. Të dy këto pretendime janë të pasakta dhe janë në linjë me qëndrimin politik të shtetit të Serbisë. Kosova ka status të definuar, dhe ajo ka shpallur pavarësinë më 17 shkurt 2008. Ky deklarim unanim i vullnetit të popullit të Kosovës përmes përfaqësuesve të vet të zgjedhur është konfirmuar edhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në korrik të vitit 2010. Ndërsa ndërlidhja mes çështjes së Manastirit dhe dialogut politik është e paqëndrueshme, dhe duhet të refuzohet pasi të gjitha garancitë për trashëgiminë kulturore që rrjedhin nga Plani i Ahtisaarit janë të përfshira në Kushtetutën dhe legjislacionin e Republikës së Kosovës dhe kjo çështje nuk duhet të rihapet.
Në arsyetimin e kësaj organizate shihet qartë njëanshmëria e saj kur referencat i merr kryekëput nga historiografia serbe në rastet kur përmend karakteristikat e brendshme të objektit, derisa Kosovën e përmend me një fusnotë! Kjo qasje e Europa Nostra është joprofesionale, jorealiste, e njëanshme, dhe me ndikim të qartë politik.
Vendimi për ta futur Manastirin e Deçanit në listën e 7 objekteve më të rrezikuara nuk bazohet në logjikë të shëndoshë, duke qenë se vetë arsyetimi i vendimit bie ndesh me argumentet për rrezikun që kinse po i kanoset. Për këtë flasin edhe fotografitë të cilat i ka publikuar vetë Europa Nostra në faqen e saj zyrtare.
Institucionet e Republikës së Kosovës janë duke e trajtuar me përkushtim të plotë këtë çështje. Jemi duke zhvilluar konsultime të brendshme, si dhe me miqtë tanë ndërkombëtarë për të përcaktuar hapat e ardhshëm për trajtimin e këtij problemi, të cilët do t’i ndërmarrim në ditët në vijim.
Republika e Kosovës është instanca më e lartë e mbrojtjes së aseteve të trashëgimisë kulturore në vend. Ne e mbrojmë trashëgiminë tonë. Trashëgimia jonë është universale. Ajo i takon krejt njerëzimit, i takon brezave të kaluar, të tashëm dhe të ardhshëm.
Për t’u informuar më shumë rreth kësaj ngjarje, klikoni në vegëzat e mëposhtme.

Nimoni: Ka filluar puna për vettingun – shpejti pritet edhe formalizimi me vendim i grupit punues brenda MD-së

Shefi i kabinetit të ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka treguar për dy proceset më të rëndësishme që do ta reformojnë sistemin e drejtësisë; Vettingu dhe Rishikimi Funksional.
Genc Nimoni, ka bërë të ditur se tashmë procesi i Vettingut në Ministrinë e Drejtësisë ka filluar.
“Vetingu: Tashmë në Ministrinë e Drejtësisë, ka filluar puna për vetingun. Së shpejti pritet edhe formalizimi me vendim i grupit punues brenda MD, i cili grup do ta konsiderojë edhe kontributin e ekspertëve nga jashtë për kompletimin e bazës legjislative që do t’i hapë rrugë vettingut”, ka shkruar Nimoni në Facebook.
Po ashtu Nimoni ka treguar edhe për procesin e Rishikimit Funksional ku janë intensifikuar punën e mbi 300 komentev ku synon miratimin e Strategjisë së Rishikimit Funksional për Sundimin e Ligjit
“Rishikimi Funksional – si një iniciativë reformuese e sektorit të sundimit të ligjit, ka intensifikuar punën në adresimin e mbi 300 komenteve dhe synon miratimin sa më të shpejtë të Strategjisë së Rishikimit Funksional për Sundimin e Ligjit. Miratimi i strategjisë, do t’i hapë rrugë reformimit dhe efikasiteti të institucioneve në sektorin e sundimit të ligjit”, ka thënë Nimoni.

Hoxhaj, PDK: Qeveritë Hoti dhe Kurti dështuan para propagandës serbe, po dëmtohet imazhi i Kosovës

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, përmes një reagimi në facebook ka thënë se Qeveritë Hoti dhe Kurti po dështojnë para propagandës serbe për monumentet kulturore dhe fetare në vend.
Hoxhaj ka thënë se që nga shpallja e pavarësisë, Serbia është përpjekur të krijojë imazhin se monumentet kulturore dhe fetare të pakicës serbe në Kosovë janë të rrezikuara, por ne kemi parandaluar vlerësime të tilla nga institucione me reputacion dhe ne jemi përgjigjur me diplomaci aktive dhe mbështetjen e partnerëve tanë. Ajo që u bë e pamundur për vite u realizua në një kohë të shkurtër me ardhjen e qeverive Hoti dhe Kurti.
Lexoni reagimin e plotë të kryetarit të PDK-së:
Që nga shpallja e pavarësisë, Serbia është përpjekur të krijojë imazhin se monumentet kulturore dhe fetare të pakicës serbe në Kosovë janë të rrezikuara, por ne kemi parandaluar vlerësime të tilla nga institucione me reputacion dhe ne jemi përgjigjur me diplomaci aktive dhe mbështetjen e partnerëve tanë. Ajo që u bë e pamundur për vite u realizua në një kohë të shkurtër me ardhjen e qeverive Hoti dhe Kurti.
Ka qenë një fushatë mediatike dhe diplomatike të nxitur nga Beogradi që disa muaj në lidhje me pozicionin e Kishës Serbe në Kosovë dhe qëllimi është shumë i qartë, përveç qeverisë aktuale që nuk e kupton atë dhe nuk ka ide se si të përgjigjet.
Më 10 Dhjetor 2020, Europa Nostra dhe organizata e saj partnere, Instituti Evropian i Bankës së Investimeve, kanë shpallur 12 vendet e trashëgimisë më të kërcënuara në Evropë të përzgjedhura për 7 më të rrezikuara për vitin 2021, pasi u njoftuan ftesat për nominime në qershor të vitit 2020. Pyetja për të dy qeveritë e vitit të kaluar është çfarë veprimesh ndërmorët për ta parandaluar këtë?

Ne presim nga qeveria aktuale një strategji për t’iu përgjigjur fushatave diplomatike dhe propagandistike serbe kundër Kosovës. Ata duhet të zgjohen për të mbrojtur interesat e Kosovës dhe të mos heshtin para këtij dëmi që i ndodhi imazhit të Kosovës në Evropë….

9 të vdekur vdekur nga Covid-19, 571 raste të reja dhe 727 të shëruar

Njoftimi plotë nga IKSHPK!
727 TË SHËRUAR DHE 571 RASTE ME COVID-19!
Gjatë 24 orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK dhe laboratoret private me metodën RT-PCR, si dhe laboratoret publike dhe private me metodën RAT, janë testuar gjithsej 4.351 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, prej të cilëve rezultojnë 571 raste pozitive.
Brenda 24 orëve janë raportuar 9 raste të vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv. Rastet e vdekjes janë nga komunat: Prishtinë 3 raste (80, 79, 66 vjeç), Ferizaj 1 rast (80 vjeç), Gjakovë 1 rast (65 vjeç), Lipjan 1 rast (81 vjeç), Rahovec 1 rast (48 vjeç), Shtime 1 rast (81 vjeç), Vushtrri 1 rast (58 vjeç).
Numri total i rasteve pozitive është 97.467 raste nga 471.004 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 1.976 raste të vdekjes.
Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 727 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 81.561 raste, kurse numri i rasteve aktive është 13.930.
Rastet pozitive janë nga komunat: Prishtinë 195 raste, Ferizaj 60 raste, Gjilan 51 raste, Gjakovë 37 raste, Pejë 30 raste, Mitrovicë 29 raste, Fushë-Kosovë 22 raste, Podujevë 21 raste, Lipjan 19 raste, Viti 16 raste, Obiliq 14 raste, Vushtrri 12 raste, Prizren 11 raste, Skenderaj 11 raste, Deçan 7 raste, Drenas 7 raste, Klinë 5 raste, Malishevë 5 raste, Suharekë 5 raste, Kamenicë 4 raste, Rahovec 3 raste, Istog 2 raste, Kaçanik 2 raste, Shtërpcë 2 raste dhe Shtime 1 rast.
Mbuloni gojën dhe hundën me maskë! Mbani higjienën! Respektoni distancën!!

Krasniqi: Qeveria urgjentisht të merret me trajtimin e problemeve ekonomike, të mbrohen bizneset

Trajtimi i problemeve ekonomike, shqyrtimi i marrëveshjeve me Bashkimin Evropian dhe vendet e rajonit për liberalizimin e tregut, ligji për tregti të brendshme dhe krijimi i Gjykatës Komerciale, janë ndër rastet urgjente me të cilat Qeveria Kurti duhet të merret. Kështu ka thënë kryetari i Bordit të Odës së Afarizmit të Kosovës, Skender Krasniqi.
Krasniqi thotë se fillimisht Qeveria e re duhet të merret me trajtimin e problemeve ekonomike në mënyrë që të ketë zhvillim ekonomik dhe ndalje të rritjes së papunësisë në vend.
Ai ka treguar edhe se në kontuinitet si Odë Afarizmit të Kosovës kanë kërkuar edhe që të përkrahet prodhimi vendor.
Krasniqi: Të përkrahet prodhimi vendor
“Ne si Odë në kontinuitet kemi kërkuar përkrahje financiare dhe kemi dërguar kërkesë. Kërkesë emergjente e qeverisë është trajtimi i problemeve ekonomike, kjo është kërkesë mbi kërkesa në mënyrë që të kemi një zhvillim ekonomik dhe të ndal rritjen e papunësisë. Ne kemi kërkuar që prodhimi vendor të përkrahet me 10 përqind, në markete në dalje, për një kohë të caktuar derisa bizneset ta marrin veten por edhe qytetarët të edukohen më shumë në konsumin e prodhimit vendor. Të përkrahet eksporti me 10 përqind në dalje sepse jemi vendi që kemi dallimin më të madh në mes importit dhe eksportit, do me thënë 90 përqind importojmë 10 përqind eksportojmë”, deklaroi Krasniqi.
Krasniqi kërkon që të shqyrtohen vendimet dhe marrëveshjet e arritura me BE-në, meqë thotë se këto marrëveshje veçse e kanë dëmtuar prodhimin vendor. Ai ka theksuar se marrëveshjet kanë qenë keq të negociuara nga shteti i Kosovës e që i kanë dëmtuar bizneset dhe buxhetin e shtetit.
Krasniqi: Marrëveshjet me BE dhe vendet e rajonit keq të negociuara, dëmtuan bizneset
“Të shqyrtohen vendimet dhe marrëveshjet që i kemi bërë me Bashkimin e Evropian, me vendet e Rajonit të Ballkanit sepse këto marrëveshje për liberalizim të tregut, fatkeqësisht e kanë dëmtuar prodhimin vendor në vend se ta rrisin prodhimin vendor. Në vend që të rritet eksporti është rritur importi. Ndërkohë që vendet e rajonit si rezultat i këtyre marrëveshjeve në interes të bizneset kanë rritje të eksportit më shumë se rritje të importit. Ne kemi bërë një analizë dhe vetëm për pesë vjet nga marrëveshja e MSA-së ne kemi rritur importin për 1 mijë e 800 përiqnd krahasim me eksportin ndërkohë që vendet e rajonit siç është Shqipëria e ka rritur 10 përqind më shumë eksportin se importin, Maqedonia e ka rritur 20 përqind më shumë eksportin se importin. Do me thënë që marrëveshjet që i kanë nënshkruar kanë qenë të negociuar mirë nga ana e shteteve, ndërkohë që marrëveshjet që i kemi nënshkruar ne kanë qenë të negociuar në ekstrem keq në dëm të biznesit dhe rritjes së prodhimit vendor, rritjes së punësimit dhe rritjes së buxhetit të shteti”, theksoi Krasniqi për KosovaPress.
Krasniqi ka përmendur edhe ligje të tjera me të cilat thotë se duhet të merret Qeveria e re.
Krasniqi: Të largohen pengesat për zhvillim ekonomik
“Ka shumë kërkesa që është edhe ndryshimi i Ligjit të punës, ndryshimi i ligjit të lehonisë që mos të detyrohet edhe pas 20 vitesh biznesi të paguaj dy paga për një vend pune, është Ligji i Gjykatës Komerciale, Ligji i bujqësisë, pylltarisë ligji për treti të brendshme dhe shumë ligje tjera që qeveria i ka në dispozicion, ulja e TVSh në pesë përqind në ushqim dhe hoteleri në mënyrë që të rritet konsumi i prodhimeve dhe të rritet biznesi i hotelerisë, ligji mbi miniera, ligji për investime strategjike që ka skaduar se ka qenë në afat tre vjeçar të filloj të ndryshojë dhe të kaloj me urgjencë në Kuvend në mënyrë që të krijojmë ofertë për investitorë në mënyrë që nuk kemi ofertë për investitorë dhe shumë ligje të tjera dhe udhëzime administrativë që kanë vendosur si pengesa e të zhvillimit ekonomik të largohen dhe të fillojmë një etapë të e të zhvillimit në vend”, potencoi Krasniqi.
Veç këtyre, Krasniqi potencoi nevojën që të krijohet Gjykata Komerciale, gjykatë kjo që u përmend nga qeverisja e kaluar por që nuk u bë asgjë në këtë drejtim. Për çka tha se bizneset kanë nevojë për këtë gjykatë, duke shtuar edhe se shteti duhet të jetë mbrojtës i bizneseve e jo shkatërrues.
Krasniqi: Nevojë emergjente krijimi i Gjykatës Komerciale, shteti t’i mbrojë bizneset
“Nevoja për një Gjykatë Komerciale është emergjente për shkak se lëndët marrin vite që trajtohen problemet e bizneseve. Ndërkohë që shteti ka bërë një veprim antiligjor duke krijuar gjykata, vendime brenda institucioneve të veta siç është ATK dhe Dogana e Kosovës […]Për një gjykatë komerciale ka nevojë ekstrem për shkak se edhe bizneset e huaja nuk vijnë të investojnë në Kosovë kur një lëndë donë vite që të trajtohet. Kemi nevojë ekstrem që kjo gjykatë e cila u diskutua edhe në qeverinë e kaluar por ka mbetur peng si rezultat i ndryshimit të shpejt të qeverisë të trajtohet me urgjencë. Pastaj ligji për tregti të brendshme. Kemi nevojë emergjente sepse thjesht shteti me vendimet dhe lejet që është duke i dhënë për hapjen e bizneseve është duke i shkatërruar bizneset e caktuara sepse po krijohet një konkurrencë jo e rregullt e hapjes së bizneseve pa bërë analiza se a ka nevojë tregu për atë lloj biznesi apo jo. Shteti duhet me qenë mbrojtës i bizneseve e jo shkatërrues i bizneseve, fatkeqësisht më shumë është sjellë si shkatërrues i bizneseve sesa mbrojtës”, thotë Krasniqi.”.

Moti
Gjatë dites se diele parashikohet mot pjeserisht me diell , temperaturat do të lëvizin nga 4 deri në 18 gradë celcius. Ndersa ne Tirane poashtu parashihet mot pjeserisht me diell , temperaturat do te levizin nga 6 deri në 19 gradë celcius .

COVID-19 NË KOSOVË:
Total raste: 97467 ,Të shëruar:81561 ,të vdekur: 1976

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *