Mër. Maj 15th, 2024

NGJARJET E DITËS, E SHTUNË, 21.11.2020

By Rtv Arbëria Nën 21, 2020

Osmani: Në KQZ nuk do të dekretojë emra të angazhuar në Qeverinë e Serbisë

Ushtruesja e detyrës së Presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani, pas komunikatës zyrtare se ia ka ndërprerë mandatin në KQZ përfaqësuesit të Listës Serbe, Nenad Rikalos, e ka sqaruar më tej në Facebook shkarkimin e tij.
Ajo ka thënë se nuk do dekretojë emra që angazhohen në Qeverinë e Serbisë duke kompromentuar sovranitetin e Kosovës.
“Prandaj, pas shkresës që më është dërguar nga KQZ-ja, ia kam ndërprerë mandatin si dhe kam kërkuar nga Lista Serbe që të propozojnë emrin e ri për përfaqësues të tyre në KQZ. Natyrisht që nuk do të dekretojë emra të cilët duke u angazhuar në pozita në Qeveri të Serbisë, komprometojnë sovranitetin dhe funksionimin kushtetues të institucioneve tona të pavarura”, ka shkruar ajo.
Rikalo, shkruan Osmani, ka shkelur integritetin e KQZ-së në Kosovë dhe “ka vënë në rrezik kushtetutshmërinë e funksionimit të këtij institucioni”..

19 të vdekur, 721 të shëruar e 711 raste të reja me COVID-19 në Kosovë

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka konfirmuar se në Kosovë sot 19 persona me COVID-19 kanë vdekur.
Derisa 711 persona kanë rezultuar pozitivë në 24 orët e fundit, transmeton KOHA
Gjatë 24 orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK dhe laboratoret private me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 1.633 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, prej të cilëve rezultojnë 711 raste pozitive. Brenda 24 orëve janë raportuar 19 raste të vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv. Rastet e vdekjes janë nga komunat: Gjilan 4 raste (78, 71, 67, 64 vjeç), Prizren 4 raste (75, 72, 72, 62 vjeç), Vushtrri 2 raste (80, 72 vjeç), Drenas 1 rast (75 vjeç), Ferizaj 1 rast (56 vjeç), Fushë-Kosovë 1 rast (73 vjeç), Gjakovë 1 rast (77 vjeç), Klinë 1 rast (57 vjeç), Malishevë 1 rast (66 vjeç), Pejë 1 rast (78 vjeç), Prishtinë 1 rast (78 vjeç), Skenderaj 1 rast (52 vjeç).
Numri total i rasteve pozitive është 33.588 raste nga 129.355 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 904 raste të vdekjes.
Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 721 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 20.493 raste, kurse numri i rasteve aktive është 12.191.
Rastet pozitive janë nga komuna Prishtinë 309 raste, Pejë 63 raste, Ferizaj 33 raste, Lipjan 30 raste, Gjilan 29 raste, Podujevë 29 raste, Gjakovë 28 raste, Prizren 22 raste, Fushë-Kosovë 21 raste, Klinë 18 raste, Deçan 14 raste, Suharekë 14 raste, Kaçanik 11 raste, Obiliq 11 raste, Istog 10 raste, Kamenicë 10 raste, Malishevë 10 raste, Shtime 9 raste, Viti 9 raste, Rahovec 8 raste, Drenas 6 raste, Graçanicë 5 raste, Vushtrri 5 raste, Hani i Elezit 3 raste, dhe me nga 1 rast Dragash, Mitrovicë, Novobërdë.

MPJD-ja e quan ofenduese dhe provokuese kërkesën e Vuçiqit për të vizituar Kosovën

Kërkesa e Vuçiqit, Vulinit, Gjuriqit e Petkoviqit për të vizituar Kosovën, në një kohë kur Kosova përballet me rihapjen e plagës e dhimbjes së madhe të personave të pagjetur, dhe zbulimit të varrezave masive të shqiptarëve të vrarë e masakruar në luftë, 21 vjet më pas, është ofendim më tepër se provokim.
Kështu ka thënë ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, e cila ka shtuar se secila kërkesë e Serbisë në këto rrethana gjithmonë do ta ketë përgjigjen e njëjtë.
Tutje thuhet se meqë institucionet e Kosovës të angazhuara për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur, tanimë kanë pranuar ftesën për pjesëmarrje në vazhdimin e gërmimeve në varrezën masive në Kizhevak të Serbisë dhe do të jenë aty gjatë javës së ardhshme, edhe vizita e paralajmëruar e Ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, shtyhet për një kohë tjetër.
“Qytetarët e Kosovës, familjet e të pagjeturve, të vrarëve dhe të masakruarve nga forcat policore, ushtarake dhe paramilitare serbe, pyesin me të drejtë se çka do të ndodhë pas zbulimit të varrezave masive dhe rivarrosjes? Deri kur drejtësia ndërkombëtare do të lejojë, që po ata që kryen krimet te kryejnë edhe hetimet e gjykimet? Serbia, nuk është në gjendje ta trajtojë të kaluarën e saj kriminale, andaj kërkohet ndërhyrje ndërkombëtare në këto rrethana, që drejtësia e munguar për viktimat e gjenocidit serb në Kosovë të vihet në vend”, thuhet në komunikatë…

“Prej fillimit të pandemisë deputetët e Kuvendit kanë marr 2 milion euro paga”

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti ka thënë se deputetët e Kuvendit të Kosovës që nga fillimi i pandemisë kanë marrë 2 milionë euro paga.
“Prej fillimit të pandemisë deputetët e Kuvendit kanë marr 2 milion euro paga”, ka shkruar Ahmeti në Facebook.
Ndërsa, kujtojmë se në këtë kohë pandemie, Ligji për Rimëkëmbje Ekonomike ka dështuar të kalojë për të 7-tën në Kuvendin e Kosovës.
Madje, zëvendëskryeministri i Kosovës, Driton Selmanaj, ka thënë se nëse dështon kalimi i Projektligjit për Rimëkëmbje atëherë i humb kuptimi kësaj qeverie..

Prokuroria Speciale kërkon zgjatjen e paraburgimit për Salih Mustafën

Prokuroria Speciale ka kërkuar vazhdimin e paraburgimit për ish-komandantin e UÇK-së, Salih Mustafa.
Në kërkesën e Prokurorisë për Gjykatësin e procedurës paraprake lidhur me rastin e Salih Mustafës thuhet se ai duhet të vazhdojë të mbetet në paraburgim si e vetmja mënyrë për të menaxhuar rreziqet që paraqiten nga i akuzuari.
“Në përgjithësi, rreziqet e paraqitura nga lirimi i të akuzuarit, të konsideruara vetëm ose së bashku, mund të menaxhohet në mënyrë efektive vetëm në Qendrën e Paraburgimit. Paraburgimi është mënyra më efektive për të kufizuar aftësinë e të akuzuarit për të ikur ose përndryshe penguar Dhomat e Specializuara në arritjen e saj juridike, pengimin e hetimit ose procedurat gjyqësore, dhe / ose kryerjen e krimeve të mëtejshme. Çdo siguri që i akuzuari mund të japë do të ishte e pamjaftueshme të garantoni pajtueshmëri me ndonjë kusht ose kapërceni rreziqet konkrete të lirimit. Në rrethana të tilla, lirimi, me ose pa kushte, nuk duhet të mundësohet”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë Speciale për gjyqtarin e procedurës paraprake Nicolas Guillou
Tutje thuhet se për arsyet e listuara, Prokurori i Specializuar kërkon që i akuzuari Salih Mustafa të mbetet në paraburgim.
Mbrojtja e Salih Mustafës ka paraqitur kërkesën para gjykatësit të procedurës paraprake që ai të lirohet nga paraburgimit.
Në kërkesën e mbrojtjes thuhet se Salih Mustafa është shtetas i Kosovës që ka vendbanim në Kosovë dhe sa ka bashkëpunuar me Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Sipas mbrojtjes nuk ka asnjë bazë që i akuzuari të kryejë ndonjë incident nëse lirohet dhe se Mustafa do të qëndrojë në shtëpi me familjen e tij.
Dy kërkesat e Prokurorisë dhe Mbrojtjes në rastin e Salih Mustafës mbajnë datë 20 nëntor 2020

Zemaj thotë se klinikat janë mbushur me pacientë, harron premtimin për ndërtimin e dy spitaleve për COVID

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka vizituar sot klinikat e QKUK-së së bashku me ushtruesin e detyrës së drejtorit të SHSKUK-së, Saudin Maliqi, për të parë gjendjen e hapësirave ku po trajtohen pacientët me COVID-19.
Zemaj përmes një postimi në Facebook tha se klinikat janë të mbushura me pacientë, ndërsa thotë se duhet të ruajmë njëri-tjetrin, në mënyrë që të mos përhapet infeksioni COVID-19.
“Personeli shëndetësor, në çdo klinikë dhe spital, përkundër lodhjes dhe ngarkesave, janë në krye të detyrës.
Kërkova që pacientët të kenë trajtimin e duhur, të mos ketë mungesa, as të hapësirave, as barnat e Listës esenciale dhe atyre të protokolleve, oksigjeni dhe çdo gjë tjetër për trajtimin efikas të pacientëve.
Klinikat dhe spitalet janë të mbushura, personeli shëndetësor është tejet i angazhuar, por jeta e qytetarëve tanë është më e vlefshme se çdo gjë tjetër. Të gjithë së bashku duke ruajtur njeri-tjetrin, ruajmë familjet tona, sistemin shëndetësor dhe Republikën e Kosovës”, ka shkruar Zemaj në Facebook.
Zemaj madje ka harruar që ka deklaruar për ndërtimin e dy spitaleve për pacientë me COVID-19.
“Përderisa shtetet evropiane po ballafaqohen me përhapjen e shpejtë të virusit dhe raportojnë numër të lartë të infeksioneve me Sars Covid-19, ne po përgatitemi për çdo skenar. Ministria e Shëndetësisë, ditëve në vijim do ta bëjë gati “Spitalin për Covid-19”, me 500 shtretër në Prishtinë”, kishte thënë Zemaj në shtator të këtij viti.
Kujtojmë se në 24 orët e fundit u shënuan 19 viktima nga COVID-19 si dhe u regjistruan 711 raste të reja…

Sport
Loriana Kuka ia sjell Kosovës medaljen e dytë nga Evropiani

Xhudistja Loriana Kuka ka shënuar një sukses të jashtëzakonshëm në Kampionatin Evropian që po zhvillohet në Pragë.
Ajo ka arritur të rrëmbejë medaljen e bronztë në kategorinë deri 78 kilogramë,
Në garë për të bronztën ajo e mposhti xhudisten italiane, Giorgia Stangherlin.
Kjo është medalja e dytë e Kosovës në këtë garë, pasi dje në këtë kampionat Distria Krasniqi rrëmbeu poashtu medaljen e bronztë..

MOTI

Të dielen parashikohet mot me diell , temperaturat do të levizin nga -2 deri 6 gradë Celsius. Mot mot i ngjashem në Tiranë, me temperatura nga 8-20 gradë celcius.

COVID-19 NË KOSOVË:
Total raste: 33588. Të Shëruar: 20493. Të vdekur: 904
www.rtvarberia.com
Tri kanalet e RTV Arbëria si dhe Radion mund të i ndiqni edhe në www.iptvshqipott.com

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *