Hën. Pri 29th, 2024

NGJARJET E DITËS, E DIEL, 22.11.2020

By Rtv Arbëria Nën 22, 2020

PDK-ja e VV-ja s’lëshojnë pe për Projektligjin për rimëkëmbje, propozojnë ndihma të tjera

Inatet politike po e mbajnë të bllokuar në Kuvend që prej gushtit Projektligjin për rimëkëmbje ekonomike.
Atë nuk po e votojnë dy partitë opozitare. Sipas Vetëvendosjes dhe Partisë Demokratike të Kosovës, ky projektligj nuk përmbush kërkesat e bizneseve dhe nuk ka asnjë lidhje me rimëkëmbje ekonomike.
Për Vetëvendosjen, ky projektligj është i palogjikshëm dhe i rrezikshëm. Kjo parti ndërkohë ka dhënë edhe një propozim të vetin, ndihmë përmes kredive.
Besnik Bislimi, ish-ministër i Financave, thotë se kjo ndihmë do të ishte më e leverdishme për qytetarët, derisa ka shtuar se nga Trusti jo të gjithë mund të përfitojnë.
“Për ato familje që mund të marrin kredi, kreditimi deri në dyfishimin e pagës mesatare ku Qeveria e kish marrë përsipër mbulimin e normës së interesit në një periudhë 5-vjeçare. Është opsion shumë i mirë, për arsye se mjetet e kredituara, edhe pse në vëllim janë njëjtë me mjetet e tërhequra nga trusti i pensionit, të gjitha kishin me u vu në qarkullim, ndërkaq kostoja kishte me qenë më e vogël sepse ne sigurojmë mjetet, por në të njëjtën kohë nuk pengojmë rritjen e mjeteve të kursyera në Trust”, ka thënë Bsilimi.
Sipas Bislimit, familjet të cilat janë buzë ekzistencës nuk përfshihen në këtë projektligj dhe nuk kanë fare mjete në Trust.
Në anën tjetër, PDK-ja ka përsëritur se do të vazhdojë të mos e përkrahë këtë ligj dhe ka kërkuar prej partive të tjera t’i pranojnë rekomandimet e tyre.
“PDK-ja kërkon që Ligji për rimëkëmbje ekonomike të plotësohet me mekanizma financiarë, që mundësojnë qasje në para për sektorin privat, e sidomos për prodhuesit, për punëtorët dhe shërbyesit civilë, që janë në vijë të parë në luftën kundër pandemisë”, ka thënë zëdhënësi i PDK-së, Avni Bytyqi.
KOHA i ka dërguar pyetje ministres së Financave, Hykmete Bajrami, lidhur me këtë çështje, por nga zyra e saj nuk kanë kthyer ndonjë përgjigje.
Për njohësin e çështjeve ekonomike, Muhamet Mustafa, Qeveria duhet të ketë menaxhim më të mirë gjatë pandemisë, derisa propozimet e partive i quajti “populiste e të pavlera”.
“Qeveria duhet të fokusohet te qytetarët që kanë nevojë për një infuzion kurse te bizneset duhet koncentruar te pengimi i humbjes së vendeve të punës dhe nxitja e investimeve”, ka deklaruar ai.
Ndërkaq, kryetari i Odës Ekonomike, Berat Rukiqi, ka kritikuar edhe Qeverinë, edhe subjektet politike, derisa thotë se Projektligji për rimëkëmbje është shndërruar në arenë politike.
“Projektligji për rimëkëmbje ekonomike është bërë një lloj arene, ku partitë politike i kanë nxjerrë, figurativisht po them, shpatat dhe po bëjnë garën kush është më i forti apo kush ka një fuqi të caktuar brenda Kuvendit të Kosovës. Absolutisht gjithmonë në radhë të parë është te Qeveria topi që të reflektojë”, ka thënë Rukiqi.
Projektligji për rimëkëmbje u votua në lexim të parë më 12 tetor. Ai mëton të ndihmojë në rikuperimin e humbjes së bizneseve për shkak të pandemisë. I njëjti është miratuar në Qeverinë e Kosovës më 22 korrik.”..

10 të vdekur, 550 te sheruar e 707 raste të reja me COVID-19

Në 24 orët e fundit në Kosovë dhjetë persona kanë vdekur si pasojë e COVID-19, duke çuar shifrën totale të vdekurve që nga fillimi i pandemisë në 914.
Katër të vdekur janë nga Prishtina, ndërsa nga një nga Dragashi, Istogu, Klina, Podujeva, Shtime e Vushtrri.
Po ashtu në Kosovë janë regjistruar 707 raste të reja me koronavirus nga 1831 mostra të testuara. Numri total i të infektuarve ka arritur në 34.295.
Rastet pozitive janë nga komuna Prishtinë 380 raste, Ferizaj 43 raste, Fushë-Kosovë 41 raste, Mitrovicë 40 raste, Gjakovë 29 raste, Lipjan 26 raste, Vushtrri 25 raste, Podujevë 17 raste, Drenas 13 raste, Gjilan 13 raste, Prizren 13 raste, Pejë 12 raste, Skenderaj 9 raste, Obiliq 8 raste, Malishevë 7 raste, Hani i Elezit 4 raste, Klinë 4 raste, Shtime 4 raste, Deçan 3 raste, Kamenicë 3 raste, Kaçanik 3 raste, Suharekë 3 raste, Viti 2 raste, Dragash 1 rast, Graçanicë 1 rast, Junik 1 rast, Rahovec 1 rast, Zubin-Potok 1 rast.
Në 24 orët e fundit janë shëruar 550 pacientë, ndërsa numri i të shëruarve ka arritur në 21.043. Aktualisht janë 12.338 raste aktive..
14 vdekje nga COVID-19 gjatë 24 orëve të fundit në Shqipëri

14 persona kanë vdekur dhe 565 të tjerë janë infektuar me koronavirus gjatë 24 orëve të fundit në Shqipëri.
Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se gjatë kësaj periudhe janë testuar 2 mijë e 84 persona. 146 raste janë regjistruar në Tiranë, 71 në Gjirokastër, 50 në Lezhë, 37 në Elbasan e të tjera.
Ndërsa, gjatë 24 orëve të fundit, 373 pacientë janë shëruar, duke e çuar kështu numrin në 15 mijë e 842, që nga fillimi i pandemisë….

Hoti zmbrapset nga negociatat për Asociacionin

Qeveria Hoti kishte planifikuar t’i vërë bazat e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, para dy muajve. Por ishte zmbrapsur pas denoncimit publik të ish-presidentit Thaçi. Ndryshe prej deklarimeve publike, kryeministri Hoti ishte pajtuar që Asociacioni të negociohej me palën serbe në Bruksel. Burime të KOHËS brenda Qeverisë kanë thënë se negociatat ishte caktuar të fillonin në shtator. Për këtë punë Hoti kishte caktuar edhe një ekip me zyrtarë qeveritarë dhe ekspertë të jashtëm. Atyre do t’u printe koordinatori i Qeverisë për dialogun, Skënder Hyseni. Por dy ditë para nisjes Hyseni e kishte shtyrë takimin për kohë të pacaktuar.
“Negociatat është dashur të fillojnë në muajin shtator. Përveç kryenegociatorit ka qenë në plan të udhëtojnë edhe përfaqësues të tjerë të Qeverisë dhe ekspertë të jashtëm. Por ndërkohë zyra e kryenegociatorit e ka shtyrë takimin në kohë të pacaktuar. Prej atëherë s’ka pasur veprime institucionale nga ana e Qeveris rreth kësaj çështjeje”, ka thënë burimi.
Shtyrja ndodhi pasi Thaçi e denoncoi publikisht Hotin për angazhimet e tij rreth Asociacionit. Qeveria është munduar ta mbajë fshehtë këtë fakt.

Nuk respektuan ligjin anti-covid, 300 gjoba vetëm për vikend në rajonin e Prishtinës

Drejtoria Rajonale e Policisë -Prishtinë edhe gjatë vikendit perveç përgjegjësive për garantimin e rendit dhe sigurisë publike ka ushtruar edhe autorizimet e saj për ngritjen e nivelit të respektimit të masave anti COVID., thuhet në njoftim të Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës.
“E kuptojmë që është e domosdoshme lidhja njerëzore me njëri tjetrin, por tani për tani duhet të respektojmë rekomandimet e kufizimet e vendosura pasi që ruajtja shëndetit plublik është një nga prioritet e të gjithë neve”, thuhet ndër të tjera në noftimin e Policisë.
Policia e rajonit të Prishtinës ka vënë në dukje se po punon që bashkërisht me të gjitha subjektet dhe të gjithë qytetarët të parandalojnë përhapjen e virusit qoftë nga pakujdesia apo nga neglizhenca.
“Vetëm gjatë këtij vikendi, për personat që nuk po rrespektojnë masat parandaluese janë shqiptuar mbi 300 gjoba dhe janë dhene me qindra vërejtje e këshillime për respektimin e tyre”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Osmani: Kongresi i Alfabetit u shndërrua në njërën nga ngjarjet më të rëndësishme politike

Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës Vjosa Osmani ka deklaruar se Kongresi i Alfabetit shënon njërën ndër ngjarjet më të rëndësishme në historinë tonë kombëtare.
Ajo në një postim në Facebook ka shkruar se Kongresi i Alfabetit shqip u shndërrua në njërën nga ngjarjet më të rëndësishme politike.
“Duke e unifikuar alfabetin, delegatët e tij e unifikuan popullin shqiptar rreth një identiteti të përbashkët dhe e riorientuan atë përfundimisht drejt kulturës e qytetërimit perëndimor, pjesë e të cilit qemë prej shekujsh. Sot i përulemi vizionit të delegatëve të Kongresit. Vepra e tyre për bashkimin e shqiptarëve rreth vlerave të identitetit dhe qytetërimit perëndimor duhet të jetë udhërrëfyes i përhershëm për ne”, ka shkruar Osmani.
Kongresi i Manastirit u zhvillua mes 14-22 nëntorit të vitit 1908 dhe morën pjesë 50 delegatë nga 26 qytete të ndryshme, klube dhe shoqata. Në këtë Kongres u miratua vendimi që të pranohet alfabeti latin me disa ndryshime të shkronjave duke i adaptuar ato për gjuhën shqipe.
Kryetar i Kongresit u zgjodh Mithat Frashëri, kurse nënkryetarë ishin Luigj Gurakuqi dhe Gjergji Qiriazi, ndërsa motra e tij Parashqevi Qiriazi, ishte gruaja e vetme në këtë Kongres.
Sipas numrit dhe rëndësisë së pjesëmarrësve, Kongresi i Manastirit ka qenë ngjarja më e rëndësishme e popullit shqiptar në fillimet e shekullit XX, ku si rezultat i kësaj pune më 28 Nëntor të vitit 1912 u shpall edhe pavarësia e Shqipërisë.
Për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut kjo ditë është ditë feste dhe nuk punohet, ndërsa në Manastir funksionon Muzeu i Alfabetit të Gjuhës Shqipe, në të cilin gjenden rreth 56 fotografi të pjesëmarrësve dhe 230 dokumente në formë digjitale dhe në letër.

Gjendet nga familjaret e tij 28 vjeçari nga Malisheva që u raportua si i zhdukur

Jetmir Rudi nga fshati Rud i Malishevës është gjetur nga familjaret e tij, pasi ishte raportuar nga se është zhdukur. Burime të Indeksonline ka thënë se ai për momentin ëshë duke marrë ndihmë mjekësore në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Malishevë.
Ndërkohë që sot gjatë ditës një portal lokal, ka publikuar disa imazhe, ku shihet një i ri, i lidhur dhe i shtrirë në tokë. Ndërsa pretendohet se bëhet fjalë për 28 vjeçarin.
Familjarët kanë raportuar se Jetmiri ishte larguar nga shtëpia dhe nuk është kthyer më…

MOTI

Të henen parashikohet mot me diell , temperaturat do të levizin nga 1 deri 10 gradë Celsius. Mot mot i ngjashem në Tiranë, me temperatura nga 8-21 gradë celcius.

COVID-19 NË KOSOVË:

Total raste: 34295. Të Shëruar: 21043. Të vdekur: 914
www.rtvarberia.com
Tri kanalet e RTV Arbëria si dhe Radion mund të i ndiqni edhe në www.iptvshqipott.com

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *