Mër. Nën 13th, 2024

Përplasje SBASHK-prindër rreth grevës

Nesër do të shihet nëse 1 shtatori do të jetë dita e parë e shkollës për fatosat, si dhe dita e parë e vitit të ri shkollor për nxënësit e tjerë. Derisa në SBASHK kanë thënë se fëmijët do të rrinë në shtëpi, nëse Qeveria nuk ua jep mësimdhënësve nga 100 euro shtesë për muaj, në Këshillin e Prindërve kanë kërkuar që prindërit të shkojnë nesër në shkollë bashkë me fëmijët. E, ministri Murati ka dalë me një paralajmërim
Greva e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit mund t’i privojë nxënësit nga dita e parë e shkollës për 100 euro.

Kushti i SBASHK-ut ka qenë që mësimdhënësit të marrin nga 100 euro shtesë deri në miratimin e Ligjit të Pagave në mënyrë që të nisë mësimi, por këtë kërkesë nuk e ka miratuar Qeveria.

Kësisoj, një ditë para një shtatorit, kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Rrahman Jasharaj, bëri thirrje që në vend të shkollës nxënësit të rrinë në shtëpi.

“I lus prindërit e Kosovës që angazhimet e tyre t’i orientojnë kah Qeveria që të kemi dialog dhe zgjidhje të kërkesave tona dhe i lus prindërit e Kosovës që për hir të sigurisë së nxënësve të mos enden rrugëve, të kthehen nga shkolla e të shkojnë në shkollë kot që fëmijët të rrinë në shtëpi. Prindërit, të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë ta bëjnë të pamundurën që të kemi dialog që greva të zgjasë më pak dhe greva do të zgjasë më pak nëse Qeveria ulet dhe fillon së realizuari kërkesat tona”, ka thënë Jasharaj.

Por, ky vendim po konsiderohet i papranueshëm për Këshillin e Prindërve, të cilët u kanë bërë thirrje prindërve që të enjten fëmijët t’i dërgojnë në shkolla.

Për situatën e krijuar ata e kanë kritikuar edhe Qeverinë e Kosovës, derisa kanë kërkuar nga palët që zgjidhje të gjejnë nëpërmjet dialogut.

“Këshilli i Prindërve të Kosovës mban qëndrim që mësimi nesër të fillojë. Pra, mësimi duhet të fillojë më 1 shtator dhe prindërit duhet të shkojnë bashkë me fëmijët në shkollë, që të sigurohen nëse mësimdhënësit janë gati të nisin mësimin ose jo”, ka thënë Salie Osmankaq nga Këshilli i Prindërve.

Por, për ata mësimdhënës që nesër nuk shkojnë në punë, ministri i Financave, Hekuran Murati, ka bërë të ditur edhe një herë se do të pezullohen nga paga.

Madje, për disa nga ta ai ka njoftuar se nuk është bërë ekzekutimi i pagave dhe se atë do ta bëjë pas kompletimit të listave të grevistëve, të cilat Sindikata e drejtoritë e arsimit po hezitojnë t’ia dorëzojnë.

“Çdo person që ka qenë në grevë dhe vazhdon të jetë në grevë do të trajtohet sipas paragrafit 1 të nenit 18 të Ligjit për grevën, i cili parasheh që të pezullohet obligimi i dyanshëm. Në njërën anë punëtori nuk e ka obligim ta respektojë kontratën e punës, pra të dalë në punë t’i kryejë detyrat sipas përshkrimit të punës dhe, në anën tjetër, për punëdhënësin pezullohet obligimi i pagesës”, ka thënë Murati.

Thirrjes së SBASHK-ut për grevë mësimdhënësit i janë bashkuar që nga 25 gushti.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *